Diagnostikimi nė kohė i kancerit tė gjirit, ėshtė hapi i parė i trajtimit tė plotė tė sėmundjes.
Mamografia është një ekzaminim radiografik i gjirit dhe nuk është një procedurë e re. Për herë të parë ajo është përdorur në vitin 1930. Teknikisht është një procedurë relativisht e thjeshtë, dhe jo e shtrenjtë. Mamografia bazohet në kontrastin radiografik të strukturave të gjirit dhe pikërisht në kontrastin natyral të siguruar nga përmbajtja e dhjamit të gjirit.
Mamografia rekomandohet në të gjitha rastet, kur janë prezente masa solitare në gji me etiologji të paqartë, pra me shkaqe të paqarta. Rekomandohet gjithashtu në të gjitha rastet kur në gji vihen re disa noduj, apo mamë sekretante, gruaja ka gji të madh në volum dhe penduloz (të varur), dhe pse klinikisht nuk shfaq probleme. Po ashtu mamografia, konsiderohet një procedurë e nevojshme për të sëmurët me karcionomë të qartë, apo dhe tek ata që janë trajtuar më parë me karcionomë. Duke u bërë kështu një procedurë rutinë në grupet me risk të lartë, apo dhe tek ata që kanë metastaza në limfonodulat axilare (sqetull) ose metastaza, në distancë dhe me origjinë të panjohur
Megjithëse mamografia është e vlefshme në masat solitare të gjirit me etiologji të panjohur, ajo kurrë sduhet përdorur si masë zëvendësuese e një biopsie indore. E njëjta gjë thuhet dhe për noduset multiple të gjirit, në këto raste nodusi i dyshuar duhet të bëhet biopsi.
Mamografia dhe vetë-ekzaminimi i gjirit përbëjnë dy elemente të rëndësishme për diagnostikimin e parakohshëm të tumoreve. Dihet që diagnostikimi i hershëm dhe në kohë, ndikon shumë në ecurinë e sëmundjeve tumorale. Mamografia mund të bëhet më një thjeshtësi të madhe, pasi sot është e mundshme të identifikohet tumori në milimetra të vogla. Aplikimi mujor i vetë-ekzaminimit, një vizitë mjekësorë një herë në vit, të paktën tre mamografi midis moshës 40-50 vjeç, dhe një çdo dy vjet mbas moshës 50, mund të bëhen një skemë diagnostikimi të parakohshëm shumë efikase dhe lejon kurimin e tumoreve të vegjël, shpesh me operacione jo radikale dhe mundësi të mëdha shërimi.
Nga eksperienca e grumbulluar del se diagnoza radiologjike rekte mund të arrijë në 85-90% të rasteve të të sëmurëve. Gabimet më të shpeshta bëhen në vlerësimin e gjinjve radiologjikisht dense.
Kjo gjendje haset shpesh në të sëmurë premepauzal (që janë në fazën pre-menstruale) dhe zakonisht i detyrohet pranisë së një sasie të madhe indi glandular funksional me ose displazi të supremipozuar të gjirit.
Mamografinë duhet ta bëj çdo grua, pavarësisht se nuk ka shqetësime, është procedurë ekzaminimi rutinë. Ajo rekomandohet që te moshat mbi 35 vjeç, mamografia të kryhet çdo dy, dhe çdo vit te gratë e sëmura. Ndërkohë rekomandohet të bëhet 3-5-7 ditë pas ciklit menstrual.
Cilat gra janë të predispozuara të kenë kancer të gjirit
- Gratë mbi moshën 45 vjeç
- Gratë që janë trajtuar për një tumor të gjirit kanë një rrezik rreth 5 herë më shumë për të pasur një tumor në gjirin tjetër
- Një patologji prekanceroze e gjirit rrit mundësinë e prekjes nga një kancer
- Gratë që kanë pasur tumore gjinekologjike ose digjestive (aparatit tretës) janë 2 herë më të rrezikuara ndaj një kanceri të gjirit
- Janë të rrezikuara gratë, familjarët e afërt të së cilave (nëna ose motra), kanë pasur kancer të gjirit
- Menstruacionet e hershme dhe lënia e tyre në moshë të madhe përbëjnë një rrezik të lartë për kancer të gjirit
- Gratë që nuk kanë lindur fëmijë
- Gratë që nuk kanë lindur fëmijë para moshës 35 vjeçe, janë tre herë më shumë të predispozuara për një kancer të gjirit, sesa gratë që kanë lindur në moshën 18 vjeçe
- Shpeshtësia e kancerit të gjirit rritet në gratë e dhjamosura
- Dieta e pasur me yndyrna është një predispozicion për një kancer
- Numri i rasteve me kancer të gjirit është më i lartë në vendet industrialiste më të zhvilluara dhe i ulët në vendet e pa zhvilluara