Shqipėria ishte e para nga vendet e rajonit qė nė vitin 2003 filloi negociatat me BE-nė pėr Marrėveshjen e Stabilizim-Asociimit (MSA). Pas 15 vjetėsh, Shqipėria mbetet nė listėn e vendeve mė tė prapambetura tė Ballkanit nė udhėtimin drejt Europės, pa asnjė plan apo vizion tė qartė, ku i vetmi argument i servirur ėshtė pritja.
Shqipëria ishte e para nga vendet e rajonit që në vitin 2003 filloi negociatat me BE-në për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit (MSA). Pas 15 vjetësh, Shqipëria mbetet në listën e vendeve më të prapambetura të Ballkanit në udhëtimin drejt Europës, pa asnjë plan apo vizion të qartë, ku i vetmi argument i servirur është pritja.
E të mendosh që çdo shqiptar është një "tifoz ultras" i Europës, të gjitha forcat politike mbështesin integrimin pa hezitim, Shqipëria është një faktor stabiliteti në rajon, arsye këto që nëse shihen pa inferioritet prej burokrati, e pozicionojnë Shqipërinë si vend ballkanik favorit në sytë e Europës.
Siç duket qartë, Shqipëria nuk po bën asgjë konkrete për të prekur ëndrrën e integrimit. Më keq akoma, nëse vazhdohet me ketë mungesë ambicieje në artikulimin konkret të aspiratës sonë kombëtare për "ta bërë Shqipërinë Europë", ka shumë të ngjarë që brenda vitit të ardhshëm, vendet e Ballkanit të ndahen në tre grupime të reja gjeointegruese: Kroacia, jo më "Ballkan", përgatitet të bëhet anëtari i radhës me të drejta të plota në BE; Mali i Zi, Maqedonia dhe ndoshta Serbia do të përfshihen në grupin e vendeve kandidate për anëtarësim në BE, përderisa janë deklaruar tashmë publikisht për aplikimin e tyre formal së shpejti; dhe grupimi i mbetur ku do të bëjnë pjesë dy protektoratet e BE-së, Kosova dhe Bosnia, plus Shqipërinë, do të lihen prapa në një kategori të vetën. Shqipëria rrezikon të mbetet shoqëria e stigmatizuar që ëndërron Europën, por të cilës i mungon kurajoja dhe vendosmëria për të vepruar.
Prandaj, ka ardhur koha për klasën politike shqiptare, qoftë kjo në pushtet apo në opozitë, për tu zgjuar e për të ndaluar vetëm se tunduri kartën e BE-së në retorikë, ndaj vetvetes apo shqiptarëve. Ka ardhur koha që Shqipëria të bëjë hapin e parë, me bazikun dhe të logjikshmin: tia bëjmë synimin tonë me dije europianëve dhe institucioneve të BE-së duke aplikuar formalisht për anëtarësimin tonë në BE. E pabesueshme, por e vërtetë, BE-ja ende nuk e di zyrtarisht që Shqipëria dëshiron të anëtarësohet në të.
Nderkohë që vetëm shqyrtimi i sjelljes së fqinjëve tanë në rajon dhe insistimi i tyre përmes aplikimit për anëtarësimin në BE, janë shembujt dhe mesimet më të vyera që na jep historia bashkëkohore e Ballkanit, e na rrëfen fare qartë rrugën që duhet të ndjekim.
Në prill të 2008-ës, menjëherë pas nënshkrimit të sforcuar të MSA-së, presidenti serb, Boris Tadiç deklaroi në një konferencë për shtyp, në Luksemburg, se Serbia synon "të bëhet vend kandidat zyrtar, brenda fundit të vitit". Zv.kryeministrja e Malit të Zi, Gordana Djuroviç, gjatë një aktiviteti të mbajtur në Paris, rreth një muaj më parë, deklaroi përpara kolegëve të saj nga vendet e tjera të Ballkanit, se Mali i Zi do të aplikojë për statusin e vendit kandidat së shpejti (me siguri brenda vjeshtës së këtij viti). Ndërsa dy fqinjët e tjerë ballkanikë, Kroacia e Maqedonia, e kanë përfituar zyrtarisht statusin e vendit kandidat që prej 3 vjetësh.
Tani është momenti për të aplikuar për kandidimin e Shqipërisë në BE edhe për një arsye tjetër. Ftesa që vendi ynë mori për anëtarësimin në NATO shënon një momentum të shkëlqyer pozitiv në arenën ndërkombëtare, që nuk duhet humbur. Aprovimi i shumicës së vendeve të BE-së për të ardhmen e vendit tonë në NATO, tregon se Shqipëria është gati për tu trajtuar si "partner" më shumë sesa si "ende në provë' nga ana e Europës.
Procedura e aplikimit për anëtarësim, edhe pse ngjan e komplikuar, është mjaft e thjeshtë. Mjafton një kërkesë formale nga ana e Ministrisë sonë të Jashtme, drejtuar Këshillit Europian, në të cilën të thuhet qartë se dëshirojmë të bëhemi vend anëtar i BE-së. Të gjitha hapat pasuese janë po aq proceduriale e teknike, aq sa ishte procesi i negocimit të MSA-së në kontekstin e atëhershëm të zhvillimit të vendit. Për Kroacinë e Maqedoninë, ky proces, që prej datës së aplikimit formal e deri në përfitimin e statusit të vendit kandidat, zgjati respektivisht 16 dhe 21 muaj.
E çpret më Shqipëria? Nëse aplikojmë sot e nëse BE-ja ecën me të njëjtin ritëm si në rastin maqedonas, në Mars të 2010 përfitojmë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE. Ky skenar i shkon për shtat edhe qeverisë aktuale që heziton të aplikojë, se i ka premtuar vetes dhe shqiptarëve në Strategjinë e saj Kombëtare për Zhvillim e Integrim, se do të punojë që Shqipëria ta përfitojë këtë status brenda Marsit të 2010-tës. Opozitës, sigurisht që i intereson se, përveçse nuk ka se çhumbet, është e deklaruar aq fort e aq gjatë politikisht pro integrimit, saqë edhe një prej partive në përbërje të saj quhet me këtë emër. Është e qartë, që, në fund të fundit dhe mbi të gjitha, më e fituara e këtij procesi do të jetë Shqipëria. Jo vetëm se do të kapim grupimin e vendeve të përparuara të rajonit, por edhe sepse do të përfitojmë lehtësim të legjitimuar të regjimit të vizave, mbikëqyrje më intensive të legjislacionit dhe punës së qeverisë, presion pozitiv për një proces elektoral sipas standardeve, dhe sigurisht, më shumë financime nga ana e BE-së për të përshpejtuar tranzicionin.
Dy vjet pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit mes Shqipërisë e BE-së, nuk duhet pritur më. Duke mos aplikuar tani, Shqipëria humbet një moment vështirësisht të përsëritshëm.
Mbi të gjitha, ky hap do të jetë një sinjal për qytetarët shqiptarë tërësisht proeuropianë. Tranzicioni nuk mund të zgjasë përgjithmonë. Një Shqipëri vërtetë europiane, është e mundur.