U mbushėn plot 40 vjet nga mbajt ja e Konsultės Gjuhėsore tė Prishtinės (22 prill 1968 22 prill 2008), njė ngjarje e shėnuar nė tri rrafshe; nė rrafshin kulturor, shkencor e kombėtar.
Ky është mendimi vlerësues pozitiv që mbizotëron gati unanimisht në botën e përparuar kulturore, shkencore e atdhetare shqiptare, por jo vetëm shqiptare, edhe të huaj. Kam pasur rastin ta radhis këtë midis 12 ngjarjeve e institucioneve kulturore, arsimore a shkencore më të rëndësishme kombëtare shqiptare gjatë më shumë se një shekulli, pikërisht sipas kësaj radhe kalendarike: Shoqëria e Stambollit (1879), Kongresi i Manastirit (1908), Kongresi i Elbasanit (1909), Shkolla Normale e Elbasanit(1909), Komisia Letrare e Shkodrës (1916-1918), Kongresi i Lushnjës (1920), Kongresi Arsimor i Lushnjës (1920), Kongresi Arsimor i Tiranës (1922), Kuvendi i Parë i Studimeve Albanalogjike (Tiranë, 1940), Instituti i Studimeve Shqiptare (Tiranë, 1940), Konsulta Gjuhësore e Prishtinës (Prishtinë, 1968), Kongresi i Drejtshkrimit (Tiranë, 1972), duke theksuar se në
to "janë trajtuar çështje politike, organizative, kulturore, arsimore, gjuhësore; disa prej tyre kanë pasur në qendër të vëmendjes vetëm ose kryesisht çështje gjuhësore dhe mund të konsiderohen si shkencore, si Kongresi i Manastirit, Komisia Letrare e Shkodrës, Konsulta e Prishtinës, Kongresi i Drejtshkrimit".
Konsulta Gjuhësore e Prishtinës, pa asnjë dyshim, kreu një veprimtari shkencore të mirëfilltë, çka vërtetohet me synimet, objektivat, tematikën e lëndës së diskutuar, organizimin, pjesëmarrjen, diskutimet, përfundimet historike dhe jehonën kombëtare që pati. Ndryshe nga disa vende të mëdha, gjuha nga shqiptarët gjatë shekujve, sidomos gjatë Rilindjes Kombëtare deri në ditët tona, është pare dhe vazhdon të shihet, tashmë si shqipe standarde, me një sy të veçantë. Për popullin shqiptar, siç dihet, gjuha shqipe ka përbërë faktorin themelor të identifikimit, të mbrojtjes e të zhvillimit, faktorin themelor të ngjizjes dhe të bashkimit tone si komb. Kjo ka ndodhur dhe ndodh se Shqipëria e shqiptarët kanë mbijetuar në rrethana historike tepër të vështira e të rrezikshme, se gjuha shqipe është e shqiptarëve dhe vetëm e tyre e jo e ndonjë bashkësie etnike tjetër, se gjuha shqipe është aq e vjetër sa edhe bashkësia e tyre, se shqipja është e ndryshme nga gjuhët e tjera, se shqipja është tipari më themelor dallues në shekuj i identitetit të shqiptarëve, se ne jemi një popull relativisht i vogël dhe kemi ende probleme të karakterit kombëtar të pazgjidhura dhe se shqipja standarde është relativisht e re. Këto janë disa nga arsyet pse ne shqiptarët e kemi pasur në qendër të vëmendjes gjuhën dhe kohët e fundit gjuhën standarde. Madje shqipja jo vetëm që ka pasur, ka, por shqipja standarde do të ketë edhe më shumë rol identifikues të kombit tonë në të ardhmen në gjirin e BE-së.
Konsulta Gjuhësore e Prishtinës shënon momentin kulmor dhe zgjidhjen ideale të përpjekjeve që janë bërë në Kosovë, në Maqedoni e në Malin e Zi për njësimin e shkrimit e të gjuhës letrare shqipe. Vendimet e saj historike janë në vazhdën dhe në përputhje të plotë me strategjinë kombëtare në fushë të gjuhës dhe përbëjnë një hallkë të domosdoshme të kësaj strategjie: në raport me Kongresin e Manastirit jo shënon, pas njësimit të alfabetit në këtë kongres, atë të njësimit të shkrimit, duke shkuar me një orientim të qartë shkencor po në atë rrugë që ish projektuar nga ai Kongres i cili miratoi një alfabet prej 36 shkronjash që u përgjigjen 36 fonemave zanore dhe bashkëtingëllore, duke hequr dorë nga disa veçori themelore fonetike të gegërishtes, siç ishin hundorësia dhe gjatësia e zanoreve, çka mund të realizohej më së miri në Projektin e Rregullave të Drejtshkrimit (Tiranë, 1967) dhe deri diku edhe në Ortografinë e Prishtinës (1964); në raport me Komisinë Letrare të Shkodrës Konsulta Gjuhësore e Prishtinës vazhdoi frymën e asaj Komisie për afrimin e dy varianteve letrare dhe "për një ortografi sa më të përbashkët për të dy dialektet", duke miratuar Rregullat e drejtshkrimit të botuara në Tiranë (1967); në raport me Kongresin e Drejtshkrimit (Tiranë, 1972) Konsulta e Prishtinës, pesë vjet përpara këtij Kongresi, "i
dha realisht përmasa kombëtare gjuhës letrare të njësuar", përmasa këto që në të vërtetë asaj i ishin dhënë që në Kongresin e Manastirit; (shih edhe S.Mansaku, "Identiteti gjuhësor i shqiptarëve dhe gjuha standarde", në Të drejtat e njeriut 1(41) 2005); gjithashtu Konsulta e Prishtinës ishte një parapërgatitje dhe një mbështetje e suksesit të Kongresit të Drejtshkrimit që do të mbahej në Tiranë pas pesë vjetësh.
Pa vendimin historik të Konsultës së Prishtinës, ndoshta edhe sot nuk do të kishim një shkrim dhe një shqipe letrare të njësuar për të gjitha hapësirat shqiptare. Intelektualët, shkencëtarët dhe politikanët kosovarë dyzet vjet më parë me qëndrimin e tyre konvergjent, me zgjidhjen shkencore të problemit, me vizionin kombëtarist e atdhetar, me dëshirën e tyre e pa asnjë dirigjim nga jashtë, e zgjidhën me sukses të plotë njëherë e përgjithmonë problemin e vështirë të njësimit të gjuhës. Kjo tashmë është diçka që i përket së kaluarës. Meritë për këtë kanë të gjithë kosovarët (këtu kam parasysh të gjithë shqiptarët në trevat e tyre në ish Jugosllavi), përfshirë rininë kosovare, intelektualët kosovarë në përgjithësi dhe 150 intelektualët pjesëmarrës në Konsultë, dhe sidosidomos institucionet shkencore dhe veprimtarët organizues të Konsultës, siç ishin Instituti Albanalogjik i Prishtinës, Katedra
e gjuhës dhe e letërsisë shqipe e Fakultetit filozofik të Prishtinës, hartuesit e dokumentacionit të Konsultës (të Referatit, të Konkluzave etj.), shkencëtarë e drejtues të institucioneve shkencore ndër të cilët po përmendim figurat e mirënjohura I. Ajeti, F. Agani, B.Bokshi etj., por edhe drejtues shtetërorë krahinorë të Krahinës së Kosovës. Konsulta, e organizuar vullnetarisht, ishte përgatitur më së miri: referati i I.Ajetit i mbështetur në argumente të shëndosha, i shkruar me një qartësi të theksuar sikur të ishte shkruar në ditët tona, me teza të sakta dhe me një qëndrim kombëtarist e të guximshëm, tubimi mjaft i gjerë, ku morën pjesë përfaqësues nga Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Beogradi dhe vise të tjera të Jugosllavisë, objekti i përcaktuar dhe shumë i qartë i diskutimit, përgatitja e shpërndarja me kohë e materialeve, diskutimi i lirë i mendimeve, diskutimi
njëherazi i dy çështjeve, i ortografisë dhe i gjuhës letrare si çështje të pandashme, qëndrimi i njëjtë rreth problemeve kyçe, mbështetja në traditën dhe aktualitetin e dukurive zhvillimore të gjuhës, të gjitha këto dëshmojnë për vështrimin serioz dhe shkencor të problematikës. Në fund të punimeve Konsulta miratoi disa konkluzione objektive dhe shkencore, ku spikat përfundimi se Konsulta "njohu njëzëri si gjuhë të vetën letrare gjuhën letrare të vendit ëmë"; ajo vendosi që të zbatohet Projekti i ortografisë
porsa të aprovohet e të marrë formën zyrtare në Shqipëri, duke e sugjeruar atë (projektin) si bazë të shëndoshë për t'u zbatuar menjëherë; autorizoi Institutin e Katedrën që t'u rekomandojnë institucioneve arsimore e pedagogjike, gazetare dhe botuese shkencore e kulturore që të krijojnë mundësitë e zbatimit "sa më të shpejtë të Konkluzave të Konsultës".
Konsulta njësimin e shqipes letrare e vlerësoi si "rezultat të proceseve progresive të shoqërisë shqiptare, veçanërisht nga Rilindja e këtej", vlerësoi diskutimet e mëparshme në Prishtinë për çështjet e gjuhës e të ortografisë shqipe në stabilizimin e shqipes letrare; qëndrimi miratues i "gjuhës letrare të vendit ëmë" si gjuhë të Kosovës u mbështet, ndër të tjera, me argumentin plotësisht të saktë se toskërishtja letrare mbi të cilën mbështetet shqipja standarde nuk ndryshon shumë nga gegërishtja letrare. Konsulta e la të hapur dhe të dobishëm diskutimin për disa pika të Projektit, por kjo nuk do të pengonte zbatimin e "drejtshkrimit në fuqi". Siç shihet, nuk mund të formuloheshin më mire Konkluzat e Konsultës së Prishtinës, asgjë nuk mungon, asgjë nuk mund të shtohet aty.
Bie në sy karakteri gjithëpërfshirës e shkencor i tyre. Jetësimi i tyre në praktikë do të sjellë shumë shpejt njësimin e zhvillimin e gjuhës, zhvillimin e arsimit e të kulturës, forcimin e unitetit kombëtar shqiptar. Vendimet e Konsultës Gjuhësore të Prishtinës nuk duhen keqinterpretuar e deformuar. Kështu, qëndrimi konvergjent për gjuhën që fillimet e veta i ka që nga Rilindja, është një qëndrim i drejtë, zgjidhja që iu dha njësimit të shkrimit dhe të gjuhës letrare në Kosovë është i drejtë jo vetëm në rrethanat politike specifike të Kosovës, por edhe shkencërisht. Më 1973, gati pas pesë vjetësh të zba-timit të Projektit të Drejtshkrimit në Kosovë dhe në Maqedoni, i dërguar me shërbim nga Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë në Tiranë (një muaj në Prishtinë dhe një muaj në Shkup) për të parë zbatimin e vendimeve të Konsultës së Prishtinës, vura re zbatimin e shqipes letrare të njësuar në të gjitha sferat e jetës, natyrisht, duke u shoqëruar si çdo dukuri në fillimet e saj me kufizimet, vështirësitë e problematikën e saj, dhe përjetova entuziazmin e madh qytetar dhe intelektual në këtë aksion masiv.
Dua të përsëris mendimin tim, se kosovarët kanë arritur suksese, përfshirë rezultatet në fushën e shkencave albanalogjike, për dy arsye kryesore, si rezultat i punës së madhe e vetëmohuese kombëtariste, individuale dhe institucionale, dhe si rezultat i mosshkëputjes në asnjë rrethanë dhe në asnjë kohë, për asnjë çështje themelore nga pjesa tjetër e Kombit. Të ndalemi tani te shqipja standarde, që zyrtarisht është bërë tashmë dyzetvjeçare. Shqipja standarde gjatë një kohe të shkurtër po zotërohet shumë lehtë dhe
po përdoret me sukses, ajo është bërë më e qëndrueshme dhe po gëzon një shtrirje hapësinore gjithnjë e më të madhe. Shtrirja funksionale e saj është zgjeruar, duke u përdorur në të gjitha fushat e jetës, domethënë në administratë, në shkollë, në median e shkruar dhe elektronike, në letërsinë artistike, origjinale e të përkthyer, në skenë dhe në komunikimin jetësor të përditshëm. Kodifikimi i saj është arritur në sistemet e ndryshme të rrafshit shkrimor. Punë e mirë është bërë edhe për pasurimin e saj dhe diçka për pastrimin e saj. Lëvrimi letrar i saj ka pësuar një bum të vërtetë: janë shtuar shumë veprat letrare, artistike, publicistike, shkencore, biografike, janë shtuar përkthimet nga gjuhët e huaja të të gjitha fushave, letrare, historike, ekonomike, shkencore etj, është zgjeruar në përmasa të paparashikuara media e shkruar dhe elektronike me një shifër të përafërt prej dyqind e sa gazeta, revista radio, televizione etj., janë shtuar shkollat e niveleve e profileve të ndryshme e bashkë me to dhe botimet tekstologjike nga më të ndryshmet, nga origjinalet te përkthimet, janë shtuar dhe pasuruar organizmat drejtuese shtetërore, ministrore, të brendshme, qendrore e lokale e ndërkombëtare; janë shtuar kontaktet me botën e jashtme, shtetërore dhe private.
Koha e kaluar dyzetvjeçare ka vërtetuar se shqipja standarde, e projektuar dhe e miratuar në dy qendrat e mëdha albanalogjike,në Tiranë e në Prishtinë, ka qenë e suksesshme. Ajo u ka shërbyer të gjithëve: edhe nëpunësve, zyrtarëve, shtetarëve, politikanëve, nxënësve, studentëve, mësuesve, edhe shkrimtarëve, përkthyesve, artistëve, analistëve, komentatorëve, redaktorëve, korrektorëve, qytetarëve, fermerëve dhe intelektualëve të tjerë në shumë sfera të tjera të jetës së përditshme. Gjatë këtyre viteve nuk është shprehur ndonjë shqetësim serioz nga përdoruesit e shqipes standarde për pengesa serioze në komunikim a përkthim etj.; këtu është fjala për pengesa të tilla ku një përkthyes do ta kishte të pamundur të përkthejë një vepër letrare, shkencore a mësimore nga një gjuhë e huaj në shqipen standarde etj. Dëshiroj të ndalem edhe në dy tri probleme që kanë lidhje me shqipen standarde sot dhe në të ardhmen:
Problemi i vështirësive në përvetësimin e standardit
Çdo shqipfolës nuk lind me standard, ai e zotëron atë. Standardi mësohet në radhë të parë në shkollë; kjo ndodh në çdo vend. Të gjithë shqipfolësit kanë nevojë ta përvetësojnë standardin: jugorët më lehtë, veriorët në Shqipëri, në Kosovë e gjetiu, më me vështirësi. Por këto vështirësi në rastin e shqipes janë më të vogla se në shumë vende të tjera të Europës; vështirësitë natyrisht janë të përkohshme dhe jo të pakapërcyeshme. Vështirësitë nuk janë si pasojë e mungesave dhe e defekteve të standardit. Vështirësitë kapërcehen më lehtë me një përkujdesje më të madhe për gjuhën, institucional-shtetëror
e individual-familjar dhe në të gjitha fushat e jetës, me përmirësimin e punës në shkollë, me ngritjen e nivelit arsimor, kulturor të përgjithshëm, kombëtar, familjar e personal, me shtimin e kontakteve e komunikimeve ndërshtetërore, krahinore, institucionale, të drejtpërdrejta nëpërmjet mediave, si dhe me zbatim tekstesh mësimore të njëjta për të gjitha disiplinat në të gjitha hallkat e arsimit elementar. Gjendja jo shumë e kënaqshme në zotërimin e standardit në hapësirat gegfolëse kosovare, maqedonase e malazese shpjegohet edhe me rrethanat e tjera të deritanishme politike të Kosovës e më gjerë, sidomos me arsimimin shqip të cunguar e jo normal. Në një formë më të zbutur e në rrethana të tjera problemi shfaqet edhe në shumë hapësira shqiptare.
Problemi i ndryshimit dhe i përsosjes së kodit drejtshkrimor.
Mendoj se nga koha në kohë edhe shqipja standarde duhet rishikuar. Nevojën për rishikimin e standardit e kam shprehur më shumë se dhjetë vjet më parë. Kjo mbështetet jo vetëm me përvojën e huaj, por edhe me disa dukuri të vëna re në standardin tonë. Diçka duhet ndryshuar, duhet modifikuar, pikërisht ato gjëra që i ka nxjerrë (evidentuar) praktika e përditshme. Po përsëris disa shembuj që i kam dhënë gjithashtu disa vjet më parë: nj-ja fundore në emrat e mbiemrat e tipit ullinj, të mëdhenj të kalojë në j; ë-ja fundore në emrat e tipit djalë, lumë të reduktohet, të shihet mundësia e shkrimit bashkë e disa fjalëve, lidhëzave, parafjalëve e shprehjeve ndajfoljore etj; të thjeshtohen rregullat e përdorimit të shkronjës së madhe, të mënjanohen disa përjashtime (si punonjës), të shkruhen në një mënyrë tjetër disa fjalë të veçanta që i ka parapëlqyer praktika (si Europë, Europian etj., në vend të Evropë, evropjan; ish kryeministër në vend të ish-kryeministër), të rishihet drejtshkrimi i emrave të përveçëm, të redaktohet me kujdes materiali ilustrues e terminologjik i drejtshkrimit etj. Shumë nga këto dukuri janë diskutuar edhe nga të tjerë, duke përmendur këtu E.Çabejn (1973) dhe gjuhëtarë të tjerë.
Për mendimin tim, ka ardhur koha edhe për disa ndryshime të tjera, siç janë kalimi i dysorit mat/mas në të mirë të variantit mas; kalimi në normë të variantit Koçua në vend të variantit normative ekzistues Koçoja; etj. Ndryshimet janë të nevojshme, vetëm kështu kodet pasqyrojnë realitetet zhvillimore të gjuhës e nuk largohen nga gjuha e gjallë, standardi nuk vjetrohet. Këto ndryshime nuk cënojnë bazën e drejtshkrimit të shqipes. Pas këtyre ndryshimeve, lexuesi shqiptar të fusë më dorë botimin e dytë të përmirësuar të Drejtshkrimit të shqipes standarde aq shumë i mirëpritur.
Por ka pasur dhe ka autorë që kërkojnë ndryshime të një karakteri tjetër, më të thella, ndryshime të cilat bien ndesh me sistemin themelor të standardit ose me gjendjen reale të praktikës gjuhësore. Kështu shpesh kërkohet një reduktim më i shtrirë i zanores së patheksuar ë në pozicione të ndryshme të fjalës, herë në përputhje me shqiptimin verior të fjalës, ose, në rastin më të mirë, edhe me shqiptimin më të përgjithshëm. Shqiptime të tilla janë ende të paqëndrueshme dhe dukuria ka mbetur në fjalë të veçanta dhe nuk është përgjithësuar në formacione kategoriale, duke u kundërshtuar nga raste të tjera të veçanta; kjo do të ngushtonte disa rregulla dhe do të shtonte përjashtimet, ose do t'i kalonte disa përjashtime në nënrregulla; propozimet për reduktimin e ë-së në raste e pozicione të caktuara të afron me shqiptimin verior a me shqiptimin më të përgjithshëm, por krijon shqetësime të karakterit sistemor. Prandaj rregullat për shkrimin e ë-së të mbeten në përgjithësi ashtu siç janë (përveç rastit të sipërpërmendur e ndonjë rasti tjetër). Me insistim kërkohet edhe integrimi I paskajores gege në standard. Mendimin tim për këtë çështje e kam dhënë në një rast tjetër. Mirë do të ishte që standardi të kishte një paskajore të mirëfilltë, por integrimi i paskajores gege në standard është i vështirë të realizohet, sepse vendi i saj është i zënë në sistemin ekzistues të standardit, dhe cënon vetë bazën mbi të cilën mbështetet standardi; është thënë e stërthënë që nga Rilindja e këndej se paskajorja e gegërishtes është një element dallues themelor midis dy dialekteve të shqipes, pra, midis dy varianteve letrare, gegërishtes e toskërishtes. Paskajoren analitike gege nuk e ka bërë të sajën toskërishtja në shekuj, po ashtu as toskërishtja letrare, me gjithë përpjekjet sporadike të atykëtushme. Po ta ndiente të nevojshme, paskajoren gege a një tjetër paskajore do ta kishte përdorur Naimi, Samiu, Noli dhe pas Luftës Kadareja që është plotësisht i hapur ndaj pasurive gjuhësore pavarësisht nga prejardhja. Integrimi i paskajores gege në standard do të ndreqte diçka, por do të prishte shumë punë. Ky integrim i arritur nëpërmjet ndërhyrjeve të gjuhëtarëve në gjuhë nga jashtë do të tingëllonte jo i natyrshëm, artificial e të kujton amalgamat e ideuara për gjuhën tonë nga disa gjuhëtarë (S.Shuteriqi, S.Riza, N.Resuli etj.), por që kanë dështuar. Për disa vlera të karakterit stilistikor dhe mësimor nuk ia vlen të merremi tani për tani me paskajoren, që mund të sjellin pështjellime të shumta në një kohë që standardi dhe gjuha shqipe në përgjithësi ka shumë mjete të tjera funksionale në vend të saj. Le të presim që ndërtimi i mbarë shqipes për + gerund të kalojë në paskajore pas një gramatikalizimi maksimal, proces që ai tashmë e ka nisur. Kjo do të ishte zgjidhja më e natyrshme e problemit, pavarësisht nga koha që kërkon. Si përfundim, ndryshimet në standard janë të nevojshme e të përhershme, por nuk duhet të cënojnë karakterin sistemor të standardit.
Ndryshimet duhen bërë sa herë që ato i sugjeron vetë gjuha, sa here që mjetet e pasuritë gjuhësore e kanë nisur jetën e funksionimit në gjuhë nëpërmjet bartësve komunikues të saj, sidomos të iniciuara nga penda e lëvruesve letrarë me emër. Ndaj gjuhës standarde nuk duhet të sillemi të skajshëm, as si konservatorë, duke mos pranuar ndryshime në të, as të kërkojmë ndërhyrje të pambështetura, të panatyrshme të përshpejtuara e të parakohshme, duke u nisur herë-herë nga premisa e interesa jashtëgjuhësore. Me interes të veçantë do të ishte edhe diskutimi për disa probleme të tjera, siç janë: problemi i shtrirjes funksionale të shqipes standarde, problemi i lirisë së përdorimit të gegërishtes letrare pranë standardit,problemi i bazës dialektore të standardit, problemi i hartimit të kodit drejtshqiptimor të standardit, problemi I zotërimit të shqipes standarde në të gjitha hapësirat shqiptare në rrethanat e reja politike e pikërisht pas ndryshimeve demokratike në Shqipëri, pas shpalljes së Kosovës shtet i pavarur dhe pas shkëputjes së Malit të Zi nga ish Jugosllaviadhe pas ndryshimeve të pritshme për gjuhën në zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit në Maqedoni; së fundi, problemi i shtrirjes së standardit në diasporë dhe zotërimi i shqipes standarde nga emigrantët shqiptarë të shpërndarë nëpër botë gjatë dhjetëvjeçarëve të fundit.