Ngjarjet e fundit nė Maqedoninė fqinje na lanė njė shije tė hidhur tė gjithėve ne, gjashtė apo shtatė milionė shqiptarėve qė popullojmė hapėsirat e Ballkanit Perėndimor. Nė Tetovėn e traditave tė mėdha patriotike pamė njė shoė tė shėmtuar tė disa tė tė ashtuquajturve politikanė shqiptarė, tė cilėt i bėnė investimin mė tė keq, nė radhė tė parė, interesave tė popullsisė shqiptare tė Maqedonisė.
Ngjarjet e fundit në Maqedoninë fqinje na lanë një shije të hidhur të gjithëve ne, gjashtë apo shtatë milionë shqiptarëve që popullojmë hapësirat e Ballkanit Perëndimor. Në Tetovën e traditave të mëdha patriotike pamë një shoë të shëmtuar të disa të të ashtuquajturve politikanë shqiptarë, të cilët i bënë investimin më të keq, në radhë të parë, interesave të popullsisë shqiptare të Maqedonisë, por njëherësh edhe interesave kombëtare të shqiptarëve të Shqipërisë Perëndimore, të Kosovës, të Malit të Zi e të Çamërisë.
Antagonizmi i egër ndërmjet PDSH-së dhe BDI-së është tepër i vështirë për tu kuptuar nga një mendje shqiptare normale. Ata që u angazhuan në këtë përplasje, deri me armë, ngjajnë si qenie relike mesjetare të princave të dikurshëm që grindeshin e vriteshin me njëri-tjetrin për dominim parcelash e pronash feudale. Cila është logjika e këtij sherri?
Me të drejtë një analist i njohur parashtronte këto ditë, katër shtyllat më të rëndësishme të politikës së shqiptarëve të Maqedonisë: zbatimi me konsekuencë i Marrëveshjeve të Ohrit, përftimi i statusit të kandidatit për anëtar të BE, marrja e ftesës për aderimin në NATO dhe njohja e shtetit të ri shqiptar, shoqëruar me zgjidhjen e çdo lloj ndërlikimi artificial kufitar me Kosovën. Në dritën e këtyre detyrave bazë që u takojnë të zgjidhin partitë politike shqiptare në Maqedoni, nuk ka fare hapësirë për kontradikta. Si rrjedhojë, rivaliteti politik lidhet me "motive të dobëta".
Rreth 15 vjet më parë Trajan Petrovski, një poet maqedonas dhe njëherësh Ambasador i vendit të tij në Turqi, më ankohej nga "prirja" që vërente te shqiptarët që kërkonin të grupoheshin mbi baza etnike e jo social-politike.
"Çkuptim ka në një vend demokratik, që një pjesë e rëndësishme e popullsisë të veçohet nga lufta e mirëfilltë politike, të themi, ndërmjet VRMO dhe grupimit socialdemokrat e të mos e ketë ndërgjegjen e përkatësisë sociale, të djathtë apo të majtë, sipas rrethanave? Nëse e kanë të pamundur të aderojnë në partitë maqedonase, të paktën të krijojnë parti politike shqiptare me orientim të caktuar politik, paralel me atë të partive maqedonase". Vërtetë opsioni numër 1 i Trajkovskit nuk u realizua, por ne po vërejmë, jo fort të çuditur, që është vënë në jetë (apo siç e kanë për zemër të thonë politikanët tanë tani - është implementuar) opsioni numër 2 i tij. Nuk janë dy, por pesë parti politike shqiptare që kanë emra të përafërt e që copëzojnë rreth 800 000 njerëz që po trajnohen se si ti nxjerrin sytë njëri-tjetrit.
Ndjenja atdhetare, dikur tepër e fuqishme te shqiptarët e Maqedonisë, me sa duket është zbehur. E kjo zbehje ka prekur deri diku të gjithë shqiptarët, si pasojë ndofta e politikave të pandershme, egoiste dhe antikombëtare të shumë drejtuesve politikë në të gjithë hapësirën e tyre jetike.
Më rrëfente një mik një episod domethënës nga Zvicra ku dhjetëvjeçarin e kaluar, emigrantët shqiptarë nga Kosova ishin shumë të shqetësuar për fatet e kontributit prej 3 për qind nga të ardhurat që paguanin për çlirimin e vendit të tyre nga kolonizimi serb. Rastësisht, në mes tyre qëlloi një hébre. Ai dëgjonte i çuditur debatet me zë të lartë të shqiptarëve që qanin fatin e 3 përqindëshit të të ardhurave të tyre. Kur njeri prej tyre e pyeti se si ia bënit ju izraelitët, pasi keni qenë në situata të ngjashme?, miku i tyre u përgjigj: Ne e kemi pasur ndryshe. Ne, rrogën e zakonshme e jepnim për Izraelin, kurse të ardhurat mbi atë rrogë i mbanim për vete e për familjet tona. Komenti është i tepërt.
Ky tërbim tetovar duhej parandaluar. Sepse shenjat kanë qenë të qarta. Atentati i dështuar ndaj Ali Ahmetit ishte kambanë alarmi. Tradicionalisht, jemi mësuar të vetëviktimizohemi. Pra, fajin nuk e kemi ne, por të tjerët që na përdorin për qëllimet e tyre. Kjo është një alibi sa e pahijshme, aq edhe pak e besueshme. Nuk përjashtohet varianti që në sherrin e madh shqiptar të ketë një dorë edhe nacionalizmi maqedonas. Mirëpo kjo, edhe në qoftë e vërtetë, është një alibi e mjerë për shqiptarët. Madje, një variant i tillë, është akoma më i turpshëm se ai i luftës për karrige.
Do të ishim përballë një dëshmie degradimi të papranueshëm njerëzor.
E gjithë kjo zallamahi u bë para syve tanë, para syve të qeverisë sonë, të Parlamentit e të Presidentit tonë. Si është e mundur që asnjeri prej institucioneve të lartpërmendura, nuk veproi me energjinë që detyronte rasti, për të sjellë në vete të hallakaturit e Tetovës e të Shkupit? A nuk mund të thërriste në një tryezë ballafaqimi me dyer të mbyllura Ali Ahmetin dhe Menduh Thaçin, të themi, Presidenti ynë apo kryeministri Berisha, e ti detyronte të sheshonin mosmarrëveshjet dhe miqësisht ti jepnin dorën njëri-tjetrit? Kjo nuk është ndërhyrje në punët e brendshme të shtetit fqinjë, as politikë paternaliste, por thjesht një kontribut i çmuar në interes jo vetëm të shqiptarëve, por edhe të maqedonasve, në interes të paqes e të stabilitetit në të gjithë Ballkanin.
Nuk u bë, sepse politika shqiptare, për fat të keq, vuan nga po ato simptoma që u manifestuan gjatë tërbimit tetovar. Sepse, nga një nënë lozonjare nuk mund të presësh të edukojë bija serioze.
Nga: Skënder Shkupi