Njė kobure bronzi e vitit 1830, qė mban dy shqiponja njė nė dorezėn e ēarkut dhe tjetra mbi dorezė. Ėshtė njė nga armėt e rralla tė prodhuara nė punishten e familjes Ēefa, nė Hajmel tė Shkodrės.
Është një grykësh me tytë çeliku dhe trupin të derdhur në bronz dhe ka disa dëmtime të riparueshme. Gjithashtu, është edhe një revolver i përdorur nga femra, që i përket 1850. Eshtë dygrykësh, një punim artizanal, me dorezë druri të punuar tërësisht me dorë dhe pjesa tjetër e derdhur në çelik. Veç tyre dhe gjashtë armë të tjera, kobure, pistoleta, pushkë e shpata do të ekspozohen nga nesër në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar. Janë pjesë e koleksionit të Ilir Dojkës, një 33-vjeçar, i dashuruar me historinë. Ka shtatë vjet që merret me koleksione të tilla armësh, i cili deri tani numëron 18 të tilla, të cilat i ka të gjitha me leje, por jo vetëm me armë. Veç tyre ka një koleksion të pafundmë sportiv, e gjithashtu edhe monedha të rralla, libra të rrallë... para publikimit në ambientet e muzeut, gazeta Panorama dispononin ekskluzivitetin e ekspozimit të tyre.
Arma e panjohur e familjes Çefa
Koburen e bronztë, Ilir Dojka tregon se e ka blerë për 20 mijë lekë në pazarin e Krujës, ndonëse të dëmtuar disi. Por për nga historia që ka kjo armë vlen më tepër se shuma. Ai e ka pastruar tashmë, ndonëse nuk e ka restauruar tërësisht, thotë se ajo është e rrallë. Është e rrallë sepse është e para armë që ekspozohet dhe del në dritë nga prodhimet e punishtes së njohur të armëve Çefa. Studiuesi Jaho Brahaj, që e njeh mjaft mirë historinë e kësaj punishteje tregon se ajo e ka nisur punën që në shekullin e XVI, kryesisht për punimin e armëve të zjarrit. Sipas Brahos, është interesante se nuk është në një qendër urbane, siç ishte punishtja e Beratit, Tetovës, Prizrenit a Shkodrës, por ndodhet në fshat Hajmel në afri të Vaut të Dejës dhe Mjedës. Këtë punishte e kishte një familje e madhe e Zadrimës dhe më i përmenduri i tyre është Teto Milla, emri që gjendet edhe në dokumentacion. Por në të vërtetë emri i tij është Shtjefën Milla. Punishtja ka vazhduar të prodhojë armë të një cilësie shumë të mirë, deri në fillim të shekulli XIX, që nga 1850 pasardhësit e kësaj familje, që ishin punues të mrekullueshëm të metaleve dhe kryesisht të armëve, janë zhvendosur në Shkodër dhe janë marrë edhe me tregti. Pasardhësit ekzistojnë edhe sot e kësaj ditë në Shkodër me mbiemrin Çefa, bën me dije studiuesi, për të cilën kjo armë është një relikte e veçantë e traditës së mjeshtërisë së prodhimit të armëve shqiptare, e cila për fatin e mirë ka edhe shqiponjën dykrenare që është emblemë edhe e punishtes së familjes Çefa.
Flamujt shqiptarë të para 1912
Por ekspozimi i këtyre armëve të rralla e ka një qëllim. Koleksionistët dhe bukinistët shqiptarë janë mbledhur së bashku dhe me rastin e muajve të kulturës Shqipëri-Kosovë do të hapin një ekspozitë dyditore me objekte të rralla, me rastin e 130-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Sipas ideatorit të kësaj ekspozite, koleksionistit dhe studiuesit, Shpëtim Sala, i cili ka kohë që punon për këtë aktivitet tregon se synimi i kësaj ekspozite është që të na transmetojnë një panoramë të ngjarjeve dhe zhvillimeve pas LSHP, të cilat çuan në ndërgjegjësimin e kombit shqiptar, drejt luftës dhe përpjekjeve fillimisht për autonomi dhe në vitet 1910-1912 në luftë për liri e pavarësi. Dhe sipas Salës, objektet që janë përzgjedhur nga koleksionet private dhe do të publikohen për herë të parë janë të veçanta. Veç armëve, ekspozohen për herë të parë edhe emblema e klubit Gjuha Shqipe, në Shkodër, punuar në mëndafsh në vitin 1910. Në emblemë është vendosur simboli i shqiponjës dhe figurat e Vaso Pashës, Naum Veqilarxhit e Sami Frashërit. Por pjesë tjetër interesante e ekspozitës janë edhe disa fotografi origjinale të patriotëve shqiptarë, çetave të luftëtarëve për liri e pavarësi, kuvendeve, klubeve e shoqërive patriotike, shkollave të para në gjuhën shqipe etj. Por një tjetër kënd është dhe ekspozimi i disa flamujve të rrallë shqiptarë të periudhës para dhe pas shpalljes së pavarësisë, vulat dhe stampat për prodhimin e simbolit shqiptar në kartolina të kohës. Fotografitë origjinale për Lidhjen Shqiptare të Prizrenit janë të pakta në numër. Për këtë kohë ekzistojnë rreth tre apo katër të tilla. Njëra e realizuar nga Pjero Marubi që paraqet delegatët që nisen për në Prizren, një foto e orkestrës frymore të Palok Kurtit që mban vitin 1878 si dhe fotografi të delegatëve të Prizrenit me Ali Pashë Gucinë, të cilat nuk dihet se kush i ka realizuar.
Ekspozimet e tjera
Organizatorët e kësaj ekspozite kanë vendosur që tematika e saj të jetë e gjerë, ku do të evidentohen vitet 1878-1881, përpjekjet për të hedhur poshtë traktatet e fshehta të Fuqive të Mëdha, të cilat binin ndesh me interesat jetësore, kombëtare, bashkimi i shqiptarëve në një njësi të vetme autonome pa dallime fetare e krahinore. Kontributi i rilindësve në zhvillimin kulturor të popullit shqiptar. Organizimi dhe veprimtaria e klubeve dhe e shoqërive patriotike. Zhvillimi i arsimit në gjuhën shqipe. Orkestrat frymore shqiptare si transmetuese të ideve dhe mesazheve në shërbim të ngritjes së frymës patriotike. Fotografët e parë shqiptarë, fiksues të zhvillimeve historike, ngjarjeve, figurave patriotike e veprimtarive të kohës. Shtypi patriotike brenda dhe jashtë vendit, kontributi i tij deri në shpalljen e pavarësisë. Flamuri kuq e zi simboli i kombit shqiptar në vitet e LSHP si dhe kongresi i Manastirit. Ndërkohë, koleksionistët që marrin pjesë në këtë ekspozitë vijnë nga Tirana, Korça, Burreli dhe Shkodra. Por janë të ftuar për të qenë prezent edhe Prof. Parim Kosova, Drejtor i Kompleksit Muzeal të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit i cili do të ekspozojë në një stendë të veçantë foto nga periudha e LSHP si dhe Prof. Xhemi Hajredini nga Struga, udhëheqës i departamentit për veprimtari shoqërore në Komunën e Strugës.