Nė 100-vjetorin e lindjes sė pianistit tė parė shqiptar, Tonin Guraziu, botohet krijimtaria e tij pianistike. 10 vjet nga koncerti i tij i fundit, dje u zhvillua njė pėrkujtimore nė TKOB."Unė jam njė njeri me njė jetė tė ēuditshme; nė fillim isha, pastaj s'isha dhe sot jam".
E dini se kush më ndihmoi që në moshën 90-vjeçare të ndihem ende aq i fortë sa të ndodhem sonte këtu pranë jush në këtë skenë prestigjioze? Besimi se komunizmi nuk do të kishte më vend në Shqipëri". Kështu do të shprehej në koncertin e tij të fundit, pianisti 90-vjeçar, Tonin Guraziu, i cili do të shuhej vetëm një vit më vonë. Dje Shkodra kishte zbritur në Tiranë. Nuk ishin vetëm Gurazinjtë, por edhe shumë të tjerë që e njohën dhe e deshën. Nuk mund të mungojnë edhe ish-nxënësit, sot të mbuluar nga thinjat, por të emocionuar si të ishin sërish në bankat e shkollës.
Në hollin e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, u zhvillua një ceremoni përkujtimi për pianistin e parë shqiptar, Tonin Guraziun, në 100- vjetorin e lindjes. Ca kujtime dhe shumë muzikë. Sepse muzika u bë mburoja e pianistit dhe bashkudhëtarja një piano "Hofman".
Për nder të pianistit, u promovua edhe një libër, ku përshkruhet jeta e artistit, ku janë hedhur kujtimet e nxënësve. I rëndësishëm është fakti, që për herë të parë përmes këtij libri, të titulluar "Tonin Guraziu, një jetë në piano" u botuan veprat e kompozuara prej tij. Për pjesën e jetëshkrimit u kujdes i nipi i pianistit, Filip Guraziu, ndërsa për pjesën muzikore, ndihmoi maestro Robert Radoja.
Jetëshkrimi i treguar nga Filipi ndërthuret me kujtime të vetë pianistit, hedhur në një ditar që ai mbante qysh i ri. Po ashtu edhe dorëshkrimet e veprave ruheshin në shtëpinë e tij. Janë kryesisht pjesë pianistike, pasi kompozitori evitoi krijimin e këngëve, që aso kohe nuk i shpëtonin dot teksteve partiake. Të vetmet pjesë të kënduara mbetën romancat "Të dua" dhe "Vajtimi i Rozafës", një kantatë, ku shprehet vuajtja shpirtërore e kompozitorit për humbjen e të vëllait. Temat e preferuara janë ato që lidhen me tabanin kombëtar. Frymëzimi i tij vinte nga bukuria e natyrës, madhështia e kështjellave dhe qyteteve me tradita të hershme arkitekturore. Në libër përfshihen 36 pjesë pianistike, ku që në tituj ndihen motivet e preferuara, si "Vallja e zanave", "Vallja malcore", "Vokalica e Rozafës", "Kruja", "Gjirokastra", "Valle shkodrane", "Vallja e burrave", "Kërcimi i lodrës", etj.
Për arsye që mund t'i gjente vetëm një sistem i sëmurë, si ai komunist, Guraziu, edhe pse pianisti i parë shqiptar, me arsimim në Bolonja të Italisë dhe një kulturë të gjerë, u la në hije për vite të tëra. Iu desh të kalonte vite shumë të vështira. Konfiskim pronash e shtëpish dhe më e dhimbshmja, pushkatimi i të vëllait në shkurt të vitit 1951. Vite më vonë gjyqi që dënoi vëllanë e tij, Pjerinin do të shpallej i paligjshëm dhe të dënuarit e pafajshëm, megjithatë, askush nuk mund t'ia kthente më të vëllain. Tonin Guraziu u rrit në Itali. Ishte 5 vjeç, ku familja shkodrane e Gurazinjve, u zhvendos në Bari, për të shpëtuar nga ngjarjet e rënda të vitit 1913, që lanë jashtë kufijve të Shqipërisë, shumë treva shqiptare. "Qyshë i vogël kam pëlqye muzikën operistike dhe religjoze.
E bukra në kompleksitetin e vet më ka krijue gjithmonë gëzim, entuziazëm e optimizëm. Kënaqësia ma e madhe ishte momenti kur me gjithë familjen ndiqshe Meshën e së Dielës në Kishë, ku ndigjojshe kombinacionet magjike të muzikës polifonike religjoze", - shkruan Tonini në ditarin e tij. Ishte një fëmijë me fat. I ati i ushqeu dëshirën për muzikën, e çonte në operën e Barit, ku prenotonte një llozhë vetëm për ta. U diplomua në Akademinë e Bolonjës për piano, ku u vlerësua me pikët maksimale.
Bashkë me familjen u kthye në Shqipëri. Në vitin 1936 në Kinema "Rozafa" së bashku me sopranon, Marije Paluca (Kraja) dhanë të parin koncert operistik në Shqipëri. Interpretuan Beethoven, Chopin, Liszt, etj. (Më vonë pianisti do ta përmendte me dëshpërim faktin që sistemi komunist u mundua të ndryshojë edhe historinë e muzikës, duke e zhvendosur të parin koncert operistik në Lushnje). Koncertet do të ndiqnin njëri-tjetrin në shoqërinë e Tefta Tashko Koços, Marije Krajës, Jorgjie Trujës, etj. Në vitet '40-'43 punoi në Radio Tirana, por u largua për mendime të kundërta me propagandën fashiste. Por do të rikthehej sërish si përgjegjës muzikor, pas çlirimit. "Shpresat për ndërtimin e nji rendi demokratik ishin të mdhaja, por shpejt u kuptue se të gjitha premtimet e bame gjatë periudhës së luftës prej komunistave nuk ishin gja tjetër veçse demagogji", - vijon në ditarin e tij Guraziut.
Puna do të vijonte në Liceun Artistik të Tiranës, ku do të kishte nxënës Tonin Harapin, Kozma Larën, Alqi Karecon, Lali Gabecin, për të vijuar më vonë me Margarita Kristidhin, Robert Radonë, Mira Ficon, Lili Tafajn, etj. Në vitin 1950 do të bëhej koncertmaestër i Filarmonisë së parë shqiptare. Më vonë me hapjen e Konservatorit të Muzikës pranë Institutit të Lartë të Arteve do të ishte profesor në katedrën e pianofortes. Por të gjitha këto fshiheshin përpara logjikës komuniste. Ndërsa po shkonte tek të 60-at, profesori pushohet nga puna dhe burgoset.
Më pas asnjë institucion nuk do të hapte më dyert për Guraziun, i cili gjithsesi nuk iu nda për asnjë moment muzikës. Ndërrimi i sistemeve e gjeti në një moshë të thyer, ku ishte 82 vjeç. Por nuk ishte vonë për t'iu rikthyer skenës. Ish-nxënësit e thërrisnin në çdo konkurs e festival, duke e bërë edhe president nderi. Në vitin 1996 do të jepte një koncert në Shkodër, të titulluar "Ringjallja" dhe në vitin 1998, më në fund do të ngjitej në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit. (Guraziu koncertoi të parën opera të vënë në Shqipëri "Rusallka"). Në atë koncert interpretoi pjesë të kompozitorëve të huaj, por edhe krijime të tijat.
Sopranoja Mirela Tafaj interpretoi romancat "Sa të dua" dhe "Vajtimi i Rozafës". Boris Plumbi, një tjetër pianist i madh shqiptar, i ndarë nga jeta jo shumë kohë më parë, do të shprehej dikur: "Vitaliteti dhe muzikaliteti i interpretimit në piano, gjë fort e rrallë për një pianist 90-vjeçar, do të mbeten të paharruara për spektatorët. Suksesi ishte i plotë. Ajo natë ishte fitorja e vonuar, por plotësisht e merituar e prof. Guraziut".