Tė lind natyrshėm kjo pyetje kur pėrballesh edhe me personalitete autoritare, edhe me autoritete politike. Nė pamje tė parė tė duket sikur ke tė bėsh me sinonime, por nė thelb nuk ėshtė kėshtu. Pse? Ka lidhje mes tė qenit autoritar dhe tė qenit autoritet politik? Mund tė jetė njė personalitet edhe autoritar edhe autoritet politik njėherazi? Mund tė tjetėrsohet njė autoritet politik nė njė autoritar tė skajshėm?
Të lind natyrshëm kjo pyetje kur përballesh edhe me personalitete autoritare, edhe me autoritete politike. Në pamje të parë të duket sikur ke të bësh me sinonime, por në thelb nuk është kështu. Pse? Ka lidhje mes të qenit autoritar dhe të qenit autoritet politik? Mund të jetë një personalitet edhe autoritar edhe autoritet politik njëherazi? Mund të tjetërsohet një autoritet politik në një autoritar të skajshëm? Po sikur të jetonte Lorenzetti, si do ta pikturonte tablonë e tij murale me personalitete nga klasa jonë politike? Si... Pyetje të kësaj natyre të lindin sidomos kur përballesh me ata që kanë në dorë "çelësat" e jetës, por...
Është autoritari - autoritet? Është dhe sështë. Dhe këtu nuk kemi të bëjmë me lojë fjalësh; se një personalitet me autoritet megjithëse në pamje mund të jetë autoritar në fakt është e kundërta e tij.
Autoritari që kërkon ti dëgjohet fjala e të veprohet sipas koncepteve e pikëpamjeve të tij, priret t´i quajë të paqena të kundërtat. Individë të tillë në jetën e zakonshme nuk është vështirë ti qëmtosh, madje "metastazat" e tyre dallohen qartë në familjet patriarkale, por sidomos në institucionet politike. Autoritarizmi i disa burrave mbi fëmijët e gratë, jo vetëm që rrudh hapësirat e lirive dhe të drejtave të tyre, por shkakton edhe viktima. Nuk janë të pakta rastet kur dhuna fizike apo edhe ajo verbale e babait mbi fëmijën, e vëllait ndaj motrës, e burrit ndaj gruas, kanë shkaktuar dhembje, e deri prerje jetësh. Ky lloj autotarizmi duke qenë në mjedise të veçuara familjare, e në tërësi të mbyllura, është më i vështirë për tu dalluar e për tu bërë objekt debati e izolimi. Ai "mbrohet" shpesh te të drejtat e liritë e individit, te jeta personale e private. Por jeta private nuk presupozon as dhunën fizike, e as atë verbale të burrit mbi gruan e mbi fëmijën. Kjo, sepse e drejta e çdonjërit, pra, dhe e burrit mbi gruan, shkon deri atje sa të mos prekë të drejtat e liritë e tyre. Në këtë rast, mbi autotarizmin e burrit patriarkal duhet të veprojë me tërë fuqinë e vet autoriteti i ligjit dhe ai i opinionit shoqëror.
Po ndërsa në familje autotarizmi ndeshet me një numër më të kufizuar e më të kamufluar, në shoqëri, sidomos në ato diktatoriale e të mbyllura, shtrihet në hapësira më të gjera e pasojat e tij bien mbi një numër më të madh njerëzish. Kjo, se autotarizmi, sidomos në ditët tona, jeton në "simbiozë" me ekstremizmin, që në shoqëritë e hapura shfaqet në formën e militantizmit ekstrem. Nuk po e vërejmë këtë dukuri te militantët e "sëmurë" të ndonjë partie? Nuk po i dëgjojmë mëngjeseve të emisioni "Koha për tu zgjuar" militantë të tillë, të të dy krahëve?
Autoritarizmi, si sinonim i absolutizmit e gjen veten te monarku, diktatori, pse jo edhe te lider, që duke qenë në pushtet, priren në praktikë nga mendimi i Luigjit të XIV-të: "Shteti jam unë".
Individë apo dhe personalitete të sëmurë nga ky "mikrob" kanë frikë si nga debatet, ashtu edhe nga transparenca. Nuk janë të tilla veprimet e spikeres së Parlamentit që kërkon të shtyjë hetimin e ish-ministrit të Mbrojtjes? Nuk është mbulim i transparencës, kërkesa e saj ndaj Prokurores së Përgjithshme për dokumente të reja?...
"I sëmuri" i autotarizmit sjell pasoja negative kudo, por në shoqëritë e hapura, në demokracitë liberale, megjithëse e ka më vështirë, sjell pasoja negative, sidomos kur shfaqet te një lider qeverisës. Duke e nënkuptuar të paqenë transparencën, debatin e të kundërtat, i sëmuri i këtij "bacili" priret nga mohimi i të drejtave e funksioneve të institucioneve të pavarura. Kryetari i qeverisë, duke e shndërruar të drejtën e tij relative në absolute, merr nëpër këmbë jo vetëm të drejtat e funksionet e qeverisë në tërësi, të ministrave e specialisteve në veçanti, duke qenë shpesh në role që nuk i takojnë, por mohon edhe të drejtat e pushteteve të tjera. Kjo, se Ai, duke qenë i "sëmurë" që në embrion e duke mos pranuar ekzistencën e të kundërtave, kërkon me çdo kusht "trupëzimin" e aparatit të tij konceptual, pavarësisht se është dëmprurës e jashtë kohe.
Mirëpo një mendim e një veprim i tillë, bëhet shkak për pasoja negative të një rrethi më të gjerë njerëzish, të një grupi apo edhe deri të një komuniteti e të shoqërisë civile në tërësi. Ky bacil i keq, që është ngjitës edhe tek të tjerët, bëhet shumë i rrezikshëm për shoqërinë në tërësi. Kjo, se ndryshe nga të sëmurët e zakonshëm, që kërkojnë "transparencë" për të luftuar sëmundjen, të "sëmurët" e "bacilit" autotarizëm e fshehin mikrobin e tyre me mbulesën e autoritetit. Dhe Gërdeci është edhe pasojë e autotarizmit të politikanëve tanë qeveritarë. Të kërkosh të mbulosh krimin e Gërdecit, p.sh., nën çadrën e një institucioni autoritar, do të thotë të mos kesh veshë të dëgjosh britmat e të vrarëve e të plagosurve; të mos kesh sy të shohësh shkatërrimet që la pas vala goditëse; të mos kesh zemër të ndjesh të rrahurat e saj dhe lotët e nënave, motrave, vëllezërve për jetët e prera në mes; të mos llogaritësh dëmin e madh që i shkakton edhe ekonomisë kombëtare. Po pse e kundërta e autotarizmit është:
Autoriteti politik? Se autoriteti politik, që është i pazgjidhur nga mendimi shkencor e pragmatist i personaliteteve, i ligjeve e i Kushtetutës, është i domosdoshëm për çdo shoqëri që kërkon të jetë e hapur. Them mendim shkencor e progresiv, se edhe politika, si çdo shkencë, me ecjen e saj është pasqyrë e lëvizjes së realitetit shoqëror. Një klasë politike fiton autoritet kur e ndryshon veten, kur nuk mbetet rob i së djeshmes, por ndryshon edhe politikën në raport me kohën. Në shoqëritë e hapura ajo shndërrohet në autoritet kur arrin të bëhet instrument i tyre. Autoritetin politik e fitojnë ato forca e ata lider që respektojnë pavarësinë relative të institucioneve e pushteteve të tjera; ata që respektojnë të drejtat kushtetuese që kryen një organ, një institucion; ata që qasin e afrojnë grupe shoqërore, komunitete, shoqata deri shoqëri civile në vendimmarrje. Dhe në këtë vështrim, për mendimin tim, PS-së e liderit të saj, pa mohuar institucionin e Presidentit... u lind e drejta e të qenit autoritet politik. U lind, se po çrrënjosin rrënjët e thella të konceptit se: "Në Shqipëri nuk jetohet e punohet"; e në vend të tij, po "mbjellin" konceptin e shumëpranuar e të dëshiruar nga të gjithë, se "në Shqipëri mund të punohet e të jetohet ashtu si në vendet e botës së qytetëruar".
Dhe emigracioni, aq i domosdoshëm në fillimet e demokracisë, po bëhet sot pengesë për progres. Shqipëria ka nevojën e kthimit të emigranteve që kanë fituar ndërgjegje politike, juridike, pune e profesionale në Perëndim; ka nevojën e njerëzve të guximshëm, të papajtueshëm e të pa-ambientueshëm me të padrejtën, korrupsionin, krimin e organizuar, nepotizmin, militantizmin ekstrem... Shqipëria ka nevojë të zhvillojë turizmin bashkëkohor, detar e malor; të nxjerri bujqësinë nga mesjeta, nga parcelarizimi i tokave që largojnë mekanikën bujqësore; krijimin e fermave bujqësore e blegtorale, e mbi të gjitha, ruajtjen e tokës bujqësore e dhënien e hapësirës së nevojshme tregut të tokës e vjeljes së taksave. Autoritet merr edhe Kushtetuta kur është e nevojshme të ndryshojë nene që ua bëjnë të pamundur jetën forcave politike parazitare e xhonglerëve politikë, për tiu përgjigjur kërkesave që shtron koha.
Vendi ka nevojën e një Kushtetute që i hap rrugë një opozite e pozite të vërtetë e me autoritet. Kjo, se në ditët tona kërkohet ti hapen rrugë më të gjera progresit, të vihen më mirë në lëvizje resurset tokësore e nëntokësore në interes të shoqërisë. Këto ide, për mendimin tim, janë thelbi i politikës së re, thelbi i praktikës pragmatiste që na duhet më shumë se kurrë sot. Materializimi i kësaj ideje, i kësaj politike të re, kërkon idealistë në shpirt, kërkon Abdylë që derdhin barrën me flori për Shqipërinë, e jo ata që shesin Shqipërinë për një barrë flori. Politika e re, do politikanë praktikë që të mos ta shohin shqiptarin duke marrë vajin e bukën me listë, të mos shohin fëmijët duke lypur, të mos shohin tokat e lëna djerrë... Politika e re, kërkon njerëz që të mos ta shohin Shqipërinë, fshatrat dhe qytetet, pronarin dhe punëtorin, fermerin, mësuesin dhe nxënësin, të ngujuarin... vetëm nga kamera televizive, por ti qëmtojnë ata në hapësirat ku punojnë e jetojnë me problemet, vështirësitë e pengesat që hasin.
Njerëzit tanë halleshumë nuk kanë nevojë për teorizime, për megalomanë me prirje autotariste, por për autoritete pragmatiste që të dinë tu bëhen instrumente njerëzve për zgjidhjen e problemeve. Dhe autoritet është edhe një personalitet që njeh mirë problemet e kërkesat e progresit të një shoqërie, edhe një ligj i studiuar mirë, edhe një Kushtetutë që u përgjigjet kërkesave të kohës. Por...
shekulli.com.al