Sė fundi misioni ndėrkombėtar i pas 15 qershorit nė Kosovė, misioni i BE-sė, EULEX, ndėrmori njė hap pėr gjoja vetėdijesimin e qytetarėve tė Kosovės, se ēfarė janė vlerat e Bashkimit Evropian, nėn moton Ejani nė Evropė. Qė nė fillim si qasja, ashtu edhe motoja e kėtij misioni janė tė gabuar dhe kjo pėr dy arsye.
E para, Kosova është në Evropë, por është fakt që Kosova nuk është pjesë e 27-ës së Bashkimit Evropian. Do të ishte më e drejtë sikur motoja të ishte, ejani në klubin e 27 shteteve të BE-së. Po ashtu ky mision ka gabuar adresën e thirrjes, ngase me shumë sesa qytetarëve, ajo do të duhej tu mbante ligjërata për këto vlera liderëve të institucioneve të Kosovës. Atyre do të duhej tu tregohej se duhet punuar që Kosova shumë shpejt të jetë pjesë e Bashkimit Evropian. Qytetarët nuk janë ata që vendosin apo miratojnë ligjet dhe reformat që kërkon BE-ja, ata vetëm u përshtaten këtyre hapave dhe duhet të jenë gati të adaptohen me to.
Pastaj, qytetarët e Kosovës nuk janë të painformuar me vlerat evropiane, ngase shumica e qytetarëve të Kosovës në një mënyrë apo tjetër, i kanë prek nga afër këto vlera. Por, në fund të fundit nuk është obligim i patjetërsueshëm i qytetarëve të Kosovës të dinë gjithsesi se çfarë është Këshilli i Ministrave, Komisioni Evropian dhe Parlamenti Evropian, ani pse mund të themi, se më mirë këto gjëra i dinë qytetarët e Kosovës, se vetë qytetarët e shteteve të BE-së. Më kujtohet në vitin 2002 gjatë një seminari të mbajtur në Gjermani dhe Francë, me pjesëmarrjen e studentëve nga Kosova, Gjermania dhe Franca, kishim një debat për OSBE-në dhe aty kuptova sesa të pa informuar apo sa pak studentët e këtyre dy shteteve dinin për këtë organizatë dhe studentët e Kosovës duhej tu shpjegonin atyre se cili është roli i kësaj organizate dhe rëndësia që ajo luan në demokraci.
Duke marr parasysh këto fakte, atëherë do të mund të themi se misioni i BE-së, EULEX, do të ishte shumë më mirë tu mbante ligjërata qeveritarëve, parlamentarëve dhe anëtarëve të tjerë të institucioneve, për tu tregu se vlerë evropiane nuk është korrupsioni, krimi ekonomik dhe politik, nepotizmi, diferencimi politik dhe tendenca për ta shtypur fjalën dhe median e lirë. Por, të kundërta e këtyre janë vlera evropiane, si sundimi i ligjit, drejtësia efikase, zhvillimi ekonomik dhe hapja e vendeve të punës, të drejtat e njeriut, fjala e lirë, raportet e mira ndërfqinjësore, harmonizimi i ligjeve. Për ti arrit të gjitha këto duhet përkushtim dhe angazhim maksimal i institucioneve të Kosovës, sepse ato kanë barrën e udhëheqjes dhe drejtimit të Kosovës drejtë integrimit në strukturat euro-atlantike, por jo shkuarjes në Evropë, sepse në Evropë jemi.
E dyta, BE-ja nuk është korrekte ndaj Kosovës. Derisa serbëve dhe Serbisë i ofron lehtësira të ndryshme, Kosovën dhe qytetarët e saj i mbajnë me demagogji për vlerat evropiane. E them këtë, ngase ne po e zëmë që qytetarët e Kosovës vërtet nuk kanë njohuri për vlerat evropiane dhe kjo fushatë është e drejtë, përjashto moton e saj. Por, si mund ti njohin këto vlera qytetarët e Kosovë, nëse ata mbetën të izoluar dhe nuk mund ta kenë privilegjet që sot po u ofrohen serbëve dhe nga afër ti njohin dhe prekin këto vlera?
Qasja e tillë e BE-së ndaj Kosovës, që na del sikur BE-ja dëshiron të jetë e pranishme në Kosovë, por jo që e do edhe Kosovën brenda gjirit të saj, duke faktorizuar dhe favorizuar Serbinë, na benë të mendojmë, se mos do të duhej që edhe Kosovë të shprehte një lloj nacionalizmi për synimet e saja, në mënyrë që të merret apo përkrahet me seriozisht nga BE-ja. Nëse nacionalizimi nuk është zgjidhje dhe i dëshiruar për BE-në, atëherë edhe BE-ja do të duhej të ndryshonte sjelljen e saj ndaj Kosovës dhe rajonit në përgjithësi.
Nëse BE-ja synon që të gjithë ti ketë brenda gjirit të saj, atëherë nuk mundet dikë ta favorizojë dhe dikë tjetër ta mundojë. Kriteret e BE-së janë të njëjta, gjë që do të duhej edhe zbatimi apo vënia në jetë të jetë kësisoj. Çdo tendencë për të bërë seleksionim në këtë rrugë, sigurisht se do të përdoret nga palët për ta bllokuar tjetrin. Shikojeni se çfarë bënë Greqia ndaj Maqedonisë, nesër këtë situatë do të mund ta shihni mes Serbisë dhe Kosovës, ngase po ti jepej shansi Serbisë për tu integruar në BE, para Kosovës, ajo nuk do të hezitonte për ta bllokuar integrimin e Kosovës në këto institucione. Andaj BE-ja nuk ka nevojë të përdorë politikë me dy kute ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor.