Shkruar nga Beqė Cufaj-Rekuiem pėr luftėtarėt e "A"-sė. Ithtarėt e shprehjes Kosova e jo Kosovo. Sepse me Kushtetutėn e re "Republic of Kosova", "Republik Kosova" nuk ekziston. Nė vend tė saj kemi "Republic of Kosovo", "Republik Kosovo".
Duket të ketë qenë një rastësi e çuditshme, por vegjëlia ime i takon radhës së atyre që rastësinë nuk e pranojnë. Sepse asgjë nuk është e rastësishme. Kështu, të mërkurën në mëngjes, pikërisht në kohën kur Kuvendi i Kosovës ishte mbledhur për tia dhënë bekimin Kushtetutës së Republikës së Kosovës, duke shikuar lajmet e mëngjesit, në portalin serb "B92" lexoja mbishkrimin e një lajmi: "Kosova i talas trajkova". Për më të rinjtë që nuk e flasin këtë gjuhën e fqinjëve tanë, fjalia do të mund të përkthehej si "Kosova dhe vala e grevave". Natyrisht që nuk ishte vala e grevave ajo që më bënte përshtypje tek ky lajm. Shumë më tepër ishte ajo shkronjë prapa fjalës Kosovë. Pra në serbisht ishte shkruar "Kosova" e jo siç në (së paku) B 92 zakonisht shkruhet: Kosovo e shumë më tepër "Kosovo i Metohija".
Ndërkohë, Kuvendi i Kosovës u mblodh, fjalimet e hartuesve të dhe krerëve të institucioneve kryesore kosovare mbaruan dhe me këtë edhe mund të themi që Kosova prej sot, ose që të jemi edhe më të saktë prej datës 15 qershor do të jetë me Kushtetutën e saj, e cila për një vend me një histori, rrethana të vështira dhe goxha të pazakonshme, megjithatë ka arritur ta kalojë edhe këtë provim, i cili duhet të na mallëngjejë paksa bile. Mua për shembull me atë fjalinë aq të famshme, aq tragjike e cila për vite e vite të tëra nga të rinjtë e të rejat kosovare kumbonte si Republikë, Kushtetutë... Ja me hatër ja me luftë!. Republika së pari dhe Kushtetuta së dyti. U arritën. Edhe me hatër edhe me luftë. Ose anasjelltas.
Republika e Kosovës - shqip. Republika Kosovo - serbisht. Republic of Kosovo - anglisht. Republik Kosovo - gjermanisht... E kështu me radhë. Duke shikuar Kuvendin e Kosovës dhe fjalimet e politikanëve tanë të cilat për nga gjuha, por edhe për nga temperamenti, nuk sillnin diçka të papritur, kisha edhe kohën të shikoja nëse vërtet ka pasur diskutim për këtë aspekt të Kushtetutës sonë të re. Dhe që të jemi sinqertë, ka pasur diskutime dhe vërejtje. Gjithsesi, arsyetimet e Kryetarit të Komisionit Kushtetues (Hajredin Kuçit) linin tepër për të dëshiruar. Përgjigja e tij dhënë radios "Europa e Lirë" që kjo çështje do të zgjidhej më vonë dhe se tash për tash "do të mbetet si Republic of Kosovo" dhe më vonë do të mund të ndryshohet linte dhe lë shumë për të dëshiruar. Sepse më me vend do të ishte po qe se Kuçi thjesht do të kishte thënë që "Kosovo" është kompromis mes "Kosova" - në shqip dhe "Kosovo i Metohija" - në serbisht. Për tabelën e vendosur në Merdare ku shkruan "Republika Kosova" në serbisht dhe Republic of Kosovo në anglisht as të mos flasim
Ajo për të cilën këtu dua të flasim është se thjesht duhet ta pranojmë që të gjithë ne, që deri më sot kemi luftuar për "A"-në kemi humbur dje. Sa herë e kemi shkruar dhe tek redaktorët e librave dhe gazetave kemi insistuar që "Kosova" për miliona lexuesit perëndimorë (në anglisht, gjermanisht, frëngjisht, etj!) të mos vishet me "O"; kur kemi folur për shikuesit apo dëgjuesit e këtyre vendeve perëndimore dhe kurrën e kurrës nuk e kemi bërë gabimin që ti themi Kosovo; kur kemi diskutuar në podiume konferencash, tryezash e leximesh dhe pothuajse çdo shkëmbim fjalësh ka filluar pikërisht për dallimin mes "A"-së shqiptare dhe "O"-së serbe. Të gjitha këto më bien ndërmend derisa shoh që "Kosovo" apo "Republic of Kosovo" tash e tutje do të jetë edhe zyrtarisht shprehja të cilën duhet ta shkruajmë apo shqiptojmë kur komunikojmë me fjalën Kosovë në gjuhë të huaja. Aq më pak do të duhet të kemi dersin dhe guximin tu preferojmë miqve tanë perëndimorë ta shkruajnë apo thonë në gjuhët e tyre Kosova. Pra, historia e A-së dhe O-së me aprovimin e Kushtetutës mori fund dhe prej tash e tutje në Ambasadat e Republikës së Kosovës nëpër botë, marrëveshjet politike, ekonomike, kulturore do ta shkruajmë e lexojmë Republic of Kosovo.
Në këtë mes duhet thënë po kështu: krahasimi mes Gjermania (Deutschland- gjermanisht, Germany- anglisht), Austrisë (Österreich-gjermanisht, Austria- anglisht), Shqipëria (Shqipëria- shqip, Albania-anglisht) dhe Kosova (Kosova- shqip, Kosovo (i Metohija)- serbisht, Kosovo- anglisht) nuk qëndron sepse është ndryshimi mes një Deutschland dhe Germany aq i madh dhe esencial saqë nuk mund ta pranojmë që i shkon afërsisë së A-së shqipe dhe O-së serbe. Kosova me Kushtetutën e saj mes Kosova dhe Kosovo i Metohija duket që ka edhe kushtetutën ndërkombëtare- me O-në në fund!
Kuvendi i Kosovës tashmë ka mbyllur punimet dhe parlamentarët tanë ia urojnë njëri-tjetrit Kushtetutën e "Republic of Kosovo". Nuk jam aspak i penduar që isha luftëtar i "A"-së, në gjuhë të huaja. Por po aq do të bindem tash e tutje dhe në po këto gjuhë do ta shkruaj dhe them: Kosovo. Sepse kështu shkruan në librin e shenjtë - Kushtetutën e shtetit të cilit i takoj. Në websajtin serb "B 92" ndërkohë është hequr "A"-ja. "Kosovo i talas trajkova", shkruan aty. Duhet të ketë qenë një gabim i lektorit të pavëmendshëm.