Avni AVDIU-
Ėshtė mjaft zor tė flitet pėr postmodernen nė shoqėrinė shqiptare, pikėrisht pėr faktin se asaj iu imponua postmodernia pa e kaluar modernen. Nė vallen e shoqėrores janė futur tradicionalja, modernia dhe postmodernia. Krahė pėr krahė rrugėve mund tė takosh nėnė e bijė; e para plakė e rrudhur dhe gati e kėrrusur qė ėshtė e mbėshtjellur dhe me mbulesė dhe e dyta, vajza e saj e re e gjysmėzhveshur ose e veshur me rrobe tė tejdukshme. Po ashtu mund tė takosh edhe babė e bir, ku plaku me plis nė kokė dhe veshje zhguni ec me tė riun me flokė tė rruar, farmerka tė grisura qėllimisht, me vath nė vesh dhe tatuazh nė krah. Ky kontrast paraqet pikėrisht siē do tė shprehej Leotar "paradoksin e sė ardhmes (post) dhe tė shkuarės (modo)".
Ndryshimet në shoqërinë shqiptare janë më se evidente, ndonëse ato zhvillohen disi në mënyrë difuze dhe konfuze. Vërehet tendenca për të ecur me kohën (madje kjo është bërë edhe moto e shumë publiciteteve propagandistike), por në shumë raste vërehet se mungon çelësi-kodi për të qenë në trend (sepse shpeshherë mungon edhe komunikimi brendashqiptar). Shqiptarët përmes migrimeve janë shpërngulur sa këtej - sa andej dhe pothuajse të gjithë janë zhvendosur nga vendbanimet e tyre falë hapësirës së homogjenizuar. Masa amorfe, të cilën Bodrijar e quan 'vrimë e zezë', 'nën ndikimin e masmediave absorbon gjithë informatat, rekomandimet, komunikimet - respektivisht tërë shoqërinë. Tani në vend të energjisë shoqërore, kemi masën pasive, e cila është në gjendje apatie'.
Sistemi i kaluar socialist na futi në ngrehinën kolektiviste, mu ashtu siç i detyron bariu delet që të mos ndahen nga kopeja. Për ta arritur qëllimin, ai bërtet, godet me shkop dhe në mbështetje e ka edhe qenin besnik. Metaforikisht të gjitha këto instrumente i posedonte edhe regjimi diktatorial. Ndryshon fakti se ai kishte mekanizëm më të sofistikuar për t'ia arritur qëllimit. Kolektivizmi u shpall si parimi më i lartë moral. Individualizmi gjykohej si mëkati më i madh, mbeturinë e së kaluarës. Ekonomia ndërtohej përmes shoqërizimit të pronës private, e cila duhej kaluar në duart të leviatanit të quajtur shtet. Shoqërorja vihej mbi individualen dhe në emër të saj, madje në të shumtën e rasteve duhej sakrifikuar e viktimizuar individualja. Ajo ndërtohej me planifikim, centralizim, me grusht të hekurt... e gjitha dilte nga një mendje e vetme që projektonte arkitekturën hierarkike dhe burokratike të funksionalizimit të pushtetit proletar. Në thelb, vetë komunizmi, teoria dhe praktika e tij, mund të vështrohen si dukuri 'hiper'. Hipersocialja e lindi kultin e personalitetit dhe njëherësh përjashtoi iluzionin për pavarësi dhe liri personale. Më pas u bë kalimi frapant prej vizionit tragjik në vizionin katastrofik.
Demokracia për shqiptarët i hapi portat dhe dritaret e mëdha. Tranzicioni u përshkua me një oreks dhe dëshirë të pakufishme për të pasur. Nga hipersocialja u kalua në hipermaterijalen. Realiteti u stërmbush me materialitet, bile edhe mendimi paraqiste një nga format e lëvizjes së materiales. Si hiperdukuri, materialiteti pushtoi tërë qenien njerëzore në përgjithësi. Tashmë njeriu në profil të ri nuk është ai që ishte. Metamorfoza e tij tani nënkuptonte bredhjen kah e panjohura, drejt X-it, largim nga boshti i qendrës ku ai gravitonte. Qendra humbi, ndërsa realiteti u shpërbë dhe prej tij nuk mbeti gjë tjetër përpos nostalgjisë për të.
Realiteti mbeti pas nesh. Qenësimi iu kthye në rivlerësim vetvetes. Individualistët e rinj që po dalin gjithnjë e më tepër në shoqëri në kërkim të mundësive të tjera më të mira për veten, shkëputen nga të tjerët për të formuar sensin personal të vetes. Dëshira për ta prekur me çdo kusht luksin, për ta pasur atë dhe për ta zotëruar ka kaluar në mani.
Heqjen dorë nga vlerat tradicionale, si: bujaria, mikpritja, ndihma reciproke, solidariteti, altruizmi, filantropia etj. Ata e kuptojnë si mundësi integrimi me botën e qytetëruar, si vlerë dhe kulturë progresiste dhe si mekanizëm për të ndërtuar profilin e ri të personalitetit konform kushteve dhe rrethanave të reja të sapokrijuara. Eurocentrizmi është pikëmbërritje e vetme ku mpleksen ëndrrat, dëshirat dhe planet e gjithsecilit.
Shqiptarët me një shpejtësi të madhe ndërruan edhe mënyrën e pagëzimit të foshnjave. Gjithnjë e më tepër shfaqej tendenca e ikjes nga emrat arab dhe përvetësimi i emrave me domethënie shqipe dhe të huazuar nga yjet perëndimor (të filmave, muzikës, sportit). Disa i ndërruan emrat personal edhe për përfitime materiale (kryesisht në Greqi) për të dëshmuar lojalitetin total ndaj vendit ku punonin ose edhe për të maskuar identitetin e tyre. Në Kosovë, menjëherë pas luftës ishte indikativ pagëzimi i foshnjave me emrat e figurave të politikës botërore që kontribuuan në ndërhyrjen e NATO-s. Ish sekretarja amerikane e shtetit, Medlin Olbrajt deklaroi në Nju Xhersi më 28 korrik 2006 se: "Shumë shqiptarë të Kosovës kanë pagëzuar vajzat e tyre me emrin tim". Përpos Medlin, tani në Kosovë shumë fëmijë kanë edhe emra të personaliteteve tjera politike si Bler, Toni, Klinton, Xhemi etj.
Lidhjet fisnore e fqinjësore tashmë janë zbehur ose kanë filluar të shthuren. Ftohja midis miqve të dikurshëm, kalon në një mospërfillje totale dhe argumenti është i lehtë për t'u gjetur dhe për t'u arsyetuar gjithçka: kohët janë bërë aq intensive saqë është vështirë edhe të takohesh me të tjerët. Nuk dëgjohen veçse ato biseda që kanë të bëjnë me biznesin, karrierën, famën dhe afirmimin e unit. Thjesht në qarkullim janë vetëm ato fjalë që kanë lidhje me sigurimin e interesit të ngushtë personal. Të tjerat trajtohen si llafe të kota e të bezditshme, idiotësi ose humbje kohe, pavarësisht se mund të kenë të bëjnë me artin, kulturën dhe me diturinë. Puna më nuk është shenjë identifikuese e suksesit që siç kuptohej nga etika protestante, nënkupton edhe faktin e të qenurit i afërt me Zotin. Zoti më në njëfarë mënyre është abstrahuar. Në rrethanat e krijuara, fitimi synohet me çdo kusht, megjithëse jo përmes punës, por nëpërmjet rrugëve tjera më të lehta. Shqetësimi vetëm për të plotësuar nevojat materiale kalon në ankth permanent deri sa më në fund shndërrohet në mani dhe lakmi të pakufishme.
Deleuze ishte i të njëjtit mendim me postmodernistin japonez Yoshimoto Takai, sipas të cilit konsumi është formë e re e rezistencës. "Doni të harxhojmë, në rregull, ejani të shpenzojmë gjithnjë e më tepër dhe çfarëdo qoftë", pa marrë parasysh synimin e panevojshëm dhe absurd. Kjo është strategjia reale, të cilën ai e quan hiperkonformizëm.
Kjo "etje dhe uri e pashuar dhe e pangopshme" ka dobësuar dukshëm pasurinë intelektuale të shoqërisë, duke i zbehur energjitë dhe potencialet e saj. Tashmë edhe mjekët e kanë harruar betimin e Hipokratit. S'ka më etikë mjekësore, s'ka mëshirë, s'ka humanizëm... Kjo më së miri shihet nga rastet e aborteve në klinikat e improvizuara private gjinekologjike. Shumica e klinikave private kryejnë shërbime të abortit edhe të ndaluara me ligj. Mëshira nuk vjen në shprehje edhe për rastet kur fryti arrin edhe në gjashtë muaj. Pra "betimi i Hipokratit" është bërë BETIM i HIPOKRITIT. Edhe udhëheqësit shpirtërorë, ata që predikojnë fenë, në vend se ta fokusojnë interesimin për përhapjen e bindjeve religjioze dhe përsosjen shpirtërore të popullatës, më tepër interesohen se kush po vdes, ngase marrin para për ceremoni varrimi. "Bën si të them unë, e jo si më sheh", është sintagma që qarkullon në mesin e predikuesve.
Ndërkaq, autorë të ndryshëm intencë paraprake në shkrimet e tyre ose në krijimtaritë artistike, kanë kalkulimet utilitariste materiale, duke abstraktuar mesazhet e zakonshme etiko-estetike, por edhe edukative. Ndërkaq për gazetarin e sotëm, secili lajm i keq është lajm i mirë. Qejfi i secilës redaksi gazetarie sot është të zbulojë skandale, për t'i hedhur në ballinë veç sa për t'i joshur lexuesit e për ta shtuar shitjen. Arti nga ana tjetër ka dalur nga kornizat e modernes dhe avangardës. Nuk është më as larpurlartizëm. S'dihet tani se a synon diku ose është kthyer edhe kundër vetvetes. Mendësia e re në krijim e sipër e shoqërisë është duke u shoqëruar gjithnjë e më tepër me një kompleks të çuditshëm inferioriteti në raport me të tjerët, sa i përket vlerave, traditës dhe kulturës së tyre.