Nga Nicolas Tenzer-Duket si gjėja mė me vend qė, pėr shkak tė luftės nė Irak, bota filloi tė debatojė pėr natyrėn e demokracisė nė 200-vjetorin e lindjes sė Aleksis dė Tokėvilit (Alexis de Tocqueville). Me tė drejtė, Tokėvili u bė i famshėm se nuk pranoi nostalgjinė reaksionare dhe se triumfin e demokracisė e konsideroi si fatin tonė, nė tė njėjtėn kohė, duke paralajmėruar pėr rreziqet qė demokracia fsheh pėr lirinė. A nuk ia vlen tė ndajmė sė bashku shqetėsimet e tij?
Tokëvili e shihte demokracinë jo aq si regjim politik, por, para së gjithash, si regjim intelektual, i cili në trajtën e përgjithshme formon zakonet e shoqërisë dhe, në këtë mënyrë, u jep përmasë sociologjike dhe psikologjike. Regjimet demokratike, thoshte Tokëvili, përcaktojnë mendimet, dëshirat dhe pasionet tona. Ashtu sikurse ka pasur njeri të Rilindjes Evropiane, kurse në shekullin e njëzet - homo sovieticus, njeriu demokratik është formë e qenies njerëzore.
Tokëvili mendonte se ndikimi sistemor i demokracisë mund të çojë në atë që qytetarët të privojnë veten nga mënyra logjike e të menduarit. Mundet veç të shtiren se për ngjarje dhe vlera gjykuakan ata vetë; ndërkaq, thjesht kënaqen së përsërituri opinionet e reduktuara të shumicës. Në të vërtetë, çka Tokëvili quante kontrolli i pushtetit social mbi opinionin, ka të ngjarë, të jetë më i fortë në regjime demokratike - pikëpamje që parashikon rritjen e demagogjisë bashkëkohore dhe manipulimit mediatik.
Tokëvili mendonte se nuk ekzistojnë kurrfarë faktorësh efektivë afatgjatë për tiu kundërvënë kësaj tendence. As demokracia lokale, as grupet e vogla brenda shoqërisë, as kontrolli shtetëror dhe sistemi i balancave, as të drejtat civile nuk mund të shmangin dot tatëpjetën e mendimit kritik, që, me sa duket, e shkakton demokracia. Shkollat kanë mundësitë të paraqiten si diçka më shumë se enklava, të ndara nga forca gërryese e ndikimeve sociale në funksionimin e të menduarit. Në të njëjtën mënyrë, ndonëse Tokëvili mendonte se kërkimi i virtytit sipas shembullit të njerëzve të antikitetit ose prania e besimit religjioz mund të lartësojnë e përmirësojnë ngandonjëherë shpirtin, si dhe ajo tjetra që i kundërvihen idealit demokratik, nëse ato bëhen zyrtarisht dukuri të parashkruara të jetës publike.
Në këtë kuptim, teoricienët neomarksistë të Shkollës së Frankfurtit dhe Hana (Hannah) Arendt, mund të quhen trashëgimtarë intelektualë të Tokëvilit, meqenëse të gjithë këta, mbi të gjitha, i druheshin dekadencës intelektuale / zhdukjes së arsyes në shoqëritë moderne. Madje, filozofi francez Marsel Goshe (Marcel Gauchet), librin e tij të fundit e titulloi Demokracia kundër vetvetes. Për këta autorë, mënyra demokratike e jetesës ka prirje të asgjësojë të menduarit origjinal dhe të shtypë kulturën e lartë, duke ndihmuar në zhvillimin e mediokritetit, i cili i bën njerëzit të cenueshëm përballë armiqve të demokracisë.
Por, ndonëse historia është e tejmbushur me regjime kriminale, të mbështetura nga masa njerëzore të frikësuara dhe të manipuluara, rreziku më i madh për vende demokratike është indiferenca dhe dritëshkurtësia e të menduarit të qytetarëve sa për të kënaqur interesa afatshkurtër. E kaluara - pavarësisht përpjekjeve për të përkujtuar ngjarje të rëndësishme historike - harrohet për shkak të modës për gjithçka të re dhe bashkëkohore. Madje, klasa drejtuese, e supozuar si e mirë-arsimuar, është viktimë e kësaj magjepsjeje. Problemi parimor i mendësisë demokratike është mungesa e ndërgjegjes historike.
Sikurse ka pohuar Tokëvili, mos vallë defektet e demokracisë tregojnë se e vetmja rrugë e hapur për ne - realiste, por e papranueshme - është pesimizmi i heshtur? Nuk mendoj kështu. Ka mënyra për tiu kundërvënë asaj që mund të quhet sot budallallëk demokratik (democratic stupidity), dukuri kjo në rritje.
Mbrojtja më e mirë është krijimi i një sistemi arsimor, që realisht formon mendje kritike, veçanërisht me anë lëndësh të tilla, të shpërfillura së shumti (në ditët tona), si letërsia, historia dhe filozofia. Nëse duam të krijojmë një shoqëri civile të informuar dhe që mendon në mënyrë kritike, aq e domosdoshme për demokracinë, shkollat duhet të ndalojnë së ndjekuri çfarëdolloj rrymash në modë dhe të fillojnë të zhvillojnë aftësitë analitike të nxënësve.
Pengesa kryesore për një arsim të tillë janë mjetet e informimit masiv, që priren të kultivojnë gjëra sipërfaqësore dhe zbavitje. Në ditët tona njerëz të shumtë kalojnë më shumë kohë para televizorit sesa në klasat e shkollës. Pasiviteti, zhvillimin e të cilit e nxit masmedia, është në pol të kundërt me pjesëmarrjen aktive në jetën shoqërore, të domosdoshme për qytetarët e vendeve demokratike. Por është e vështirë të përfytyrohet se masmediat (përjashtuar gazetat cilësore), me vullnetin e vet, të bëhen instrumente të një arsimimi, i cili zhvillon frymën kritike të qytetarëve.
Kjo vëmendje ndaj masmedias nuk është thjesht përçmim elitist ndaj kulturës popullore. Çështja nuk është aq te popullariteti, - pasi, megjithatë, Mocarti (Mozart) gjithashtu ishte popullor në kohën e vet, kurse pjesët e Shekspirit (Shakespeare) pëlqeheshin si nga të skamurit ashtu dhe nga të pasurit se sa në pazotësinë e kulturës masive për të sfiduar dhe provokuar. Rezultat i kësaj pazotësie është një indiferencë dhe pasivitet i përgjithshëm i publikut.
Përgjithësisht, prej kohësh është në ngritje një kulturë mediatike e globalizuar, dhe pse e paaftë të frymëzojë një mënyrë kritike të menduari apo të ndikojë në lartësimin e ndjenjave. Është një kulturë, e cila, me mungesën e seriozitetit, po kërcënon liritë demokratike, sepse ajo nuk mund të ngjallë kurrfarë ndjenje përgjegjësie - as para shoqërisë, as para historisë, as para bashkësisë së njerëzve.
Mos është vallë gjithashtu vonë të bëjmë diçka kundër kësaj kulture, që topit kështu shpirtin? Tokëvili i përbuzte elitat e epokës së tij, për atë vetëkënaqësi të tyre përballë forcës rrënuese të një demokracie masash. Mos vallë miopia e liderëve tanë do të favorizojë realizimin e profecisë së tij ogurzezë?
Titulli në origjinal: Tocquevilles Lessons in Democracy (Mësimet e Tokëvilit në demokraci).
Nicolas Tenzer është president i CERAP-it Paris (Centre détude et de réflexion pour laction politique - Qendër shkencore-kërkimore e aksionit politik dhe pasqyrimit të tij) dhe drejtor i revistës Le Banquet. Librat e tij të fundit janë Les valeurs des Modernes. Essai sur lécroulement politique du nouveau siècle (Vlerat e kohëve moderne. Sprovë për vithisjen politike të shekullit të ri) dhe France: la réforme impossible? (Francë: reforma e pamundur?).