Kolegu im, Baton Haxhiu u burgos nė Hagė, nėn akuzėn se ka botuar nė gazetėn "Express" emrin e dėshmitarit kosovar N.N., njė prej dėshmitarėve nė gjyqin kundėr ish-kryeministrit tė Kosovės, Ramush Haradinaj.
Kolegu im, Baton Haxhiu u burgos në Hagë, nën akuzën se ka botuar në gazetën "Express" emrin e dëshmitarit kosovar N.N., një prej dëshmitarëve në gjyqin kundër ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj. Më erdhi keq, që, përfundimisht, Gjyqi i Hagës pasi përzjeu shumë emra, pasi shndërroi Millosheviçin në hero të patjetërsueshëm të Serbisë, pasi mbajti padrejtësisht në pranga ish-kryeministrin kosovar Ramush Haradinaj - për ta shpallur më pas të pafajshëm - pasi ende ska kapur përgjegjësit e vërtetë të krimeve të luftës në ish-Jugosllavi - Radovan Karaxhiç dhe Ratko Mlladiç- një nga arsyet për të cilat kjo gjykatë u ngrit, sot arreston një gazetar të pafajshëm nën akuzën se ka bërë punën e tij, sepse ka informuar publikun në lidhje me një çështje të rëndësishme për Kosovën.
Fjala e lirë në pranga. Jo rrallëherë kam qenë në një mendje me të, madje kemi pasur shpesh mospërputhje idesh në të shumtën e rasteve, po ajo që nuk mund ti mohohet Baton Haxhiut, është kuraja e tij prej të marri për të nxjerrë në faqe të parë lajmin sensacional. Sot Gjykata e Hagës po shkel me të dy këmbët, fjalën e lirë, ashtu si Millosheviçi shkatërroi dhe dogji në vitin 1999 gazetën që ai drejtonte, "Kohën ditore", dhe vrau rojën e saj, që e vërteta mbi Kosovën të mos dilte. Pikërisht, sot, Gjyqi i Hagës po dhunon shtypin e lirë duke arrestuar një gazetar i cili ska bërë tjetër gjë veçse ka përmbushur misionin e tij të informimit të publikut. Sigurisht, mbajtja sekret e emrit të dëshmitarit vlen, për sa kohë atë nuk e ka marrë vesh personi i akuzuar, ai që mund të dënohet si pasojë e rrëfimit të këtij dëshmitari, sepse mund të paraqesë një kërcënim për këtë dëshmitar, por kur Baton Haxhiu e ka marrë vesh, kjo çështje nuk qe më sekret.
Dhe ai ska bërë asnjë krim, ai ka thënë të vërtetën! Nëse emri i dëshmitarit ka dalë në shesh, kjo, së pari, është përgjegjësi e bashkëpunëtorëve të Hagës të cilët e kanë nxjerrë këtë informatë, e jo e gazetës, as e gazetarit që e botoi atë. A nuk ishte pikërisht Baton Haxhiu, që në vitin 1999, pas luftës së Kosovës, u nderua me Çmimin Ndërkombëtar të Lirisë së Shtypit në New York, për kurajën e tij në pasqyrimin e krizës së Kosovës në gazetën që ai drejtonte "Koha Ditore", me gjithë kërcënimet serioze për jetën e tij.
Media dhe drejtësia, ndërthurje pushtetesh. Roli i shtypit, sidomos i atij të shkruar është të bëjë kërkime, investigime dhe të shkojë sa më larg që të jetë e mundur. Në ndërthurjen e pushteteve reale apo të supozuara, pikëpyetjet etike dhe praktike përplasen me njëra-tjetrën. Një koncepsion "hermetik" i themeleve të demokracisë na shfaqet dhe na jep një konfiguracion të komplikuar. Të sakrifikosh informacionin, është të sakrifikosh nevojat vitale të çdo shoqërie. Kohët kanë ndryshuar, dhe nevoja për informacion nuk është një ide në ajër, sidoqoftë "mediat", që përfshijnë pothuajse gjithçka në sferën e shoqërisë moderne, prekin ndonjëherë dhe çështje deri në zgjidhjen përfundimtare të tyre, dhe pikërisht këtë mision Baton Haxhiu e ka respektuar. Përplasjet e mediave me pushtetin e drejtësisë janë përplasje reale, dhe nga dita në ditë, sekreti i hetimeve dhunohet pa frikë përditë nga trupi gjykues, të cilët shpesh janë ata që informojnë gazetarët para se sa drejtësia të bëjë punën e saj në qetësi, me rrezikun që të destabilizojë individët.
Çështja "Haradinaj" dhe "Haxhiu", nuk janë veçse derivate të rrënjëve të dobëta të drejtësisë ndërkombëtare e cila, për mendimin tim, ende ndodhet në një fazë konsolidimi, e ende se ka fituar një fizionomi të sajën, po në vend të vërë drejtësinë e pritur nga popujt e vuajtur nga luftërat, ajo vazhdon të hedhë baltë mbi njërin apo tjetrin lider. Përfundimisht, mediat duhet të zgjedhin ose të heshtin mbi një ngjarje, ose ti shkojnë deri në fund nxjerrjes të së vërtetës. Edhe unë, po ta kisha emrin e dëshmitarit do ta kisha botuar atë në Francë. Liria e fjalës dhe e informacionit nuk mund të futet në pranga, ajo mbrohet me ligj.
(Autorja është studiuese dhe këshilltare pranë revistës franceze "Politique Internationale. Titulli është i redaksisë. Titulli në origjinal është Dhe unë do ta kisha publikuar emrin
")