Nė mes tė Xhamise sė Vjeter dhe tė zyrave tė Vakėfit mu paraqit pamja ndėr ma tronditėset dhe madhėshtoret tė njė populli, qė e ka nda me vdekė: ishin nja 50 katundarė tė rretheve tė Tiranės, nė brekushe, tė rreshtuem, si fėmijė shkolle, dy nga dy. Krahas me ta, ecte njė civil nė moshė tė mesme, nė pallto dimri tė shpėrthyeme, me ēadėr nė dorė. Mėsues ose kryetar komune.
Në mes të Xhamise së Vjeter dhe të zyrave të Vakëfit mu paraqit pamja ndër ma tronditëset dhe madhështoret të një populli, që e ka nda me vdekë: ishin nja 50 katundarë të rretheve të Tiranës, në brekushe, të rreshtuem, si fëmijë shkolle, dy nga dy. Krahas me ta, ecte një civil në moshë të mesme, në pallto dimri të shpërthyeme, me çadër në dorë. Mësues ose kryetar komune. Ky, çdo 10-15 hapa, i dilte rreshtit përpara, dhe, tue shkue mbrapa e tue çue të dy duert me çadër nga qielli, bertiste disa fjalë të pakuptueshme. I gjithë rreshti, pa u ndalë, i pergjigjej, duke perseritë, një zani, ato që thoshte ai.
Diçka më gozhdoi në vend. Tue shikue këtë njeri, me pallton e hapur, kur mbante duart nalt, me çadrën që hidhte në erë, mu përfytyrue, si pas përrallës së vjeter, engjëlli Gabriel, me shpaten e flaket në deren e parajsës, pas dëbimit të Adamit...
Ndërsa ata më kalonin perpara, thashë me zë të naltë: Jo, populli shqiptar nuk vdes! Jo, italiani besëthyes nuk do të zbresë, e, në zbritët, nuk do të dale gjalle nga toka shqiptare!
Smu durua ma ... U hodha në mes të tyne, dhe, nën hapin e këtij shqiptari të vogel - shprehje vigane e mishërueme e popullit shqiptar - hymë me hapa, me të vërtetë burrnore, në Komandë. Mu duk së e tanë Shqipnia paraqitej vullnetarisht për flijimin e fundit: për jete e liri, për emnin shqiptar.
Në shtëpi nuk mund të shkohej, pse urdhëri i nisjes për në vendin e luftimit mund të vinte papritmas. Më duhej, pra, të kujdesem për drekë. Keshtu, u largova pak. Prej dyqaneve, që jane afer Xhamise së Vjetër - që perfaqesonte, atë dite, fundin e botes sime - vetëm furra ishte hapur. Hyra brenda. Buka e grurit, e gjitha, ishte marrë për ushtrinë; po ashtu për ushtrinë ishin tu u përgatitë të pjekunat e tjera. Më erdhi mirë kjo mungesë. Bleva bukë misri, të gatueme keq, të pjekun edhe ma keq. Edhe me këtë u kënaqa shumë. Të parët tanë, në rastet si ky, mendova, as kaq skanë pasur.
Radio e një lokali aty afër ishte duke dhane lajmin e Romës: " ... zbritja e ushtrisë sonë u krye pa veshtirësi ... Ushtria dhe Këmishat e Zeza përparojne në brendinë e vendit, pa kundershtime ...Popullsia, tue brohoritë, i pret me gëzim ... një kundershtim i parandesi u paraqit në Durres, e në rrugën Durrës-Tiranë, prej një çete kriminelësh ... Zogu ua ka dhanë kambëve ... "
I mbylla veshët. Tue e quejtë popullin shqiptar çetë kriminelësh dhe Mbretin tonë re fugiasco (mbreti ikës. shën ynë), të turpnuemit e Caporetto-s mendojne se theksojnë trimninë, që s e paten kurre. Nuk di së si u gjeta përpara Komandës.
Aty hasa në A.G. Mezi e njofta. Nuk ishte, jo, si e pata parë natën e kalueme, në kalë, as në uniformën e naltë e me çizme që llamburisnin. A.G., trim i Mbretit, pa ushtarë, pa komandë, pa kordonin e artë, ishte i keq, porsi dreqi i dalur prej ferrit. Një pallto ushtari e thjeshte, e gjatë, ia fshehte trupin krejtesisht. në dore mbante pushken. Me të ishin fëmijtë e tij, dy vajza dhe djali, me nga një pelerine ushtarake dhe nga një torbë krahëve. Edhe këta, megjithse të tre në mes të 12-16 vjeteve, kishin nga një pushkë. Ushtri e vogël për një komandant të tillë, thashë me vete. Mu duk një gjeneral i mundur, i shkatërruem, që kthehet pas thyemjes së ushtrisë. Në të vertete, ai vinte drejt nga shtëpia. Ndërkaq, në oren 3 u ndal para Komandes një auto e vogël ngjyrë hiri.
Prej saj doli Bazi i Canës. Nuk u besova syve. Si asht e mundun që një komandant të largohet nga sheshi i luftimit, sot? A mos i përshtatet këtij më mirë ajo që mendova për A.G.? Ardhja e Bazit këtu, a mos asht paralajmim i mbërritjes së italianëve në kryeqytet? Sa mendime e pyetje të ketilla me kaluen nëpër mend! Ai me vrap hypi shkallet e Komandes. Iu vuna mbrapa. Ai hyri në dhomën e Komandantit. Dy oficerë të rinj dolën. Dera u mbyll. Oficeret e Komandes nuk ditën ose nuk deshen me më thanë gjë. Me dukej së koka ishte tue më plasë, si të kisha pasë brenda një bombë të ndezun. Dola jashte.
Nje tjetër auto, e madhe dhe luksoze, u ndal para Komandës. Zbriti Ministri J, i cili, si gjithnjë, me kokë ulun dhe me shkop në dorë, hyni brenda. Shoferi i tij kishte pushkën ndër kambë. Iu afrova. Me njifte. Më tha se ministri ynë kishte aty një takim me Jaccomonin. Nuk e besova. Hyra pra, në Komandë edhe une. E pyeta oficerin flegmatik. Me tha së Ministri asht në dhomën e sekretarise. U shtyva deri atje, futa kokën dhe, me të vërtetë e pashe: ishte ulur pas tryezës, si të ishte në zyren e vet. U ktheva, dhe, kur isha përpara dhomes së pritjes, u duken në derë tre burra, të përcjellun prej disa ushtareve me pushkë në krahë e bajonetë. Ishin, siç më thanë, Jaccomoni, Gabrielli dhe konsulli italian. Oficeri flegmatik i priti dhe u priu deri në dhomën ku priste J., pastaj u kthye. Ushtaret shqiptare mbeten në oborr.
Dera e dhomës ku ishte Ministri shqiptar me fytyrë lypësi, u mbyll pas tre italianëve: shenjë e padyshimtë së fatet e Shqipnisë ishin tashmë në duart e ushtrisë italiane ...
Çka u bisedue në atë ore, ma të zezen në jetën e gjatë të popullit shqiptar?
Në emër të kujt foli dhe për llogari të kujt foli dhe mbi çka foli Ministri ... gabova, ish-ministri i ish-shtetit shqiptar?
Dola jashte, pa ditë pse dal, pa ditur çka të baj. U nisa, të katërten herë, për në Tiranën e re. Mberrita, këtë here, me të vertete. Pashë Gj.K., miku im i dashur, kishte të drejte! Në sheshin e gjerë, që shtrihet prej ures së re, në mes të shtepive të disa njerezve të mëdhenj, deri në kodrat, ishin të shpërndare më shumë se 15 automobila. I njoha pothuej të gjitha makinat, së të kuj ishin. Të zotët e tyne ishin mbledhë në Tiranën e re, duke lanë shtëpite e veta, për tiu shmangë bombardimit, në qofte së ndodhte. Nga ana tjetër, u kishin dhënë urdhër shoferave të rrinin të shpërndamë, që të mos kuptohej shtëpia e mbledhjes së tyre!
Shumë kohë më vonë mora vesh së Mbreti, ditën e 7 të Prillit, e kaloi nëpër shtëpitë e ndryshme të Tiranës së re, në shoqni edhe të Xh.Y. Mund të jete kështu. Mbreti e ka pasur cilësinë e larte të rrethohet me keshilltarë që e kishin në zemer të miren e popullit, me njerez të ndershëm fort, të mençur e me ndjenja burrnore e kombetare. Pra, Xh.Y., ditën e fundit të jetes së popullit shqiptar, ska mundur me mungue përkrah Zogut ... As Mefistofeli, në disa raste, si ndahej Faustit...
Ne rrugen 28 Nanduer u ndesha prap me një xhandar të shoqëruar prej një nxënësi. Besonin, të shkretet, së kryenin një detyre patriotike. Kur e mendova këtë gja, me nerva të lodhuna e i plogështuar, u turbullova, madje edhe më keq, u terbova. E humba zotërimin e vetes.
... Erdha në vete. Pata turp. Ngadalë u ktheva sërish në Komandë. Nëpër shkalIët e drurit ishte ulur një nga nipat e Mbretit. E lashë të kalojë. Unë vetë nuk hyra brenda. Hyra nën shkallët, tue u fshehë në një gjysme terri të ëmbeël. Aty shfryva mirë ... Qava, qava, qava...
... Dielli kishte kalue më shumë se gjysmën e tatepjetes së vet. Në kopshtin përpara Komandës kishin ngelur pak nga bukuroshët e mëngjesit. Edhe këta, të lodhë së prituri, ishin shtrirë mbi bankat. E çuditshme ishte ajo ditë! Dikush e priste natën me padurim, dikush derdhej pas një mrekullie, që të mos mbarojë kurrë!
Para deres së oborrit të Komandës, duke u shtirë sikur ruanin shtepinë mbretnore, që sishte më tjetër veçse një plaçkë e ardhshme terheqese për ata që rrinin shtrirë nëpër bankat e kopshtit, dy ushtarë - hije të një shkëlqimi dikur sa të mjerë e aq të pavend, sot të perënduem, vazhdonin me hedhë pluhur syve njerëzisë së Tiranes.
Auto e Bazit ishte ende para Komandës. U shtyva deri te Xhamia. Avionët italiane sfluturojshin ma. As radio, as xhandarme, as nxanës. Qetësi shkretie, e frikshme, përpijëse; heshtje vorresh të harrume.
Nga rrugicat e pazarit të vjeter doli një grup, i përbëre prej tiranasve dhe një ushtari të paarmatosun. Shkojshin me nxitim nga Komanda. U shkova mbrapa. Hynë në Komandën e Gardës. Hyra pas tyne. Në dhomën e oficereve mora vesh së ishin dy furrtare. Njërit iu dha porosia për 1200 bukë, tjetrit për 800. Këto duhej tu dërgohen sa ma parë ushtarëve vullnetarë në Vorrej, Hani i Babajt dhe Milot. Autorët e mirë kanë kujdes që aktin e fundit të një komedie, përpara shkatërrimit të saj, ta paraqesin sa ma komik. Po të me ishte kujtue ky rregull, do të më kishte ra ndër mend së keto porosi do të jenë si ... të porosituna për barqet e zbrazura italiane. Por mue, me ndodhi e kunderta, ashtu si me ndodhi për çdo gjësend të asaj dite. Pra ... paskam qenë i gabuem, mendova. Me të vertete, italianeve po u gatuhen disa kurthe të mira. Buka nuk porositet kot. Nisja jonë në front asht lanë, ndoshta, për muzgun e parë.
U trimnova. Ndërkaq dera e dhomes së Komandantit u çel. Dolën Komandanti e Bazi i Canes. Me hapa të shpejtë kaluen paradhomën, u ulën poshtë, hynë së bashku në një auto dhe u larguen. I këputur nga trupi, i lodhur nga trutë, kalova afër një orë në kopësht. Pak para perëndimit të diellit, Komandanti me Bazin u kthye. Të dy hypën në Komandë. Duke besuar se jemi përpara çastit të fundit, pas 12-13 orësh pritjeje, vrapova në Komandë, mora shokun tim dhe, bashke me të, erdha në hyrjen e Komandes. Ashtu në kambe, zumë vend në mes të kolonave. Nuk pritëm shumë. Komandanti dhe Bazi dolën, prapë vetëm; kaluen me shpejtësi buzë nesh dhe secili hypi në auton e vet. makinat u nisën. A kishim shpresë?
Besa-bese, nuk e di. Mu duk se trupi mu gjet në një atmosfere akulli, që ma pershkonte gjoksin dhe ma rrethonte zemren. E shikova heshtësisht shokun tim. Buzet i ishin ma të bardha së balli. Drejtimin e syve, të përmjegulluar me kujtimin e ëmbel të një ëndrre të këputur, e kishte ngulë, me mall e dhimbje në largesi, si pas një iluzioni që zhduket.
- A thue, do të kthehet? - pëshpëriti. - Po! - i thashë.
Dyshoj së ma dëgjoi përgjigjen. Duke mos ditur çka me thanë, solla kryet nga Legata italiane. Dyert dhe dritaret ishin të mbyllura, flamuri italian valonte lart në shtizë.
- Kush e di, pse e kanë lanë atë flamur! - thashë, sa ma qetesisht që munda, me zë të lartë, me qellim që të nderprisja atë heshtje të tmerrshme, në të cilën trutë nuk na punojshin.
Shoku im nuk shikoi, as tha gjë. Një zog mbi murin e ulët të Namazgjahut, lëshoi një za të pakëndshëm, duke e ulur e çuar bishtin. Të dyve sytë na mbetën të ngulur në te. Paralajmëronte, edhe kjo, - siç beson populli - ardhjen e ... miqve për atë nate ...
- Shpend i mallkuem! - bërtita dhe çova dorën, si të hidhja gurin. Nuk luajti vendit. Aty, para nesh, në truallin e ngushte gjatë murit të Namazgjahut, kulloste një pelë me mazin e vet. Ky, i shqetesuar prej zanit të zogut, çoi kokën dhe, pasi e shikoi plot habi, iu drejtua, si të kishte dashur ta njihte për së afërmi atë gjë të çuditshme. Zogu fluturoi. Kështu, shpëtuem prej tij. Por heshtja e randë prapë ra mbi ne, dhe rreth nesh ... Dielli ishte në perëndim. E çka pritnim më? Atë çka mund të presë i hedhuri në një det, pas një permbysjeje anijeje...
Ne vete ndjeja një zbrazëti.të pambushshme dhe një të ftohtë me të dridhura deri në palcë. Mbahesha, por shihja sa ajo gjendje ishte e padurueshme.
Ishte e padurueshme, ajo gjendje, por ndërroi. Shoku im më kapi për krahu, duke ma shtrenguar aq sa ndjeva dhimbje. E shikova. Me tregoi me sy - ndërsa buzet i luanin, pa shqiptue gjë - shtëpinë e motrave të Mbretit. Ushtarët, që kishin qëndruar roje gjithë ditën rreth saj, kishin ulur pushkët dhe ishin duke heqë bajonetat. Kur e mbaruan këtë punë, qetësisht, dhe jo me hapa ushtari, shkuan në shtëpinë përdhese aty afer, që u shërben si banesë. Nuk u zëvendësuen prej të tjerëve ... Shikuem rreth nesh. Roja e Komandes dhe ato të oborrit të Mbretit ishin largue ...
Kuptuam ... që një mbretni, e lindur një mëngjes në mes të gjëmimit të topave dhe të brohoritjes së popullit, po perendonte bashkë me diellin, në një heshtje varri, të thyer vetëm prej mbylljes së pesë bajonetave të ndryshkuna dhe këngës së shqyer të një zogu rrugaç ...
Shkruan : Revista Mapo