Sot, nė pėrvjetorin e shtatėmbėdhjetė tė Partisė Socialiste, dua pėrsėpari t'i kėrkoj ndjesė ēdo dashamirėsi e dashamirėseje qė mendon se s'kemi bėrė sa duhet pėr tė qenė nė lartėsinė e pritshmėrive tė tyre. Padyshim mund tė bėjmė mė shumė - patjetėr mė shumė do tė bėjmė.
Sot, në përvjetorin e shtatëmbëdhjetë të Partisë Socialiste, dua përsëpari t'i kërkoj ndjesë çdo dashamirësi e dashamirëseje që mendon se s'kemi bërë sa duhet për të qenë në lartësinë e pritshmërive të tyre. Padyshim mund të bëjmë më shumë - patjetër më shumë do të bëjmë.
Viti që iku qysh prej 12 qershorit të shkuar ka qenë i jashtëzakonshëm për ne. Kurrë më parë një parti politike shqiptare s'ka jetuar mes njerëzve dhe s'ka komunikuar me problemet dhe aspiratat e tyre siç ka bërë Partia Socialiste gjatë këtij viti. S'ka qenë e lehtë. S'është dhe s'do të jetë e lehtë.
Fatkeqësisht, tradita opozitare në Shqipëri deri më sot ka qenë ndryshe. Opozita ulëritëse e luftës për pushtet me çdo çmim e mjet është ngulitur thellë në kujtesën tonë kolektive. Përgjegjshmëria politike dhe komunikimi etik barazohen lehtësisht me dobësinë. Politika e hedhjes së përditshme të gjyleve të baltës nga barrikadat e opozitës ka krijuar e skalitur në sytë e njerëzve modelin më të prapambetur të kurajës, forcës e rezistencës. Edhe pse të neveritur nga politika e vjetër, njerëzit bien padashje në kurthin e krahasimit mes "butësisë" sonë dhe egërsisë tradicionale. Trajtimi i kundërshtarit si armik është tharmi i një kulture politike që kemi marrë përsipër ta refuzojmë e transformojmë.
Qëllimi ynë është të realizojmë standarde evropiane jo vetëm në qeverisje, por në politikë, ku sfida e standardeve është shumë herë më e vështirë. Këto standarde të vetmin ushqim kanë idealizmin dhe përgjegjshmërinë e lidhur me interesat e atdheut të të gjithëve, e jo të një pale. Deri më sot kjo sfidë është shmangur nga çdo parti politike shqiptare, jo vetëm sepse është ndjerë e paaftë për ta çuar deri në fund, por sepse llogaria e parë dhe e vetme për partitë politike në Shqipëri ka qenë matematika e votave. Ne kemi marrë përsipër të mos i shmangemi kësaj sfide të sfidave, duke vënë mbi llogaritë afatshkurtra parimet dhe vlerat e një politike të re.
Bëj pjesë ndër ata që besojnë se gjendja e rëndë ku ndodhet shoqëria e shteti ynë është edhe rezultat i faktit se partitë kanë menduar si ta fitojnë pushtetin, jo si të mirëqeverisin; si ta rrëzojnë "armikun" në pushtet, jo si të zmbrapsin varfërinë, papunësinë, injorancën; si ta ndajnë shtetin mes partive, jo si ta ndërtojnë atë jashtë kontrollit partiak a shumëpartiak. Si të shfrytëzojnë ndjeshmëritë popullore për papunësinë, varfërinë, korrupsionin vetëm e vetëm për të fituar më shumë vota. Rotacioni politik ka ndodhur kur votuesit janë lodhur me veset e pushtetarëve apo kur kanë ndodhur gjëma kombëtare për shkak të këtyre veseve, por asnjëherë rotacionin nuk e kemi parë të ndodhë kur një alternativë më e mirë ka fituar mbi një alternativë më pak të mirë.
Gjithë ç'kemi bërë gjatë këtij viti ka synuar një qasje të re për të zgjidhur probleme të vjetra. Pa përmirësuar procesin e degraduar politik, pushteti është vetëshkatërrues, fitorja mbi "armikun" është fillimi i humbjes sonë, ndarja e shtetit mes partive është një avaz s'mund e s'duhet të përsëritet më. Kemi gjetur kurajën për ta thënë, forcën për ta zhvilluar dhe rezistencën për të mos u tërhequr nga kjo rrugë. Të vetëdijshëm se pushteti s'është qëllimi, po mjeti ynë për të shëruar Shqipërinë. Të bindur se fitorja jonë e vitit të ardhshëm duhet të jetë fitorja e qytetarëve e qytetareve pa pushtet, jo kalimi i një pushteti abuziv nga disa duar në disa të tjera. Të gatshëm që të dëgjojmë shqiptarët e shqiptaret dhe të shkruajmë me ta një Program të Ri për Shqipërinë.
Nismat dhe aksioni ynë politik i këtij viti të shtatëmbëdhjetë të familjes së socialistëve kanë dëshmuar se interesat e vendit janë busulla jonë, interesat e bashkëqytetarëve tanë janë shtysa jonë. Interesi i Partisë Socialiste është të mishërojë interesat e shoqërisë sonë. Dialogu me Shqipërinë na ka treguar sesa shumë kemi për të dëgjuar nga njerëzit. Dhe sesa shumë kemi ende për të bërë për ta kthyer politikën nga një zanat politikanësh në një angazhim qytetarësh; Nga një shfaqje bajate personazhesh të stërlodhura në kutinë e televizorit në një hapësirë pa kufij e mure ndarëse, ku çdo qytetar i këtij vendi mundet jo vetëm të flasë, po edhe të dëgjohet; Nga një inerci e së shkuarës që na ndan, në një thirrje të së ardhmes që na bashkon.
Një tjetër kapitulli qeverisës po i vjen fundi. Përtej fakteve, shifrave e retorikës politike, Shqipëria e sotme nuk është më e mirë sesa ajo e para tre vjetëve. Nuk ka më shumë punë e shpresë, ka më shumë të papunë e të pashpresë. Qyteti vuan nga shteti i korruptuar, fshati nga mungesa e plotë e shtetit. Varfëria zgjat hijen e saj mbi familjet shqiptare, çmimet e ushqimeve rriten bashkë me borxhet në listat e dyqaneve, të rinjtë vuajnë mungesën e perspektivës, të moshuarit mungesën e kujdesit të shoqërisë. "Shkollat s'mësojnë, spitalet s'shërojnë", thuhet nëpër Shqipëri.
Një kapitulli të ri po i vjen rradha. Është kapitulli ynë dhe duhet të jemi gati ta shkruajmë me duart e fëmijëve që meritojnë çerdhe, kopshte e shkolla të denja për amanetin e rilindësve tanë. Me duart e të rejave e të rinjve që duhet të marrin jo vetëm një diplomë apo zanat, po duhet të kenë edhe shansin të punojnë për vete e për një atdhe mundësish të barabarta e dëshirash të realizueshme. Me duart e burrave e grave që duan të jetojnë me punë të ndershme, në qytet a në fshat, në Veri a në Jug, në një Shqipëri ku asgjë nuk është e pamundur. Me duart e më të moshuarve që meritojnë të respektohen për gjithçka bënë për një vend që s'duhet të harrojë ata që ranë për lirinë e tij, ata që u vranë a persekutuan për lirinë e të drejtat e njerëzve të tij, ata që gjatë gjithë jetës luftuan e punuan për zhvillimin e tij.
Por ndryshimi nuk vjen vetë. Ndryshimi nuk vjen duke pritur momentin apo personin e duhur. Ne jemi ndryshimi që kemi pritur kaq gjatë. Sot është dita për t'ju ftuar të besoni jo thjesht tek aftësia ime për t'ju udhëhequr në rrugën e ndryshimit, por tek aftësia juaj për ta bërë të mundur ndryshimin.
I nisa këto radhë me një ndjesë e dua t'i mbyll me një falënderim për të gjithë ata që kanë kontribuar në rritjen e ndjeshme të Partisë Socialiste. Për të gjithë anëtarët e kësaj partie që me përkushtimin e tyre i japin familjes sonë politike energjinë jetësore për të fituar çdo sfidë. Për të gjithë përfaqësuesit tanë në Kuvendin e Shqipërisë që i kanë dhënë zë me dinjitet e kompetencë atdheut real. Për të gjithë përfaqësuesit e socialistëve në Asamblenë Kombëtare që kanë shkuar në çdo skaj të vendit për të rigjallëruar çdo qelizë të organizmit tonë politik. Për të gjithë kritikët tanë që edhe kur gabojnë na ndihmojnë të mos kënaqemi asnjëherë me çfarë bëjmë. Pse jo edhe për të gjithë kundërshtarët tanë, të përhershëm apo të përkohshëm, pa të cilët s'do të kishte garë për t'u bërë më të mirë e më të denjë për njerëzit e për Shqipërinë.
Nga:Edi Rama