Nė javėn qė kaloi mė tėrhoqi vėmendjen nė mėnyrė tė veēantė njė shfaqje e ministrit Pango dhe bashkėpunėtorit tė tij Malltezi nė emisionin Opinion tė Fevziut ku paraqitėn projektin e zhvillimi turistik tė Jugut si dhe njė vizitė e presidentit Topi njė apo dy ditė mė pas, po nė Jug, ku pėrsėri u fol pėr zhvilimin e turizmit atje.
Në javën që kaloi më tërhoqi vëmendjen në mënyrë të veçantë një shfaqje e ministrit Pango dhe bashkëpunëtorit të tij Malltezi në emisionin Opinion të Fevziut ku paraqitën projektin e zhvillimi turistik të Jugut si dhe një vizitë e presidentit Topi një apo dy ditë më pas, po në Jug, ku përsëri u fol për zhvilimin e turizmit atje.
Më tërhoqën vëmendjen sepse ka kohë që ndjek me shqetësim atë që gjithnjë e më shumë më shëmbëllen me përgatitjen për një sulm përfundimtar shkatërrues edhe ndaj asaj pjese të mbetur të bukurive natyrore dhe trashëgimisë kulturore të bregdetit shqiptar të Jugut. Këtë sikur ma përforcoi edhe një thënie e Topit gjatë vizitës së tij, që, të nesërmen, u vu në faqet e para të shumë gazetave. E kam fjalën për deklarimin e tij se: Është e pafalëshme që gjendja e turizmit paraqitet si ajo e viteve 50.
Çfarë më shqetësoi në këtë thënie ishte pikërisht krahasimi me gjendjen e Bregut në vitet 50 dhe thirrja për ta ndryshuar këtë gjendje. Sepse, sikur një turist perëndimor të dëgjonte se paska mbetur diku në brigjet e Mesdheut gjendja e viteve 50 ai do të sulej me vrap për ta vizituar këtë vend dhe ky do të bëhej shpejt një nga vendet më turistike të Mesdheut. Në vitet 50 në Jugun tonë nuk ka pasur thuajse fare turizëm, prandaj ai breg ka qenë ashtu siç ka qenë ndoshta edhe një shekull më parë, edhe dy shekuj më parë dhe kjo është mrekullia që kërkojnë turistët sot. Ndoshta fakti që regjimi komunist e mbylli vendin ndaj turizmit, pasi i konsideronte turistët si agjentë potencialë të armikut, ka bërë që shumë pjesë të vendit tonë të mos pësonin, gjatë komunizmit. masakrën e turizmit masiv që zhvilloi Evropa pikërisht pas viteve 50 që sot e konsideron si dëm të pariparueshëm. Thënia e Topit më kujtoi një thënie të Pier Paolo Pazolinit në vitet 50 kur flet për rrezikun që i kanoset bukurive natyrore e trashëgimisë kulturore të Italisë së atyre viteve.
Ai shprehet se, paradoksalisht, e vetmja shpresë që këto të ruhen është varfëria. E ka fjalën se, po ra paraja në duart e italianëve, me paditurinë dhe babëzinë e tyre modernizuese e komercializuese do të shkatërronin shumëçka. Dhe pas disa vitesh, duke konstatuar vërtetimin e frikës së tij, Pazolini bën këtë koment përpara disa ndërtimeve të fashizmit: Shikojeni këtë qytet. Ne e kemi sharë shumë arkitekturën fashiste, por gjithsesi fazhizmi nuk ka shkatërruar aq shumë. Fashizmi ka ruajtur kulturën tonë rurale. Ndërsa akulturimin e vërtetë e ka krijuar shoqëria e konsumit në një mënyrë dramatike saqë ne, brenda disa vjetësh, po zgjohemi dhe po shohim se ka humbur gjithshka. Janë fjalë që i shkojnë shumë shoqërisë shqiptare të viteve të pas komunizmit.
Nga ky këndvështrimi e shoh me shumë shqetësim atë që po i përgatitet Jugut. Në fakt duhet thënë Jugut të mbetur sepse ajo që ka ndodhur e po vazhdon të ndodhë në Sarandë dhe Ksamil apo edhe në Vlorë është e tillë që edhe në ëndrrat më të këqija pazoliniane të akulturimit nuk do të mund të parashikohej.
Shqetësimi që kam është se Jugut të mbetur po i përgatitet një masakër ku ndërtimeve abuzive që vijnë si rezultat i mungesës së kontrollit të territorit do tu bashkohen forcat tashmë të njohura të ushtrisë barbare që i është vërsulur prej kohësh bregdetit shqiptar: batalione të akulturuarish që nuk kanë haber për ato që konsiderohen vlera të trashëgimisë kulturore dhe të peizazhit natyror, të udhëhequr nga një elitë që ka në dorë pushtetin dhe paranë që nuk mendon as për turizëm, as për gjë, por thjesht për veten, për të ndërtuar vilat e tyre në bregdet, për tu pasururar nëpërmjet lejesh ndërtimi, pastrimi parash të pista e më the të thashë - të gjitha këto të veshura me propagandimin e një vizioni të turizmit masiv të zhvilluar në vitet 60 në Evropë dhe të përçmuar sot edhe në vendet e botës së tretë.
Kjo barbari ka bërë që plazhi i Durrësit, që deri në vitet 90 ka qenë një nga plazhet më të bukur në Evropë, brenda 15 vjetësh të shndërrohej në një plehër ku vetëm për turizëm nuk mund të flitet. E njëjta gjë ka ndodhur në Sarandë, Shëngjin, Vlorë e kudo ku ka vënë dorë e këmbë sadopak barbaria shqiptare e paskomunizmit.
Sipas meje ajo që e ka shpëtuar pjesën e mbetur të Jugut nga masakra, sëbashku me rrugën e ngushtë e të rrezikshme, është konflikti i pronave si dhe frika e banorëve të minoritetit se do tu vijnë nga të katër anët e do ti zaptojnë. Kam shumë frikë se fushata që shohim, madje edhe sulmet ndaj grekut Bollano, janë tentativat për të kapërcyer edhe këto pengesa dhe për të filluar masakrën.
Nuk mund të hyj dot në detaje të shtjellimit të një vizioni alternativ, por di të them se Vlora dhe Saranda, dhe gjithë çka është ndërtuar në zonën midis tyre deri më sot, kanë hoteleri të majftueshme për turistët. E kam fjalën jo vetëm për hotelet e motelet e ndërtuar, por edhe për tërë ato apartamente e shtëpi private të ndërtuara ashtu edhe për qejf, ku pronarët ose janë jashtë shtetit ose shkojnë vetëm dy tre javë në vit, e që, të paktën, mund të jepen me qira duke siguruar të ardhura edhe për ta. Në këto kushte ajo çka duhet bërë për të ruajtur vlerat kulturore e bukuritë natyrore edhe për të ndërtuar një turizëm të shëndetshëm e afatgjatë - sepse nuk duhet të harrojmë se një vend mbi të gjitha është vend për të jetuar vendasit, jo turistët, sepse po u turistizua krejtësisht ai humbet bash shpirtin dhe jetën e tij - është restaurimi i fshatrave të Jugut dhe ruajtja sa më e virgjër e pjesës tjetër të detit dhe maleve mbi ta e rrotull tyre.
Shtatë fshatrat e bregdetit e kanë bukurinë pikërisht tek vjetërsia e tyre, tek karakteri i tyre që nuk duhet të prishet me ndërtime të reja në ta e rrotull tyre. Turisti shqiptar apo edhe i huaj që mund të vijë aty do të vijë për të shijuar bukuritë natyrore të puthjes së detit blu me shkëmbinjtë e Bregut që bien mbi të, për të vizituar fshatrat e Jugut në bukurinë e tyre arkitektonike në traditën dhe papërsëritshmërinë që paraqesin. Ai do të vijë për të parë një vend që është i ndryshëm nga vendet e tjera që ka parë. Kurse çdo njollë e re çimentoje e betoni që vendoset atje me vulën e modernitetit dhe uniformizimit banal që ai sjell në përgjithësi dhe me atë super kiç shqiptar në veçanti, me të cilat njolla kemi shëmtuar e ndotur peizazhin thuajse kudo ku kemi ndërtuar, vetëm se e largon atë. Mirëpo në fjalët e ministrit Pango dhe të bashkëpunëtorit të tij Malltezi nuk e dëgjova fare fjalën ruajtje, nuk e dëgjova fjalën restaurim që sipas meje duhet të mbizotëronin, por dëgjoja vazhdimisht fjalët ndërtim, fshatra turistike duke na siguruar se do të ruajtkan distancën 100 metra nga deti a thua se kjo qenka e gjithë nevoja e ruajtjes. Po me këto fjalë e përktheva edhe thirrjen e Presidentit për të kapërcyer prapambetjen e viteve 50.
Gjiri i Kakomesë, për të cilin u fol aq shumë edhe në atë emision e ka bukurinë dhe tërheqjen kryesore tek virgjëria. Turistët nuk kanë nevojë të vijnë në Kakome për tu futur në vila fshatrash turistike që mund të ndërtohen atje. Atje duhet të shkojë vetëm makina, madje edhe ajo në një distancë prej bregut, apo varkat. Hotelerinë turistët që do të duan të shkojnë në Kakome mund ta kenë fare mirë në Sarandë. Kështu ka vepruar bota e qytetëruar sot për të rekuperuar dëmet që ka kryer veçanërisht pas viteve 50 duke i shpallur bukuri të tilla park kombëtar. Kurse pronarët të kompensohen Por duket sheshit se kjo nuk do të bëhet, përkundrazi atje do të ndërtohet ndonjë fshat turistik që do të përkthehet në interesa të një grushti njerëzish kurse shqiptarët do ti thonë lamtumirë edhe asaj pjese të bregut që me siguri do të rrethohet pastaj edhe me gjemba.
Sot, kur mazhorancë dhe opozitë, siç po tregon edhe masakra akulturuese mbi Tiranën, kanë vendosur të jetojnë sëbashku në vilat e të njëjtit fshat turistik shpresat se mund të ndodhë ndryshe ngjajnë më shumë me ëndrra të marrësh. Kam përshtypjen se tashmë ka kaluar kaq kohë sa për tu përvijuar qartë fizionomia e njeriut tonë të paskomunizmit e veçanërisht të elitës plitike. Basoj se ajo çka ata i kanë bërë e po i bëjnë njërës prej pasurive më të vyera të vendit, bregdetit të Adriatikut e Jonit, do të shërbejë shumë për të përmbyllur portretizimin e tyre. Për ta do të flasin shëmtirat që kanë ngritur apo lejuar të ngrihen në bregdet ashtu siç flasin për elitën komuniste bunkerët: si izolues të Shqipërisë në emër të interesave të tyre meskine. Kush mendon se nuk e meriton këtë cilësim duhet të ngrejë zërin më lart dhe më fort për të ndaluar masakrën përfundimtare që po i përgatitet Jugut.
Nga:Fatos Lubonja