E enjte, 4.12.2008
RSS RSS Arkiva Marketing Kontakt
Ballina
Opinione
Ekonomi
Kulturė
Sport
Dosier
Spektėr
Foto Arkiva
Video Arkiva
TV Panorama



























Ballina > Ndryshimi i dytė i Kushtetutės
Ndryshimi i dytė i Kushtetutės
Ndryshimi i dytė i Kushtetutės
Pėrveē tmerrit tė Gėrdecit, rritjes galopante tė ēmimeve, ndikimit tė drejtpėrdrejtė tek ne tė krizės ekonomike nė botė, papunėsisė, depresionit pėr tė ardhmen, qytetarėve tanė kohėt e fundit i ėshtė shtuar si e injektuar me zor edhe njė kokėēarje tjetėr, ajo e ndryshimeve kushtetuese.

Përveç tmerrit të Gërdecit, rritjes galopante të çmimeve, ndikimit të drejtpërdrejtë tek ne të krizës ekonomike në botë, papunësisë, depresionit për të ardhmen, qytetarëve tanë kohët e fundit i është shtuar si e injektuar me zor edhe një kokëçarje tjetër, ajo e ndryshimeve kushtetuese.

Ndërkohë që politikanët tanë marrin e japin me njëri-tjetrin, ku dikush vë alarmin se po dobësohet Presidenti, dikush se po forcohet Kryeministri, e dikush tjetër, si në fund ka hall se qenka ndryshuar sistemi zgjedhor. Në fakt, qytetarët apo pakkush prej tyre janë të njohur me ndryshimet konkrete të Kushtetutës sonë.

Mirëpo, për fatin tonë të keq, ky nuk është ndryshimi i parë i Kushtetutës, kështu që askush s'mund ta shtrojë më si një tabu që u prek Kushtetuta. Biles, ndryshimi i parë i Kushtetutës në vitin 2007 u bë për një çështje mediokre, për të shtuar numrin e anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, e pra ndryshimi ishte se KQZ-ja nga 7 anëtarë na bëhej me 9 anëtarë. Alamet ndryshimi! Dhe për këtë çështje madhore na u ndryshua Kushtetuta. Një zot e di se kujt i duhej shtimi i numrit të anëtarëve të KQZ-së, se popullit të thjeshtë, jo se jo. Në atë ligj pati, veç atij ndryshimi qesharak dhe një tjetër substancial, që mandati i organeve përfaqësuese të qeverisjes vendore nga 3 bëhej 4 vjet.

Po si u miratua ndryshimi i parë i Kushtetutës, në vitin 2007? Sigurisht pa referendum. Të gjitha palët atë kohë ishin të kënaqura. Askujt s'i dukej fyese ta ndryshonte Kushtetutën për aq gjë, apo për më tepër të mendohej të pyetej populli, që e kishte miratuar Kushtetutën para 9 viteve. Edhe një zë i vetmuar eksperti ligjor, që doli veç njëherë në televizion të thoshte se meqenëse ky është ndryshimi i parë i Kushtetutës, që nga miratimi i saj dhe meqenëse ka dhe një gjë substanciale që organeve përfaqësuese të njësive të qeverisjes vendore po u zgjatet mandati, është mirë që ky ndryshim të kalojë me referendum. Nuk dihet se kush e eklipsoi atë, por nuk u dëgjua më asnjë teori e tillë, si: e tmerrshme, po ndryshohet Kushtetuta? Apo urgjent një referendum, se populli duhet pyetur dhe ne e respektojmë gjithmonë popullin? Askush nuk e vrau mendjen për popullin, mjaftoi se të "vetëquajturit baballarë" të politikës sonë të ndritur ishin dakord dhe askush nuk bëzajti më në lidhje me Kushtetutën, ndryshimet e saj, referendumin e atij ekspertit të mjerë ligjor apo dhe për atë që vjen në fund për t'u pyetur, për popullin tonë. Ja pra, Kushtetuta është ndryshuar njëherë në 2007, shpejt e shpejt e pa zhurmë. Popullit as i ka dalë koha ta lexojë ndryshimin në Fletoren Zyrtare, thjesht ka parë politikanët që për një çast qetësuan shpirtin dhe gjakrat, se kishin pas bërë konsensus.

Ndryshimi i dytë i Kushtetutës…

Kaloi një vit e tani flitet për ndryshimin e dytë të Kushtetutës. Shumë pak persona kanë patur mundësi ta shohin tekstin si ka dalë i miratuar nga Kuvendi (edhe shkruesja e këtyre radhëve po i referohet varianteve të propozuara dhe ndryshimeve të çastit në komisione). Në fakt, çfarë është ndryshuar në Kushtetutën tonë? Thjesht ndryshon sistemi zgjedhor nga mazhoritar i korrektuar me proporcional, në proporcional rajonal. Jo të gjithë qytetarët e thjeshtë e dinë çfarë do të thotë sistem mazhoritar apo proporcional-rajonal. Ata janë mësuar që kur vijnë zgjedhjet të shohin njërin që është i fortë, me shumë pare, që mund t'i ketë fituar dhe në mënyra të dyshimta dhe që ka vënë kandidaturën për deputet. Parimi është më i forti, fiton. Parë se një sistem i tillë i bënte zgjedhjet e tmerrshme dhe jo vetëm, por dhe përbërjen e Kuvendit tonë të nderuar jo fort të lavdërueshme, atëherë herët (më parë se ky vit) është menduar gjerësisht që të kalohet në sistemin proporcional, posaçërisht në atë rajonal. Po çfarë do të thotë që listat e këtij sistemi proporcional rajonal janë të caktuara më parë, që nuk mund të ndryshohen, pasi del rezultati i zgjedhjeve, që i njëjti person që do të ketë emrin për X parti në Tiranë nuk mund ta ketë dhe në Ersekë apo në të njëjtën kohë dhe për një parti tjetër. Një sistem i tillë, në një vend si i yni shton garancitë që në Kuvendin e ardhshëm të ketë intelektualë të vërtetë, ekonomistë, juristë, inxhinierë, etj. Secili nga ne ka mundësi të shohë mbase në Kuvendin e ardhshëm, p. sh. mësuesen që të ka dhënë letërsi në gjimnaz, që të bënte të ëndërrojë, që po të ishte sistemi mazhoritar nuk do të kishte shans të kandidonte, pavarësisht intelektit të saj, pasi ajo s'plotësonte kriterin e parave me shumicë, të krahut të armatosur që e mbështet, si dhe ca gjëra të tjera të vogla, që s'po i themi. E pra ky do të jetë sistemi i ardhshëm elektoral, jo i përkryer, pasi si mazhoritari edhe proporcionali kanë të mirat dhe të këqijat e tyre.

Çfarë ka ndryshuar tjetër në Kushtetutë? Neni i zgjedhjes së Presidentit të Republikës, ku më parë duhej që Presidenti deri në votimin e pestë o të zgjidhej me 3/5 e Kuvendit (84 vota pro) o vendi shkonte direkt në zgjedhje të përgjithshme. Me ndryshimin e ri parashikohet se nëse në votimin e pestë kandidati për President të Republikës merr 50% plus 1 (71 vota) konsiderohet i zgjedhur. Për shkak të procedurës së mëparshme, raundet e votimit për zgjedhjen e Presidentit dukeshin si raunde nxemje dhe rritjeje pazari, ku çmimi kulminant arrinte në votimin e pestë. Kjo procedurë sa dukej se i bënte palët të uleshin në një kompromis politik, aq të linte një shije të hidhur paragjykimi pa filluar mirë punë Presidenti i ri. E jo vetëm, por njerëzit fillonin e aludonin se çfarë është bërë kurban poshtë tavolinës, d.m.th çfarë lëshimi të pakëndshëm i kanë bërë njëra –tjetrës, palët?

Ndryshimi tjetër prek dy koncepte të pazbatuara deri tani tek ne: mocionin e besimit dhe të mosbesimit për Kryeministrin. Mendoni një Kryeministër, i cili është votuar me një program politik dhe me qeverinë e tij (neni 97, i Kushtetutës) dhe gjatë ushtrimit të veprimtarisë dërgon në Kuvend një projektligj, dy e me radhë, ndërkohë që Kuvendi nuk ia miraton. Atëherë ai paraqet një mocion besimi, nëse mazhoranca po e mbështet, siç e ka votuar apo jo? Dhe nëse ai nuk e merr mocionin e besimit, atëherë i kërkon Presidentit brenda 48 orëve shpërndarjen e Kuvendit dhe vendi shkon në zgjedhje të parakohshme. Po një mocion besimi nuk vjen nëse deputetët që nuk e duan një Kryeministër dhe qeverinë e tij, përveç mosmiratimit të ligjeve bazë, si p.sh., të atij për Buxhetin e Shtetit, gjejnë në gjirin e tyre një kandidat të përshtatshëm, paraqesin mocion mosbesimi dhe bashkë me shkarkimin e Kryeministrit emërojnë Kryeministrin e ri. Ja pra ajo ç'ka parandalon shkuarjen në zgjedhje të parakohshme është funksionimi i mirë i Kuvendit. Mënyra praktike si janë shkruar nenet për mocionin e besimit dhe të mosbesimit, shmang ekzistencën e qeverive në agoni, si dhe stërzgjatjen e procedurave në Kuvend për gjetjen e një Kryeministri. Nëse ata deputetë nuk janë në gjendje të gjejnë në radhët e tyre një Kryeministër të ri i bie që ai Kuvend nuk ka një mazhorancë të qëndrueshme qeverisëse, duke votuar thjesht kundër projekteve të qeverisë, ata e detyrojnë Kryeministrin të kërkojë mocion besimi dhe nëse ai nuk e gëzon më besimin, natyrshëm vendi shkon në zgjedhje, në gjetjen e një mazhorance të re qeverisëse. Kam drojë se si deri tani këto dy institute juridike edhe në të ardhmen s'do të thirren për zbatim.

Ndërsa Prokurores së Përgjithshme i është vënë një mandat 5-vjeçar për qëndrimin e saj në detyrë, por me të drejtë riemërimi, biles pa kufizim. E fundit, KQZ-ja s'do të jetë më e parashikuar si institucion kushtetues.

Post ndryshimi i Kushtetutës dhe referendumi...

Shumëkush thotë se ky sistem zgjedhor do të shkatërrojë LSI- në, si dhe partitë e vogla, pasi gabimisht e përfshijnë atë në një kategori të tillë. Në fakt, ky sistem do të jetë përfundimtar për ata parti që janë gati inekzistente, që s'kanë identitet dhe s'përfaqësojnë askënd, apo e kanë nxjerrë ose jo, një deputet e gjysëm në Kuvend? Personalisht nuk shoh rrezik për një parti të konsoliduar dhe me identitet si LSI-ja. Gjithsesi sistemi do të jetë sfidues për të gjitha partitë parlamentare, pa përjashtim, si dhe për deputetët e tyre të përhershëm (gati të përjetshëm), pasi secila parti në këto zgjedhje duhet të përpiqet të ketë prurje të reja cilësore, grash, të rinjsh, intelektualësh të themeluar, qytetarësh korrekt, duke evituar fytyrat standard që u janë mërzitur njerëzve apo tufat e batakçinjve momentalë, që thonë se në politikë hyn i varfër dhe të nesërmen duhet medoemos të zgjohesh i pasur!

Ky sistem më duket i bukur, pasi nxit krijimin e partive jo me shtrirje për gjithë vendin, por qoftë dhe rajonale. P.sh. krijimi i një partie të re "Për ringjalljen e Shkodrës" do të sfidonte partitë klasike në qarkun e Shkodrës, pasi mund të kishte një program politik për qarkun, të listonte persona me autoritet atje dhe jo thjesht militantë të hershëm partiak. Apo një parti tjetër në qarkun e Vlorës "Për Vlorën turistike" do të ishte po aq intriguese.

Ajo ç'ka shtrohet sot me forcë në lidhje me ndryshimin e dytë të Kushtetutës sonë është se duhet të kalohet në referendum. Këtë na sugjeron një pjesë e klasës politike, e pakënaqur nga këto ndryshime. Në fakt, gati po hyjmë në vitin elektoral (po të llogarisim ditët), pasi i bie që në korrik të 2009 do të bëhen zgjedhjet e përgjithshme. Të mendosh një referendum në mes të vitit elektoral, kur problemi bazë që shtrohet për këto zgjedhje është se s'ka ende karta identiteti dhe as lista të sakta zgjedhësish, atëherë vetë referendumi i bërë pa to, do të ishte mjaft i diskutueshëm dhe problematik. Ndërkohë që askush nuk del të thotë se sa është kostoja financiare e një referendumi dhe se, a ka fonde shteti ynë i varfër që të përballojë një referendum në mes të vitit elektoral?

Momenti tjetër që duhet parë me kujdes është se si referendumi kushtetues apo apo ai i përgjithshëm, ky i fundit dhe më shumë, kanë procedura të gjata (shih kodin zgjedhor) që marrin një kohë të caktuar. I pari kërkon, në rastin më të mirë, 60 ditë nga dita që vendoset të mbahet një i tillë. Pra i bie që në kohë plazhi të mendosh të shkosh apo jo në referendum, por që siç po duket ende nuk janë gjetur 28 nënshkrime deputetësh. Ndërsa nëse flitet për një referendum klasik me nënshkrimet e 50 000 zgjedhësve, atëherë procedura merr gati 245 ditë (tërësia e ditëve të lëna në dispozicion për institucionet e përfshira në procedurë), pra gati 8 muaj, sikur të fillosh nga tani, i bie diku për Vit të Ri apo 6 muaj para zgjedhjeve. Ndërkohë që ndalohet mbajtja e referendumit kur Kuvendi hyn në gjashtëmujorin e fundit të mandatit të tij. Ky ndalim ligjor duhet të ketë ndonjë lloj kuptimi besoj!

Problemi shtrohet disa planesh: pse s'është kërkuar referendum për ndryshimin e parë të Kushtetutës dhe u kërkuaka tani? Kjo është një çështje që vë në dyshim kauzën që shpallet. A mundemi ne t'i motivojmë qytetarët tanë të varfër të shkojnë në një referendum të organizuar me ato procedurat zgjedhore të vitit 2005, ku kemi si administratë zgjedhore militantë partiakë, pa hartuar kodin e ri zgjedhor? A e kemi ne luksin që brenda një viti të bëjmë edhe referendum, edhe zgjedhje të përgjithshme? Kush do t'i paguajë kostot financiare në një kohë, kur ekonomia jonë është gati në agoni? Më tej i bie të hedhim fall, se si do të dalë rezultati, sesi të gjithë që kanë humbur do të gjejnë një shkak për të thënë se në thelb ata duhej të kishin fituar? Po mirëqenia e njerëzve si do të jetë në përfundim të një sfilitjeje të tillë politike?

Po deri atëherë njerëzit do të jenë mërzitur aq shumë nga politika, që po i varfëron përditë, sa nuk do të presin zgjedhjet e 2009, por do t'i lënë politikanët në mjerimin e debatit të tyre "për popullin" dhe mund të shpërthejnë në një eksod të ri.

E qytetarët s'kanë pse i kërkojnë mëshirë politikës për të ardhmen e tyre, por mund t'ia imponojnë atë. Ka ardhur koha që ata të mos jenë indiferentë, por t'i lexojnë ndryshimet e Kushtetutës në mënyrë që secili të gjykojë me mendjen e tij, nëse duhet marrë seriozisht ky lloj referendumi apo jo dhe nëse politikanët tanë të nderuar, edhe këtë herë, po qajnë për popullin apo për veten e tyre?



Publikuar: 06.05.2008 06:34:28
Lexuar: 73 herė
Fjalėt kyēe: Ndryshimi, dytė, Kushtetutės,
  


Lajmet e fundit
Trajtimi i personave me aftesi te kufizuar dhe shoqeria moderne Trajtimi i personave me aftesi te kufizuar dhe shoqeria moderne
11 dhjetor 1990, kėshillat e Ramiz Alisė pėr studentėt 11 dhjetor 1990, kėshillat e Ramiz Alisė pėr studentėt
"Ēartet Genta nė mikrofon"



Lajmet te ngajshme
A po ndodh nė Turqi, njė “puē i drejtėsisė”? A po ndodh nė Turqi, njė “puē i drejtėsisė”?
Karriget antieksploziv tė pushtetit Karriget antieksploziv tė pushtetit
Unioni i Mesdheut, oportuniteti i nje cikli te ri boteror Unioni i Mesdheut, oportuniteti i nje cikli te ri boteror
Krahasim mes demokracisė nė Shtetet e Bashkuara dhe Evropės Krahasim mes demokracisė nė Shtetet e Bashkuara dhe Evropės
Gjashtė pikat dhe Republika Neutrale e EULEX-it Gjashtė pikat dhe Republika Neutrale e EULEX-it
Autoriteti i rivėshtruar Autoriteti i rivėshtruar
Tė shpėtojmė Kosovėn! Tė shpėtojmė Kosovėn!
Zjarrit po nuk i fryve, nuk ndizet hiq Zjarrit po nuk i fryve, nuk ndizet hiq
Status quo-ja e re – rrezik pėr tė ardhmen e vendit Status quo-ja e re – rrezik pėr tė ardhmen e vendit
Trajtimi i personave me aftesi te kufizuar dhe shoqeria moderne Trajtimi i personave me aftesi te kufizuar dhe shoqeria moderne
Google Yahoo MSN