Janė tė shndritshėm, ekonomikė dhe thuajse tė padallueshėm nga ata tė vėrtetėt: po fryn era e post-diamanteve, njė diamant i krijuar nė laborator.
Janë simbol internacional i dashurisë, të impenjimit sentimental, të fuqisë dhe pasurisë për të gjitha kokat e kurorëzuara, objekte çmendurie dhe rrëmbimesh.
Diamanti gjithmonë është konsideruar guri më i dëshiruar në botë. Emri i tij vjen nga greqishtja "adams", që do të thotë i pathyeshëm dhe është i ndërtuar nga një varg kristalin karboni.
Por së fundmi ka shpërthyer një revolucion në botën e diamanteve: arriti post-diamanti.Nuk vjen absolutisht nga thellësitë e tokës, por është një krijesë e teknologjisë: i ngjashëm në strukturën kristaline, identik në reflektimin në mënyrë të përkryer të dritës, por... absolutisht artificial. E mbi të gjitha shumë ekonomik: një post-diamant mund të kushtojë deri në 70% më pak sesa binjaku i tij natyral.
Lufta është e pashmangshme: nga njëra anë shoqëritë më të famshme të diamanteve që kontrollojnë thuajse 90% të tregut botëror, dhe nga ana tjetër, dy firma amerikane që kanë krijuar këtë teknologji të re, e cila e bën të pamundur dallimin e një diamanti natyral nga ai artificial.
Këta gurë artificialë janë fryt i pesëdhjetë vjet këmbënguljesh dhe tentativash. Që prej një gjysmë shekulli shkencëtarët rreken të krijojnë kopje të tilla diamantesh, që mund të mashtrojnë edhe ekspertët më të mirë në fushën e gurëve të çmuar.
Mjaft të mendosh se që në vitin 1954 një kërkuese nga New York, Tracy Hall, kishte projektuar një makinë që ishte në gjendje të riprodhonte kushtet që ekzistojnë në natyrë dhe që janë të domosdoshme për formacionin e diamanteve. Por pa qenë në gjendje të prodhonte gurë aq të bukur sa ata natyralët. Dhe ja ku shfaqen diamantet e "rinj", që këta alkimistë modernë nuk preferojnë aspak t'i quajnë fals apo artificialë, por diamante të kultivuar.
Për kë janë prodhuar këta gurë kaq të veçantë? Sigurisht për një tip të ri klientele, kaq të përvëluar për të pasur në trup gurë të tillë të çmuar, pa shpenzuar shuma marramendëse parash, ose më mirë le të themi për ata që pëlqejnë të alternojnë bizhutë e rëndësishme me ato praktike.
Me siguri që do të pyesni: po diamantet e vërtetë ç'fund do të kenë? "De Beers", kompania që ka zotëruar për mbi 20 vjet monopolin e diamanteve, ka nxituar të deklarojë se, sipas një sondazhi të kryer së fundmi, 94 për qind e grave dëshirojnë pa dyshim një diamant të vërtetë, nga ata që i bëjnë aq të dukshme gratë nga dashnoret, dhe i vënë në aq shumë vështirësi burrat që i dhurojnë.
Nga ana tjetër, edhe tregu i diamanteve, të atyre të vërtetëve, është i bazuar në një iluzion: në fakt, ndryshe nga ç'mendohej, diamantet në natyrë nuk janë dhe aq të rrallë. Ajo që i bën të rrallë dhe të çmuar është një kombinim dinak i marketingut dhe distribucionit dhe fakti që vetëm pesë shoqëri kontrollojnë 90 për qind të tregut botëror.
Zgjedhja ju përket ju: diamant të vërtetë apo një post-diamant?!