Kosova ka njė marrėdhėnie tė veēantė me Evropėn. Askund nuk ka njė prezencė mė tė fuqishme evropiane se sa nė administratėn tonė institucionale dhe nė jetėn tonė tė pėrditshme. Idealet e Evropės dhe parimet evropiane: demokraci, tolerancė, paqe dhe prosperitet janė bėrė pjesė e Kushtetutės sė re tė shtetit tonė tė ri.
Gjatë kohës sa isha Kryeministër, më kujtohet satisfaksioni që ndjeja që po e ndërtonim shtetin tonë të ri jo vetëm drejt Evropës, por në Evropë. Kosova jonë e re është mishërim i vlerave evropiane. Institucionet tona janë krijuar jo vetëm me aspirata evropiane por edhe me mbështetje dhe udhëzime evropiane. Vet Kosova është një akt i partneritetit evropian.
Partneriteti është i dukshëm kudo në vendin tonë. Mund të shihet në ndërtesat tona publike, ku yjet evropiane gjenden krah për krah me yjet dhe hartën e Kosovës. Mund të shihet në takimet zyrtare, ku ne ulemi afër dhe punojmë me përfaqësuesit e Unionit Evropian, Komisionit Evropian dhe me vendet anëtare të BE-së. Mund të shihet në rrugët që i kemi ndërtuar me përkrahje evropiane. Mund të shihet në fshatrat që kanë përfituar nga ndihmat evropiane për ujësjellës ose projekte tjera që ua ka bërë jetën më të mirë.
Por, Evropa është më shumë se sa vetëm një takim afarist ose një kuletë e hapur. Statusi jonë evropian dhe pavarësia jonë do të mbeten gjysmake nëse ne mbesim partnerë pasiv. Nëse politikanët tanë rrinë dhe e presin Evropën, do të ndjehen shumë rehat. Ata do të bëjnë udhëtime afariste dhe do të marrin dhurata dhe ndoshta edhe ndonjë rrugë të re të asfaltuar. Por, nëse vetëm rrinë dhe presin nuk do ta sjellin Evropën më afër dhe nuk do ta shpiejnë Kosovën përpara. Sfidat e anëtarësimit në Unionin Evropian dhe sfidat me të cilat ballafaqohet Kosova sot janë shumë të mëdha për njerëzit që kanë mungesë të vendosmërisë dhe energjinë për tu ballafaquar me to në mënyrë aktive.
Ne na nevojitet një lidership aktiv, ne na duhet një angazhim dinamik me Unionin Evropian dhe ne na duhet një fushatë agresive për ta zhvilluar Kosovën sipas parimeve dhe praktikave evropiane.
Tani, ne na duhet një mision i ri evropian në Kosovë. Ne i mirëpresim ata si miq në disa raste edhe si miq të vjetër dhe partnerë. Nëse ne vetëm rrimë dhe presim nga ta që të na japin instruksione dhe udhëzime, ne nuk do të bëjmë asgjë të keqe dhe nuk do të marrim drejtime të gabuara. Por, Kosova më nuk është protektorat. Koha e pritjes, koha e bindjes së qetë, ka përfunduar. Ne duhet të sfidojmë dhe duhet të shtyjmë gjërat përpara. Ne i mirëpresim udhëzimet dhe miratimet që vijnë nga miqtë tanë Peter Feith dhe Yves de Kermabon, por elani duhet të vijë nga ne. Ne vetë duhet ta shtyjmë Kosovën përpara, sepse nuk do të mbesim përgjithmonë ashtu siç jemi, të pakompletuar, të shkelmuar ndërmjet KB-së dhe UE-së, me ndërhyrje të paligjshme nga fqinjët tanë dhe të varur nga drejtimi i erës së diplomacisë ndërkombëtare.
Kosovës i duhen liderë që ju prijnë zhvillimeve, e jo vetëm liderë që i përcjellin zhvillimet.
Gjithashtu, ne mund të zgjedhim të jemi të vetkënaqur me vlerat evropiane të bashkangjitura me shtetin tonë të ri. Unë i njoh këto vlera dhe do të luftoj për to, sepse mendoj që janë çelës për një jetë më të mirë për ne dhe fëmijët tanë. Nëse rrimë dhe presim, këto vlera edhe më tutje do të jenë të bashkangjitura me shtetin tonë të ri. Por, ato do të vjetrohen dhe do të bëhen boshe. Ne duhet të luftojmë çdo ditë që ti implementojmë këto vlera.
Unë e shoh Kosovën tonë ideale evropiane në shumë fjalime dhe dokumente. Por, nuk i shoh ato ideale në rrugët tona të papërfunduara, në të papunët tonë të gjeneratës së re, në prindërit tonë të sëmurë. Idealet janë vetëm fjalë dhe fjalët janë vetëm fantazi nëse ne nuk punojmë shumë me duart tona që ti shndërrojmë këto ideale në gjëra konkrete.
Kosova do të jetë një shembull më i mirë për frymën evropiane kur të ndërmarrim hapa aktiv për të përmirësuar jetën e qytetarëve tonë më të varfër dhe kur të rinjtë tanë të mund ta festojnë Ditën e Evropës nga vendet e tyre të punës. Për më tepër, një Kosovë aktive e cila shkon përpara do të jetë një vend më atraktiv për anëtarësim në Unionin Evropian.
Vet krijimi i shtetit tonë të ri ishte një hap përpara drejt anëtarësimit të Kosovës në Unionin Evropian. Përgjatë rrugës së gjatë që e kemi kaluar, me ne ka qenë fryma dhe përkrahja e Unionit Evropian.
Ne i jemi përjetësisht falënderues Unionit Evropian për këtë mbështetje dhe Dita e Evropës është një rast i përshtatshëm për ta ritheksuar këtë. Por kjo ditë është është gjithashtu edhe dita për të shikuar rrugën para nesh. Është dita për të reflektuar nëse ne, si individë dhe si shtet, jemi duke bërë gjithçka që duhet për të ndërtuar një shoqëri të drejtë për ta çuar Kosovën përpara drejt Evropës.
Shkruan: Agim Çeku