Fragment nga libri historiko-politik i Koēo Danaj
Përse kryengritja në Maqedoni nuk u shndrrua në konflikt ndëretnik?
Eshtë një pyetje që kërkon përgjigje. Përse kryengritja e shqiptarëve në Maqedoni në vitin 2001, nuk u shndrrua në konflikt të pastër ndëretnik? Duhet harruar apo duhet kujtuar kryengritja e shqiptarëve? Apo duhet harruar ajo dhe duhen kujtuar për të mos u përsëritur më, rrënjët që shkaktuan atë ? Më duhet të jap disa përgjigje, për t´ju përgjigjur pyetjes kryesore . Ato përbëjnë boshtin e këtij libri.
Më duhet ta ritheksoj qysh në fillim se Kryengritja e vitit 2001 në Maqedoni edhe mund të shndrrohej në konflikt ndëretnik. Por mbeti një kryengritje midis UCK dhe forcave qeveritare. Me përjashtim të ngjarjeve te Manastirit kur ndaj shqiptarëve u ushtrua gjenocid i pastër nga shtresa ekstremistësh maqedonë, nuk ka pasur raste të tjera te dukshme. Ndërsa ka pasur mentalitet ultranacionalist nga qeveria maqedonase.
Historia e luftës, e politikës kërkon medoemos edhe një politikë të drejtë dhe të saktë të vetë kësaj historie. Që do të thotë se historia e kryengritjes e vitit 2001 duhet shkruar dhe trajtuar jo me mëndësite e vitit 2008, as me mëndësitë e simpative apo antipative të vitit 2008, as me referencat apo preferencat e vitit 2008, as me përdorimin pragmatik të këtij viti kryengritës nga forca te ndryshme politike apo drejtuesve të tyre. As me jehonën e fushatave elektorale apo me qënien në pushtet dhe në opozitë. Në sistemet pluraliste, formulimi i historisë së ngjarjeve mbi bazën e qënies në pushtet e deformon atë duke e kthyer në të kundërtën e saj.
Një arsye madhore që më shtyu ta shkruaj këtë libër qëndron në vetë rëndësinë e vitit 2001 për shqiptarët dhe të ngjarjeve që e shoqëruan këtë vit në Maqedoni. Kryengritja e vitit 2001 në Maqedoni ndoshta nuk mund të ngjajë me librat klasike të luftrave dhe kryengritjeve të ndryshme. Sentenca e njohur se luftrat bëhen për teritore nuk ishte parësore gjatë kësaj kryengritje. Mendimet e mëvonshme se duhet të ishte bërë kështu apo ashtu, kanë shumë pak vlerë. Historia dhe analiza e saj nuk bëhen me sikur, por me ngjarjet e ndodhura në kohën për të cilën flitet. Kategoria e vrojtuesve politike të cilët në kohën e zhvillimit të ngjarjeve u shmangën nga qëndra e tyre, syojnë sot për të dalë mbi vetë ngjarjet, për të anatemuar dhe denigruar vetë kryengritjen. Marrëveshja e Prizrenit midis Ali Ahmetit, Arbër Xhaferrit dhe Imer Imerit në 22 maj 2001 tronditi politiken euroamerikane. Ajo ishte nje Marrëveshje Historike dhe mbetet një vlerë e madhe në Universin e vlerave morale të Shqiptarëve në Maqedoni. Vlera edhe mund të analizohet, por kurrsesi të anatemohet, apo më shumë të harrohet. Thelbi i europeizmit qëndron në tërësinë dhe larminë e vlerave të secilit komb.
Një arsye tjetër që më shtyu ta shpejtoj shkrimin dhe botimin e këtij libri është edhe përpjekja që bëhet për ta rrumbullakosur kryengritjen e vitit 2001 dhe për ta shkruar atë me një mëndësi të ndryshme nga mëndësia shkencore, nga mëndësia historike apo mëndësia njerëzore. Në sistemet pluraliste, historinë nuk e shkruan pushteti apo edhe OJQ pranë pushtetit. 7 vjet pas, ka një përpjekje në Maqedoni për të gjetur të përbashkëtën e konfliktit tek shqiptarët dhe maqedonasit. Por perveç perpjekjes se mire, ngjarjet e vitit 2001 jane shkruar me mëndësinë e partisë dhe politikës dhe jo të shkaqeve reale. Po e jap këtë interpretim sipas botimit tek LOBI:
Varianti maqedonas: "Periudha e viteve 2000-2001, në Republikën e Maqedonisë karakterizohet me ndryshime të ndërlikuara shoqëroro-ekonomike dhe politike si rezultat i tranzicionit.
Shumë kapacitete industriale falimentuan dhe u mbyllën, një pjesë e madhe e popullsisë mbeti pa punë dhe varfëria morri hov. Privatizimi ishte i shoqëruar me parregullshmëri të ndryshme, dobësi të legjislacionit dhe keqpërdorime të rënda. Qeveria aktuale në të cilën participonin edhe shqiptarët nuk mundej ta përballonte më këtë situatë në vend. Partitë politike ishin të formuara në baza etnike.
Rrethanat politike situatën në vend e bënin të pasigurte, më së shumti për shkak se për Maqedoninë ishin vitet e para si shtet i pavarur".
Varianti shqiptar: "Shkatërrimi i RSFJ-së dhe mëvetësimi i Republikës së Maqedonisë shkaktuan ndryshime të thella politike, shoqërore dhe ekonomike në vend.Pluralizmi manifestohej me formimin e partive politike të cilat, në vend të atij ideologjik, kishin karakter të fuqishëm etnik. Si rezultat i këtij tranzicioni, një pjesë e madhe e popullsisë mbetet pa punë, kurse varfëria, korrupsioni, kriminaliteti dhe kriza ekonomike marrin përmasa shumë të mëdha.Ekonomia e shkatërruar, aferat dhe skandalet politike, korrupsioni dhe marrëdhëniet e keqësuara ndëretnike edhe më shumë e destabilizuan vendin. Duhet të theksohet fakti se me Kushtetutën e vitit 1991, shqiptarët i humbën të drejtat të cilat, formalisht, i gëzonin me Kushtetutën e vitit 1974. Për këto shkaqe Kushtetuta u miratua pa votat e deputetëve shqiptarë në Parlament".
Varianti shqiptaro maqedonas: "Periudha e viteve 2000-2001 karakterizohet me papunësi të madhe (400.000 persona të aftë për punë janë të papunësuar kurse 80.000 familje marrin ndihma sociale) dhe me procesin e papërfunduar të privatizimit i shoqëruar me procedura për falimentim për shumë ndërmarrje. Vërehet rënie e standardit të jetës.
Jeta politike karakterizohet me parti një etnike, ndërsa Qeveria udhëhiqej nga parti nacionaliste. Qeverisja ishte e centralizuar, kurse sistemi juridik dhe ligjet nuk ishin të përfunduara (nuk ishin miratuar ligjet e nevojshme, ndërsa ato të miratuarat shpesh ndryshonin dhe gjykatat shumë ngadalë vendosin për lëndët).
Edhe pse në Parlament kishte përfaqësues shqiptarë dhe në koalicionin qeveritar kishte ministra-shqiptarë, në administratë dhe strukturat shtetërore, shqiptarët nuk ishin proporcionalisht të përfaqësuar. Partitë politike të shqiptarëve në Maqedoni publikisht vazhdojnë të tregojnë pakënaqësinë nga statusi i tyre në jetën politike dhe publike në vend. Tensionimi i marrëdhënieve ndëretnike vjen në shprehje gjatë protestave të shqiptarëve me kërkesë për rritjen e të drejtave kolektive ku ndëshkohen dhe konfrontohen me policinë si dhe gjatë protestave të maqedonasve kundër shtimit të të drejtave të shqiptarëve".
Një analizë e thjeshtë, të çon në konkluzionin se ngjarjet e vitit 2001 janë shkruar me mëndësinë e pushtetit. Konkluzioni i përbashkët se: «Tensionimi i marrëdhënieve ndëretnike vjen në shprehje gjatë protestave të shqiptarëve me kërkesë për rritjen e të drejtave kolektive ku ndëshkohen dhe konfrontohen me policinë si dhe gjatë protestave të maqedonasve kundër shtimit të të drejtave të shqiptarëve», apo : «Jeta politike karakterizohet me parti një etnike, ndërsa Qeveria udhëhiqej nga parti nacionaliste» është i pasaktë. Kryengritja në Maqedoni kishte rrënjë më të thella.
Mjafton vetëm nje fakt: Politikanët maqedonas dhe shqiptarë kanë harruar një detaj: Kur ata erdhën në pushtet në Maqedoninë e pavarur dhe pluraliste, bënë një amnisti gjysmake, e cila nuk përfshinte një pjesë të politikanëve aktualë të BDI-se. Dhe Maqedonia për arsye nga më të ndryshmet qysh kur u bë shtet i pavarur ka pasur në krye qeveri nacionaliste. Prirjen nacionaliste apo jo nuk ta jep emri i Partisë, por veprimtaria e saj. Në vitet 1991-1998, Maqedonia udhëhiqej nga një parti me emër socialdemokrat. Por kjo nuk e pengoi atë të ishte nacionaliste ndaj shqiptarëve.
Ngjarjet e vitit 2001, kanë nevojë të qëndrojnë si Vlera të Universit Moral të kombit shqiptar dhe jo si parzmore apo talisman i disa apo shumë politikanëve të djeshëm dhe të sotëm në Maqedoni, Kosovë e Shqipëri, disa prej të cilëve me kalimin e viteve kanë filluar të bejnë edhe përpjekjen për ta shtrëmbëruar apo modifikuar këtë Vlerë.
Përkundër strukturave të shtetit maqedon që krijoi edhe formacione terroriste dhe ultranacionaliste, shqiptarët u treguan me të emancipuar dhe më të civilizuar.
Gjate kryengritjes së shqiptarëve në vitin 2001, në Maqedoni u krijuan dhe filluan të vepronin disa organizata si: 1-" Organizata revolucionare maqedonase" e njohur me gjërësisht me emrin " Todor Aleksandrov". Sipas deklaratës së themeluesve të saj, kjo organizatë kishte rreth 1200 antarë të armatosur me shtrirje në të gjitha qytetet e Maqedonisë Perëndimore. 2- "Lëvizja për clirimin e Maqedonisë". Kjo organizatë u formua nën slloganin "Atdheu në rrezik ".3-Organizata Fronti revolucionar maqedonas .Këto tre organizata janë organizatorët dhe ekzekutorët e akteve të dhunshme ndaj shqiptarëve në Shkup dhe veçanërisht në qytetin e Manastirit.
Një arsye madhore e shkrimit të librit ka të bëjë me faktin që ndërsa maqedonët janë shumë me tepër nacionalistë se sa duhet, shqiptarët u treguan më shumë internacionalistë se sa duhet. Kjo mëndësi shekullore e shqiptarëve u shfaq hapur edhe në kryengritjen e vitit 2001. Ndërsa nga njëra anë, drejtuesit e UCK e konsideronin pushtues pushtetin maqedonas, nga ana tjetër nuk harronin të flisnin për ruajtjen e integritetit të Maqedonisë. Po sjell dy shëmbuj domethënës në favor të tezës së sipërthënë:
I pari ka të bëjë me drejtuesin kryesor të UCK Abaz Xhuka (Ali Ahmeti). Ja se çfarë thotë ai në një shkrim-platformë të botuar në 6 qershor 2001: "Në asnjë moment, shqiptarët në Maqedoni nuk kanë kërkuar zgjidhjen e problemeve në rishikim të kufijve ose në prishjen e Maqedonisë"."Ne kemi qenë për ruajtjen e Maqedonisë si njësi, ne kemi qenë të përkushtuar për ruajtjen e integritetit territorial dhe të sovranitetit të Maqedonisë, gjithmonë kemi shprehur gatishmëri për
dialog". (Ali Ahmeti Ja pse I morëm armët, 6 qershor 2001)
I dyti ka të bëjë me, Arbër Xhaferrin ish-lideri i PDSH, një parti me prirje nacionaliste në Maqedoni. Ja se çfarë thotë ai midis të tjerash në një letër drejtuar ish-sekretarit amerikan të shtetit, Pauell : "Por as unë e as komuniteti shqiptar i Maqedonisë nuk kemi hequr dorë nga vendi ynë dhe e ardhmja e saj. Ne besojmë që mund të arrihet një marrëveshje për të ndryshuar ligjet dhe trajtimin e shqiptarëve, të na mundësojë të bëhemi qytetarë të plotë dhe të barabartë të Maqedonisë".(Arber Xhaferri Letër drejtuar Kolin Pauell 2 korrik 2001)
Kryengritje e pambaruar
Dhe e fundit, por më e rëndësishmja. Kryengritja e shqiptarëve e vitit 2001 në Maqedoni, është një kryengritje e pambaruar.
Konkluzioni i sapoparashtruar nuk merr për bazë deklaratat politike të disa ish-drejtuesve të saj, nuk merr për bazë numurin e deputetëve në Parlament.(Në të kaluarën, Parlamenti turk dhe ai grek kishin me dhjetra deputetë shqiptarë. Por sot ne Turqi dhe greqi kemi vetëm turq apo grekë me origjinë shqiptare).
Konkluzioni se kryengritja e vitit 2001 është e pambaruar, bazohet në disa nga fondamentet që kanë të bëjnë me liritë dhe të drejtat.Kanë kaluar 7 vjet nga kryengritja e vitit 2001. Shqiptarët në Maqedoni akoma nuk e kanë gjuhën shqipe si gjuhë zyrtare. Nuk kanë akoma të lejuar me ligj përdorimin e flamurit kombëtar. Ka edhe të tjera që do të përmënden gjatë librit. Por gjuha dhe flamuri të palejuar, mjaftojnë për të pohuar se kryengritja e vitit 2001 është një kryengritje e pambaruar.
Ky libër është pjesë problemit shqiptar. Në libër trajtohen ato ngjarje që tashmë nuk përbëjnë sekret. Tashmë nuk përbën sekret se Arbër Xhaferri u takua me Ali Ahmetin në Tiranë në fundmarsin e vitit 2001 në një Rezidencë qeveritare në prani të ish-kryeministrit të Shqipërisë Ilir Meta dhe të autorit të librit. Ata përcaktuan strategjinë e përbashkët për realizimin e të drejtave të shqiptarëve.
Ashtu siç nuk eshte sekret se në atë takim Ali Ahmeti e quajti Arbër Xhaferrin "Vëllai i Madh". Ashtu siç nuk është më sekret se Arbër Xhaferri në fund majit të vitit 2001 pranoi të jepte dorëheqjen nga Kryetar i PDSH dhe të mos braktiste Ali Ahmetin dhe Marrëveshjen e Prizrenit. Tashmë nuk është sekret të pohohet se arsyeja e vërtetë që ish-kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj nuk u ftua në Shqipëri në mars 2001 ishte fakti se ai konsiderohej nga disa drejtues te qeverisë së Shqipërise si eksportues i kryengritjes nga Kosova në Maqedoni. Tashmë nuk përbën me sekret te thuhet se nuk ka qënë vetëm ish-kryeministri maqedonas Georgievski ai që kërkoi ndarjen e Maqedonisë. Por kanë qënë edhe shqiptarët të cilët e kërkuan dhe planifikuan këtë ndarje si një hap drejt zgjidhjes tërësore të çështjes shqiptare. Ashtu siç nuk është më sekret të thuhet se ata që e penguan këtë ndarje ishin disa politikanë shqiptarë në Tiranë, Tetovë dhe Prishtinë.Tashmë nuk është sekret të thuhet se hartuesi i vërtetë i Marrëveshjes së Ohrit, është ish-ambasadori amerikan Robert Frouik, që në vitin 2001 ishte përfaqësues i OSBE në Shkup.
Mos pranimi i Planit Frouik dhe largimi i tij nga Maqedonia si person i padëshirueshëm, nuk kishte të bënte me ndonjë gabim të tij. Në të kundërtën, kishte të bënte me një lëshim që diplomacia e SHBA i bëri asaj të BE. Pasi diplomacia e Brukselit në rastin e kryengritjes së shqiptarëve, hezitoi të pranonte realitetin. Ajo në kulmin e kryengritjes, firmosi me Maqedoninë MSA në Luksemburg.Tashmë nuk është më sekret të thuhet se edhe shërbimet inteligjente të Shqipërise dhe Maqedonisë bashkëpunuan me njëri tjetrin për ta penguar ndarjen e Maqedonisë etj.