Mė 15 qershor hyn nė fuqi Kushtetuta e re e Kosovės! Ende nuk dihet, nėse do tė ketė zgjedhje nėntė muaj pas shpalljes sė statusit, siē parashikohet nė pakon "Ahtisaari", po opozita kosovare ka nisur tė reagojė ashpėr. Kosova sot i pėrngjan njė sistemi "kaordik", sistem i cili pėrshkruan vendin e ekuilibrit tė pėrkryer mes kaosit dhe rregullit, ku zhvillohen dhe evoluojnė gjėrat.
Në Kosovë po vihet re një disleksi, nga njëra anë kemi qeverinë e Kosovës, e cila mundohet të vërë në jetë me ato kompetenca dhe njohuri që ajo disponon shtetin e ri dhe, nga ana tjetër, kemi bashkësinë ndërkombëtare, e cila i referohet me fanatizëm pakos "Ahtisaari" në çdo hap të sajin e që kritikon shpesh shtetin kosovar për mosrespektim të pakos. Në Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës, kryeministri, Hashim Thaçi, ka shprehur se "zbatimi i pakos Ahtisaari është prioritet nacional për ne!" Sigurisht, të metat apo gabimet në zbatimin e saj, nëse ka, do të dalin në pah, në momentin e monitorimit të punës së qeverisë, siç është parashikuar pikërisht në pako. Ndërkohë, një tjetër mision hyn në fuqi në Kosovë po më 15 qershor, EULEX, i cili, me gjithë funksionin e tij të domosdoshëm për Kosovën do t'i shtohet xhunglës administrative kosovare e që nuk do ta lehtësojë jetën politiko-administrative të Kosovës e të udhëheqësve të saj. EULEX do të ketë një mandat pesëvjeçar dhe së bashku me UNMIK do të vazhdojnë të jenë në njëfarë mënyre patericat e shtetit të ri kosovar.
Kosova dhe ligji i ri zgjedhor
Sipas pakos së Ahtisaarit, nëntë muaj pas shpalljes së pavarësisë duhet të organizohen zgjedhjet e reja në Kosovë. Po a është Kosova gati për këto? A ka nevojë Kosova që të hyjë në fushatë elektorale sërish? Apo mos është në të mirën e saj që të konsolidojë ndërkohë institucionet e brishta që janë ende në ndërtim e sipër, të arrijë objektivin e diplomacisë me njohjen nga sa më shumë shtete në botë?
Një reformë e re u ndërmor nga parlamenti i Kosovës me rishikimin e ligjit elektoral, i cili duhet të votohet para datës 15 qershor, datë e zyrtarizimit të Kushtetutës së re të Kosovës. Ligji i ri elektoral do të evitojë pakënaqësitë e krijuara më parë në radhët e partive politike në Kosovë, ai do t'i japë fund të privilegjuarve në listat zgjedhore dhe rivaliteteve brenda partisë. Kjo formë e demokracisë direkte i jep liderve të partive një rol të patjetërsueshëm, sepse vota e zgjedhësve në Kosovë do të ketë vetëm një zonë elektorale që do të jetë për partinë dhe liderin. Sigurisht që roli i liderit të partisë minimizohet në forcën e tij vendosëse vetëm nga kryesia e partisë, kur të bëhen listat partiake për deputetët që do të hyjnë në parlament. Sigurisht që kjo qasje zgjedhore kërkon një përgjegjshmëri të lartë demokratike dhe politike, përndryshe lideri i partisë i ka të gjithë zarat në duar dhe mund të mbajë peng ardhmërinë e anëtarëve të partisë.
Ndërkohë, sistemi zgjedhor do të vazhdojë të jetë ai proporcional me lista të hapura, ku 30% duhet të jenë femra, sistemi parashikon karrige të garantuara për minoritetet, ndërsa pragu mbetet 5% për partitë dhe 7% për koalicionet.
Parafushatë zgjedhore, çfarë kërkon opozita?
Nga "koalicion kuqezi" Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), sot jemi ne "koalicionin e yjeve" të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe aleatëve të saj me LDK.
Ramush Haradinaj ka dalë më në fund nga qetësia, duke ashpërsuar tonet e tij ndaj qeverisë "Thaçi" dhe aleatëve të tij. Fushata e tij i përngjan më tepër një parafushate zgjedhore. Ai e quan qeveri të korruptuar qeverinë e Hashim Thaçit, pa plane konkrete, që po e çon Kosovën në qorrsokak, që nuk zbaton pakon "Ahtisaari", që Kosova drejtohet nga SHIK e që ministrat janë veç lodra ose hajdutë.
Të gjitha këto akuza a mos janë shkëndijat e para për zgjedhje të parakohshme? Zëri kritik i Ramush Haradinajt po na duket si këmbanat e erës elektorale, siç e përshkrova pak më lart, sistemi "kaordik" që i shkon kaq përshtat Kosovës në ngjizje. Sigurisht, shtetformimi nuk është një sport i lehtë e ne ndodhemi në limitin e kaosit, i cili ripërtërihet mes stanjacionit dhe anarkisë. Dhe, pikërisht, ajo që duhet të dalë qartë, është se çfarë kërkon opozita. A është ajo e vendosur ta çojë Kosovën në zgjedhje të parakohshme apo do të respektohet 9-mujori i parashikuar në pako?
Roli i opozitës dhe marrëdhënia e saj me "qeverinë e yjeve" do të jenë vendimtarë për muajt e ardhshëm, sepse Kosova përveç problemeve të brendshme ka dhe nevojën e njohjes së shtetit të ri në arenën ndërkombëtare e një atmosferë armiqësore mes pozitës dhe opozitës në Kosovë mund të dëmtojë rëndë imazhin e Kosovës në botë.
Nga Ilda Mara
Autorja është studiuese dhe këshilltare pranë revistës franceze "Politique Internationale"
gazetatema.com