E enjte, 8.1.2009
RSS RSS Arkiva Marketing Kontakt
Ballina
Opinione
Ekonomi
Kulturė
Sport
Dosier
Spektėr
Foto Arkiva
Video Arkiva
TV Panorama



























Ballina > Origjina ilirike e Arbėrve
Origjina ilirike e Arbėrve
Origjina ilirike e Arbėrve
Duke u rikthyer nė terrenin e shekujve tė VItė – VIIItė tė erės sonė, ėshtė e pamundur qė tė mos vemė re pėshtjellimin qė mbretėron rreth Ilirėve tanė. Ata « barbarė » tė frikshėm qė tmerronin maqedonasit e parė me thirrjet e tyre tė luftės si dhe ata piratė tė egėr qė terrorizonin anijet romake tė Adriatikut janė zhdukur prej kohėsh, pa lėnė asnjė gjurmė.

Duke u rikthyer në terrenin e shekujve të VItë – VIIItë të erës sonë, është e pamundur që të mos vemë re pështjellimin që mbretëron rreth Ilirëve tanë. Ata « barbarë » të frikshëm që tmerronin maqedonasit e parë me thirrjet e tyre të luftës si dhe ata piratë të egër që terrorizonin anijet romake të Adriatikut janë zhdukur prej kohësh, pa lënë asnjë gjurmë. Që prej rënies së mbretërisë ilire të Gentit (viti 168 p.e.s) dhe veçanërisht që prej nënshtrimit përfundimtar të Ilirisë (viti 35 p.e.s), pak nga pak territoret e tyre bëhen pjesë përbërëse e asaj « indivisum patrimonium » që përfaqëson Perandoria romake. Njerëz të lirë ose kolonë, banorë të qyteteve ose të thellësisë malore, të gjithë ilirët kthehen në banorë të civitas ndërkohë që, pas hyrjes në fuqi të Ediktit të Karakallës në vitin 212, ata bëhen qytetarë romakë. Gjatë kësaj periudhe, ata do të quhen ende ilirë për hir të një tradite që mbetet e dorës së dytë : në kuptimin e lidhjeve kulturore – duke përfshirë këtu edhe përdorimin e gjuhës së tyre që gjithmonë mbeti një gjuhë e folur, pa mundur të gjejë një shprehje të shkruar – ose, në kuptimin e prejardhjes së tyre gjeografike – një rajon i tërë që herë herë i bashkangjitet Provincës së Maqedonisë, herë herë Ilirikumit ose Dalmacisë – sipas nevojave të shpërndarjes territoriale të Perandorisë.

Vizioni origjinal i Dioklecianit në lidhje me ndarjen e botës antike në Perëndim dhe Lindje do t’a thellojë edhe më tepër këtë proces : tashmë të ndarë nga pikpamja administrative mes dy njësive të mëdha perandorake, ata përbëjnë një komponent të pandashëm të mozaikut etnik që karakterizon shoqërinë greko-romake. Një numur i madh individësh integrohen në strukturat e pushtetit, duke zgjedhur rrugën më të shpejtë : atë të karrierës ushtarake. Rasti i atyre perandorëve « ushtarë » të epokës të anarkisë ushtarake si dhe të asaj që do të vijë pas, e quajtur « ilirjane », ose e perandorëve ilirë të dinastisë Justiniane përbën një provë të shkëlqyer.

Në mënyrë të përmbledhur, bëhet fjalë për një element njerëzor të Perandorisë romake, i cili ka mundur të realizojë një integrim administrativ të konsiderueshëm dhe një pjesëmarrje shoqërore të rëndësishme, ndërkohë që mbetet në kontakt të vazhdueshëm me qytetërimin greko-romak, gjurmët e të cilit janë mjaft të dukshme në rradhë të parë mbi elitat e saj. Sidoqoftë, sikundër gjithandej në Ballkan dhe gjetkë, fshati dhe veçanërisht malësia shpëtojnë nga romanizimi i gjithëpushtetshëm dhe mbeten thellësisht ilire : me fjalë të tjera, duke përdorur gjuhën latine dhe më pas atë greke si mjet komunikimi në fushën administrative ose për nevojat e saj liturgjike, gjithçka të bën të mendosh se masa e popullsisë vazhdon të përdorë gjuhën e vet vendase dhe të zhvillojë një kulturë të vetën. Më tepër se kurrë në këtë fazë fundore të jetës së vet, fuqia e pashterrur e Perandorisë identifikohet me forcën e institucioneve të saj, territori i saj i paanë asimilohet me ndarjen administrative dhe së fundi, varieteti etnik i pamasë zhduket përpara bashkësisë artificiale të qytetarisë romake.

Gjatë shekullit të IV të erës sonë, prologu « barbar » arriti të thyejë ekuilibrin Lindje – Perëndim, në mes të të cilit gjendej vendi i ilirëve. Megjithë peshën e institucioneve dhe të ligjeve, megjithë ideologjinë e porsalindur judeo-kristiane, megjithë thellësinë e kulturës shumëshekullore, qytetërimit greko-romak ju desh të lëshojë terren përballë forcës brute të nomadëve të pagëdhëndur barbarë. Në këtë mënyrë, karta etnike e kontinentit ndryshon njëherë e përgjithmonë : shprehja latine rrudhet dhe arrin të mbahet në pjesën perëndimore të rrethqarkut mesdhetar, duke i lëshuar zonën e veriut gjermanikëve, ndërkohë që e folura greke braktis pjesën më të madhe të Ballkanit në favor të korpusit të gjuhëve sllave që tashmë përhapen nga Balltiku deri ne brigjet e detit Egje dhe nga deti i Zi në Adriatik. Atij që pranon këtë mënyrë të menduari, i duhet njëkohësisht të pranojë që kjo popullatë e Mesjetës së hershme, e dalë nga rrënja ilire, mundi jo vetëm t’i rezistojë asimilimit romak – siç është rasti i një varg popujsh të Ballkanit dhe gjetkë – por njëkohësisht, falë gjallërisë jetësore të saj, falë gjithashtu shtrirjes së saj të gjerë territoriale si edhe relievit malor vështirësisht të kalueshëm që shpesh i ka shërbyer si strehim, arriti t’i bëjë ballë edhe rulit petëzues sllav.

Pikërisht, kjo është edhe pika më delikate e të gjitha teorive të vazhdimësisë pasi na duhet njëkohësisht të pranojmë që « ilirët » e kësaj periudhe dhe pasardhësit e tyre formojnë një rast të veçantë, unikal në llojin e tij dhe jashtë çdo lloj skeme drejtuese të shpërndarjes së grupeve etnike mbi kontinentin evropian. Në të vërtetë, në të njejtin rast gjenden edhe Vllehët : këta kushërinj të largët të ilirëve – nga ana e rrënjëve të përbashkëta – mbeten të vetmit gjallues të shtratit indigjen ballkanik të romanizuar.

Ndërfutja në Ballkan e Bullgarëve (fundi i shekullit të Vtë) dhe më pas e Sllavëve (shekulli i VI-VIItë) shfaqet si elementi kryesor i një procesi të gjatë asimilimi, gjithandej i pranishëm, që prek tërësinë e viseve ballkanike duke përfshirë dhe Ilirikumin e vjetër. Ai u përshpejtua nga njëra anë nga dinamizmi demografik të popujve të rinj dhe nga ana tjetër nga palëvizshmëria, dekadenca dhe rënia e institucioneve të romanizuara si dhe e strukturave autoktone. Përveç disa « ishujve të bizantinizuar », të krijuara përreth qendrave të mëdha urbane dhe rreth e qark zonës së Konstandinopojës, pjesës tjetër – duke përfshirë këtu edhe pjesën më të madhe të Greqisë – ju desh të përballonte stigmatët e pushtimit sllav deri në shekullin e VIIItë, për të mos thënë deri në shekullin e IXtë. Është më se e mundshme që, nën presionin e porsaardhurve kroatë dhe serbë, pjesa më e madhe e « Ilirëve » të jetë shkrirë në masën tashmë vendase ndërkohë që një pjesë e autoktoneve të jetë çvendosur ose shtyrë nga zonat fushore dhe bregdetare drejt brendësisë malore, gjë e cila ndikoi në forcimin e mjedisit autokton lokal mjaft të shpërndarë si dhe në gjallërimin e shprehjes verbale, gjithashtu në shuarje.

Historianët shqiptarë na sigurojnë se fenomeni sllav, i cili preku në mënyrë të ndjeshme rajonet danubiane, brigjet dalmate si edhe zonat e brendshme të Rashkës deri në Maqedoni, nuk mundi të prekë në mënyrë të qëndrueshme – ose të themi që preku të paktën pjesërisht – provincat diokleciane të Pevalitanisë, të Epirus Nova (Epiri i Ri) dhe të Epirus Vetus (Epiri i Vjetër). Sipas tyre, megjithë egzistencën e një farë shkalle të « romanizimit » si dhe të vënies në provë sllave, grupi jugor i « kombit » të madh ilir mundi të ruajë dhe të zhvillojë identitetin e tij të përveçëm si edhe gjuhën e tij të folur, shkurt shprehjen e ngushtë të këtij identiteti, në një hapësirë që përputhet pak a shumë me shtrirjen gjeografike të Shqipërisë së sotme dhe të Kosovës.

Ndërkohë që hordhitë e para sllave synuan qytetet e lulëzuara të jugut të gadishullit (Selanikun, Konstantinopojën), duke zgjedhur akset rrugore që zbresin nga Danubi dhe që si rrjedhojë përshkojnë provincat dardane dhe të Epirus Vetus, ato të mëpastajmet përshkuan dhe rrënuan brigjet adriatike, duke zbritur deri në Prevalitani ose edhe në Epirus Nova. Dukuria më e thekur e ortekut sllav ishte krijimi i « Sklavinies », këto ngulitje të pavarura në thellësi të tokave bizantine të cilat i rezistuan ringadhënjimit perandorak. Ngulitje të tilla patën jetë të gjatë në Maqedoni, në Trakë si dhe në tokat greke : në Thesali, në Beoci ose në Peloponez. Të nisur nga Maqedonia, grupe të tëra sllave u vendosën në luginat e Devollit, të Osumit ose të Vjosës. Vetëm në kohën e Justinianit të IItë - Hundëprerit, Perandoria bizantine ndërmorri detyrën e vështirë që të çvendosë një pjesë të këtyre popullatave drejt Azisë të Vogël me qëllim që të rimerrte akset tradicionale të transportit siç ishte rasti i via Egnatia, që lidhte Konstantinopojën me pjesët e tjera të botës latine. Sidoqoftë, një numur specialistësh janë të mendimit se grupime të rëndësishme me origjinë serbe u vendosën në fushat perëndimore të Adriatikut të poshtëm, ose e thënë ndryshe në viset e Shqipërisë së sotme, duke ju shmangur qyteteve si dhe zonave malore. Ato paraqiten në këtë mënyrë si një nga kompozantet etnike të përzierjes së popullatave lokale gjatë Mesjetës.

Megjithatë, historianët shqiptarë ngulmojnë se gjithsesi, burimet historike, të dhënat arkeologjike e ato gjuhësore, i kanë shtyrë studiuesit të dalin në përfundimin se brezi perëndimor i Ballkanit që përfshihej në provincat diokleciane të Prevalit, Epirit të Ri dhe të Epirit të Vjetër, me një shtyrje ku më shumë e ku më pak të thellë drejt brendësisë, është ndër rajonet më pak të prekur nga kolonizimi sllav. Përkundrazi, popullsia e hershme autoktone iliro-shqiptare u përforcua në këtë gjerësi gjeografike me grupe të tjera iliro-shqiptare të ardhura nga viset e brendshme, ku invazioni sllav kishte qenë masiv.

S’ka asnjë dyshim që për mendimin shkencor shqiptar ky përfundim është jo vetëm logjik por edhe i vetmi që mund të shpjegojë atë çka quajtëm më sipër « vazhdimësinë iliro-shqiptare », në rradhë të parë si një « vazhdimësi të banimit » e ndjekur nga një « vazhdimësi kulturore dhe etnike ». E megjithatë, ai jo vetëm është përmbledhur shumë shpejt por njëkohësisht është formuluar edhe mjaft ngathët nëqoftëse pretendon të shërbejë si argument i pathyeshëm për të justifikuar shëndrrimin e thellë që pësoi vendi ilir nën perandorinë romake (perëndimore dhe lindore). Ende më pak ai mund të përdoret në rolin e një përgjigjeje të denjë ndaj asaj vërejtjes këmbëngulëse të « hiatusit kronologjik të rëndësishëm mes [zhdukjes së] ilirëve dhe [çfaqjes së] shqiptarëve ».

Pas kësaj kqyrjeje të horizontit shkencor, bëhet më se e qartë që kjo çështjeje e ndërlikuar e origjinës së shqiptarëve paraqitet para së gjithash si një çështje bindjeje të thellë. Eshtë pikërisht kjo bindje që shtyn të kërkohet metoda adekuate dhe të mblidhen provat e përshtatshme në vend që të jenë provat ato që orientojnë mendimin.
Lidhur me kampin e parë – atë të skeptikëve ndaj origjinës ilire të Arbërve - si mund të shpjegohet ndryshe kjo prirje që gjen burimin në grindjen e përjetshme mes arkeologëve dhe gjuhëtarëve në lidhje me indoevropianët e mjergullt dhe që çon në hulumtimin e Mesjetës me anë të një instrumenti kërkimi gjuhësor, i prodhuar enkas për proto-historinë ?

Është më se e kjartë që argumenti gjuhësor mbetet fort i brishtë për t‘u përdorur si mburojë ndaj vërejtjeve dhe pyetjeve që e tejkalojnë pragun e intuitës. Kështu, megjithë ndërlidhjet dhe afëritë e shqipes me rumanishten, këto dy gjuhë mbeten po aq të pakuptueshme ndaj njera tjetrës sikundër dhe greqishtja ose serbishtja me shqipen. Bile edhe ato të famshmet struktura gramatikore nuk janë një përjashtim shqiptaro-rumun ose shqiptaro-vlleh pasi, para së gjithash bëhet fjalë për një dukuri të përgjithshme që herë herë quhet « bashkim gjuhësor ballkanik » herë herë fushë gjuhësore ballkanike. Me fjalë të tjera, një bashkësi e tërë e gjuhëve ballkanike (rumanishtja në format e saj të ndryshme – duke përfshirë edhe arumanishten e Vllehëve, bullgarishtja dhe maqedonishtja – dhe në shkallë më të vogël edhe serbishtja, gjuha shqipe në dy variantet e saj – gegë dhe toskë, greqishtja e sotme bile edhe turqishtja) ndajnë mes tyre ngjashmëri të shumta të natyrës fonetike, morfologjike, sintaktike dhe leksikale, të cilat nuk rrjedhin nga fakti se gjithë këto gjuhë paskëshin një origjinë të përbashkët.

Duke ndrruar kampin – dhe bindjen, të tjera pyetje lindin në kokë. Përse duhet ngritur një teori e tërë e gjenezës që zhytet drejtpërdrejt në mjergullën e parahistorisë, duke shmangur me shumë kujdes të gjitha proceset e përzierjes së popullatave ? Përse duhet lënë pas dore çdo afëri gjuhësore, që dëshmon për lidhjet e vjetra dhe të thella me botën rrethuese në zhvillim të vazhdueshëm ? Përse duhet minimizuar, për të mos thënë fshehur, ngulja e sllavëve të shekullit të VIIItë në tokat e quajtura shqiptare, një prezencë që përforcohet nga pushtimi bullgar i shekullit të Xtë ? A është fjala për një tundim nacionalist apo për një krenari kombëtare që errëson pamjen dhe që ve përbërësin njerëzor dhe territorial shqiptar në një situatë të paqëndrueshme në lidhje me prirjen që vepron mbi bashkësinë ballkanike ?
Sado të rralla dhe fragmentare të jenë elementët që vijnë nga Lashtësia dhe Mesjeta e Hershme, është karakteristike fakti se mjediset e specializuara historike projektojnë vështrimin dhe gjykimin e sotëm mbi të kaluarën, pa bërë përpjekjen e nevojshme dhe të domosdoshme të respektit të shpirtit të epokës. Në këtë mënyrë, krijohet përshtypja se grupimet njerëzore ende heterogjene të atëhershme - të strukturuara rreth marrëdhënieve të pronësisë, të diferencuara nëpërmjet dhunës dhe të identifikuara nëpërmjet lidhjeve të gjakut, të afërisë territoriale ose të shprehjes verbale të përbashkët s’janë gjë tjetër veçse kombet e sotme. Askush nuk i shpëton tundimit të shenjtërojë origjinën nëpërmjet kungimit në kazanin e stërlashtë, nëpërmjet krijimit të atyre mijra lidhjeve të mirëqëna ose të sajuara mes ballkanikut të sotëm të mijëvjeçarit të tretë dhe deka-stërgjyshit të tij të lashtë të fillimit të mijëvjeçarit të parë.

Përse atëhere duhet të vemë në kryq historianin shqiptar që kqyr Ilirin ose Arbërin me admirimin krenar të stërnipit, ndërkohë që homologu i tij grek betohet mbi kryen e Helenit athinjot ose teban – duke ditur që si njëri dhe tjetri janë të ndërgjegjshëm që nga të parët i ndan një pafundësi ndërfutjesh njerëzore bullgare, sllave, latine, turke… Në ç’mënyrë – përveç frymëzimit nacionalist – mund të tentohet një barazvlerë në këtë botë absurde ballkanike ku edhe Serbi më i thjeshtë gdhihet dhe ngryset nën nanuritjen e bëmave të car Stefan Dushanit ose të vajit të Fushë Kosovës, ku edhe Maqedoni më i rëndomtë beson se në rremat e tij rrjedhin disa pika gjaku nga të Lekës së madh ?


Publikuar: 05.06.2008 03:48:58
Lexuar: 137 herė
Fjalėt kyēe: Origjina, ilirike, Arberve, asnje, gjurme,
  


Lajmet e fundit
Drejt euros, nė sajė tė “virtyteve” tė saj Drejt euros, nė sajė tė “virtyteve” tė saj
Britaniku deh qenin e mė pas e rrah Britaniku deh qenin e mė pas e rrah
Keita: Nuk jam i interesuar pėr Marseillen Keita: Nuk jam i interesuar pėr Marseillen



Lajmet te ngajshme
Plani anglo-amerikan, si do te vendosej regjimi pro-Perendimor ne Tirane Plani anglo-amerikan, si do te vendosej regjimi pro-Perendimor ne Tirane
Masakrimi mbi detarėt ulqinakė Masakrimi mbi detarėt ulqinakė
Tradhtia e Filbit, si u asgjesua grupi i pare me agjente shqiptare dhe britanike Tradhtia e Filbit, si u asgjesua grupi i pare me agjente shqiptare dhe britanike
Si ndryshoi Kina pas vdekjes se Maos dhe prishja me Shqiperine Si ndryshoi Kina pas vdekjes se Maos dhe prishja me Shqiperine
Halim Xhelo, gjenerali rebel qė akuzoi Enverin pėr krime Halim Xhelo, gjenerali rebel qė akuzoi Enverin pėr krime
Piramida tė ishte muzeu i Enverit pėr vizitorėt e huaj Piramida tė ishte muzeu i Enverit pėr vizitorėt e huaj
Si depėrtoi agjenti i Sigurimit tė Shtetit shqiptar nė udhėheqjen e lartė tė legalistėve Si depėrtoi agjenti i Sigurimit tė Shtetit shqiptar nė udhėheqjen e lartė tė legalistėve
Abdyl Frashėri...sikur tė mos ishte nė Lidhjen e Prizrenit Abdyl Frashėri...sikur tė mos ishte nė Lidhjen e Prizrenit
Jugosllavia nė panik pėr vdekjen e Titos, si reagoi Enver Hoxha Jugosllavia nė panik pėr vdekjen e Titos, si reagoi Enver Hoxha
Fobitė mė tė ēuditshme tė botės Fobitė mė tė ēuditshme tė botės
Google Yahoo MSN