Unė isha fėmijė nė moshė, jo mė shumė se 5 vjeē e gjysmė, nė fillim tė prillit tė 1948-s e, si i tillė, po luaja me disa moshatarė tė mi pėrpara "Ndėrmarrjes Ura" nė Shkozet (qė nė atė kohė kjo ndėrmarrje kishte nė vartėsi, kampet e punės sė tė burgosurve politikė).
Lindi në Berat më 1942. Djali i Sulejman Vuçiternës që u dënua në gjyqin special të 1945 me 30 vjet dhe vdiq nga torturat barbare gjatë vuajtjes së dënimit në kënetën e Maliqit. Bardhyl Vuçitërna mbaroi Teknikumin e Ndërtimit në Tiranë dhe u dipllomua si gjeometër dhe punoi në Durrës. Më vonë kreu dhe studimet në Fakultetin e Inxhinjerisë të Universitetit të Tiranës pa shkëputje nga puna, por vazhdoi të punojë si teknik ndërtimi deri në vitin 1988 për arsye të persekutimit familjar. Aktualisht jeton në Leçe të Italisë. Është autor i librit Sulejman Vuçitërna, 2000.
Fragment nga libri "SULEJMAN VUÇITËRNA"
Një kujtim nga fëmijëria
Në fillim të pranverës së vitit 1948, pak ditë mbasi ishim larguar nga Tirana, nga vendimi i qeverisë komuniste nr. I. të datës 08.03.1948. jetonim në një barakë të keqe, në një lagje të humbur të Shkozetit në Durrës, si njerëz e familje e deklasuar dhe reaksionare, pasi kishin një nga prindërit, të burgosur, me damkën kriminel lufte. Unë isha fëmijë në moshë, jo më shumë se 5 vjeç e gjysmë, në fillim të prillit të 1948-s e, si i tillë, po luaja me disa moshatarë të mi përpara Ndërmarrjes Ura në Shkozet (që në atë kohë kjo ndërmarrje kishte në vartësi, kampet e punës së të burgosurve politikë) dhe natyrisht loja më bënte të mos shihja asgjë përreth meje, që të më hiqte vëmendjen nga ky argëtim fëminor. Përpara derës së kësaj ndërmarrjeje, kishte ndaluar një autokolonë kamionësh, të hapur e pa tenda, me të burgosur politikë, të ngjeshur mbas njëri-tjetrit, të lidhur dy e nga dy përdore, të cilët ruheshin nga një mori policësh sipër në kamionë dhe poshtë në rrugë. Në një nga këta kamionë, ishte i lidhur dorë për dorë babai im, me bashkëvuajtësin e tij, zotin Sami Koka, ish-kolonel e i dënuar po nga Gjyqi Special i Tiranës i 1945-s, me 30 vjet burg e punë të detyruar, si kriminel lufte e armik i popullit, njëlloj si im atë.
Në një moment, babai më shikon mua, që isha duke luajtur me fëmijët e tjerë, aty pranë dhe i drejtohet bashkëvuajtësit të tij, gjithë gëzim, se shihte të birin, që nuk do ta shihte më kurrë, duke i thënë: "Shih, Sami, Bardhylin!". Mua, që ndodhesha rastësisht aty pranë, më tërhoqi vëmendjen nga loja, përmendja e emrit tim. Lë për një çast lojën, e shoh nga erdhi ky zë. Ngela tepër i habitur, që ndodhesha para tim eti, në të tilla kushte, sepse babanë e mendoja në Burgun e Vjetër të Tiranës, kur kisha bërë takim me të, para 3 muajsh. Nga shenja, që më bëri duke vënë gishtin tek goja, im atë më këshillonte të mos flisja me të, se komunikimi njerëzor, edhe pse në kushte privimi lirie, ishte i ndaluar, për këta "humanë", të ardhur nga mali. Për moshën që kisha, ndjeja frikë, kur shihja ata policë të shumtë, rreth asaj autokolone të burgosurish politikë. Ngela ashtu, duke parë babanë, pa folur me të. Vetë babai, me shenjën që më bëri, më tregonte kështu, se ishte i ndaluar bashkëbisedimi i personave të tjerë me të burgosurit politikë, qofshin këta edhe të mitur, si rasti im. Kam ndenjur duke parë tim atë, nuk mbaj mend mirë sa kohë, derisa u nis autokolona në destinacionin e vdekjes, për këta të pafajshëm, për në kampin e punës, së Vloçishtit