Ani Wilms njė emėr i ri nė letrat shqipe, i njė autoreje nė moshė tė re. Por sa e sigurt pena e saj! Ti e nis leximin e romanit Njė vrasje nė Rrugėn e Veriut, dhe, pa ditur ende asgjė pėr autoren e pėr krijimtarinė e saj, ke paragjykimin se qoftė me titullin qoftė me pėrmbajtjen autorja do tė ketė synuar nxitjen e kureshtjes sė lexuesit me premtimin e ndonjė trame policore tė rėndomtė. Por faqe pas faqeje sheh se synimet ideoartistike tė romanit rrahin shumė mė larg e mė lart.
Faqe pas faqeje na zbulohen një sërë cilësish e meritash, që tregojnë se autorja nuk kërkon një sukses të lirë, të arritur me mjetet tërheqëse të kohës, siç po shohim sot për fat të keq në shumë shkrimtarë. Në disa romane të botuara kohët e fundit, vërehet sidomos një ankth për seksin. Ndalimit të djeshëm të trajtimit në letërsi të kësaj ane të rëndësishme të jetës, siç është jeta seksuale, po i zë vendin, me një teprim të shëmtuar, një trajtim i saj shpesh herë vulgar dhe larg çdo moraliteti. Të thuash se morali shkon ndesh me seksin dhe se shoqëria moderne nuk ka më nevojë për vlera njerëzore, por vetëm për një materialitet të rëndomtë.
Ani Wilmsi, përkundrazi, bën letërsi të mirë e tërheqëse, pa pasur nevojë tu drejtohet as perversiteteve, e as një fjalori të pështirë. Me një stil të vetin, të përkorë, ku shkëlqen ironia, autorja jep me besnikëri frymën e kohës kur i ka vendosur ngjarjet dhe, po ashtu, tiparet thelbësore të personazheve historike.
Janë vitet 20 të shekullit të kaluar, periudhë e zgjedhur me mençuri për të përcjellë idenë se me gjithë largësinë kohore, mendësia shqiptare nuk ka pësuar ndonjë ndryshim të madh. Madje, në thelb, as të vogël. Është po ajo dëshirë mbizotëruese për pushtet e protagonizëm në krerët, po ato mosdurime e mungesë tolerance, po ai qëndrim apatik i masës së popullit ndaj fateve të tij, po ato biseda pa fund e pa duk kafeneve, po ajo shpresë e pritje nga të huajt
Këta, me politikat e tyre të painteresuara ndaj Shqipërisë, janë satirizuar me mprehtësi. Me tu bërë e qartë se shpresat e tyre për zbulim burimesh naftenë Shqipëri dalin zhgënjyese, u shfaqet fytyra e tyre e vërtetë, pra, që kanë ardhur në këtë vend jo për ta ndihmuar por për të përfituar.
Të bën përshtypje njohja e mirë e ngjarjeve historike nga ana e autores, e prapaskenave, e lojës politike mes përfaqësuesve të fuqive të mëdha, që, kur është puna për interesa ekonomike, nuk i bëjnë buzë as një vendi të vogël si Shqipëria.
Të bën përshtypje pjekuria e gjykimeve të autores lidhur me ngjarjet e personazhet. Në ndërtimin e personazheve, të bie në sy aftësia për të hyrë në psikologjinë e tyre, çka i bën bindës e jetësorë. Janë një kënaqësi e veçantë dialogjet, sidomos ato mes dy ambasadorëve, amerikanit Grant dhe anglezit Harris. Secili i portretizuar me humor sipas tipareve që shquajnë dy popujt përfaqësues të të cilit ata janë. Po ashtu, gjykimet plot autoritet të padiskutueshëm të Keno efendiut, një personazh tërheqës nga ata tipat që dinë tu japin dum punëve, të cilët nuk mungojnë kurrë mes masës amorfe që sështë në gjendje të mendojë me kokën e vet. Po Keno efendiu i zgjuar e praktik bën kontrast të fortë edhe me funksionarët e shtetit, si psh me ministrin e Rendit, Lluk Katundin, me dy pare mend, që do i kishin mbetur pa iu thartuar nga alkooli.
Romanin e përshkon fund e krye një fill ironie e humori, që nuk kursen askënd. As figurat e njohura historike, si Zogu e Noli, as shqiptarët e zakonshëm, që diskutonin kafeneve ditë e natë mbi bërjen e Shqipërisë, domethënë nxjerrjen e saj me rrugën më të shkurtër dhe me mundimin më të paktë nga prapambetja e shekujve drejt e në shekullin e njëzetë
Me një aktualitet tronditës janë faqet që flasin për korrupsionin e kohës. Të viteve 20 apo të sotëm? Situatat ngjajnë si dy pika uji.
Në këtë shtet askush sbën asnjë punë nëse nuk ka marrë para nga dikush
nëpunësit e ministrisë Botore, drejtori i Urbanistikës apo ata kllounët e tjerë, edhe ata paskan pritur që ti paguajmë me para nën dorë!
stili i Turqisë së vjetër. Zhvat sot çtë mund, se nesër nuk di çbëhet.
Gjatë leximit, jam ndalur herë pas here, jo nga mërzia, po përkundrazi, ngaqë më ka hipur gazi. Siç ndodh për shembull nga komiciteti që krijohet në rastin e përplasjes së dy mendësive krejt të kundërta. Konti von Kardorf, ambasadori gjerman, është i marrosur pas arkeologjisë. E gjen gjithandej ku ka gurë varresh, poçe të thyera dhe shtylla të vithisura. Por hoxhë Babrruja sarrin të kuptojë: Për Allah, këta të huajt si marr vesh kurrkund
Bridh maleve
kacavirru nëpër rrëpira e përrenj, çirru ferrave e zvarritu shpellave
Bam e bum me çekiç në dorë e me shalë përjashta, rrëmih gropa e mbush xhepat me gurë. Rri mor lalë atje ku je, në shtëpinë tënde, pi një raki, ha një çikë meze, e bëj një muhabet për lezet
Në rastin e vrasjes gabimisht të dy turistëve amerikanë, ambasadorit amerikan i zënë derën të njohur e të panjohur për ngushëllim, turma që skishin të pushuar së ardhuri. E gjithë Malësia e ndien veten të koritun, se ata dy turistë ishin në besë të gjithë Malësisë. Zakone që për një amerikan janë të çuditshme dhe qesharake. Por gjesti i zonjës së hijshme Gjadri, e përfolur, ndërkaq, për integritetin e saj moral, e kthen situatën nga komike në solemne. Kjo bijë e Malësisë, një grua elegante me një bukuri plot finesë, që flet një frëngjishte të përsosur, mësuar te motrat Stigmatine, e ndien për detyrë, megjithëse rrezikon ta njollosë më keq namin e vet, të përçojë kumtin e Malësisë. Malësia
gjendet në gjunjë, zoti Grant, asaj i kanë hedhur prangat dhe po e gjymtojnë. Por shpirtin ende sia kanë vrarë. Ju lutem në emër të saj, me gjithë përgjërimin tim, që ta besoni këtë
Vetëm kaq. I huaji të kuptojë se pas atyre zakoneve primitive, qëndron një shpirt fisnik e kalorësiak.
Pas aq shumë sherresh, katrahurash, vrasjesh, përplasjesh me armë e me fjalë, figura e zonjës Delinë Gjadri vjen në mbyllje të romanit si një puhi e freskët, e pastër, prekëse e qetësuese njëkohësisht.
Thamë se ironia e Ani Wilmsit nuk kursen askënd. Zogu, në roman Fuad Herri, del me gjithë zgjuarsinë e tij prej dhelpre që di ti bëjë mirë hesapet dhe që njeh mendësinë e realitetin shqiptar. Në bazë të kësaj llogarie ka zgjedhur edhe bashkëpunëtorët, ministra që dënojnë të pafajshëm, të korruptuar, të paditur, pa personalitet e që i bëhen urë
Kundërshtari i tij, Noli, (me emrin femëror peshkopi Dorothe), përkundrazi është me këmbë në hava. Në situata nga më kritiket, pasi është shprehur me fjalë patriotike-retorike për fatet e Shqipërisë, thonë se shkoi ti bjerë violinës. I nisur me qëllimet më të mira, idealist, por jo pragmatik e realist, e shpie, natyrisht pa dashur, në një fund tragjik të riun Nini, që sështë aspak i përgatitur shpirtërisht e moralisht të përballojë tallazet e luftës politike shqiptare dhe ashpërsinë e jetës në një vend gjysmë të egër. Në një vend ku madje edhe vrasjet bëhen tjetër për tjetër e po kështu edhe ndëshkimet.
Le të lexojmë ca fjalë patetike nga fjalimet e peshkopit Dorothe, ku ai përzien fenë me politikën: - Kur tufani e shthuri fenë, turma e shkujdesur shkon përmbytur prej turbullimeve të kësaj bote, pa i vajtur mendja se Perëndia i zgjon me kushtrime ata që harrojnë. Ndaj bëhuni gati për krismën e Perëndisë! Duhen krismat për zemrat e mpira dhe trutë e fjetur!
-Dhe ja ku vërtet, sakaq, në kishë shpërthejnë krisma
jo të Perëndisë por të revolverit të ministrit të Rendit, Lluk Katundit, që fjalët e peshkopit e kanë ngacmuar e dokëndisur keq, dhe që me ato të shtëna të kota i bën shërbimin më të keq shefit të vet, Fuad Herrit. Situata të tilla, plot komicitet në seriozitetin e tyre, i japin stilit të autores një tipar të veçantë në letërsinë shqipe. Një stil që ia del të bëjë në mënyrë të natyrshme një ndërthurje të komikes dhe seriozes, siç ndodh shpesh edhe në jetë.
Natyrisht që një roman, sado me sfond historik, mbetet gjithmonë një fiction. Do të ishte papjekuri të kërkosh aty përputhje të sakta me ngjarje e persona realë. Meritë e autores është se ka ditur të japë atmosferën e atyre viteve, tiparet kryesore të personazheve historike, shpjegimin objektiv të fatkeqësive të djeshme (por edhe të sotme) të vendit.
Nuk mund veç të thuash fjalët më të mira për përgatitjen e mirë letrare gjuhësore të shkrimtares. Kjo kulturë të shkruari të befason shumë pozitivisht te një autore kaq e re në moshë. Ajo njeh mirë edhe dialektet dhe, me mençuri e lezet, i jep çdo personazhi gjuhën e vet tipike sipas prejardhjes. Ka edhe një të shprehur metaforik të këndshëm: Amerika spërzihej më në punët e botës. Sa kishte nisur të nxirrte pak hundën nga zhgualli i vet, ajo i qe ftohur, ndaj e kishte tërhequr prapë brenda përpara se ta zinin teshtimat.
Me të gjitha këto realizime, romani Një vrasje në Rrugën e Veriut, shënon një sukses me vlerë të mirëfilltë në letërsinë e sotme shqipe. Veç të tjerash, ky roman do të ishte i rekomandueshëm, si letërsi nga më e mira, për leximet jashtëshkollore të nxënësve të shkollave.
Somario
Në disa romane të botuara kohët e fundit, vërehet sidomos një ankth për seksin. Ndalimit të djeshëm të trajtimit në letërsi të kësaj ane të rëndësishme të jetës, siç është jeta seksuale, po i zë vendin, me një teprim të shëmtuar, një trajtim i saj shpesh herë vulgar dhe larg çdo moraliteti