TIRANE-Vendi ynė ėshtė anėtar i Korporatės Islamike pėr Zhvillimin e Sektorit Privat, pjesė e grupit tė Bankės Islamike tė Zhvillimit.Marrėveshja ėshtė nėnshkruar nga zėvendėsministri i Financave Sherefedin Shehu dhe presidenti i Bankės Islamike tė Zhvillimit
Nga dita e premte, vendi ynë është anëtar i Korporatës Islamike për Zhvillimin e Sektorit Privat, pjesë e grupit të Bankës Islamike të Zhvillimit. Këtë e ka njoftuar drejtori i përgjithshëm i Korporatës, Khaled Al-Aboodi gjatë punimeve të Asamblesë së 8-të të Përgjithshme, që u zhvillua pas takimit të 33-të të guvernatorëve të Bankës Islamike në Xheda të Arabisë Saudite. Marrëveshja është nënshkruar, nga pala shqiptare, nga përfaqësuesi qeveritar, zëvendësministri i Financave Sherefedin Shehu dhe nga pala islamike, nga presidenti i Bankës Islamike të Zhvillimit, dr. Ahmed Muhammad Ali.
Ligji islamik
Al-Aboodi deklaroi për mediat me këtë rast, se Korporata ofron ndihmë për zhvillimin ekonomik të sektorit privat ndaj vendeve anëtare në përputhje me kërkesat e ligjit islamik - "Shariahut". Në këtë mënyrë, qeveria shqiptare po ndërmerr një hap tjetër në drejtim të përdorimit të financimeve nga bota arabe, kushtet e të cilave, në shumicën e rasteve, ndryshojnë shumë nga ato të botës financiare perëndimore. Këtë vit, për herë të parë, Ekzekutivi ka nënshkruar një hua islamike për financimin e segmentit rrugor Kalimash-Rexhepaj, me gjatësi 5.6 km, që përbën një nga pjesët më të vështira të rrugës Durrës-Morinë. Huaja "Istisna'a", e dhënë për këtë segment rrugor, është me terma tregtare dhe treguesit kryesorë të saj janë shuma 30 milionë USD, ekuivalenti i 20 milionë dinarëve islamikë; periudha e shlyerjes 12 vjet, përfshirë një periudhë "grace" prej 3.5 vjetësh, ndërkohë që interesi aplikohet mbi shumën e huasë së disbursuar dhe është në nivelin e 5.1 përqindëve, kurse periudha e zbatimit llogaritet 3 vjet.
Ky ishte rasti i dytë kur institucione të shtetit shqiptar pranuan kushte të ligjeve të huaja. Kontrata me "Bechtel&ENKA-n" është hartuar dhe po zbatohet në përputhje me kërkesat e ligjit anglez.
Financimet
Por ishte hera e parë që nga shteti shqiptar pranohej një hua me kërkesa sipas ligjit islam të Shariahut. Ndonëse vendi ynë është anëtarësuar prej kohësh në Konferencën Islamike dhe bën gjithashtu pjesë në Bankën Islamike të Zhvillimit, marrja e huave të tilla është shmangur, në një kohë kur Shqipërisë i ofroheshin, për vite me radhë hua nga Banka Botërore e institucione të tjera ndërkombëtare me përqindje shumë të ulëta interesi.
Tani, kur vendi konsiderohet se po del gradualisht nga tranzicioni, për të hyrë në kategorinë e vendeve në zhvillim, qeveria Berisha po kërkon me çdo mjet të sigurojë hua për programin ambicioz, por tepër të kushtueshëm, për investimet në infrastrukturën rrugore, në radhë të parë. Në këto rrethana, sytë e qeveritarëve janë drejtuar edhe tek huatë sipas ligjeve të Islamit.
Problemet
Kur u diskutua në Kuvend marrja, për herë të parë e një huaje me terma islamike, Erjon Braçe, nënkryetar i grupit kuvendor të PS-së, ka tha se kontrata sipas ligjit islamik, që qeveria ka arritur me Bankën Islamike për Zhvillim për ndërtimin e segmentit Kalimash-Rexhepaj, është tepër e shtrenjtë. "40 milionë dollarë, kredi për 5.6 kilometra rrugë; 30 milionë dollarë të kësaj kredie janë me terma tregtare të fortë dhe 10 milionë me terma të buta. Ndërkaq, ligji i kontratës nuk do të jetë, as ligji shqiptar, as ndonjë ligj tjetër ndërkombëtar, përkundrazi, thuhet se kjo marrëveshje do të rregullohet dhe interpretohet në përputhje me të drejtën islamike", - tha Braçe, duke shprehur kundërshtimin nga partia e tij për miratimin e kontratës.