Nga Rexhep Meidani-Pas shpalljes sė pavarėsisė sė Kosovės, ra qeveria nė Beogradi dhe nė Serbi u shpallėn zgjedhje tė parakohshme pėr mė 11 maj, datė kjo e parashikuar dhe pėr mbajtjen e zgjedhjeve vendore.
"Loja" serbe me zgjedhjet.
Pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, ra qeveria në Beogradi dhe në Serbi u shpallën zgjedhje të parakohshme për më 11 maj, datë kjo e parashikuar dhe për mbajtjen e zgjedhjeve vendore. Sipas deklarimeve apo medias serbe pretendohet që të zhvillohen këto zgjedhje vendore dhe në Kosovën e re të pavarur. Këtë e dëshmon dhe rezoluta e nxjerrë nga komisioni i zgjedhjeve në Beograd për të organizimin e zgjedhjeve më 11 maj në zona të Kosovës, të banuara nga serbët. Por, fillimisht, organizimi i zgjedhjeve vendore në Kosovë, sipas UNMIK-ut, u konsiderua si ilegal, për arsyen e thjeshtë që dhunon mandatin ndërkombëtar në Kosovë. Kështu, p.sh., sipas agjencisë Rojter, zëdhënësi i UNMIK-ut, në lidhje me kërkesën e parë serbe për mbajtjen e zgjedhjeve vendore në Kosovë, ka deklaruar se "ato dhunojnë rezolutën 1244 të KS-së, prandaj nuk do të kenë vlerë ligjore...". Një përgjigje e tillë nënkupton se, edhe pse mund të mos bllokohen zgjedhjet vendore, ato nuk do të njihen nga administrata ndërkombëtare. Ndërsa në lidhje me zgjedhjet parlamentare kjo administratë, ashtu si në raste të mëparshme, duket se nuk ka shprehur ndonjë objeksion.
Një reagimi në "evolucion" i UNMIK-ut.
Por nën trysni të ndryshme, me "marifete" diplomatike apo për "çështje" ekuilibrash, ndodhi në kohë dhe një modifikim qëndrimi. Ndoshta, dhe në të njëjtat linja "logjike" si ato të viteve të mëparshme! Por, me ç' kuptohet, më tepër të dukshme mund të jenë dy arsye bazë(!): 1. për të mos përdorur forcën në mos lejimin e zgjedhjeve vendore, dhe 2. për t'u dhënë më shumë hapësirë (d.m.th. dhe mbështetje) forcave të ashtuquajtura properëndimore në garën parlamentare serbe!...
Për të mbështetur argumentin po rikujtojmë edhe njëherë kundërshtitë në deklarata dhe qëndrime. Kështu, Serbia, me teknologjinë e saj politikë anti-Kosovë, ka kërkuar nga administrata e OKB-së në Prishtinë, që të autorizojë mbajtjen e zgjedhjeve lokale dhe parlamentare më 11 maj, në vendbanimet serbe në Kosovë. Në reagimin ndaj kësaj kërkese, UNMIK-u deklaroi se nuk do të lejonte mbajtjen e zgjedhjeve lokale të Serbisë në Kosovë, ndërsa nuk kundërshtonte mundësinë e mbajtjes aty të zgjedhjeve parlamentare. Madje, për këtë mision, mbajtja e zgjedhjeve lokale të Serbisë në Kosovë, paraqiste shkelje të rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit, me të cilën për të po administrohet ende Kosova. Më tej, në daljen e tij, zëdhënësi i UNMIK-ut, ndaj kërkesës së ministrit serb Sllobodan Samarxhiç, për mbajtjen e zgjedhjeve lokale dhe parlamentare të Serbisë në Kosovë, theksoi se së shpejti do të jepej dhe përgjigja konkrete, duke shtuar se "përgjigjja në letër do të jetë e tillë, për ta bërë të qartë se Serbia asnjëherë nuk ka organizuar zgjedhje lokale në Kosovë, siç nënkuptohet në letrën e Samarxhiçit. Gjithashtu do ta bëjmë të qartë se, nëse Serbia vendos t'i mbajë zgjedhjet lokale në Kosovë, kjo do të jetë shkelje e Rezolutës 1244, e Urdhëresës Ekzekutive të Shefit të UNMIK-ut dhe nuk do të kenë fuqi ligjore. Ky është qëndrimi ynë i tanishëm". Por, ai la të hapur mundësinë që UNMIK-u t'i lejojë Serbisë që, më 11 maj të mbajë zgjedhjet parlamentare në Kosovë, të cilat ajo i ka mbajtur edhe më herët. "Zgjedhjet parlamentare janë çështje tjetër. Ne po mendojmë që me gjasë ta kemi përgjigjen e mëparshme se nuk i ndihmojmë, as nuk i pengojmë zgjedhjet parlamentare të Serbisë, por ende nuk mund ta them me saktësi qëndrimin tonë, pasi ende nuk i kemi kthyer përgjigjen Serbisë", - deklaroi zëdhënësi i UNMIK-ut.
Ndërsa, pak më vonë, për arsyet e përmendura më sipër u bë dhe një lëshim modifikues. Kështu, zëdhënësi i UNMIK-ut, ditët e fundit deklaroi se në letrën, drejtuar ministrit serb Samarxhiç, sqarohej se zgjedhjet vendore ligjore mund të organizoheshin nga administrata e OKB-së vetëm në 5 komuna me shumicë serbe. Madje, "poqe se këto zgjedhje do të mbahen nga qeveria serbe, ato nuk do të konsiderohen ligjore, sepse këto zgjedhje janë nën juridiksionin e UNMIK-ut dhe qeveria serbe e ka njohur këtë me rezolutën 1244 të KS-së"...
UNMIK-u, EULEX-idhe sovraniteti
Por a mund të vazhdohet të ecet më tej me këtë "logjikë" permanente zgjedhjesh serbe?! Nga frekuenca e ngjarjes duket se ky lloj kalkulimi apo "sofistikimi" diplomatik po bëhet gjithnjë e më pak mbushamendës. Aq më tepër për popullin e Kosovës. Prandaj dhe udhëheqësit politikë kosovarë me të drejtë kanë deklaruar se organizimi i këtyre zgjedhjeve në territorin e Kosovës është një kërcënim për sovranitetin e vendit. Po aq i drejtë është dhe reagimi se Kosova nuk mund të shërbejë si bazë zgjedhore për ndërtimin e institucioneve të Serbisë. Aq më tepër që më 17 shkurt u deklarua pavarësia e Kosovës dhe që nga ajo kohë afro 40 shtete e kanë njohur atë si shtet të pavarur...
Atëherë ç' po ngjet? Akoma me ambiguitete! Nga ana tjetër, a mund të pohohet se zgjedhjet serbe në veri të Kosovës kanë përplasur BE-në me UNMIK-un? Në pamje të parë edhe mund të lexohet ashtu. Por kjo është vetëm në dukje, dhe brenda "sjelljes" okëbëiste. Për më tepër, kur mbijetesa e UNMIK-ut lidhet ngushtë me rezolutën 1244, që nevojitej të mbyllte një krizë, por që rezultoi shumë shpejt penguese e frenuese në ecurinë institucionale-administrative e social-ekonomike të Kosovës. Ajo po përbën dhe ngërçin e sotëm në transferimin e shpejtë të pushtetit në Kosovën e pavarur.
Sipas përfaqësuesit të lartë të BE-së, Javier Solana, misioni i BE-së në Kosovë, EULEX-i, do të shtrihet në të gjithë territorin e Kosovës. Në fjalën e mbajtur në Parlamentin Evropian, paralelisht me këtë temë, ai është shprehur dhe për rëndësinë e zgjedhjeve në Serbi. Në këtë kuadër, ai ka theksuar se"duhet pritur për të parë se si do të zhvillohet situata e përgjithshme ndërmjet 11 majit dhe 15 qershorit". Sipas tij, pas zgjedhjeve në Serbi, çast vendimtar do të jetë 15 qershori "kur do të hyjë në fuqi kushtetuta e Kosovës". Deri atëherë, në Kosovë, "përgjegjësinë e plotë" do ta ketë UNMIK-u, ndërsa EULEX-i do të veprojë në shërbim të ruajtjes së paqes, rendit dhe ligjit, në të gjithë territorin e Kosovës, ka thënë Javier Solana. Po ashtu, në përgjigje të disa keqkuptimeve e reagimeve, ai ka shtuar më vonë se zgjedhjet e Serbisë në Kosovë nuk do të kenë kurrfarë ndikimi aty, ato nuk kanë vlerë juridike në Republikën e Kosovës. Madje, sipas zyrës së Solanës në Prishtinë "zgjedhjet e Serbisë në Kosovë janë zgjedhje të huaja dhe ilegale dhe ato nuk prodhojnë efekte juridike dhe si të tilla janë të pavlershme"...
edhjet serbe si provokacion ndaj pavarësisë
Por atëherë pse lejohen të bëhen këto zgjedhje? Thjesht për "iluzion" reformatorësh dhe qetësim shpirtrash, apo për shmangie trazirash serbe në zonën veriore! Sidoqoftë, zvarritjet jo patjetër janë efektive! Nga ana tjetër, në praktikën ndërkombëtare, zgjedhje brenda një territori sovran, të organizuara nga një shtet tjetër, mund të ndodhin vetëm me mirëkuptim të ndërsjellë. Po ashtu, në shumë shtete demokratike, lejohen të marrin pjesë në zgjedhje qytetarët e tyre, edhe kur ata ndodhen në vende të tjera. Me shfrytëzim të lejuar territori, ose në mënyrë individuale (me postë apo në mënyrë elektronike). Por jo në rastin e Kosovës, me qytetarë të saj për një shtet tjetër, jashtë këtij territori!...
Gjithashtu, një shqetësim i dukshëm është aktualisht dhe transferimi sa më i shpejtë i pushtetit të plotë tek udhëheqja kosovare. Nuk mund të vazhdohet me këtë paqartësi kompetencash e "autoriteti"! Për më tepër, nuk mund të ketë ecje të shpejtë përpara, zhvillim e konsolidim, me autoritete të ndryshme pushteti, pavarësisht peshës kohore përkatëse. Madje, deri dje të ndarë në dysh (midis udhëheqjes kosovare dhe UNMIK-ut) dhe aktualisht të ndarë në tresh (midis udhëheqjes kosovare, UNMIK-ut dhe EULEX-it). Kjo veçse mund të ulë ritmin e njohjes së pavarësimit të Kosovës nga shtete të tjera, në kontinente më të largëta. Aq më tepër që dhe fqinj tanë jo vetëm e vonojnë këtë njohje por sajojnë dhe incidente "trashanike" brenda nesh!...
Në fund të fundit, nuk mund të pezmatohet më populli i Kosovës (të paktën 90% e tij) në gëzimin dhe energjinë e pavarësimit. Apo më keq, të vonohet akoma ai në proceset e veta demokratike, thjesht për "hallet" apo "sëmundjet" anakronike, nacionaliste e kolonialiste, të Serbisë. Dhe mbi të gjitha, populli i Kosovës, me sjelljen e vet korrekte, përfshirëse e tejet demokratike, nuk mund të vazhdojë të paguajë më me vonesa, me vetë kohën e tij të çmuar, progresin social-ekonomik dhe proceset integruese. Dhe kjo thjesht dhe vetëm për të "ndihmuar" forcat e ashtuquajtura demokratike dhe properëndimore në Serbi, qofshin këto dhe procese të stisura zgjedhore! Apo për të mbajtur në proces mirëkuptimi edhe Rusinë, ndërkohë që ajo, duke luajtur midis "kartës" së naftës dhe asaj të së drejtës ndërkombëtare, me politikën e vet tradicionale e pansllavike, vazhdon ta mbajë pezull nxjerrjen në KS të një rezolute pa ngërç për Kosovën e pavarur!...