Mė 15 tė kėtij muaji pritet tė hyjė nė fuqi Kushtetuta e Kosovės. Gjithsesi, edhe kjo datė do tė konsiderohet shumė e rėndėsishme nė historinė tonė mė tė re. E vėrteta ėshtė se Kushtetuta e Kosovės, tani pėr tani, ngėrthen nė vete tė meta jo tė vogla, mirėpo pėr momentin kjo do duhej konsideruar si diēka e dorės sė dytė.
Pas flamurit e himnit, vendit po i shtohet edhe një element shumë i rëndësishëm apo i domosdoshëm për funksionimin e shtetit ligjor. Mirëpo në prag të hyrjes në fuqi të Kushtetutës së Kosovës, qytetarët e vendit janë para dilemash të mëdha. Siç dihet Kosovën edhe pas shpalljes së pavarësisë së saj ende po e udhëheq UNMIK-u, një mision tjetër ndërkombëtar (EULEX-i) ka më se tre muaj që është instaluar në Kosovë.
Kosova e ka edhe qeverinë e saj, si rrjedhojë mund të themi se në vend kemi një përplasje kompetencash, mirëpo fatkeqësisht sipas të gjitha gjasave gjendja do të jetë në të njëjtin stad edhe pas 15 qershorit, atëherë kur edhe pritet të hyjë në fuqi Kushtetuta e Kosovës. Nga qarqe të ndryshme flitet për një rikonfigurim të misioneve ndërkombëtare në Kosovë, ku mendohet se roli i këtyre misioneve do të jetë më tepër monitorues, mirëpo a do të jetë në të vërtet vetëm monitorues roli i këtyre misioneve ndërkombëtare pas 15 qershorit, mbetet të shihet.
Duke e marrë në konsideratë gjendjen kaotike që mbretëron në veriun e Kosovës, ku nuk në fakt sundon kontrabanda e jo ligji, qasja e institucioneve të Kosovës në veçanti në këtë pjesë në rrethanat aktuale është e paimagjinueshme. Prandaj dyshimet se Kushtetuta e Kosovës do të jetë e zbatueshme në përqindje të madhe në tërë territorin e vendit janë mëse reale.
Në anën tjetër në enklavat serbe janë formuar institucionet paralele, të cilat po ngritin barriera në funksionimin normal të jetës institucionale në Kosovë. Këto barriera që po ngrit Serbia karshi Kosovës, në kohë dhe rrethana të caktuara po japin rezultate. Kjo u dëshmua në një seancë plenare të mbajtur në Bruksel ku kreu i Odës Ekonomike të Serbisë, Bugarin, gjeti përkrahjen e homologëve të vendeve që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, për ta stopuar anëtarësimin e Odës Ekonomike të Kosovës në familjen e Odave Ekonomike Evropiane (Eurochambers).
Pastaj sikur vërehet një hezitim i shteteve të tjera të globit për ta njohur shtetin e Kosovës, megjithatë me hyrjen në fuqi të Kushtetutës së Kosovës, konsiderohet se numri i vendeve që do ta njohin realitetin e ri në Kosovë to të rritet. Edhe kjo është e dyshimtë.
Përkundër kësaj, është e vërtetë se Kosova si shtet tashmë i pavarur, njihet nga një numër i konsiderueshëm vendesh anëtare të BE-së, pa përjashtuar edhe shtete të tjera me ndikim në botë, por është edhe e vërtetë se Kosova ende kurrsesi të funksionojë si shtet. Institucionet e Kosovës duhet më fuqishëm të tregojnë se janë të gatshme ti marrin në duar të gjitha kompetencat që i takojnë një shteti ligjor, dhe gjithsesi këto kompetenca ti shtrijë në tërë territorin e Kosovës.
Qeveria e vendit me punën e saj, me të arriturat e saj duhet tia tregojë rrugën UNNMIK-ut dhe duhet të jetë vigjilente karshi misionit EULEX, i cili sipas mendimit tim do ta luajë rolin e ngjashëm me atë të UNMIK-ut, mision ky (fjala është për këtë të fundit) i cili në opinionin e gjerë është konsideruar shumë indiferent karshi zhvillimeve politike në Kosovë, në të gjitha periudhat e operimit të tij, pa përjashtim.
Qasja e institucioneve të vendit karshi kompetencave që medoemos duhet ti zotërojë në të ardhmen, në asnjërën mënyrë nuk guxon të jetë indeterminante (e papërcaktuar), ngase atëherë do të flisnim për një gjendje konfuze të përgjithshme e cila mbase edhe do ta thellonte krizën jo vetëm politike në vend.
Politika servile e cila është bërë nga krerët politikë të Kosovës karshi bashkësisë ndërkombëtare, shpeshherë i ka kushtuar qytetarit të vendit, mendoj se duhet krijuar raporte konstruktive bashkëpunimi me bashkësinë ndërkombëtare, servilizmi është i papranueshëm.
Nga:Ilir Sefaj
telegrafi.com