A do tė marrė pėrgjigje pyetja e famshme e Henry Kissingerit, "Kujt duhet t'i telefonoj nėse dėshiroj tė flas nme Europėn"? Muajin e ardhshėm do tė nisin bisedimet e para serioze mes liderėve tė 27 vendeve anėtare tė BE-sė pėr zgjedhjen e presidentit tė Evropės.
A do të marrë përgjigje pyetja e famshme e Henry Kissingerit, "Kujt duhet t'i telefonoj nëse dëshiroj të flas nme Europën"? Muajin e ardhshëm do të nisin bisedimet e para serioze mes liderëve të 27 vendeve anëtare të BE-së për zgjedhjen e presidentit të Evropës. Përveç Vatikanit dhe një kolegji të madh në Oxford, asnjë institucion evropian nuk është kaq i fiksuar se kush do ta marrë këtë detyrë sesa elita aq vetëvlerësuese në Bruksel. Por kjo zgjedhje do të jetë përcaktuese për BEnë, për brezin që do të vijë. Kur Evropa vë personin e duhur në pozicionin e duhur, Jacques Delors, burri i shtetit nga Franca që futi tregun e vetëm dhe krijoi Evropën sociale, për shembull, BE-ja ecën larg. Zgjidhni njeriun e gabuar, si Jacques Santer, ish-kryeministri i dashur, por jo efektiv i Luksemburgut, që ka qenë president i Komisionit pas Delors dhe Evropa nis të ngecë.
Në të kaluarën ka pasur vetëm një president të komisionit për të zgjedhur. Por, tani BE-ja ka ambicie më të mëdha. Traktati i ri i saj, që po kalon aktualisht pengesat e fundit ratifikuese pas zënkave të pafund, kërkon zgjedhjen e një presidenti të Këshillit të Evropës. Ky post bën një përzierje të mondanes, si për shembull, kryesimin e mbledhjeve të krerëve të 27 qeverive, me detyra të tilla si përfaqësimi i Evropës në nivel global. Liderëve të BE-së u duhet ende të përcaktojnë se cila nga këto është më e rëndësishme, të sigurohen që agjenda është gati, lapsat janë mprehur dhe tavolinat janë nëpër vende për mbledhjen e këshillit, apo që kanë një president të Evropës, i cili ecën në dyert e Shtëpisë së Bardhë, Kremlinit dhe "Qytetit të Ndaluar" në Pekin dhe e bën të qartë se zëri i Evropës është i rëndësishëm dhe dëgjohet në çdo cep të botës.
Nëse është kjo e dyta, presidenti i Evropës do të hasë në një sfidë jashtëzakonisht të rëndësishme dhe të vështirë, për të menaxhuar 27 këndvështrime të ndryshme dhe shpeshherë konkurruese për botën. Në fund të fundit, Berlini dhe Varshava nuk kanë qenë në gjendje të bien dakord për një linjë të përbashkët në lidhje me Rusinë gjatë tre shekujve të fundit. Ndasitë mes anti-amerikanëve dhe euro-atlantistëve në Evropë e kanë origjinën disa dekada më parë. Prioritetet e Evropës në politikën e jashtme janë shumë më të ndryshme, kur i sheh nga Helsinki sesa nga Nikosia.
Por, gjeniu i ndërtimit të Evropës qëndron pikërisht në faktin se problemet e pazgjidhshme, bashkimi i dhjetëra monedhave dhe bankave qendrore në eurozonë, apo lejimi i punëtorëve që të punojnë përtej kufijve në një mënyrë e cila do të ishte e paimagjinueshme për Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë të Amerikës Veriore, vijnë e zbuten ngadalë. Një president i Evropës që ka aftësi, durim, mprehtësi dhe një sens qëllimi dhe vizion, mund ta shndërrojë postin e ri në një zë të fuqishëm për atë përzierjen mes pushtetit të butë dhe të fortë që Evropa do të ketë në skenën botërore. Po ku mund të gjendet presidenti? Aktualisht po krijohet një radhë me kryeministra dhe ish-kryeministra, që shpresojnë të nisin punën në verën e 2009-s. Në krye të listës është kryeministri i Luksemburgut, Jean- Cluade Juncker.
Ndonëse vendi i tij ka më shumë llogari bankare gjermane që shmangin taksat sesa Lihtenshteini, Juncker është shumë i dashur prej politikanëve konservatorë evropianë, përfshirë kancelaren gjermane Angela Merkel. I rrjedhshëm në anglisht, frëngjisht dhe gjermanisht, Juncker përfaqëson shprehjen e fundit të ëndrrës federale për të pasur Shtetet e Bashkuara të Evropës. Por, prirja e tij federaliste për transferimin e pushtetit në Bruksel, në kurriz të shteteve kombe, mund të shkaktojë veton e brezit të ri të liderëve të BE-së, të cilët e shohin Evropën si një konfederatë kombesh, me Brukselin si vlerë të shtuar, por jo me superioritet mbi qeveritë dhe parlamentet e tyre. Një tjetër kandidat për president të Evropës është Anders Fogh Rasmussen, kryeministri liberal i djathtë i Danimarkës, që me shumë gjasa do të humbasë pushtetin në zgjedhjet e ardhshme.
Ai po mëson frëngjisht, por koalicioni i tij me disa politikanë anti-emigrantë mund t'ia reduktojë shanset. Ish-presidenti i Francës, Valéry Giscard d'Estaing, i cili autorizoi praktikisht nisjen e procedurave pesë vjet më parë për hartimin e një drafti të Kushtetutës, dha kohët e fundit një intervistë në lidhje me presidencën e BE-së dhe përshkroi cilësitë e kërkuara në terma të tillë që korrespondojnë me CV-në e tij. Ka edhe ish-liderë të tjerë qeverish, të cilët mezi presin të rikthehen në skenë dhe në Bruksel ka zëra tashmë se do të jetë presidenti aktual i Komisionit Evropian, José Manuel Barroso, që do të kalojë në postin e presidentit të BE-së, për t'ia lënë vendin e tij Junckerit apo kancelarit austriak, Wolfgang Schüssel. Presidenti i Francës, Nicolas Sarkozy, befasoi shumëkënd kur krejt papritur futi në listë emrin e Tony Blairit.
Ish-kryeministri britanik nuk është aspak i sigurt se e dëshiron këtë punë, nëse ai do të konsistojë në një rol thjesht burokratik. Blairi, përveç fjalimeve të shumta e fitimprurës që po mban në konferenca përreth botës, po e shijon shumë edhe punën e tij në Lindjen e Mesme, si dhe përpjekjet për të bashkuar fraksionet palestineze. Pasi solli paqe në Irlandën e Veriut, në një krizë që zgjati më shumë se një shekull, ai ka tashmë vetëbesimin për të menduar se ia vlen të harxhojë kohë dhe energji për të bërë të mundur paqen në Lindjen e Mesme. Tani, linja zyrtare në Paris, të paktën nga Ministria e Jashtme franceze, aty ku presidenti Sarkozy ka vendosur dy socialistë në postin e ministrit të Jashtëm dhe Evropës, është se në fund të fundit Franca nuk e do Blairin. Por, ish-lideri britanik mund të shfaqet si një kandidat kompromisi, teksa emrat e tjerë nisin e fshihen nga lista dhe liderët e BE-së kërkojnë dikë që mund të flasë në emër edhe të kombeve të vogla të Evropës, të cilët shpesh herë shohin zërat e tyre të mbyten nga ministritë e Jashtme të Britanisë,
Gjermanisë apo Francës. Liderët evropianë duhet gjithashtu të gjejnë dikë që të jetë ministër i Jashtëm i BE-së dhe të sigurohen që këta zyrtarë të jenë të pranueshëm për Parlamentin Evropian, që do të zgjidhet në qershor të vitit të ardhshëm. Sjellja në jetë e gjithë këtyre është një dhimbje koke shumë e madhe për Sarkozynë, i cili do të marrë komandën e Evropës në korrik në një prej të fundmeve presidenca të radhës sipas sistemit aktual të qeverisjes së BE-së. Nëse dështon dhe Evropa përfundon me zyrtarë të lartë që nuk frymëzojnë, apo që nuk e bëjnë të ndihet prania e BE-së në gjithë botën, atëherë kjo do të ishte një tjetër goditje për imazhin në rënie të shpejtë të Sarkozysë në Francë. BE-ja ka një shans të ketë një president që mund të flasë për Evropën dhe të ngre telefonin kur të telefonojë Amerika, Brazili apo India. Megjithatë, Evropa nuk ka një të kaluar të përsosur në gjetjen e njeriut të duhur. Nëse liderët e Evropës dështojnë në këtë test, statusi global i BE-së, dhe bashkë me të edhe pozicioni i BE-së para qytetarëve evropianë, do të bjerë edhe më shumë.
*Autori është ish-Ministri i Shtetit për Europën dhe deputet laburist në parlamentin britanik. Artikulli është marrë nga revista "Newsweek"