Shkruar nga Veton Surroi-Ėshtė lehtė e mundshme qė mė 15 qershor, kur hyn nė fuqi Kushtetuta, nė kufirin verior kosovar tė mos ketė administrim kosovar
Brenda ditës, më 15 qershor të këtij viti, do të duhej të ndodhnin dy gjëra: të hyjë në fuqi Kushtetuta e Kosovës e të dalë nga Kosova administrata e deritanishme e Kombeve të Bashkuara. Kjo hyrje-dalje politike mund të matet më së miri aty ku maten hyrje-daljet, në vendkalimin kufitar të veriut të Kosovës, në kufirin me Serbinë. ë këtë vendkalim, të djegur nga turmat e serbëve kosovarë një javë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, do të matet zhvillimi i mëtejmë i administrimit në Kosovë, jo vetëm për disa muaj, por për disa vjet. Sot për sot, ky vendkalim mbikëqyret nga KFOR-i, gjë që ilustron në masë të madhe edhe Kosovën, sepse e vetmja forcë, e cila ka legjitimitetin në tërë territorin e Kosovës është mu kjo, KFOR-i. Por, ashtu siç nuk e ka në mandat të vetin të administrojë një vendkalim kufitar, një forcë ushtarake si KFOR-i nuk e ka në mandatin e vet të administrojë as Kosovën.Më 15 qershor, në të hyrë në fuqi Kushtetuta e Kosovës, resorët përkatës të Qeverisë së Kosovës rendi do ta kërkonte, do të urdhërojnë që në vendkalimet kufitare veriore të vendoset policia kufitare dhe Shërbimi Doganor i Kosovës, të ngrihet flamuri i vendit, të zbresë ai i Kombeve të Bashkuara dhe tu urohet mirëseardhje zyrtare njerëzve e mallrave që hyjnë në vend.
Nëse kjo nuk do të ndodhë, atëherë rrjedhin tri konkludime. Një, se Kushtetuta nuk ka hyrë në fuqi për çfarëdo arsye që do të komunikohet; dy, se Kushtetuta ka hyrë në fuqi, por nuk po zbatohet, prapë për një arsye që do të komunikohet; tre, e bazuar në praktikën e deritanishme, se nuk janë dhënë shpjegime, por dikur do të jepen nga dikush që di, e ai dikush që di nuk është kosovar.
Nëse kufirin nuk do ta kontrollojnë kosovarët, atëherë rrjedhimisht, do të duhej pritur që këtë ta bënin ndërkombëtarët. A do të jetë misioni evropian ai i cili do ta bëjë këtë? Vështirë e besueshme. Të shpallur non-grata nga autoritetet e Beogradit që kontrollojnë de facto pjesën veriore të Kosovës, policët kufitarë e doganierët e EULEX-it do të mund të shkonin në veri vetëm nën përcjellje të fortë të KFOR-it. Një mision i këtillë do të frikësonte Brukselin, bile hiç më larg se në fazën e planifikimit fillestar.Nëse nuk e bën EULEX-i, atëherë do të duhej ta bënte UNMIK-u. Por UNMIK-u do të duhej të largohej, apo jo?Këtë do të mund ta shohim më 15 qershor. Është fare lehtë e mundshme që më 15 qershor në kufirin verior të vendit të mos ketë personel kosovar dhe që atë ditë në Kosovë të vazhdojë prania e UNMIK-ut .
Deri më 15 qershor do të zhvillohen dy procese paralele. Në njërin do të zhvillohen negociata mbi kufizimin e mëtejmë të sovranitetit të Kosovës. Kosova ka pranuar që çmimi për shpalljen e pavarësisë dhe njohjen e saj nga shtetet perëndimore të ishte një kufizim i të drejtave sovrane në formën e mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë, me forcë ndërhyrëse në punët e brendshme. Kjo është paketa e Ahtisaarit. Por, meqë ky proces i pavarësimit u pengua që të realizohej nëpërmjet bekimit të Këshillit të Sigurimit, po bëhen tentime serioze për delegjitimin e tij jashtë (në formën e kufizimit të pranisë ndërkombëtare) dhe brenda (nëpërmjet mospranimit nga ana e popullatës serbe). Gjatë këtyre ditëve janë duke u zhvilluar, dhe do të zhvillohen më tutje, pa prani të kosovarëve, negociata me të cilat bëhet përpjekja të krijohet një regjim i veçantë i administrimit për territoret e banuara nga serbët. Kjo do të thotë se do të ekzistojë paketa e Ahtisaarit për territoret e banuara me shqiptarë dhe Ahtisaari plus për territore të banuara me serbët, ato që njihen si Veriu dhe enklavat. Referenca plus duhet të nënkuptojë thelbësisht dy gjëra: mbetjen e UNMIK-ut si autoritet dhe koncesionet që ka nevojë ti ketë Serbia nga BE-ja për ta legjitimuar praninë e misionit ICO/Eulex në territoret e banuara me serbët.Në procesin tjetër do të zhvillohen zgjedhjet serbe. Po të lihet fare anash potenciali destabilizues i mbajtjes së zgjedhjeve serbe në Kosovë, me përpjekje për legjitimim të pushtetit serb në territoret kosovare të banuara me serbët, në rastin më të mirë këto zgjedhje do të vazhdojnë me cytjen e status-quosë. Në zgjedhjet në Serbi nuk do të ndodhë një ndryshim dramatik pozitiv, i aso natyre që do të mund të krijonte një ndryshim radikal pozitiv në sjelljet e serbëve të Kosovës.Dhe, në këta dy muaj deri më 15 qershor , politika ruse do të krijojë presion më të madh që çështja e statusit të Kosovës të mos quhet e përfunduar, por e negociueshme. Deriçka e Ahtisaarit plus do të shërbejë për të treguar se edhe më shumë gjëra mund të hapen e zgjidhen brenda një procesi të ri negociator.
Kosova ka gjasa jo të këqija që në formë të shpejtuar të rrëshqasë në modelin Bosnia light, për të përdorur analogjinë e pijeve Cola. Kjo do të thotë që vendi të bëhet i ndërlikuar për qeverisje, deri në paralizë, për shkak të konfliktit të ngrirë të integruar në të e që ingerencat e bashkësisë ndërkombëtare të rriten përpjestimisht me problemin e krijuar. Kjo, po ashtu, do të thotë që për strukturat vendore qeverisëse të krijohet një alibi e fortë që të mos merret me çështjet fundamentale të vendit, por me forcimin ekonomik e politik të partive në pushtet nëpërmjet të menaxhimit të fondeve e ndërmarrjeve publike. Dhe, kjo e sjell lojën tashmë të parë me UNMIK-un, në të cilën bëhet fajësimi i ndërsjellë mes vendorëve e ndërkombëtarëve për çfarëdo që të shkojë keq në vend.
(Ky shkrim bazohet në paraqitjen e autorit në konferencën e fondacionit gjerman Friedrich Ebert në Munih)