Titulli nuk ėshtė origjinal. Ėshtė adaptuar nga artikulli "Helping doctors to help themselves" (Tė ndihmojmė doktorėt, qė tė ndihmojnė vetveten) botuar nė revistėn prestigjioze mjekėsore britanike, "BMJ". Jo rastėsisht po kjo revistė vazhdon me njė artikull tjetėr me tė njėjtėn temė, "Why so unhappy?" (Pėrse janė kaq tė pakėnaqur?).
Titulli nuk është origjinal. Është adaptuar nga artikulli "Helping doctors to help themselves" (Të ndihmojmë doktorët, që të ndihmojnë vetveten) botuar në revistën prestigjioze mjekësore britanike, "BMJ". Jo rastësisht po kjo revistë vazhdon me një artikull tjetër me të njëjtën temë, "Why so unhappy?" (Përse janë kaq të pakënaqur?).
Shqetësimi i shoqërisë për gjendjen, imazhin dhe relacionet e sotme të mjekut me pacientët dhe shoqërinë, është aktual edhe në vendet e zhvilluara e kudo.
Por bie në sy që tendenca në përballjen me të në këto vende është dukshëm mirëkuptuese, ndihmuese e konstruktive.
Kultura e "qarje-sharjes" dhe cilësia
Për fat të keq, nuk ndodh kështu tek ne. Për të njëjtin shqetësim, në shtypin tonë, me përjashtim të ndonjë rasti të rrallë me thirrje dashamirëse të shpëtojmë mjekun, përgjithësisht dominon kultura subjektive konfliktuale e negativiste e "qarjes e sharjes", sidomos ndaj mjekëve si individë. Një tendencë e tillë e anashkalimit të pozitives substanciale (e mira nuk përbën lajm) dhe e "peshkimit" kryesisht të së keqes e gabimit, justifikohet me efektin tërheqës gazetaresk. Por, ajo e zbeh kredibilitetin dhe objektivitetin e medias si përçuese e të vërtetës. Gazetaret, të cilave u është besuar në shtypin tonë sektori delikat i Shëndetësisë, shumica mjaft të reja në profesion, prej mangësive të njohjes së specifikave të kësaj fushe ndodh që të keqinformojnë. Një rast i tillë tipik ndodhi me pasqyrimin nga një gazetë e përditshme e një konference trajnimi organizuar një javë më parë nga Qendra Kombëtare e Cilësisë dhe Akreditimit me mjekët, kuadrot drejtuese e koordinatorët e cilësisë në kujdesin ambulator parësor. Thelbi i saj analizë transparente, reflektim për mundësitë e përmirësimit të cilësisë, madje shkëmbim eksperience me praktikën në Zelandën e Re, (një mjek specialist erdhi prej andej posaçërisht për ta). Asnjë "akuzë", as "shigjetim" ndaj mjekëve nuk u bë në të.
Vetë filozofia e përmirësimit të cilësisë në shëndetësi është kundra kulturës së fajësimit, sidomos atij individual. Promovimi i cilësisë mbështetet në respektin, vlerësimin, dhe motivimin për vendosjen e standardeve të munguara në shërbimin parësor deri më sot. Pjesëmarrësit e konferencës- rreth 100 mjekë dhe kuadro drejtues- shprehën mjaft interes ,kënaqësi dhe mirënjohje në fund të saj. Çuditërisht e gjithë kjo u pasqyrua nga gazetarja e të përditshmes në fjalë, krejt e deformuar, si në thelb, ashtu edhe në mesazhet që u dhanë. Ky dizinformim prodhoi natyrshëm keqkuptim dhe revoltë tek mjekët e tjerë gjoja të akuzuar që nuk ishin të pranishëm aty. Padashur gazetarja dëmtoi, sepse harroi që mjekët e shigjetuar në mënyrë imagjinare, janë intelektualë e profesionistë me vlera të këtij vendi, të cilët duhen, së pari, kuptuar dhe ndihmuar në misionin e tyre të vështirë.
Një ekuacion i gabuar
Por si shpjegohet ky tensionim marrëdhëniesh i medias tonë ndaj mjekëve? Është e vërtetë që qytetarët dhe të sëmurët janë të pakënaqur me shëndetësinë tonë të sotme, me korrupsionin, mënyrën dhe cilësinë e ofrimit të kujdeseve shëndetësore, por jo më pak të pakënaqur janë edhe vetë punonjësit me bluzë të bardhë, sidomos për kushtet e punës, shpërblimin dhe mosplotësimin e kërkesave e nevojave të tyre profesionale.
Përse shqetësimi për shëndetësinë në tërësi, fokusohet e konkretizohet thuajse vetëm tek ata? Një nga arsyet, është i ashtuquajturi ekuacioni i madh mbi të cilin ka qenë mbështetur e trashëguar ndër shekuj perceptimi i popullatës për shëndetësinë. Sipas këtij ekuacioni, "kujdesi shëndetësor është baras mjek".
Por ka mbi 30 vjet që ky "ekuacion" është denoncuar si i gabuar. Shëndetësia dhe kujdesi shëndetësor janë shumë më tepër se mjeku. Ato përfaqësojnë një sistem kompleks me një numër mikrosistemesh e mekanizmash të ndërlidhur brenda tij. Vetë shëndeti, si produkt, është shumë faktorial: rreth 40% e tij varet prej stilit të jetës së personit, 30% prej faktorëve gjenetikë, 20% prej kushteve të tij të jetesës e të punës dhe vetëm 10% prej kujdesit të mirëfilltë mjekësor. Mjeku është veçse një ndër aktorët e sistemit, me rol vërtetë kryesor, por edhe të limituar. Ai është përdoruesi dhe ndikuesi më aktiv i sistemit shëndetësor, por nuk është as krijuesi, formëzuesi, financuesi dhe as pronari i tij. Nuk ka pse ti vihen mbi kokë atij, as dafinat dhe as gurët, si për rezultatet e mira, ashtu dhe ato të këqija të shëndetësisë.
Meritat apo kritikat, së pari, i takojnë sistemit shëndetësor i cili në tërësinë e tij është produkt shoqëror dhe shtetëror. Prej cilësisë së sistemit, determinohen sukseset apo dështimet e shëndetësisë të një vendi. Është sistemi që gabon dhe dështon i pari, pastaj individët. Roli i mjekut dhe personelit tjetër shëndetësor është padyshim i madh, veçanërisht gjatë ofrimit të kujdesit shëndetësor, i cili ende kryhet në masën dërrmuese të tij falë punës njerëzore. Por një sistem i konstruktuar në përputhje me nevojat shëndetësore të popullatës, siguron, falë mekanizmave të tij, kushtet e duhura për maksimalizimin e cilësisë, performancës dhe kënaqësisë së përdoruesve. Njëkohësisht, minimizon faktorët rrezikues dhe gabimet njerëzore të personelit bluzëbardhë.
Cilin pra duhet të reformojmë sot, së pari: Individët apo sistemin?
"Nëse do që të njohësh të shkuarën, shiko gjendjen e sotme"
Brenda çdo shoqërie, sistemet evoluojnë së bashku me të. Sistemi shëndetësor evoluon edhe ai në relacion sinergjist, konkurrues dhe ndonjëherë konfliktual me sistemet e tjera bashkëkohës, si ai socio-ekonomik, kulturor, arsimor, i prodhimit të tregut etj.
Shëndetësia ka potencial të ndikojë pozitivisht mbi to, sepse shëndeti i popullatës përbën parakushtin për progresin e secilit prej sistemeve të mësipërme. Por në jetë pakkund ndodh që sistemi shëndetësor të vlerësohet i tillë. Shëndetësia jonë nuk ka qenë në krye të hierarkisë, të prioriteteve dhe financimit. Nuk ka patur fatin, as dje, të ishte prioritare detyrë mbi detyrat ose çështje e gjithë popullit siç ishin respektivisht sistemi i mbrojtjes së vendit dhe bujqësia, dhe as sot, si infrastruktura rrugore, integrimet, etj.
Ndërkohë, sistemet e tjera ndikojnë në mënyrë determinuese në të. Arritjet në fushën e të drejtave njerëzore, hapja e vendit, tregu i lirë, rrugët dhe infrastruktura e re, telekomunikacioni kanë qenë favorizuese për shëndetin e popullatës. Përkundrazi, varfëria, padituria, kultura e ulët sociale, analfabetizmi shëndetësor, papunësia, padrejtësia, kaosi rrugor, dhuna, diskriminimi kanë rënduar barrën e saj.
Në tërësi, gjendja e sotme e shëndetësisë tonë është e pakënaqshme. Në dy dekada tranzicioni, ajo evoluoi më ngadalë në krahasim me sistemet e tjerë, sidomos ato ekonomiko-shoqëror. Ajo në këtë periudhë mund që spontanisht u përfshi në atë që At Zef Pllumbi e quan qytetnimi material, por ka qenë e pazonja ta shoqërojë dhe harmonizojë këtë me progresin e duhur, të vlerave, etikës, mendësive dhe relacioneve të reja me shoqërinë, pacientët, tregun dhe me vetveten.
Prandaj katharsi dhe ballafaqimi me vetveten, nëpërmjet vetë analizimit objektiv sistematik me synim përmirësimin e vazhdueshëm të cilësisë, janë për shëndetësinë e sotme domosdoshmëri. Rigoroziteti dhe transparenca me të cilat ato zhvillohen dhe raportohen tek publiku dallon sistemet shëndetësore moderne nga ato primitive.
Lamtumirë "shoqja shëndetësi"
Dëshira dhe përpjekjet kanë qenë të shumta gjatë dy dekadave të tranzicionit për tu shkëputur nga shoqja shëndetësie trashëguar prej ish-sistemit sovjetik. Në vitet e para, falë privatizimit u arrit të shkëputeshin dy sektorë: Farmaceutika dhe Stomatologjia. Por ndërrimet e shpeshta të ministrave të Shëndetësisë (mesatarisht çdo 2 vjet) ndoshta penguan vazhdimësinë implementuese afatgjatë. Me gjithë ndërhyrjet, modifikimet, riparimet, bojatisjet, shtim/pakësim ingranazhesh, në një masë apo tjetër, sistemi i trashëguar është ende prezent. Bashkë me të, pashmangshmërisht, ka të mbartura edhe atavizma të mendësisë dhe menaxhimit të shoqërisë që e lindi.
Karkasa e këtij sistemi shëndetësor të vjetruar joeficient u ruajt përkohësisht me shpresë për ta reformuar më pas, hap pas hapi. Por ndërrimi i shpeshtë i titullarëve dhe drejtorëve të ministrisë dhe mosfunksionimi atje i memories institucionale, ka vështirësuar bilancin e ndryshimeve fragmentare dhe integrimin e tyre në një linjë.
Për pasojë, pavarësisht përpjekjeve motorrika e brendshme e sistemit duket sikur ka mbetur po ai i vjetri. Por me të shëndetësia jonë e sotme e ka të pamundur të lëvizë me shpejtë. A ia vlen të harxhojmë më tej kohë e para me hekurishten? Apo të synojmë një sistem shëndetësor krejt të ri?
Përgjigja dhe zgjidhja priten jo vetëm nga Ministria dhe personeli shëndetësor, por nga shteti e shoqëria në tërësi. Një sistemi i ri shëndetësor, implikon disponim të resurseve dhe të kapaciteteve të duhura. Për më tepër, ai duhet të jetë Made in Albania. Sepse sistemet shëndetësore në princip nuk importohen, as kopjohen . Nuk ka ende model standard i unifikuar e i detyrueshëm, qoftë edhe për vendet e BE. Organizmat ndërkombëtarë, ndryshe nga reformat në fusha të tjera nuk ndërhyjnë, as bëjnë presion për to. Tipi dhe funksionimi i sistemeve shëndetësore, janë lënë në përgjegjësi të qeverive vendore që ta zgjedhin sipas kushteve dhe nevojave specifike të tyre.
Ndërkohë një numër ndërhyrjeshreformuese të rëndësishme janë tek ne në proces e sipër si strategjia 7-vjeçare, projektligji i ri bazë i kujdesit shëndetësor ai i atij të financimit, formulimi i standardeve dhe një model i udhëzueseve klinikë.
Por arkitektura holistike e sistemit të ri të ardhshëm e paramenduar me të gjitha detajet, do të kërkojë mund, resurse dhe kohë me të gjatë për tu dizenjuar. Për këtë do të duhej një konsensus eksplicit gjithëpërfshirës me aktorët e partnerët e interesuar, si dhe qartësim të implikimet respektive të tyre, lidhur me kërkesat, angazhimet edhe kontributet e secilit.
"Ëndrrat realizohen, po tju vesh pas..."
Esenciale në sistemin shëndetësor të ri, do të jenë jo "muret, tullat dhe aparaturat" sesa konceptet, proceset, profesionalizmi, etika dhe mënyra bashkëkohore e funksionimit
Në krahasim me sistemin ekzistues, ai pritet ti ketë mjaft ndryshe disa nga funksionet bazë të tij, si p.sh.: atë drejtues e rregullator, nëpërmjet decentralizmit të kompetencave drejt bashkive e autoriteteve vendore (deri sot pasive për shëndetin e popullatës që mbulojnë), dhe të llogaridhënies publike sistematike për performancën, atë të autonomisë menaxheriale sidomos në nivel spitalor, fuqizimin e financimit, si të kontributeve dhe të pagës së personelit shëndetësor, dhe kalimin në një blerës të vetëm, (ISKSH), institucionalizimin e edukimit të vazhdueshëm profesional (deri tani të munguar), krijimin e raporteve të reja prioritizuese të shëndetit publik dhe profilaksisë, zbatimin e metodës së re biomedikale e psiko-sociale të ofrimit të kujdesit mjekësor individual ndaj të sëmurëve, pajisjen me teknologjinë, barnat dhe mjetet e duhura, zhvillimin e mënyrës të kontrollueshme të zbatimit të praktikës klinike, bazuar në udhëzues dhe evidencë shkencore, (që sot nuk praktikohen ende gjerësisht) fuqizimin e mjekut të familjes, si portë hyrje në sistem, privatizimin e mundshëm të plotë të kujdesit parësor, inkurajimi i sektorit shëndetësor privat në tërësi, (ende gjysmak) dhe ringritjen e etikës profesionale mjekësore.
Sistemi i ri pritet të implementojë gjithashtu, funksionin monitorizues të standardeve në të gjithë hapësirën e shërbimeve, publike e private, një sistem të ri të kompjuterizuar të informacionit, për mbledhjen e përpunimin e të dhënave, ngritjen për herë të parë të mekanizmave të posaçëm për minimizimin e rreziqeve dhe gabimeve të mundshme në dëm të shëndetit të pacientëve dhe personelit, institucionalizimin e verifikimit të kompetencës profesionale nëpërmjet proceseve të reja të licencimit, certifikimit dhe akreditimit, dhe më e rëndësishmja: vendosjen e pacientëve në qendër të sistemit, njohjes të rolit të tyre si përdorues, pagues dhe partner aktiv, bazuar në të drejtat dhe detyrimet legjitime universale deri sot të neglizhuara.
Çdo epilog, është prolog
Sisteme të tillë nuk janë utopi. Variante të tij, funksionojnë tashmë në vende të Europës. Por rruga drejt tyre është jo e lehtë. A është krejt i pamundur në kontekstin shqiptar? Ai do ti motivonte bluzat e bardha, që të vënë me kënaqësi dhe përkushtim, ekspertizën, talentin, zemrën e prestigjin profesional, që shumica e tyre ende e ruajnë të pashuar në shërbim të shëndetit dhe jetës njerëzore.
Sidoqoftë, së pari, na duhet më tepër frymë pozitiviste dhe mirëkuptim. Media vizive dhe shtypi, kanë potencial të konsiderueshëm inspirues dhe mobilizues. Ndofta do ia vlente që ata ta lënë mënjanë penelin e zi dhe të përdorin për pasqyrimin e shëndetësisë tonë edhe ngjyrat bardhë, rozë dhe të blertë. Kështu do e ndihmonim së bashku realisht atë, që të ringrihet në lartësinë e duhur, për të ndihmuar edhe ajo nga ana e saj më efektivisht njerëzit tanë dhe pse jo edhe veten.