Vitet e ardhshme Shoqėria e Hekurudhave Gjermane (Deutsche Bahn) duhet tė bėhet njė nga kompanitė lider nė tregun botėror nė sektorin e logjistikės dhe mobilitetit.
Ky objektiv u fomulua të hënën (31.3.) në Berlin nga shefi i hekurudhës Hartmut Mehdorn në konferencën për shtyp mbi bilancin e kompanisë. Planet e menaxherit janë të kontestuara politikisht pasi një pjesë të tyre ai synon t'i realizojë përmes privatizimit të koncernit shtetëror. Në aspektin ekonomik Mehdorn paraqiti shifra pozitive megjithë çmimet në rritje të energjisë dhe grevave disa javore të makinistëve. Fitimi i kompanisë është rritur me rreth 1,72 miliardë euro, rreth 40 milionë euro më shumë se në vitin 2006.
Objektiva ambiciozë
Optimist dhe luftarak u paraqit në konferencën për shtyp të bilancit të Shoqërisë së Hekurudhave shefi i saj Hartmut Mehdorn mbajtur në një hotel luksoz në sheshin Potsdam në Berlin. Mjaft ambicioze ishin edhe objektivat që Mehdorn ka vendosur për vete dhe rreth 237000 punonjësit e kompanisë ende shtetërore. Deutsche Bahn duhet të bëhet një aktor global në tregun me konkurrencë të fortë të transportit të mallrave dhe personave. Kusht për këtë është një privatizim i pjesshëm thekson Mehdorn:
"Monopoli shtetëror garantues i shërbimeve për qytetarët është model i vjetëruar".
Për këtë arsye hekurudha gjermane nën drejtimin e tij lufton për një treg të hapur:
"Na vjen keq që kjo ende nuk zbatohet në të gjithë Evropën dhe nuk është e mundur madje as në shtetet fqinjë me ne. Ne besojmë se me privatizimin e pjesshëm të hekurudhës do të ndërmerren hapat e nevojshëm për t'u konfirmuar në tregun europian por edhe atë botëror.
Në transportin e mallrave kufijtë europianë janë hapur qysh në vitin 2004, deri në vitin 2010 kjo duhet të bëhet e mundur edhe për transportin e personave. Në të dy sektorët e biznesit Deutsche Bahn e ndjen veten të armatosur mirë me një xhiro prej 31,3 miliardë eurosh gjatë vitit të kaluar që do të thotë një shtesë prej 4,2 për qindësh. Në sektorin e transportit të mallrave u shënua një rritje prej 2,5 për qindësh ndërkohë që numri i udhëtarëve pati një rënie prej 1 për qind në krahasim me një vit më parë. Sipas Mehdorn kjo ishte pasojë direkte e grevës së makinistëve.
Qeveria mbështet privatizimin
Mbështetje për planet e privatizimit Mehdorn ka marrë nga qeveria gjermane. Zëdhënësja e Ministrisë së Transporteve, Sabine Mevald tha se hekurudha ka nevojë për investuesit:
"Hekurudha ka nevojë për fonde të freskëta. Kështu rruga që u përshkrua është ajo e duhura: privatizim i pjesshëm i hekurudhës."
Më shumë duhet bërë në drejtim të investimeve shtetërore nëse Gjermania dëshëron të ruajë pozicionin e saj kryesues, mendon shefi i hekurudhës gjermane Mehdorn:
"Vende të tjera si Spanja, Franca apo Italia investojnë çdo vit miliarda në rrjetet e tyre hekurudhore. Kështu brenda disa vitesh Spanja pritet të ketë rrjetin më të madh europian të shpejtësisë së lartë. Sa i takon invetimeve në rrjetin hekurudhor Gjermania ndodhet në vend të fundit krahasuar me fqinjët europianë. Një vend tranzit si Gjermania nuk mund t'ia lejojë vetes një gjë të tillë."
Mehdorn u mbrojt me forcë ndaj akuzës se Deutsche Bahn neglizhon infrastrukturën egzistuese për të paraqitur kështu një bilanc më të mirë, gjë që e bën kompaninë edhe më atraktive për investuesit e mundshëm privatë:
"Rrjeti hekurudhor që ne kemi është rrjeti më i mirë që shfrytëzohet nga ndonjë shoqëri hekurudhore në Europë."
Politika duhet të krijojë kushte të barabarta konkurrence
Më shumë duhet punuar në drejtim të konkurrencës me ofruesit e llojeve të alternative të transportit, p.sh. me shoqëritë ajrore. Sipas tij taksat që duhet të përballojnë udhëtarët e trenave janë rreth 20 për qind më të larta se ato që rëndojnë mbi pasagjerët e avionëve për distanca të ngjashme.
Këtu është e nevojshme të ndërhyjë politika, ishte kërkesa që shefi i Deutsche Bahn i drejtoi qeverisë. Mehdorn pret me tension vendimin mbi privatizimin e hekurudhës gjermane që pritet të merret më 28 prill nga koalicioni kristiandemokrat-kristiansocial.