Naftė ėshtė njė fjalė magjike qė tė sjell ndėr mend princėrit arabė qė zbritėn nga deveja pėr tė hipur nė makina luksoze, e dolėn nga ēadrat, pėr tė hyrė nė qiellgėrvishtėsit pėrrallorė.
Por e njëjta fjalë nënkupton për vendet konsumuese, stres. Kjo magji duket se mbërthen edhe Ballkanin herë pas here. Pas zbulimeve në Shqipëri në janar të këtij viti, të mërkurën e kaluar, gazetat e Bosnjës njoftuan se mund të gjenden 3 miliardë fuçi naftë, ndërsa Mali i Zi ka hapur një tender për të dhënë me koncesion kërkimin për burime nafte në Gjirin e Bunës, në det.
Në Greqi, një profesor në Universitetin e Patrës shtron pyetjen: Në Shqipëri ka gaz dhe naftë, por a ka edhe në Greqi? Në total, i gjithë Ballkani ka burime nafte dhe gazi, në sasi të papërfillshme. Vetëm kompania kroate Ina Naftaplin ka investuar në burime nafte jashtë rajonit të Ballkanit.
Në Bosnjë
Bosnja dhe Hercegovina ka mundësi të ketë rezerva të mëdha nafte, deklaroi të mërkurën e shkuar një ekspert vendës i cituar nga agjencia e lajmeve Balkaninsight.
Dekani i Fakultetit të Teknologjisë dhe Minierave në qytetin verior të Tuzlës, Abdullah Basiç, deklaroi para gazetarëve vendës, se rreth 500 milionë tonë naftë mund të gjenden në lokalitete të ndryshme në Bosnjën veriore në thellësi nga 4 mijë, në 6 mijë metra.
Komentet e tij pasuan një aksident të ndodhur në 12 majin e shkuar, kur një burrë që po hapte një pus uji, hasi në basen gazi natyror. Gazi mori flakë dhe dëshmitarët thanë se flakët qenë ngritur deri në 20 metra lart.
Edhe në të shkuarën, media vendëse ka folur herë pas here për mundësinë e baseneve naftëmbajtëse në këtë vend. Sipas vendësve, British Petroleum, BP dhe kompani të tjera kanë qenë të interesuara për burimet e naftës në Bosnjë që para lufte. Ata kanë kryer kërkime gjeologjike dhe sizmike. Sipas Basiç, studimet kanë treguar se Bosnja mund të ketë burime nafte, po aq sa Iraku apo Arabia Saudite.
Edhe Mali i Zi nis kërkimet
Vitin e kaluar, qeveria e Malit të Zi deklaroi se do të japë licenca koncesionare për të filluar kërkimet për naftë e gaz në këtë vend.
Sipas ekspertëve qeveritarë, nëse gjendet naftë, ekziston mundësia që aty të ketë 7 miliardë fuçi naftë, si dhe 425 miliardë metër/kub gaz. Strategjia e hartuar me ndihmën e ekspertëve Sllovenë, thotë se mund të ketë naftë. Për investitorët është ofruar sakaq zona detare pranë Ulqinit për fillimin e kërkimeve.
Greqi
Një studim i Universitetit të Patras, vë në dukje se përbërja gjeologjike dhe historia gjeologjike e Greqisë së veriut është e njëjtë me atë të Shqipërisë së jugut. Për pasojë, përderisa në Shqipërinë e jugut ka naftë, duhet të ketë edhe në Greqinë e veriut. Në fakt, në Greqi ka vetëm një zonë naftëmbajtëse, të zbuluar në vitin 1973, por që gjithsesi është një burim shumë i vogël.
Nafta dhe gazi shqiptar drejt shterimit
Lajmet për zbulime fantastike, lënë mënjanë realitetin, shterimin e burimeve vendëse të naftës
Një raport i Ministrisë së Ekonomisë, vë në dukje se nga nëntoka shqiptare është nxjerrë deri tani 64% e rezervës fillestare të disponueshme të naftës, ndërsa për gazin, burimet ekzistuese janë pothuajse tërësisht të shteruara.
Sipas raportit, rezerva e naftës që mund të nxirret me teknologjinë ekzistuese është rreth 30 milionë tonë, e cila është e barabartë me më pak se 10 vite konsum. Shqipëria prodhoi rreth 600 mijë tonë naftë gjatë vitit të kaluar, por prodhimi po rritet shpejt dhe burimet nuk do të jetojnë për shumë kohë.
Kompania kanadeze që shfrytëzon burimin e Patos-Marinzës, i cili është burimi më i rëndësishëm i naftës shqiptare, parashikon që rreth vitit 2025, nafta të mbarojë.
Shqipëria ka nxjerrë deri tani 51 milionë tonë naftë bruto. Rezerva gjeologjike përmban edhe 437 milionë tonë, por teknologjia ekzistuese nuk lejon nxjerrjen e kësaj sasie. Gjatë muajve të fundit, njoftimet mbi mundësinë e gjetjes së burimeve të reja të naftës kanë shkaktuar eufori.
Një kompani e vogël njoftoi se ka zbuluar rreth 3 miliardë fuçi naftë. Edhe kryeministri Berisha, e përmendi këtë zbulim në një nga fjalimet e tij të shumta në takimet me popullin në Jug. Kemi lajme shumë të mira nga zbulimet e naftës,- tha ai pa dhënë detaje.
Një kompani tjetër deklaroi pak ditë më parë në Tiranë se ka ndër mend të investojë 200 milionë dollarë në nxjerrjen e naftës dhe gazit, si dhe 300 milionë dollarë të tjera për ndërtim termocentralesh gazi. Por këto lajme janë tani për tani thjesht aludime, nëse naftë do të ketë. Tani për tani, ajo që është zbuluar, është vetëm lajmi i publikuar në media.