Debati mė i fundit politik mbi funksionet dhe pėrgjegjėsitė kushtetuese tė Parlamentit dhe tė Presidentit, lidhur me emėrimin e anėtarėve tė Gjykatės sė Lartė, nxori edhe njėherė nė pah brishtėsinė e institucioneve dhe mungesėn e kulturės kushtetuese nė Shqipėri. Kushtetuta e Shqipėrisė, nė nenet 125 dhe 136 pėrcakton rrugėn dhe procedurat e miratimit tė anėtarėve tė Gjykatės sė Lartė.
Debati më i fundit politik mbi funksionet dhe përgjegjësitë kushtetuese të Parlamentit dhe të Presidentit, lidhur me emërimin e anëtarëve të Gjykatës së Lartë, nxori edhe njëherë në pah brishtësinë e institucioneve dhe mungesën e kulturës kushtetuese në Shqipëri. Kushtetuta e Shqipërisë, në nenet 125 dhe 136 përcakton rrugën dhe procedurat e miratimit të anëtarëve të Gjykatës së Lartë. Sipas Kushtetutës, Presidenti i Republikës ka monopolin e propozimeve për anëtarë të Gjykatës së Lartë. Në ushtrimin e kësaj kompetence thelbësore Presidenti nuk ka asnjë kushtëzim politik dhe institucional: kandidatët e zgjedhur duhet të përmbushin disa kritere ligjore, siç janë përvoja profesionale, detyrimi të mos ketë ndjekje penale, etj. Më tej, Kushtetuta përcakton kalimin e dekreteve të Presidentit në parlament, i cili me votim në seancë plenare vendos nëse jep ose jo pëlqimin për dekretet e Presidentit. Kjo procedurë parlamentare është gjithashtu e rëndësishme, pasi Parlamenti, në bazë të Vendimit Nr.2 të Gjykatës Kushtetuese, të 19 janarit 2005, ka kompetencë të shqyrtojë jo vetëm përmbushjen e kritereve formale, por të shqyrtojë edhe meritën e emërimit të tyre. Deri këtu nuk ka asnjë paqartësi: Presidenti ka dërguar dekretet në Parlament dhe ky i fundit mund të shqyrtojë kriteret formale si dhe meritën e emërimit të tyre.
Ajo që krijon paqartësi, është mënyra sesi Parlamenti e sheh pjesën e tij të përgjegjësive kushtetuese dhe se si ai e ushtron këtë kompetencë. Së pari, kur thuhet Kuvendi i Shqipërisë kemi të bëjmë vetëm me një institucion, Kuvendin, dhe jo me strukturat formale të përfaqësimit administrativ të tij. Kur thuhet Kuvendi jep/nuk jep pëlqimin ose Kuvendi shqyrton, atëherë nënkuptohet se Kuvendi është shprehur në rrugë kolegjiale. Sipas Kushtetutës dhe Rregullores së Parlamentit, vendimet e Kuvendit shprehen vetëm me vendim të seancës plenare, ose në raste të veçanta, me vendim të Byrosë Parlamentare apo të Komisioneve Parlamentare.
Në rastin e dekreteve të Presidentit, neni 26, paragrafi i fundit, është përcaktuar se dekretet e Presidentit futen automatikisht ne programin e punës se Kuvendit. Sigurisht, që, mendoj se, fjala automatikisht do të thotë një kohë e arsyeshme, çështje ditësh dhe jo javësh, brenda së cilës dekretet kalohen në procedurë parlamentare. Gjithashtu, neni 111, paragrafi i fundit i Rregullores ka parashikuar se dekretet e Presidentit i kalojnë Komisionit të Ligjeve dhe Çështjeve Kushtetuese, i cili shqyrton brenda 7 ditësh nëse kandidaturat i plotësojnë kriteret ligjore. Vendimi që merr ky komision mund të jetë kërkesë për më shumë të dhëna, vendim për dhënie pëlqimi, mosdhënie pëlqimi apo mendim alternativ për kalim me votim në seancë plenare. Pra, thelbi i këtij prezantimi ligjor është për të vënë në dukje se është Kuvendi, organi që vepron, dhe jo ndonjë përfaqësues i tij politikë e administrativë.
Në rastin konkret, nuk janë konsumuar asnjë nga këto procedura. Në media është njoftuar se Kuvendi nuk pranon të kalojë dekretet pa bërë hetimin e tyre, madje duke përcaktuar disa kritere vlerësimi, të cilat janë më shumë politike dhe subjektive sesa profesionale. Ky qëndrim edhe pse i motivuar në Vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2005, praktikisht vjen në kundërshtim me ketë vendim dhe me vetë thelbin e marrëdhënieve institucionale dhe kushtetuese midis institucionit të Presidentit dhe të Parlamentit.
Konkretisht, asnjë nen i Kushtetutës dhe asnjë vendim i Gjykatës Kushtetuese nuk e detyron Presidentin të zhvillojë konsultime aq më tepër, negociata paraprake mbi emrat e mundshëm që dekretohen për Gjykatën e Lartë ose Gjykatën Kushtetuese. Vërtetë që Gjykata Kushtetuese, në vendimin e saj, shprehet se sistemi i emërimit të anëtarëve të Gjykatës së Lartë është një sistem emërimi me kooperim institucional, por, natyrisht, ky kooperim institucional do të thotë se secili nga këto organe, pra Presidenti i Republikës dhe Kuvendi kanë një rol të caktuar në këto emërime. Ky rol që u ngarkon Kushtetuta këtyre organeve shprehet me dekret presidencial dhe vendim të Kuvendit, pra, duke mos ia lënë të drejtën e emërimit të anëtarëve të Gjykatës së Lartë vetëm një organi. Ky është kuptimi i kooperimit institucional të kërkuar nga Gjykata Kushtetuese dhe jo konsultimet paraprake apo të mëpasshme me faktorë dhe aktorë politikë.
Emërimi është atribut kushtetues dhe i patjetërsueshëm i Presidentit; është diskrecion i tij të konsultohet ose jo me çdo individ dhe institucion që ai e ka menduar të nevojshme. Cenimi i kësaj të drejte nga Parlamenti (kërkesa e fundit e Kuvendit për konsultime dhe dialog me Presidentin për emrat, tashmë të dekretuar), madje imponimi i saj në kushtet kur Kuvendi duhet të vendosë nëse jep pëlqimin ose jo për dekretet, cenon direkt edhe kompetencat dhe integritetin kushtetues të institucionit të Presidentit.
Për më tepër, nëse supozohet se zhvillohen konsultime dhe dialog politik midis dy institucioneve, çfarë do të ndodhë më pas? Nëse arrihet marrëveshje atëherë funksioni i Parlamentit për dhënie pëlqimi do të ishte formal, do të votoheshin formalisht dekretet sipas kompromisit politik. Në këtë rast, do të kishim një cenim të së drejtës kushtetuese të Parlamentit, dhe konkretisht, të seancës plenare që merr vendime në emër të Kuvendit. Nga ana tjetër, nëse nuk arrihet marrëveshje, çfarë do të ndodhë më pas? Kuvendi përsëri mund të ushtrojë të drejtën e mosdhënies së pëlqimit ndaj dekreteve, pra Kuvendi do të kishte dy kompetenca kushtetuese ndaj një të Presidentit: do të impononte negociata për marrëveshje dhe në rast dështimi, do të impononte rrëzimin e dekreteve. Në këtë rast, Presidenti do të detyrohej që në raste të dekreteve të reja të pranojë çdo imponim politik të Parlamentit, pra do të pranonte heqje dorë nga kompetenca e tij bazë kushtetuese.
Kushtetuta dhe kompetencat e institucioneve kushtetuese nuk janë gjëra të ndryshme, janë pjesë e të njëjtit sistem qeverisës, ndajnë e balancojnë pushtetet. Nëse debati formalizohet vetëm në të drejtat e shkëputura kushtetuese dhe Parlamenti këmbëngul në vendimin e tij refuzues, në emër të Kushtetutës, atëherë çfarë mund të ndodhë nëse edhe vetë Presidenti i përgjigjet me të njëjtën monedhë dhe fjala vjen, ushtron të drejtën kushtetuese për refuzimin e disa ligjeve me rëndësi në jetën parlamentare? Presidenti e ushtron këtë të drejtë në mënyrë racionale dhe të arsyeshme; e njëjta gjë duhet të ndodhë edhe nga parlamenti, si pjesë e logjikës së funksionit praktik të parimit të ndarjes dhe balancës së pushteteve.
Duke hyrë më në brendësi të debatit kushtetues shohim se, as Kushtetuta dhe as Gjykata Kushtetuese nuk i ka njohur Parlamentit të drejtën të propozojë kandidatë për gjyqtarë në Gjykatën e Lartë apo Kushtetuese. Ky është një argument thelbësor dhe do të thotë se parlamenti mund të mos japë pëlqimin e dekreteve të Presidentit, por ai nuk ka të drejtë të ofrojë kandidatë. Pra, në çdo rastin monopoli i propozimit të emrave mbetet përsëri tek Presidenti; parlamenti në çdo rast mbetet institucion i dytë, institucion pritës, jo primar. Kjo është e kuptueshme në një vend ku Kushtetuta i jep Presidentit pozicionin mbipartiak të Kryetarit të shtetit, të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, të përfaqësuesit të popullit, ndaj një parlamenti që është e duhet të jetë i përbërë nga parti politike, pra nga interesa të theksuara partiakë.
Një tjetër argument është përvoja e deritanishme kushtetuese (1998-2008). Parlamenti ka refuzuar një dekret tjetër presidencial për emërim gjyqtarësh më 2002, më 2004, një më 2005 dhe një tjetër më 2007. Në dy rastet e fundit, refuzimi ka ardhur me argumente politike dhe për më tepër, edhe pas konsultimeve dhe miratimeve zyrtare paraprake të dhëna nga dy grupet e mëdha parlamentare. Pra, përvoja dëshmon se parlamenti, i dominuar herë nga e majta dhe herë nga e djathta, ka precedentë të mosdhënies së pëlqimit për dekretet e Presidentit. Këto vendime në të gjitha rastet janë marrë me argumente politikë e partiakë, dhe për koincidencë, edhe pas zhvillimit të konsultimeve paraprake midis Presidentit dhe Parlamentit.
Gjithashtu duhet theksuar se përvoja e vendimeve të parlamentit në raste analoge ka qenë po ashtu problematike dhe me të paktën dy standarde. Çdo legjislaturë parlamentare, përfshirë edhe e tanishmja, ka votuar dhe zgjedhur në poste kushtetuese, në Gjykata ose në nivele të tjera të larta në krye të institucioneve kushtetuese individë që nuk plotësojnë kriteret, për të cilat aktualisht tentohet të bllokohen pesë kandidatët e Presidentit për Gjykatën e Lartë. Kështu, parlamenti ka dhënë pëlqimin edhe për ish-prokurorë apo hetues të kohës së diktaturës, për individë pa përvojë pune në sistemin e drejtësisë, për individë në konflikt interesash apo në ndonjë rast, edhe për individë në hetime për vepra penale. Natyrisht që gabimet e të kaluarës nuk mund të vlejnë për të gabuar edhe në të ardhmen, por praktikimi i dy standardeve në ushtrimin e të njëjtave kompetenca, nuk lë gjithashtu shije të mirë.
Në përfundim mendoj se debati politik e publik midis dy institucioneve kryesore të drejtimit politik të shtetit: Presidentit dhe Parlamentit, mbi të një pushtet të tretë, pushtetin gjyqësor, mund të ketë pasoja negative por edhe pozitive. Negative nëse presioni dhe argumenti partiak cenojnë kompetencat e Presidentit dhe integritetin e Gjykatave. Negative edhe në aspektin afatgjatë, sepse mazhoranca e sotme mund të marrë një vendim që të shërbejë si precedent për tu ndjekur nga mazhorancat e ardhshme. Në thelb pasojë negative sjell edhe ndonjë nismë politike e opozitës për ta përdorur debatin kushtetues si presion për shkarkimin e kryetares së parlamentit. Kjo, sepse, përdoren mjetet dhe argumentet politikë për të zgjidhur një konflikt kushtetues, dhe se mocionet e pasojat e tyre, nuk ofrojnë zgjidhje të qëndrueshme e afatgjatë për çështjen në debat.
Megjithatë nëse debati merr zgjidhje kushtetuese mund të jetë i dobishëm për konsolidimin e parimit të ndarjes dhe balancimit të pushteteve. Me zgjidhje kushtetuese nënkuptohet vetëm detyrimi i parlamentit për të votuar sa më parë nëse jep pëlqimin për dekretet e Presidentit. Nëse parlamenti ka pretendime le të bëjë një ankimim tjetër për interpretim në Gjykatën Kushtetuese. Presidenti nuk mund të heqë dorë nga kompetenca e tij thelbësore, e cila për më tepër, në këtë rast është ushtruar në respekt të plotë me frymën dhe të drejtat kushtetuese. Edhe nëse ai, për shkak të presionit politik, detyrohet të ndryshojë qëndrim ndaj kandidatëve, dekretet e Presidentit nuk mund të tërhiqen; ato janë në parlament dhe duhet të marrin një përgjigje nga seanca plenare ose nga vetë kandidatët e dekretuar nga Presidenti. Asnjë mekanizëm dhe variant tjetër nuk mund të ofrojë zgjidhje kushtetuese.
Ish-këshilltar i presidentit Moisiu Afrim Krasniqi