Njė roman i politikanit B.Blushi, si rrallėherė ka krijuar njė sensacion mediatik dhe debat mes historianėve, shkrimtarėve apo publicistėve, secili duke e parė nga optika e vet dhe duke identifikuar njėrėn apo tjetrėn pjesė, si atė mė tė rėndėsishėm qė autori ka dashur tė pėrcjellė.
Një roman i politikanit B.Blushi, si rrallëherë ka krijuar një sensacion mediatik dhe debat mes historianëve, shkrimtarëve apo publicistëve, secili duke e parë nga optika e vet dhe duke identifikuar njërën apo tjetrën pjesë, si atë më të rëndësishëm që autori ka dashur të përcjellë. Po ashtu, debate ka për stilin, gjuhën e përdorur, përshtatjen e simbolikës, zgjedhjes së personazheve e kështu me radhë. Disa mendojnë se artistikisht, romani është i arrirë, ndërsa të tjerë se ai i përngjet më tepër një eseje, por nuk mund të quhet kurrsesi roman.
Një pjesë e kritikon fort, sidomos për shkak të skizmave të panevojshme dhe shtrembërimit të fakteve historike që libri sjell, ndërsa një pjesë e lavdëron pa drojë... Ndërsa të tjerë, si historiani Kristo Frashëri apo akademiku Arbër Xhaferri e shohin nga këndvështrimi i fushave ku janë specialistë dhe japin gjykime në lidhje me atë që ata e konsiderojnë si pjesën më të rëndësishme apo boshtin e librit.
Natyrisht, një libër i tillë, që me të drejtë z.Xhaferri e konsideron si vijues të debatit Qose-Kadare para dy vitesh mbi identitetin shqiptar, vjen në kohën e duhur dhe debati që stimuloi, ndonëse i kufizuar në një rreth të ngushtë elitash, është sa i nevojshëm, aq edhe i pashmangshëm. Por siç vë re me të drejtë akademiku Xhaferri, kjo nuk do të thotë që nga dëshira për të dekonstruktuar mitet tona dhe stimuluar mendimin kritik, të cilat i ka çdo komb dhe që shërbejnë për formësimin e identitetit kombëtar, të hidhemi në ekstremin tjetër dhe të priremi kah nihilizmit.
Ndër thesaret e mëdha dhe të pakta që kemi trashëguar, krahas tolerancës së shkëlqyer fetare, është edhe numri i pakët i miteve apo heronjve të historisë të paprekshëm. Përveç figurës së heroit kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeut, nuk besoj të ketë një figurë të tillë të dytë të pakontestuar të paktën nga një grup, sado i vogël individësh. Po ashtu sensi i vetë-kritikës nuk është një risi, po të marrësh parasysh çetë-kritikat e shkëlqyera të Faik Konicës, apo penat e publicistëve të shquar të viteve 20-30-të që kritikonin me forcë anët negative të shqiptarëve të kohës. Madje, do shtoja që shpesh kemi qenë më vetë-kritikë se çduhet dhe ka mjaftuar fjala e një të huaji që ti vinim brirët njëri-tjetrit.
Dhe pikërisht, mitizimi i të huajit, qoftë ky edhe ordiner, pa vënë shpesh në peshore se kush është, çfarë përfaqëson, çfarë interesash ka etj., mendoj se përbën pikërisht një nga ato lloj mitesh që duhen dekonstruktuar. Kur Miladin Popoviçi, që njihej si anti-shqiptar i tërbuar, frynte ambiciet e diktatorit në formim e sipër të asaj kohe, ky i fundit e shpallte mësues të madh dhe mik të shqiptarëve që sakrifikoi dhe jetën për tju kundërvënë tezave antishqiptare të Titos (sipas Hoxhës). Natyrisht, historiografia shqiptare e kohës që bazohej te vepra të tilla si Titistët nuk e përmendte kurrkund, faktin që pikërisht ky Popoviç u vra nga mësuesi nacionalist shqiptar, Haki Taha, prej Prishtine, për të vënë në vend një pjesë të tradhtisë së madhe që iu bë kauzës kombëtare, duke e shitur Kosovën dhe pjesë të sovranitetit të pjesës tjetër të vendit.
Po kështu, nëse shkojmë mbrapa në histori, mendoj se nuk ka dyshim se ajo që autori thekson kur flet për hoxhën turk apo priftin grek, që shpesh ndërsenin shqiptarët kundër njëri-tjetrit, nuk është as teprim dhe as herezi. Dhe kjo s`ka të bëjë me religjionin, pasi këtu nuk bëhet fjalë për besim të pastër fetar, por për fenë e politizuar, për identitete fetare që fshihnin qëllime të mirëfillta politike dhe ku shpesh njerëzit e klerit të huaj, qofshin priftërinj, hoxhë apo baba teqesh, ishin agjentë të infiltruar me axhendë krejt tjetër nga ajo e pastrimit të shpirtrave paganë të shqiptarëve.
Nga ana tjetër, personalisht i qëndroj mendimit se ndalimi i fesë dhe kthimi në shtetin e parë dhe të vetëm ateist të botës në fund të viteve 60-të, përveçse tronditi dukshëm imazhin e shqiptarëve në botë, tronditi edhe ekuilibrat shpirtërorë dhe thelbin etik dhe moral të shqiptarit. Shumë prej karakteristikave të shpërfytyruara që ndeshim në shqiptarin e mijëvjeçarit të ri, si mungesa e çdo lloj solidariteti apo kohezioni shoqëror që ka sjellë si rrjedhojë edhe mungesën e një aseti të pazëvendësueshëm, siç është kapitali social, apo ftohjen që ndjehet mes gjeneratave (e pazakontë kjo për shqiptarin) vijnë edhe si mungesë e ndrydhjes dhe luftës që iu bë besimit shpirtëror, këtij bazamenti kaq të nevojshëm, sidomos në kohë të vështira tranzicioni si këto që jetojmë sot. Por duhet gjithashtu patur kujdes dhe mos të ngatërrohet feja dhe besimi fetar i cili në thelb është individual dhe privat dhe përfaqëson marrëdhënien e individit me Zotin me veshjet populiste që shpesh i vishen për të maskuar qëllime politike apo të tjera që kanë pak apo aspak lidhje me atë që secili prej nesh ka zgjedhur për të besuar.
Pa dashur të nënvlerësoj nivelin artistik të romanit në fjalë, mendoj se kontributi më i çmuar është pikërisht debati interesant që gjeneron, që merr shkas nga një periudhë ku identiteti kombëtar i shqiptarëve ishte në udhëkryq dhe shpesh i identifikuar me fenë, si pasojë edhe e mosdijes, por edhe sistemit të miletit që klasifikonte nacionet në bazë të fesë që kishte Perandoria Osmane.
Jetojmë në kohë debatesh ndërkombëtare, akademike dhe publicistike, politike dhe kulturore për ndarjen e qytetërimeve: Lindja përballë Perëndimit, apo (ri)lindja e një pansllavizmi të ri nën hegjemoninë ideologjike, financiare dhe ushtarake të Rusisë autoritare përballë një Perëndimi që bazohet te parimet e lirisë, demokracisë dhe shtetit ligjor; një kohë ku debati i identitetit evropian dhe impakti që ai ka mbi identitetet e pavarura kombëtare po arrin klimaksin e tij; debate të ngjashme, janë të mirëpritur dhe emergjentë edhe tek ne. Por mendoj se rreziqet më të mëdha janë keqinterpretimet, mungesa e dialogut apo ekseset, duke përfshirë edhe nihilizmin të cilat nëse çohen shumë larg, mund të provokojnë skizma të panevojshëm të cilat nuk i shërbejnë askujt.
Nga: Ilir Kalemaj