Megjithė vėshtirėsitė pėr tė rrethshkruar pėrhapjen territoriale tė ilirėve, duke shfrytėzuar burimet antike greke dhe mė pas romake, historianėt lokalė janė tė mendimit se etnosi i tyre popullonte njė territor tė gjerė, tė kufizuar nga lumenjtė Sava, Danub, Morava, Vardar dhe nga deti Adriatik dhe Jon, si edhe nga masivet malore tė Pindit deri nė gjirin Ambracik. Duke ndjekur kartografinė e epokės, bėhej fjalė pėr njė mori fisesh.
Megjithë vështirësitë për të rrethshkruar përhapjen territoriale të ilirëve, duke shfrytëzuar burimet antike greke dhe më pas romake, historianët lokalë janë të mendimit se etnosi i tyre popullonte një territor të gjerë, të kufizuar nga lumenjtë Sava, Danub, Morava, Vardar dhe nga deti Adriatik dhe Jon, si edhe nga masivet malore të Pindit deri në gjirin Ambracik. Duke ndjekur kartografinë e epokës, bëhej fjalë për një mori fisesh mes të cilëve, më të njohurit ishin : istrët, liburnët, japodët, desidiatët, dalmatët, ardianët, dardanët, peonët, autariatët, pirustët, parthinët, dasaretët, enkelejtë, taulantët, amantët, bylinët, antitanët dhe së fundi kaonët, thesprotët dhe molosët.
Popullsi të tëra me origjinë ilire siç është rasti i mesapëve dhe japigëve mendohet se u shpërgulën në gadishullin Italik dhe u vendosën në pjesën juglindore të Apenineve ndërkohë që grupe të tëra dardanësh çfaqen në Azinë e Vogël përpara se të bënin pjesë në koalicionin legjendar të Trojës kundër pushtuesve akej.
Eshtë shumë e mundshme që fillimisht, emërtimi ilirë të ketë qenë përdorur për të përcaktuar një grupim popullatash që banonin në një zonë gjeografike shumë më të ngushtë. Kështu, me këtë emër, Herodoti përshkruan popullsitë enkelej, fqinje me maqedonët, ndërkohë që Tuqididi përmend taulantët, të cilët i quan ilirë që banonin përrreth Epidamnit Durrësit dhe më në jug, në Kaoni dhe në Thesproti. Së fundi, Pseudo-Skylaksi i vëren ilirët në jug të vendit të liburnëve deri në Kaoni. Mjaft më vonë, në periudhën romake nëpërmjet pendës së Plinit të Vjetër dhe më pas të Apianit të Aleksandrisë ky emër kthehet në një emërtim gjinor, duke përfshirë një varietet të madh fisesh që banojnë në një shtrirje të tillë Iliria, që me këtë rast rrethshkruan edhe shpërndarjen e tyre gjeografike.
Po qe se i zëmë besë opinionit të specialistëve të gjuhësisë, i cili jo gjithmonë përputhet me atë të historianëve, emërtimi « ilirologji » ka vuajtur për një kohë të gjatë nga një lloj urie e tepëruar dhe nga një hipertrofi e tillë sa që mund të quhet "iliromani". E thënë ndryshe dhe me fjalë të thjeshta, disa prej historiano-gjuhëtarëve e kanë përdorur doktrinën ilire si një thes ku mund të shtihet çdo send - të cilit nuk i është gjendur vendi tek thasët e tjerë. Nën pretekstin e një ngjashmërie më shumë të sajuar se sa reale dhe të mbështetur tek argumenta gjuhësorë të zbehtë për të mos i quajtur të dyshimtë, këta studiues kanë grupuar nën të njejtin emërtim fise dhe popuj që pak kanë të bëjnë me ilirët "e vërtetë".
Eshtë rasti i venetëve, i istrëve ose edhe i liburnëve, të cilët të tjerë historiano-gjuhëtarë evropianë kanë tendencë ti shtien në një grup të veçantë "adriatiko verior", me një gjuhë që lidhet më tepër me atë italike. Pothuaj e njejta gjë mund të thuhet edhe për dalmatët, japodët dhe fise të tjera panoniane ndoshta të dala nga trungu i përbashkët ilir, por ndërkohë të "çilirizuara" dhe pjesërisht të "italicizuara" nën ndikimin e fuqishëm të fqinjëve italikë.
Rasti i fiseve më jugore gjithashtu le vend për diskutim. Teza që pohon përkatësinë e ngushtë ilire të fiseve jugore siç është rasti i kaonëve, thesprotëve ose molosëve duke cituar këtu ata më të njohurit që dikur banonin në Epir, bashkon me vështirësi rezultatet që vijnë nga gërmimet arkeologjike, ngjashmëritë kulturore dhe më në fund trajektoren e zhvillimit të strukturave shtetërore dhe politike.
Ndërkohë që materialet arkeologjike dëshmojnë për lidhje të vjetra dhe të shumëfishta me botën ilire, afëritë kulturore dhe gjuha i lidhin me fqinjët e tyre maqedonas. Sidoqoftë, edhe për kundërshtarët e tezës ilire, bëhet shumë i vështirë pohimi që këto fise i përkasin katërcipërisht botës helene, të zotëruar nga Athina, Korinthi ose Sparta. Kuadri i përgjithshëm i jetës së tyre dhe organizimi shoqëror lejon të mendohet që, pavarësisht përkatësisë "etnike", paralelisht me ndërfutjen intensive në botën ilire, shkallë shkalle, ata kanë pësuar një proces helenizimi nën ndikimin e maqedonëve dhe të grekëve.
Historianët shqiptarë na sigurojnë se Ilirët merreshin me rritjen e kafshëve dhe të kuajve dhe praktikonin bujqësinë. Për më tepër, ata ishin metalurgë të mirë pasi dinin të nxirrnin, të shkrinin dhe të përpunonin bakrin dhe hekurin, që vinin nga minierat e vendit dhe si pasojë, ata ishin edhe kovaçë të shkathët ; shkurt, artizanë të zotë, të njohur dhe të çmuar nga bota antike. Për më tepër, Ilirët ushtronin shkëmbimin dhe tregëtinë dhe komunikonin me rajone të tjera të botës antike. Gërmimet arkeologjike të zhvilluara në një numur të madh tumash kanë nxjerrë në dritë një shumllojshmëri objektesh, që venë në dukje mjaft aspekte të jetës së përditshme ilire. Thikat me origjinë mikenase, fibulat dhe objektet e tjera femërore me origjinë italike, rruazat prej qelibari nga viset e Balltikut lejojnë të merret me mend gjeografia e shkëmbimeve të tyre. Përfundimisht, tablloja plotësohet me marrëdhëniet pronësore dhe të luftës, dy konstante krejt të zakonshme të jetës së fiseve ilire që për më tepër, ushtronin edhe piratërinë mbi anijet tregëtare të Adriatikut.
Dy mënyrat e privilegjuara të shkëmbimit, tregëtia dhe lufta, çuan në përierjen ose "kryqëzimin" e popullatave në viset kufitare. Është racionale të mendohet se maqedonasit e vjetër kishin marrëdhënie të vjetra kushërillëku me fqinjët e tyre ilirë, elementë përbërës njerëzorë të të cilëve bënin pjesë në amalgamën e formimit atij kombi që nxorri burra të tillë si Aleksandri i Madh. Vetëm më vonë me adoptimin e mënyrës së jetesës dhe të karakteristikave kulturore greke maqedonasit shkasin drejt helenizimit të tyre të ngadalshëm por të sigurt. Ka shumë të ngjarë që gjithashtu, në territorin e dardanëve, ilirët të jenë përzierë rishtas edhe me trakët një tjetër popull i lashtë ballkanik që jetonte në territoiret e sotme të Bullgarisë dhe që ndante me të parët një origjinë të largët të përbashkët. Thellë në jug, ilirët u influencuan, thjesht për të mos thënë se u përzjenë, me helenët që për më tepër, themeluan përgjatë brigjeve të Jonit dhe veçanërisht të Adriatikut, një varg të tërë qytetesh, tregjesh ose kolonish me prirje të theksuar tregëtare, Epidamni - Durrës, të ngritur nga banorët e Korfuzit rreth fundit të shekullit të VIItë p.e.s (viti 627 ?) ose Apollonia, e themeluar nga korinthasit në vitin 588 p.e.s. Në shekullin e Vtë p.e.s, këto dy qendra tashmë ishin shëndrruar në qytete-Shtete të mëdha, të rrethuara me mure të trasha mbrojtëse, prapa të cilëve zhvillohej një aktivitet i rëndësishëm ekonomik.
Duke përfituar nga forca e tyre, nga fakti që ato prisnin monedhën e tyre, nga rrjeti i fuqishëm i shkëmbimeve me pellgun mesdhetar dhe me hinterlandin ilir, ato u shkëputën nga ndikimi i metropolit grek dhe ndoqën një trajektore të pavarur dhe një dinamikë të tyren. Megjithë tensionet politike dhe luftrat për pushtet mes shtresave të ndryshme qytetare që çuan deri në luftën civile të vitit 436 p.e.s, Epidamni dhe Apollonia mbetën shembuj të një shoqërie civile dhe politike ; shkurt, një shoqëri qytetare. Porti tjetër jugor Aulona, konkurrohej nga dy koloni të tjera në jug të vendit : Orikos Orikumi et Buthrotos - Butrinti.
Përveç përzierjes me fqinjët, ilirët vuajtën dhe pasojat e mërgimeve evropiane, siç është rasti i keltëve nga fillimi i shekullit të IV p.e.s, që vinin nga Veriperëndimi. Fise të tëra kelte siç është rasti i skordiskëve u ngulën në fushën danubiane dhe dëbuan popullsitë autoktone drejt jugut.
Kjo "bashkësi e gjerë kulturore dhe etnike, e cila në epokën e hekurit në bazë të zhvillimit të brendshëm ekonomiko-shoqëror, do të vazhdonte të zhvillonte më tej kulturën e vet duke i dhënë asaj një fytyrë gjithnjë më të përcaktuar etnike", ky territor i gjerë i banuar prej grupit ilir i përbërë nga bërthama të kristalizuara etno-kulturore ashtu siç ishin vërejtur prej autorëve antikë, njohu vetëm një bashkim politik ose shtetëror të pjesshëm dhe fragmentar, që preku në rradhë të parë rajonet jugore. Duke patur si të përbashkët një origjinë të njejtë dhe, pa asnjë dyshim, një varg vlerash, besimesh dhe elementë të tjerë shoqërorë, fiset si dhe bashkimet e fiseve u zhvilluan sipas trajektoreve të veta, shpesh të diktuara prej botës rrethuese dhe fuqitë fqinje. Ata u zgjeruan në territore të tëra, farkëtuan pushtete të natyrës politiko-ushtarake dhe krijuan perënditë e tyre pra, një varg motivesh të vlefshme sipas të cilave ata fituan të drejtën të quhen popuj, ndërkohë që bashkësia e tyre smundi asnjëherë te ngrihet në nivelin e një "kombi".
Formacionet e para autonome ilire u çfaqën gjatë shekullit të VII VItë p.e.s. Ato u krijuan në formën e federatave të fiseve të ndryshme, brenda të cilave ekonomia bujqësore shtëpijake udhëhiqte fushat e jetës shoqërore. Megjithëse çfaqja e veglave dhe e armëve prej hekuri, paralelisht atyre prej bronzi, çoi drejt ndryshimeve të ndjeshme, kjo periudhë karakterizohet nga mungesa ose më mirë te themi egzistenca embrionare e elementëve që qëndrojnë në themel të ekonomisë së shkëmbimeve, do të thotë e shkrimit dhe e përdorimit të monedhave. Baza sociale e shoqërive të tilla mbështetet mbi bujqit dhe barinjtë e lirë ose gjysëm të lirë, të organizuar sipas modeleve fisnore ose sipas bashkësive agrare. Njëkohësisht, sikundër edhe tek fqinjët e tyre helenë, zhvillohet shpronësimi dhe kthimi në gjendje vartësie të popullsive të nënshtruara osë të ngadhënjyera gjatë luftës.
Egzistenca e prospelatëve tek ardianët ose e dullëve tek dardanët, e vërejtur dhe e përmendur nga autorët antikë që e krahasojnë me gjendjen e hilotëve të spartanëve, përfaqson jo vetëm një formë të hershme të skllavërisë por njëkohësisht dhe të egzistencës të një shoqërie të hierarqizuar, vendi i parë në të cilën i takon basileut. Ky sistem u adoptua nga shumica e popujve ilirë të bregdetit adriatik, duke përfshirë këtu edhe taulantët si dhe enkelejtë, ndërkohë që kaonët dhe thesprotët kishin zgjedhur një sistem oligarqik. Megjithëse toka i përket të gjithë fisit, Bazileu ruan privilegje të rëndësishme, sidoqoftë të kufizuara nga një këshill, i cili mbetet instancë vendimore. Tërësia e këtyre faktorëve të organizimit shoqëror tek ilirët bën që shoqëria e tyre të konsiderohet si një shoqëri subjektesh që zhvillohet në gjirin e një "Shteti" territorial, pa mundur të krijojë përbërësit e një shoqërie politike.
Afëria dhe bashkëjetesa në të njejtën hapësirë gjeografike e dy tipeve të ndryshme të Shtetit dhe të dy shoqërive, Qyteti-Shtet dhe Shteti territorial sikundër shoqëria politike dhe shoqëria e subjekteve, është mjaft dobiprurës për zhvillimin e mëtejshëm të të fundit. Për më tepër, diferencat e vërejtura në nivelin shoqëror, kulturor ose ekonomik asnjëherë nuk krijuan një pengesë në marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë. Ato nuk përcaktojnë as edhe raporte force të veçanta, me qëllim që të favorizojnë sistemin shoqëror më të zhvilluar. Në të kundërt, basilenjtë ilirë u përzien në çështjet e qyteteve-shtete të afërt siç ishte rasti i mbretit të taulantëve, Glaukia, gjatë shekullit të IVtë p.e.s. Si përfundim, Shteti territorial "barbar " pëson influencën rrezatuese të qytetërimit helen dhe në disa raste përfundon duke u helenizuar, me adoptimin e strukturave sociale dhe politike të botës greke. Shpejtësia e këtij procesi dhe shkalla e helenizimit do të varet nga afëria me epiqendrën. Historia përmend rastin e maqedonëve por gjithashtu edhe atë të thesprotëve si edhe te molosëve të Epirit.