E enjte, 8.1.2009
RSS RSS Arkiva Marketing Kontakt
Ballina
Opinione
Ekonomi
Kulturė
Sport
Dosier
Spektėr
Foto Arkiva
Video Arkiva
TV Panorama



























Ballina > Opinione > Misioni i (pa)pėrfunduar
Misioni i (pa)pėrfunduar
Misioni i (pa)pėrfunduar
Nė dhjetor 1990 protestat studentore pėr pluralizėm politik dhe tė shtet tė sė drejtės, sollėn ndryshimin e sistemit politik. Njė vit mė vonė Shqipėria iu bashkua zyrtarisht KSBE-sė (sot OSBE) si vendi mė i ri anėtar i saj. Organizata nuk ishte lejuar nga regjimi nė ikje pėr tė marrė pjesė dhe vėzhguar zgjedhjet parlamentare tė vitit 1991, por rotacioni demokratik i vitit 1992 solli njė raport tė ri tė marrėdhėnieve tė vendit tonė me organizatėn dhe vendet e saj anėtare.

Në dhjetor 1990 protestat studentore për pluralizëm politik dhe të shtet të së drejtës, sollën ndryshimin e sistemit politik. Një vit më vonë Shqipëria iu bashkua zyrtarisht KSBE-së (sot OSBE) si vendi më i ri anëtar i saj. Organizata nuk ishte lejuar nga regjimi në ikje për të marrë pjesë dhe vëzhguar zgjedhjet parlamentare të vitit 1991, por rotacioni demokratik i vitit 1992 solli një raport të ri të marrëdhënieve të vendit tonë me organizatën dhe vendet e saj anëtare.

Që atëherë OSBE dhe historia e saj shqiptare kanë ecur me të njëjtin ritëm me zhvillimet politike në Shqipëri. E kritikuar ashpër më 1996, OSBE u thirr me rolin ndërmjetësues në krizën e vitit 1997 dhe prej atëherë ajo vijoi të ishte e pranishme në të gjitha fazat dhe zhvillimet politike shqiptare. Më 1997 OSBE udhëhoqi përgatitjet e procesit zgjedhor dhe rotacionin e pushtetit, më 1998 ajo udhëhoqi procesin politik për miratimin e Kushtetutës, më 1999, OSBE ndihmoi shumë në promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve në Kosovë. Që nga viti 2001, OSBE u angazhua në ndërmjetësimin e krizave politike para e postzgjedhore, duke mbajtur rol parësor në kapërcimin e tyre.

Pas vitit 2003, OSBE mori një mandat të ri pune për Shqipërinë, mandat i cili zgjeron fushën e veprimit nga sfera politike (reforma zgjedhore, parlamentarizmi, qeverisja e mirë, etj) në sfera të tjera sociale (shoqëria civile, antitrafiku e antikorrupsioni, reforma në drejtësi, reforma e pronësisë, media e pavarur, policia kufitare, etj.). Nëse shihen me detaje, misioni dhe përgjegjësitë e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, shumë prej pikave ende nuk janë realizuar. Ajo ka ofruar asistencë, ka provokuar mbledhje të tryezave teknike e politike, ka dhënë deklarime dhe ka bërë presion pozitiv politik për realizimin e tyre, por politika shqiptare, e cila duhet të konkretizojë reformat, ka dështuar në realizimin e këtyre reformave. Edhe kur ajo ka patur rezultate, siç ishte reforma e fundit kushtetuese lidhur me sistemin zgjedhor, vendimi nuk ka qenë produkt i përbashkët me OSBE-në, por produkt tërësisht shqiptar. Kur dy partitë më të mëdha, mazhoranca e opozita, bëjnë marrëveshje dhe miratojnë ligje, OSBE dhe faktori ndërkombëtar nuk ka rrugë tjetër veçse të pranojë produktin e tyre dhe njëherësh të bëjë thirrje për seriozitet e përgjegjshmëri. OSBE e ka kryer këtë rol, madje vazhdimisht, në deklarime publike, takime zyrtare apo informale, ka nxitur “reformat e vërteta” që kanë të bëjnë me gjyqësorin, pronat, administratën publike, zbatueshmërinë e ligjit, etj.

Mandati i OSBE shtrihet në ato fusha të cilat praktikisht janë problemet kryesore që shqetësojnë jetën politike dhe funksionimin e demokracisë në vend. Si e tillë, Prezenca e OSBE-së është konceptuar dhe specializuar për të trajtuar problemet shqiptare, shumica e të cilave përbëjnë edhe thelbin e raportit vjetor të Departamentit të Shtetit për të drejtat e njeriut, Freedom House, si dhe raportet vjetore të Amnesty International dhe të Transparency International. Ky mision dhe kjo përgjegjësi nuk ndryshojnë as nga kalimi i Shqipërisë nga vendi aspirues për anëtarësim në BE në vend kandidat ose aspirues për kandidat zyrtar. Progresi e përparimi i arritur nuk janë të mjaftueshme për të bindur Brukselin, Uashingtonin dhe Vjenën se Shqipëria nuk ka më nevojë për monitorim dhe asistencë. Kroacia, një vend shumë më demokratik dhe më afër pranimit në BE, sesa Shqipëria, e ka pranuar vazhdimin e misionit të OSBE-së. Maqedonia, një vend tjetër në stad zhvillimi me Shqipërinë, këtë muaj dështoi në organizimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme parlamentare. Prova e Shqipërisë do të jenë zgjedhjet parlamentare të vitit 2009 dhe reformat e premtuara në raport me ftesën e pranimit në NATO apo zbatimin e MSA-së.

Në praktikën e deritanishme ka patur raste të rolit joaktiv të OSBE-së, ndonjë aktivitet formal, raste të njëanshmërisë politike (normale për një organizatë politike), apo të kritikave të politikës shqiptare ndaj saj. Në mentalitetin tonë duket se vizioni për OSBE është tërësisht i gabuar: ose duhet të zgjidhë çdo problem ose të largohet. Praktikisht OSBE nuk ka mandat as fuqi të zgjidhë çdo problem që ne krijojmë dhe as nuk duhet të largohet. Përpara se të kërkojmë fajtorë tek të tjerët, tek të huajt që nuk na presin gjithnjë krahëhapur, që nuk na japin gjithnjë të drejtë, do të ishte më e frytshme që vetë shqiptarët, sidomos klasa politike drejtuese, të bashkëpunonte me seriozitet për të prodhuar stabilitet, reforma e përparim, në vend të krizave të njëpasnjëshme. OSBE bëhet ndërmjetësuese kur politika refuzon dialogun midis saj, kur politikanët preferojnë arbitër të huaj duke refuzuar presidentin, parlamentin dhe institucionet e tjera shqiptare.

Natyrisht, mandati i OSBE-së mund të ketë nevojë për një fokusim më konkret, në një rol më të madh në prioritete, të cilat janë edhe prioritete për qytetarët shqiptarë. Ai mund të zgjerohet në monitorimin thelbësor të sistemit gjyqësor, reformës administrative, dhe sidomos të reformës zgjedhore, duke ndihmuar në evitimin e neneve ligjore dhe rregullave administrativë që mund të jenë burim konflikti në zgjedhjet e ardhshme. Ajo ka një rol të papërfunduar në ndarjen e re administrative, në realizimin e reformave gjithëpërfshirëse, në forcimin e kulturës demokratike apo në monitorimin e përgatitjeve paraelektorale. Por gjithsesi, nevoja për korrektim të mandatit nuk përbën arsye dhe argument të qëndrueshme që shkojë në favor të tezës për mbylljen e Misionit të OSBE-së në Shqipëri, apo kufizimin e tij vetëm në disa aspekte sociale anësore. OSBE, ka qenë e mbetet institucion politik; i tillë duhet të jetë misioni i saj në Shqipëri.

Argumenti tjetër informal se OSBE harton raporte kritike për të justifikuar prezencën e vet të mëtejshme, është artificial. OSBE nuk përfaqëson një shtet, por një bashkësi shtetesh perëndimore, ku SHBA ka rol kryesor. Vetëm mentalitetet e të kaluarës mund të mendojnë se SHBA dhe shtetet perëndimore udhëzojnë diplomatët e tyre të hartojnë raporte kritike për të justifikuar prezencën e mëtejshme në Shqipëri. Interesi kryesor i BE-së dhe SHBA është zhvillimi i qëndrueshëm i demokracisë dhe reformave në Shqipëri, dhe misioni i OSBE-së nuk është gjë tjetër përveçse pjesë e këtij interesi. I tillë mbetet misioni i saj në Shqipëri, në Bosnje në Malin e Zi, në Maqedoni, në Kroaci, në Kosovë, në Ukrainë, në Moldavi, etj., pavarësisht pretendimeve për nivelin e demokracisë funksionale në këto vende.

Prezenca e OSBE-së në Shqipëri gjatë 18 viteve të fundit, është shoqëruar me dy anët e medaljes. Dy ambasadorë të saj dhe një ndërmjetës ndërkombëtar janë dekoruar nga kryetarët e shtetit shqiptar, dy të tjerë janë larguar pa ceremoni të mëdha. Ajo është pritur me brohoritje, është sulmuar ashpër, është dëbuar nga vendi, është thirrur në raste krizash. E dashur dhe e përbuzur, e kërkuar dhe e refuzuar, sjellja ndaj saj reflekton të gjitha tiparet e tranzicionit shqiptar. A nuk kanë qenë të tillë të gjithë figurat më të njohura të historisë sonë? A nuk kanë qenë të tilla të gjitha institucionet tradicionale drejtuese të shtetit shqiptar?

Si çdo institucion tjetër ndërkombëtar OSBE ndeshet me dy vlerësime: ai politik dhe ai qytetar. Nëse dilet nga zyrat politike dhe bisedohet me qytetarët, ata që mbajnë peshën e madhe të tranzicionit dhe paguajnë çmimet negative të tij, jam i sigurt se shqiptarët në shumicë do të donin që OSBE të jetë edhe më tej në mesin tonë. Shumica e qytetarëve të këtij vendi duan ta shohin OSBE-në jo në rolin e një polic urdhërues apo turisti të huaj, por si një aleat moral e institucional, një derë e hapur ku mund të trokasësh sa herë të mbyllin dyert ata që udhëheqin në emrin e tyre, si një avokat i atyre që pushteti i të mëdhenjve nuk i lejon të flasin dhe të mbrohen. Për të gjitha këto rrethana dhe zhvillime, prezenca e mëtejshme e misionit të OSBE-së bëhet e nevojshme, mbetet e dobishme dhe shfaqet si një garanci më shumë se parimet demokratike të shtetit të së drejtës do të respektohen, pavarësisht orekseve dhe interesave politike të ditës, pavarësisht traditës së brishtë dhe mentalitetit hakmarrës të politikës shqiptare.

Nga:Afrim Krasniqi


Publikuar: 13.06.2008 04:27:40
Lexuar: 106 herė
Fjalėt kyēe: Dhjetor, protestat, studentore, ndryshim, politik,
  


Lajmet e fundit
Ēakėrdisja me ambasadat e reja tė Kosovės Ēakėrdisja me ambasadat e reja tė Kosovės
Reli Dakar: Terry vdiq nga sulmi kardiak Reli Dakar: Terry vdiq nga sulmi kardiak
Verė ’90, kur Alia “puthej” me Gorbaēovin Verė ’90, kur Alia “puthej” me Gorbaēovin



Lajmet te ngajshme
Kur tė Kur tė "vret" edhe Gjykata e Hagės
Rusia e kaperceu kufirin Rusia e kaperceu kufirin
Divorci, Divorci, "revolucioni" i fundit indian
Ēka e pret Kosovėn nė vitin 2009 Ēka e pret Kosovėn nė vitin 2009
Pėr njė festė kombėtare dinjitoze Pėr njė festė kombėtare dinjitoze
Ismail Qemali, nė njė artikull tė gushtit 1912 Ismail Qemali, nė njė artikull tė gushtit 1912
Pėrparimi ėshtė rinia e Kosovės Pėrparimi ėshtė rinia e Kosovės
Reforma pa reformatorėt Reforma pa reformatorėt
Shqipėria dhe dosje Shqipėria dhe dosje
Unė identiteti apo ne identiteti? Unė identiteti apo ne identiteti?
Google Yahoo MSN