Investimet mbeten ende nje problem per sektorin e rendesishem por te lene pas dore te hekurudhave, nderkohe qe mungojne lidhjet rajonale qe do ta kthenin vendin tone ne nje nyje te rendesishme
Krijimi i një sistemi hekurudhor rajonal mbetet sfida e qeverisë shqiptare në kuadër të zhvillimit të transportit. Burime nga Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe e Telekomunikacionit bënë të ditur se sistemi hekurudhor rajonal ka një rëndësi të madhe, për shkak të rritjes së vëllimit të shkëmbimeve tregtare. Lidhja hekurudhore mes Shqipërisë dhe Maqedonisë mungon, sikurse mungon edhe lidhja mes Maqedonisë dhe Bullgarisë. Në buxhetin e vitit 2008 parashikohen 360 milionë lekë fonde, për përmirësimin e transportit hekurudhor dhe aktualisht po zbatohen disa projekte, të cilët synojnë përmirësimin e rrjetit hekurudhor të vendit. Nga këto fonde, rreth 140 milionë lekë parashikohet të përdoren për përmirësimin e gjendjes së infrastrukturës hekurudhore, 150 milionë lekë për importin e mjeteve lëvizëse hekurudhore, 10 milionë lekë për rikonstruksionin e godinave të stacioneve të udhëtarëve, si dhe 60 milionë lekë për rritjen e disponibilitetit të mjeteve lëvizëse. Hekurudhat shqiptare po kalojnë një periudhë tranzicioni të tejzgjatur, por edhe riaktivizimi i lidhjes hekurudhore me Malin e Zi, lidhja e ardhshme me Maqedoninë dhe rritja e interesimit të klientëve të mëdhenj për transportin me trena të mallrave, pritet të sjellin ndryshime pozitive në sistemin tonë hekurudhor. Sipas specialistëve, rivënia në punë e linjës hekurudhore që lidh vendin tonë me sistemin hekurudhor të Evropës Qendrore përmes Malit të Zi, ka rritur transportin e mallrave me trena nga shtete si: Hungaria, Sllovakia, Kroacia, Rumania dhe Ukraina.