Fituesit e valės sė madhe tė globalizimit tė viteve 1990 ishin shtete tė vogla, tė tilla si Zelanda e Re, Kili, Dubai, Finlanda, Irlanda, vendet Baltike, Sllovenia dhe Sllovakia. Tigrat e Azisė Lindore qė e ēuan veten nė arenėn qendrore tė ekonomisė botėrore, ishin njėsi tė vogla, dhe nė disa raste - Singapori.
Fituesit e valës së madhe të globalizimit të viteve 1990 ishin shtete të vogla, të tilla si Zelanda e Re, Kili, Dubai, Finlanda, Irlanda, vendet Baltike, Sllovenia dhe Sllovakia. Tigrat e Azisë Lindore që e çuan veten në arenën qendrore të ekonomisë botërore, ishin njësi të vogla, dhe në disa raste - Singapori, Tajvani ose Hong Kongu - nuk trajtoheshin as si shtete. Madje, Koreja e Jugut, që është një gjigant në krahasim me to, ishte vetëm gjysma e një vendi.
Shtete të tilla janë vulnerable (të cenueshme), dhe në histori ka shumë globalizerë (me peshë globale/botërore) të vegjël dhe të suksesshëm, por që kanë humbur për shkak të politikës së të mëdhenjve: të tillë globalizerë kanë qenë qytetet-shtete italiane të Rilindjes, Republika Holandeze, ose, në shekullin XX, Libani dhe Kuvajti. Shtetet e vogla shpesh bëhen viktima të vendeve më të mëdha, por më të varfra, xheloze për suksesin e fqinjëve të vet dhe të etura t'u rrëmbejnë pasuritë, duke harruar se në këtë mënyrë shkatërrojnë burimin e mirëqenies dhe dinamizmit.
Në botën e globalizimit të pastër, shtetet e vogla kanë më shumë sukses, sepse janë më fleksibile dhe mund të përshtaten më lehtë drejt tregjesh që ndryshojnë me shpejtësi. Shtetet e vogla janë më të volitshme për politikat sociale me liberalizimin e tregjeve të punës, vendosjen e një baze të qëndrueshme konkurrueshmërie, si dhe lehtësimin e bashkimeve dhe shkrirjeve ndërkufitare të sipërmarrjeve.
Rëndësia një për program të ngjashëm, është theksuar në shumë analiza të kohëve të fundit për performancën e dobët të ekonomive kryesore kontinentale evropiane - Francë, Gjermani dhe Itali - në krahasim me ekonomitë më të vogla dhe më tepër dinamike në Evropën Veriore dhe Qendrore. Por, gjithashtu, shtetet e vogla ka gjasa të jenë të suksesshme në mbrojtjen e aspekteve themelore të shtetit të asistencës sociale.
Një shtet shumë më i madh, natyrisht, mundet, në një shkallë më të madhe, të kontrollojë ekonominë, pra, duke iu nënshtruar tundimit me kosto të lartë për të futur hundët në ekonomi, kjo për shkak të trysnisë politike të grupeve të interesuara. Në shtetet e vogla, imponimi i një rrjeti të dendur kontrollesh, ka të ngjarë të çojë në humbjen e faktorëve të ndryshueshëm të prodhimit, nga ana tjetër, në një shtet të madh është më e vështirë t'i ikësh fuqisë punëtore ose kapitalit.
Në arenën ndërkombëtare, shtetet e mëdha përpiqen të imponojnë rregulla ndërkombëtare dhe shpesh ndërtojnë legjitimitetin e vet brenda shtëpisë për pretendimet e tyre në formimin e një bote më të madhe: ata mendojnë me koncepte të tilla, që intelektualët francezë i quajnë "shalimi i globalizimit" (la maîtrise de la globalisation) / sundimi i globalizimit. Në vend që të pranohet sistemi ndërkombëtar ashtu siç është, me të gjitha cenet e tij, ata mendojnë se mund të përdorin peshën e vet për të ndryshuar rregullat; në favor të tyre.
Nervozizmi dhe droja e shteteve të vogla, nisën të rriten aty nga viti 2000. Lufta në Irak, kërkesa e Kinës për burime energjitike në vendet në zhvillim, si dhe autoritarizmi i Rusisë në politikën e brendshme dhe të jashtme, nxorën në pah realitetet e reja politike.
Në botën e sotme, duket sikur fituesit e rinj, janë shtete të mëdha, me popullsi të mëdha dhe rritje të shpejtë: Brazili, Rusia, India dhe Kina (BRIK-u), bashkë me Shtetet e Bashkuara. Këta gjigantë dinamikë u fusin frikën vendeve të pasura të industrializuara me fuqinë potenciale të konkurrencës me kosto të ulët, prodhimeve të lira dhe të shërbimeve të autsorsingut (term ndërkombëtar anglisht "outsourcing" - biznes për të tretë apo me nënkontraktorë - shënim i përkthyesit).
Vendet e BRIK-ut (mund ta interpretojmë shkurtimin - në anglisht: BRIC - si Big and Really Imperial Countries: Vende të Mëdha dhe Vërtet Perandorake - shënim i origjinalit) e shpërndajnë fuqinë e vet në vendet e tjera me lehtësi të madhe, por gjithashtu u duhet ta shpërndajnë këtë fuqi për të kompensuar dobësitë e tyre. Ato kanë problemet e veta, por, në të njëjtën kohë po e mbajnë veten si shtete të mëdha tradicionale, si dhe do të përpiqen ta "korrigjojnë" globalizmin se sa thjesht ta pranojnë si një proces të pashmangshëm.
Ka, të paktën, tre pika të dobëta që bien në sy dhe që kanë të bëjnë më tepër me globalizerët e mëdhenj sesa me ata të vegjël, të cilët ia arritën të kenë sukses më përpara. E para, vendet me popullsi të madhe duhet të integrojnë shtresat e veta të varfra dhe të paarsimuara (kryesisht popullsia fshatare në Kinë dhe Indi) paralelisht me hyrjen e tyre në tregjet botërore.
E dyta, Kina dhe Rusia kanë sisteme financiare, që u mungon transparenca, ndërkohë, Brazili dhe India janë të pazhvilluara në sferën financiare, gjë që rrezikon integrimin e mëtejshëm në ekonominë botërore dhe që rrit gjasat për krizë financiare.
E treta, Rusia po përballet me një ulje demografike masive dhe me një popullsi në plakje dhe sëmundshmëri në rritje; Kina, ka gjasa, aty nga viti 2040, të ndeshet me rënien e lindshmërisë, sikurse ka ndodhur në Japoni, për shkak të ndjekjes prej saj të politikës së një fëmije në familje.
Gjigantët gjeopolitikë, me pika të dobëta në të kaluarën, kanë qenë burim paqëndrueshmërie (Gjermania para Luftës I Botërore është analogji që flet vet), dhe ka arsye të qenësishme për të parë te BRIK-u një rrezik në rritje në shekullin XXI. Por për momentin ata janë fuqi, jashtë çdo dyshimi.
Prandaj, vendet e BRIK-ut, si mënyrë për të zgjidhur problemet e brendshme, do të kërkojnë kompensim për fuqinë, si dhe për ndikimin e prestigjin ushtarak e strategjik. Kanë ikur vitet 1990, kur, për një moment të shkurtër pas mbarimit të Luftës së Ftohtë, u duk sikur bota do të ishte e qetë dhe se duhen harruar luftërat mes fuqive.
Shpejt doli se ishte iluzive kjo shpresë. Shumë komentatorë u shushatën vërtet nga shpejtësia, me të cilën u kthyen tensionet në sistemin ndërkombëtar. Ndërsa shumë veta ia hedhin fajin sjelljes së SHBA-ve, këto tensione në fakt u ushqyen nga shpalosja e një logjike të re në politikën ndërkombëtare.
*Harold Xhejms (Harold James) është profesor i Historisë dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin e Prinstonit (Princeton)
Përktheu: Vladimir Mustaqi