Hyrja nė auditorin e Fakultetit tė Muzikės nė Akademinė e Arteve mė shoqėron shpesh me njė mendim tė zymtė. Ku do tė pėrfundojnė vallė gjithė kėta tė rinj?! Si do tė gėrshetohen rrugėt e jetės sė tyre? Ēdo tė bėhet me pasionin e tyre pėr muzikėn? Me ēfarė profesioni dhe me ētė ardhura do ti mbajnė familjet?
Hyrja në auditorin e Fakultetit të Muzikës në Akademinë e Arteve më shoqëron shpesh me një mendim të zymtë. Ku do të përfundojnë vallë gjithë këta të rinj?! Si do të gërshetohen rrugët e jetës së tyre? Çdo të bëhet me pasionin e tyre për muzikën? Me çfarë profesioni dhe me çtë ardhura do ti mbajnë familjet?
Këto pyetje kanë vite që më rrotullohen në kokë e çdo vit që kalon ato shtohen, pasi gjendja në përgjithësi e muzikës dhe e muzikantëve po bëhet më e vështirë. Kur them më e vështirë, nuk e kam fjalën këtu për VIP-at e pasur të muzikës, si Sinani apo Hasani, por për ata që fillojnë të mësojnë muzikë që në moshën e fëmijërisë, ata që pas vite studimesh duhet të studiojnë akoma në Akademi, për tu bërë profesionistë të vërtetë. Janë pikërisht studentët e mi, të cilët ose duhet ti harrojnë të gjitha e të hyjnë në tregun e lirë me çmime të larta të turmës së injorantëve që po mbushin mediet e revistat e sotme, ose të vazhdojnë të mbërthyer në pasionin e tyre e të jetojnë të varfër. E di! Shumë pak e mendojnë këtë tablo të zymtë e aq më pak politikanët tanë të kulturës pa kulturë.
Dhe, në fakt, fati i studentëve të mi varet pikërisht nga ata atje lart, pasi ata kanë në dorë atë që në vendin tonë artikulohet më pak e më keq nga të gjitha - politikën kulturore të zhvillimit të muzikës në vend. Në fakt, ka mbi dhjetë vjet që ministrat mund të kenë çdo lloj profesioni, që nga ekonomisti e deri te doganieri, përveç atij të artistit. Madje, kaq e zakontë duket sot kjo saqë kur mora vesh se ministri i Kulturës në Kosovë ishte një muzikant i avangardës muzikore, madje prej një familjeje të njohur artistësh, mu duk e çuditshme. Na është bërë e modës të gjykojmë se ministri i Kulturës nuk duhet të jetë me kulturë. Pse, ministri i Mbrojtjes është ushtarak? Ai i Shëndetësisë është mjek? Jo! Atëherë?
Dhe, fatkeqësisht, rezultati i një politike të mbrapshtë kulturore (veçanërisht për muzikën) duket në çdo institucion, madje që nga niveli i muzikës në shkolla të përgjithshme e deri tek institucionet e rëndësishme, një pjesë e të cilave tashmë janë demoluar me sukses. (Do të radhisja këtu që nga qendrat kulturore të fëmijëve, aq të domosdoshme për edukimin e tyre artistik e muzikor e deri tek estradat etj.). Dhe në thelb të atyre institucioneve të mbetura mungon pikërisht gjeneratori kryesor: konkurrenca e lirë dhe e drejtë. Pikërisht është konkurrenca që do ta çonte shumë më përpara artin tonë, i cili deri në vitet 90 mund të konsiderohej si sektori më i zhvilluar dhe i suksesshëm i kohës. Janë me qindra muzikantët shqiptarë që debutojnë me shumë sukses në skenat europiane, në SHBA, Kanada e deri edhe në Australi.
Madje, janë të shumtë edhe ata që vazhdojnë të mendojnë të ikin. Të ikin sapo të mbarojnë studimet, siç u detyrua dhe një çift instrumentistësh të shkëlqyer para një viti, të cilët nuk i mbajti dot vendi i tyre. Në vend që ti mbanin solistë pranë Orkestrës së RTSH apo në Opera, fillimisht i çuan në Liceun Artistik e më pas i transferuan edhe më poshtë: në një shkollë 8-vjeçare muzike. Atëherë ata u detyruan të ikin. Sot jetojnë në Sarajevë, si drejtues sektori (spal) në Orkestrën Simfonike të kryeqytetit boshnjak dhe trajtohen sipas aftësisë dhe talentit të tyre me dinjitet. Por konkurrencën nuk mund ta pranojnë drejtuesit e pazotë. Ata që, për hir të filan deputeti bëhen drejtorë në Lice apo gjetiu, edhe pse e kanë mbaruar shkollën me pesa, apo ai që për hir se ka brohoritur në mitingjet e Partisë mund të bëhet edhe shef kabineti në ministri, meqë ka shkruar tri këngë të lehta, edhe pse sdi akoma notat e muzikës.
E kështu, konkurrencën nuk e njeh asnjë institucion. Ka vite që në Orkestrën e RTSH-së nuk bëhet audicion (kontroll vjetor i aftësive profesionale të orkestrantëve, duke përfshirë këtu edhe kontrollin cilësor të instrumenteve të tyre), siç bëhet në të gjitha orkestrat e botës. Në TOB, po hyre në punë mund të rrish i qetë gjithë jetën derisa të dalësh në pension, edhe pse të ikën zëri apo je bërë 80 kg, mjaft të paraqitesh në orar dhe të mos mungosh në apel. Më pas mund të rrish gjithë ditën në kafe dhe të tregosh se sa artiste ke qenë kur ishe e re. Madje, mund të jesh edhe tregtar dhe ta gjesh kohën që ta mbash edhe vendin në Orkestër, pasi kryesisht koncertet janë në darkë, mbasi ke ulur qepenat e dyqanit.
Ndërsa studentët e mi vijnë me pasion vitin e parë, apo edhe të dytë, e kuptojnë gradualisht situatën dhe vitet e fundit të studimeve ndahen në dy grupe. Disa fillojnë të mendojnë të hyjnë në tregun e dasmaxhinjve apo muzikantë të lokaleve për të ndihmuar familjet e tyre, e të tjerët fillojnë të ëndërrojnë që halla apo daja tu dërgojë një garanci, ti mbajë disa kohë deri sa të bëjnë një Master apo të konvertojnë diplomën, që të mund të hyjnë në ndonjë orkestër apo të lidhen me jetën artistike larg vendit.
Kompozitorët e rinj e kanë situatën edhe më të qartë. Ata e mësojnë shumë shpejt se profesioni i tyre është fare i pavlerë. Asnjë formacion orkestral apo institucion artistik nuk do ti porosisë ata të shkruajnë ndonjë vepër muzikore. Nuk janë parashikuar fonde për këtë. Madje e dinë që edhe Zëvendësministrja ka thënë se, ju kompozitorët duhet të shkruani vepra për ti shërbyer pasionit tuaj. (Tekstualisht: Doni, shkruani! Nuk doni, nuk shkruani!). Zotërinj! Të gjithë i dinë këto. Nuk jam unë i pari që i them. Madje të gjithë e dinë se vetëm një ministër i mençur, i kulturuar dhe energjik mund ta kryejë reformën në fushën e muzikës, e cila ka vite që pritet. Por asgjë nuk do të ndodhë.
Nuk do të ngrihet asnjë orkestër, as në Fier, as në Korçë, as në Elbasan etj. Nuk do të hapen konkurset e imagjinuara e të zhvillohen mbi gjykime profesionale. Nuk do të aplikohet asnjë test profesional, as për mësuesit e shkollave të mesme të muzikës, as për drejtorët e tyre, dhe as për ata të shkollave 8-vjeçare. Madje, mësimin e muzikës do të vazhdojnë ta bëjnë mësuesit e fizkulturës apo të punëdores; në shkolla të mesme do të vazhdojnë të japin mësim shoqet e mia, më të dobëtat e kursit në ato vite; nëpër orkestra do të vazhdojnë të dëgjojmë stonatura e kiksa dhe trupa e Baletit do të vazhdojë ti furnizojë të gjitha diskot apo televizionet e vendit për të fituar parà, pasi vepra skenike nuk do të ketë.
Por studentët e mi, me siguri nuk do të lejojnë që tu priten në këtë mënyrë pasionet dhe ëndrrat e tyre profesionale!
Ata mund të durojnë edhe ca, por deri kur?!
Kompozitor / Pedagog në Fakultetin e Muzikës në Akademinë e Arteve