"Trishtimi ėshtė njė emocion mallėngjyes, trishtim pėr atė qė mund tė kishte ndodhur", kėto janė fjalėt e njė mbėshtetėsi tė opozitės nė Zimbabve, pas zgjedhjeve tė debatueshme.
Ndërkohë që vendi i tij, dikur një prej më të përparuarve dhe më premtues shtet në Afrikë, vazhdon të shkojë drejt rrënimit.
Korrespondenti i BBC-së, Richard Downes kaloi disa javë duke udhëtuar nëpër atë që është sot një shtet në kolaps dhe reportazhi në vazhdim është pjesë e asaj që ai raportoi.
Fatura ekonomike e rrënimit
I ulur në një kafe të aeroportit, duke lëvizur mes gishtave faturën, reflektoj mbi situatën e jashtëzakonshme në Zimbabve.
Kisha porositur vetëm dy filxhan çaj dhe dy gota ujë. Futa dorën në çantë dhe nxora prej andej disa kartmonedha 10 million dollarëshe zimbabviane.
I hodha një sy faturës. Pagesa ishte 204 million dollarë.
Dollari zimbabvian është një prej monedhave më të zhvlerësuara të botës dhe çdo nocion për të qënë milioner apo miliarder zgjati vetëm pak sekonda.
Jo shumë kohë më parë, me 204 milion dollarë zimbabvianë mund të blije një minierë ari në jug të vendit.
Një vit më vonë, me këtë shumë mund të blije një grup vilash në një prej një periferive të zhvilluara të Harares.
Deri vonë, me 2004 milion dollarë mund të blije një makinë, ndërsa sot e vetmja gjë që mund të blesh është një filxhan çaj.
Është një gjendje për të ardhur keq, një shenjë e humnerës ku ka rënë vendi.
Komentet e një vendasi
Paul Connolly ka shumë eksperiencë përsa i takon kolapsit në Zimbabve.
E takova kur po drejtonte një prej udhëtimeve turistike mbi lumin Zambezi.
Ai është i mësuar me këto lloj udhëtimesh dhe drejton një biznes të madh dhe të suksesshëm turizmi.
Megjithëse jeton ende këtu, ai e ka zhvendosur qendrën e biznesit në anën tjetër të lumit, në Zambie.
"I gjithë vendi po tërhiqet zvarrë nga një politikan i egër që nuk mendon për popullin e vet, por ka vetëm një dëshirë përvëluese, për të mbajtur pushtetin," thotë ai.
"Një person", tha ai duke tundur kokën, "vetëm një, këtë nuk arrij ta kuptoj".
Dhe ai nuk është i vetëm. Gjatë katër javëve të qëndrimit në Zimbabve ishte e vështirë të gjejë dikë që të thoshte ndonjë fjalë të mirë për Robert Mugaben.
Shumica në mënyrë spontane ofronin komentin se është koha për ndryshim.
Të tjerët, do të ma bënin me sy, se situata nuk është e mirë dhe ka nevojë për diçka ndryshe.
Zimbabve ka shumë rëndësi për biznesmenin Paul Connolly dhe shumë zimbabvianë të tjerë e për arsye shumë praktike.
Por nga ana tjetër, është edhe shumë e rëndësishme edhe për kontinentin.
Zimbabve në të shkuarën, ka treguar se si një vend afrikan mund ta edukojë popullin e vet, t'i sigurojë atij shërbim shëndetësor, të ketë banka që punojnë, dyqane që shesin të mira materiale dhe ta mbajë kokën lart mes vendeve të tjera të botës.
Ndërsa kohët e fundit, ka treguar se infrastruktura e saj mund të shkatërrohet shumë shpejt.
Deri në mes të viteve 90, Zimbabve funksiononte mirë.
Agrikultura prodhonte, shërbimet funksiononin dhe shteti investoi mjaft në arsim, duke nxjerrë në dritë popullsinë më të arsimuar të Afrikës subsahariane.
Jetëgjatesia ishte mbi 60 vjeç.
Aktualisht situata në Zimbabve është e rrezikshme. Nën Robert Mugaben, vendi është vjedhur në mënyrë sistematike, nga eksponentët kryesorë në ushtri dhe partinë qeverisëse.
Ata hoqën qafe fermerët e bardhë që siguronin pasuritë kryesore të vendit dhe kontrollojnë një sistem të korruptuar shkëmbimesh që u garanton pak drejtuesve të lartë dhe ushtrisë, miliona dollarë fitime çdo muaj.
Gati çdo askept i jetës dhe ekonomisë ka qënë kontrolluar nga ushtarakët e partisë Zanu PF dhe ata ia detyrojnë të gjithë këtë Robert Mugabes.
Pasi e lashë çajin dhe u nisa drejt avionit që më çonte në Johanesburg, kontrollova çantën dhe pashë se ende kisha rreth 1 miliard dollarë zimbabvianë.
Është vepër penale të nxjerrësh valutë jashtë vendit, ndaj edhe i tregova vetë oficerit të doganës, që kontrollonte me shumë rigorozitet çantën time.
"Po zotëri "', tha ai "duhet t'i lini këtu. Nuk do të kenë asnjë vlerë, kur të ktheni."
Marë nga BBC në shqip