Nga Agron Tufa-Nga vjen kjo kurreshtje e sėmurė pėr tė survejuar privatėsinė e tjetrit? Ēfarė pėrgjohet? Pse pėrgjohet? Kush pėrgjon? Titulli i shkrimit i referohet njė vepre tė Mishel Fukosė, i cili e tajton survejimin dhe ndėshkimin si psikopatologji klinike tė pushteteve autoritare, duke iu referuar njė materiali tė bollshėm e pikant nė strukturat e shoqėrive autoritare dhe mandej, makinerisė sė torturave fizike e psiqike, deri nė ndėshkimet spektakolare publike, si ndėshkimet nė burgje dhe sheshet qytetėse.
Jeta jonë përgjohet dhe, si duket, zelli, i shpërblyer apo i pashpërblyer i përgjuesve është një ves që ka përcaktuar varësinë e pashmangshme nga përgjuesit. Një varësi si prej narkotikëve apo alkoolit. Mandej, ky zell i shfrenuar, do të mund të mbërrinte deri në përgjimin e ritmeve të frymëmarrjes në jetën private. Tashmë privatësia jonë është e ekspozuar nga survejues me liçensë dhe pa liçensë: na survejon shteti (ynë dhe i huaj) dhe kjo merr bekimin në parlament; na survejojnë kompanitë private, mediatike, shoqatat e ndryshme politike, kulturore, etnike, religjioze legale apo ilegale. Na survejon agjenti tregëtar, kompanitë e sigurimit, shërbimi telefonik celular, shërbimet virtuale në internet. Na përgjojnë miqtë, komshinjtë, kolegët e, mo zo ma keq fëmijët! Privatësia jonë nuk është më e shenjtë: ajo provokohet regullisht, me qëllimin e vetëm shantazhin, implikimin, alibinë e fajësisë. Kush na e garanton lirinë e privatësisë tonë? Ja se si i ndodhi këto ditë një qytetari të thjeshtë, të cilin mund ta njihni edhe ju, në mos iu pastë ndodhë edhe juve vetë:
Fadil K, një nëpunës i mesëm administrate u shkarkua nga puna. Shpjegime konkrete nuk pati, përveç mungesës së kualifikimit të tij me gradën "masster" dhe moshës së tij jo premtuese për një perspektivë të mundshme kualifikimi. Pyetja e Fadil K mbetet e njëjtë: pse unë? Në administratën e institucionit të tij ishin me dhjetra bashkëmoshatarë e bashkëmoshatare pa master. Ama aludimi, si për Fadil K, si për gjithë kolegët e tij, ishte i qartë, sapo në zyrën e tij shefi prezantoi vajzën me "master" - një bukuroshe të re leshverdhë, me kostum të kuq, shtatderdhur, si të prerë nga kopertinat e revistave, e cila vetëmse buzëqeshte me masë dhe ngado që lëvizte, linte pastë një vazhdë të pashlyeshme parfumi të shtrenjtë. Më vonë, çupat e kuqe, të ngjashme me atë që i zuri vendin Fadil K filluan të shtoheshin, aq sa dhe koridoret e ngushta të ministrisë filluan tu shembëllejnë bordeve të avionëve ku venë-e-vijnë imazhet mbresëlënëse të stjuardesave.
Por ne le ti kthehemi Fadil K, hallit të tij, se personazhi ynë është kryefamiljar, ndonëse i papunë. Në një darkë të rëndomtë, djali dhe vajza e Fadil K, i luten babit tu blejë pica, duke shfaqur haptazi mërzinë ndaj ushqimit monoton.
Dhe Fadil K, siç e merrni ju vetë me mend, është baba model: i dhembshur, i përkushtuar, ndonëse i papunë. Ja, e përfytyrojmë se si me një fletëreklamë në dorë mban parasysh numrin, ndërkohë që me dorën tjetër formon numrin e picerisë.
- Alo, mirëmbrëma!
- Mirëmbrëma! Çfarë dëshironi zotëri?
- Tre pica, ju lutem: një Katër Stinët, një Kapriçoza dhe një Margarita.
- Ok, do tua sjellim pas njëzet minutash...
- Prit, djalosh... mos e mbyll telefonin...
Por, ajme, telefoni mbyllet.
Fadil K prapë formon numrin e picerisë, prapë jep porosinë, por nga ana tjetër i përgjigjen:
- E kuptum mor zotëri, do tjua sjellim pas 20 minutash!
- Po, por, nëse nuk gabohem, ju nuk u interesuat për adresën...
- Mos u bo merak, ia pati tjetri, - adresën e dimë.
- Qysh ore e ditkeni?
- E dimë zotëri dhe mirë bile. Ju quheni Fadil K, jetoni në katin e katërt, të ap. 48, dera e stilit të vjetër, me shtalkë të ngrënë dhe bojë të plasaritur... pa zile.
Telefoni prapë u mbyll, duke e lënë të habitur Fadil K.
Pas njëzet e pesë minutash trokitën në derë. Doli vetë Fadili. Djaloshi i shërbimit i zgjati tre picat e paketuara në kartonet katrore, bashkë me faturën. Fadil K pagoi, hyri brenda. Fëmijët iu turrën picave, ndërsa i gjori Fadil K, as nuk hëngri, as nuk ndoqi oreksin e fëmijëve, por qëndroi si i shituar, me sy të fiksuar në faturën ngjyrë rozë ku ishte shkruar saktësisht emri i tij, adresa e saktë e pallatit, shkallës dhe apartamentit.
Pas një sërë shqyrtimesh dedektive personale (tani Fadil K kishte kohë sa të duash për kësi gjërash), ai arriti në përfundimin se, as në pallat, as në pallatet e tjera nuk kishte kënd që të punonte në piceri. Dhe kjo i shkaktoi një ankth të vërtetë. U maskua me pallto e kasketë dhe një ditë, hyri vetë në piceri. Doli që andej i zhgënjyer, pa arritur të njohë asnjërin nga burrat që punonin aty. I vetmi ngushëllim për Fadil K, mbetej një i njohur i hershëm që punonte në SHISH. Ia gjeti dhe numrin e celularit dhe ftoi për një kafe. Dhe ashtu ndodhi. Ishte mbrëmje e ngrohtë në oborrin e një vile ku ndodhej kafeja. Degët e limonave përkuleshin mbi tavolinë dhe sa nuk ciknin filxhanët e kafesë. Toni i përzemërt i bashkëbiseduesit ia bëri të mundur Fadil K ti rrëfente me detaje të gjalla gjithë ndodhinë.
- Si ka mundësi të identifikohem thjesht nga një telefonatë në një piceri të zakonshme? Kjo më duket e pabesueshme!
Tjetri, që gjatë gjithë kohës kruante dhëmbët me një kleçkë, i gjegj:
- Mua nuk më duket e pabesueshme, por banalisht e thjeshtë: në këto shërbime masive picierët nuk janë vetëm picierë, por diç më shumë...
- Ti po tallesh tani... po sajon teori konspiracioni a ku di unë... e çtë jenë tjetër punëtorët e picerisë?
- Ata që janë... d.m.th., ata që kanë qenë më parë: informatorë të Sigurimit, SHIK-ut apo SHISH-it... nejse. Dua të të them një gjë që të mos e harrosh: Sigurimi i dikurshëm i merr të keqen SHISH-it tonë! Telefonat e shërbimeve janë me përcaktues të saktë dhe të dubluara me informacion elektronik.
- Kjo nuk ka mundësi! kundërshtoi Fadil K. - E kujt i hyn në punë kjo?
- Ka mundësi që çke me të. Dhe meqë i hyka në punë dikujt, ti bëj kujdes... se nuk i dihet.
- Kush ore të ketë kudes, unë apo ata? Ata duhet të kenë kujdes dhe, bile, shumë...!
- Ti, sigurisht. Nuk se po i ndjek ti, nuk je ti interesuar, por është e kundërta...
- E çfarë duhet të bëj unë? Të mos dal nga shtëpia? Kjo është çmenduri? Çfarë rrezikshmërie shoqërore paraqes unë? Kjo është kulmi!
- Ku i dihet? Ti më mirë merre parasysh...
- Po unë i hedh në gjyq, mor! I hedh në gjyq ndërkombëtar... në Hagë, në Strasburg... unë su kam asnjë borxh... ata më kanë hequr edhe nga puna!
- Po pra. Kjo sështë hiç. Por po vërtetuan ndonjë gjë tjetër, sa për të të sajuar ndonjë valle, atëherë heqja jote nga puna del se nuk është e rastësishme.
- Po kujt i intereson kjo?
- Po mendove kështu, do ta torturosh më shumë veten. Ka plot interesa dhe ti nuk do ta dish kujt i intereson ti... këtyre të këtushmeve apo të tjerëve, jo të këtushëm... më mirë ji syçelë.
- Po, po. U pa puna: edhe i papunë edhe syçelë!