Boris Xhonson, kryetari i ri i Bashkisė sė Londrės, i dha fund qėndrimit 8-vjeēar tė Ken Livingston nė kėtė post."Luftė kriminalitetit, pėrmirėsim i transportit, mbrojtje e sipėrfaqeve tė gjelbra, sigurim banesash tė pėrballueshme, mė pak taksa dhe kushdo qė e do kėtė qytet do tė lėrė mėnjanė dallimet partiake pėr tu bashkuar, qė Londrėn ta bėjmė edhe mė tė madhe.
Edhe pse Londra nuk mund të bëhet konservatore brenda një nate, fitorja e bashkisë së kryeqytetit tregon se konservatorët kanë ndryshuar", kjo do të ishte deklarata e parë e Boris Xhonsonit, pasi lajmi se do të ishte ai kryetari i ri i Bashkisë së Londrës mori dhenë. Sigurisht që pas fitores së tij, pasojat pritet të jenë të rëndësishme. Tani është në duart e tij, në batutat dhe gafat e tij të famshme revolucioni konservator i politikës angleze. Edhe pse rezultati i fitores nuk ishte shumë i thellë, 53 për qind kundrejt 47, ajo që pati më shumë rëndësi ishte fakti se për të mbështetur Borisin kanë shkuar në kutitë e votimit njerëz që nuk kishin votuar kurrë më parë për kryetarin e bashkisë së kryeqytetit.
Me një diferencë prej 140 mijë votash, sipas analistëve nuk kanë ardhur nga zonat e pasura të jugperëndimit si Kensington apo Chelsea, prej kohësh bastione të konservatorëve, por nga zonat periferike të Londrës, aty ku gjithmonë adhurimi për "Kenin e Kuq" dhe mbështetja për laburistët ka qenë e madhe. "Është klasa e mesme e Londrës që ka qenë shumë e pakënaqur me Kenin dhe laburistët në përgjithësi. Kanë qenë të detyruar të braktisin zonat qendrore të kryeqytetit, sepse tashmë kostoja e lartë e jetesës është e pamundur të përballohet. Aty jetojnë vetëm super të pasurit dhe të varfrit. Për ta taksa e trafikut ka qenë një katastrofë, jo vetëm sepse nuk duhet të përdornin më makinën për të shkuar në qytet, por edhe sepse mbyllja e qendrës ka devijuar dhe shumëfishuar trafikun në zonat e tyre. Për më tepër, shumë prej gjërave që Ken ka bërë, kanë qenë vetëm në qendër dhe ristrukturimi i "Trafalgar Square", shtimi i autobusëve në "Oxford Street apo Bobbies, policët e patrullës, janë gjëra që nuk kanë ndikuar aspak në zonat përreth Londrës".
Kriza ekonomike dhe lodhja për 11 vjet në qeveri dhe 8 në krye të bashkisë luajtën një tjetër rol të madh në humbjen e Londrës. Për më tepër, askujt nuk i hyri në punë personaliteti i Livingston. Gjatë mbretërimit të tij tetëvjeçar, qyteti është përmirësuar ndjeshëm, duke marrë statusin e një prej qyteteve më të mëdha dhe më të bukura të planetit. Edhe pse atij i atribuohet ideja për vendosjen e taksës mbi trafikun, aspektet negative të "regjimit" të tij nuk i ka inkurajuar laburistët për të shkuar për të votuar. Shkatërrimtar ishte vendimi i tij për tu "përleshur" me gazetën e vetme qytetare, prestigjiozen "The Evenning Standard". Shumë është folur për kontributin e madh të strategut australian Lynton Crosby, në fushatën elektorale të Borisit, por, sipas specialistëve, ajo që ka bërë diferencën ka qenë një zonjë e quajtur Veronica Vadlej, drejtoresha e "Standard", një gazetë e jashtëzakonshme, tradicionalisht konservatore, por shumë e kujdesshme për sa i përket cilësisë së informacionit.
Ken u konfliktua me gazetën, duke i fyer gazetarët e saj me arrogancë dhe kërcënime. Për tu kundërpërgjigjur Vadlej i caktoi detyrën Andre Gilligan, një prej gazetarëve më të njohur investigues në vend për të bërë një sërë hetimesh, ose më mirë mbi mënyrën se si "Keni i Kuq" i ka administruar 11 miliardë sterlina në vit, në tetë vitet e fundit, të investuara për transportin dhe sigurinë e qytet-shtetit me dhjetë milionë banorë. "Standard është gazeta e vetme që ka vendosur se si do të dalë rezultati i zgjedhjeve. Ajo të ofron atë lloj informacionesh, që edhe nëse nuk e beson, të konfirmon dyshimet që ti ke pasur gjithmonë mbi Livingston", komenton Çarli Beket, specialist për mediat në "London School of Economics".
"The Standard" mendohet se ka rreth 712 mijë lexues, pjesa më e madhe e të cilëve janë londinezë, nga ata që çdo ditë vijnë nga periferia në qendër për të punuar. Meqenëse ka premtuar se do të ulë taksat mbi makinat, duket se kryetari i ri, që pëlqen edhe biçikletat dhe autobusët, u ka hyrë menjëherë në zemër shoferëve të taksive. Boris në fakt është një çiklist i njohur urban, që i njeh mirë problemet e mjeteve të transportit, por vëmendja e tij do të jetë e përqendruar mbi kriminalitetin. Në orën kur në vend numëroheshin votat vetëm pak kilometra larg, në Southwark, një 15-vjeçare u ther me thikë. Por, përveç saj, numri i viktimave që nga fillimi i vitit ka shkuar në 12. 100 ditët e para të kryetarit të ri do të jenë vërtet të rëndësishme. Alexander Boris de Pfeppel e ka kuptuar se kjo nuk është një detyrë e vështirë. Ai e di mirë se Devid Kamerun dhe "luanët" e rinj që ka pas vetes po përpiqen ta shfrytëzojnë fitoren e tij për tu kthyer në qeveri, ndaj Borisit nuk i lejohen gabimet.
I rrethuar nga një skuadër e fortë menaxherësh, Xhonson nuk do të lejohet të ecë në rrugë të gabuar. "Më shqetëson hendeku mes të pasurve dhe të varfërve dhe dua të përdor "predikimin" për tu marrë para atyre që kanë dhe për tua u dhënë atyre që nuk kanë". Por kryetarit të ri i tremben shpesh, edhe për shkak të zgjedhjeve të tij qesharake. Tani që ka fituar postin, sigurisht që do të ketë detyrën që të vërë në provë aftësitë e tij menaxheriale. Në punën e tij si drejtues i revistës "Spectator", vendimi më i vështirë ishte se ku duhej të shkonte për drekë. Më vonë ai do të marrë konfirmimin e Komitetit Olimpik mbi përgatitjen e Londrës për Lojërat Olimpike të vitit 2012, një tjetër sfidë e vështirë. Por, Boris duhet të përmirësojë transportin urban dhe të ndalojë grevat e vazhdueshme në metronë më të shtrenjtë në botë. Gjithsesi, në qendër të objektivave qëndron lufta kundër krimit.
"Pavarësisht se numri i krimeve është ulur ndjeshëm, sipas perceptimit të njerëzve kriminaliteti do të rritet dhe kjo varet tërësisht nga vrasjet e shumta që po ndodhin mes adoleshentëve. Është një problem i veçantë, që nuk është e lehtë të zgjidhet. Kjo do të jetë sfida më e madhe e Xhonsonit. Nëse arrin të bindë londinezët se ka arritur të fitojë luftën kundër krimit, konservatorët pas dy viteve do të jenë në Downing Street", thotë Ben Page.
Borisi "i famshëm"
Kryetari i ri i Bashkisë së Londrës ishte shumë i njohur në Mbretërinë e Bashkuar edhe para se të bëhej deputet dhe kjo, për shkak të pranisë së tij të vazhdueshme në shtyp këto vitet e fundit, gjithmonë për motive të gabuara. Boris, 44 vjeç, në vitin 2004 si drejtor i revistës "Spectator" duhej të kërkonte falje zyrtare për një editorial, në të cilin kishte kritikuar qytetin e Liverpulit për dhimbjen që kishte shprehur për vdekjen e Ken Biglejt, një peng i vrarë në Irak. I lindur në Nju Jork, nxënës në kolegjin e famshëm "Eton", njëlloj si miku dhe lideri i konservatorëve Devid Kamerun, Xhonson është një adhurues i flaktë i klasicizmit, nga historia deri tek arti dhe filozofia. Boris ka drejtuar edhe një program televiziv mbi historinë antike të Romës.
Gazetar praktikant i "Times", shpejt do të ishte në qendër të vëmendjes, për shkak të falsifikimit të një deklarate. Megjithatë, ai do të bëhej korrespondent nga Brukseli për "Daily Telegraph". I kthyer pas pesë vjetësh, u bë analist politik dhe në vitin 1999 drejtor i "Spectator", detyrë nga e cila hoqi dorë në 2005-ën. Nuk është racist dhe kjo është një gjë e rëndësishme në Londrën multietnike. "Në venat e tij rrjedh gjak hebraik, francez, turk, zviceran dhe anglez. Gruaja e tij është indiane, po kështu edhe fëmijët", tregon i ati Alex.