Kur harrohen, edhe ndėrtesat njėlloj si njerėzit, tentojnė tė fshihen, tė mos duken, tė na largohen. Ka ndodhur me Hotel Dajtin qė thuajse na ėshtė zhdukur sysh, edhe pse i kalojmė ēdo ditė pėrpara. As ai duket nuk na sheh mė. E ka mbuluar harresa, por edhe pemėt e harlisura qė ia kanė zėnė tashmė ballinėn dhe fushėpamjen.
Kur harrohen, edhe ndërtesat njëlloj si njerëzit, tentojnë të fshihen, të mos duken, të na largohen. Ka ndodhur me Hotel Dajtin që thuajse na është zhdukur sysh, edhe pse i kalojmë çdo ditë përpara. As ai duket nuk na sheh më. E ka mbuluar harresa, por edhe pemët e harlisura që ia kanë zënë tashmë ballinën dhe fushëpamjen. E vuan mungesën e vëmendjes hoteli i polkës dhe mazurkës, ballove të borgjezisë së viteve 30, "ambasadës" së miqve internacionalë, pritjeve të byroistëve dhe "udhëheqësit", madje edhe dasmave VIP të epokës... E vuan së brendshmi më tepër, i zhytur në degradimin e "interieur"-eve, i fyer ngase askush nuk u afrua ta blinte për atë që vlen dhe madje kërkojnë tia heqin fare sharmin e hotelit, duke e bërë godinë për Ministrinë e Jashtme. Duket disi e çuditshme se si dhomat e hotelit do të shndërrohen në zyra ministrore.
Ndërkaq "Zonja plakë", salla e madhe që konsiderohet një mrekulli arkitekture, ngase është një hapësirë e papenguar nga asnjë kolonë si në sallat e sotme, është e vetmja që ruan elegancën me pasqyrat, dekoracionet e violinave në mure dhe abazhurët origjinalë për stoli. Moshën e vërtetë ia zbulon parketi i zvetënuar, ndërsa hotelit vetë "rropullitë", bodrumet, kuzhinën dhe magazinat e të cilit po i gëlltit lagështia.
Tabloja ndryshon disi duke zbritur në bulevard për tu ndalur tek godina e kryeministrisë, por sytë e arkitektit dhe restauratorit e shohin atë edhe më zi se Hotel Dajtin. Funksioni nuk e ka lënë të shkojë në degradim, por tjetërsimi duket se është edhe më i rëndë, kur projektet origjinale të Gherardo Bosio-s dhe Giulio Berte nuk janë nxjerrë ndonjëherë nga arkivat për të shërbyer si bazë për restaurimet e pjesshme që i janë bërë ndërtesës, realizuesit e të cilëve, sipas ekspertes italiane të restaurimit, Maria Adriana Giusti, nuk kanë treguar vëmendje ndaj vlerave kulturore të ndërtesës. Është e kotë të kërkosh elementë të arredimit origjinal në godinën kryeministrore, por në intervistën e saj për revistën "MAPO", studjuesja italiane që do të kryesojë ekipin italian të restauratorëve për tre godina historike në Tiranë, shprehet se nuk do të jetë i pamundur rikuperimi i kësaj godine, duke riprodhuar ndoshta edhe mobilje e aksesorë sipas modeleve në projektet origjinale, duke rikrijuar ndoshta edhe ambjentet autentike.
Ish Pallati i Brigadave është ndërkaq një Muze i Vetvetes siç e quan profesoresha e Fakultetit të Arkitekturës së Politeknikut të Torinos, por shton se mund të konsiderohet edhe një nga kryeveprat e arkitekturës botërore. Megjithëse i ruajtur përgjithësisht mirë, degradimi i kopshtit, statujave, shatërvanëve, gjithë exterieur-it është i dukshëm dhe kërkon sipas saj një ndërhyrje urgjente, por të kujdesshme, si edhe mirëmbajtje dhe restaurim të vetë godinës. Pallati madhështor i ndërtuar për mbretin Zog që nuk e jetoi asnjë ditë, pasi punimet ende nuk kishin mbaruar kur ai u largua nga Shqipëria, mund të shndërrohet në një atraksion turistik sipas profesoreshës Giusti, kur të jetë rivlerësuar me anë të restaurimit. Përfaqësuese e racionalizmit në arkitekturë, kjo ndërtesë e prekur nga dora e të njëjtit arkitekt me dy ndërtesat e tjera, Gherardo Bosio, por edhe të njohurit Giulio Berte, është një kryevepër e rafiniturave të çmuara, një dialog mes traditës dhe modernes, çdo ambjent i të cilës është kuruar deri në më të voglin detaj. Janë pikërisht detajet ato që do ta nxjerrin në pah madhështinë e arkitekturës dhe strukturës sipas ekspertes italiane të restaurimit.
Kush janë njerëzit që do të merren me këtë projekt që për herë të parë premton të restaurojë tre nga ndërtesat më të rëndësishme të Tiranës?
Projekti do të përpunohet nga një grup pune i koodinuar prej meje nga pala italiane dhe profesor Apollon Baçe nga pala shqiptare. Bëhet fjalë për një projekt që do të kalojë në disa faza si: Studim paraprak i të gjithë aspekteve historike, krijuese, arkitekturore, strukturore; Ngritje gjeometrike e ndërtesave dhe përpunim i projektit të restaurimit; Verifikim i përputhshmërisë së ndërtesave me përdorime te mundshme të reja; Verifikim të instrumentave urbanistike dhe të legjislacionit shqiptar; Vlerësim ekonomik, projekt financimi dhe projekt manaxhimi. Prania e universiteteve italiane si Politekniku i Torinos dhe i Barit, bashkë me Institutin e monumenteve të Shqipërisë garantojnë cilësinë e një ndërhyrje të duhur vlerësuese. Përveç të tjerash, grupi i punës shpreh kulturën e formimin universitar dhe në këtë kuptim aktiviteti i zhvilluar mund të ketë ndikim të rëndësishëm në grupin e projektuesve, ekspertëve të restaurimit dhe rigjallërimit të trashëgimisë kulturore.
Në çkushte i keni gjetur tre godinat historike që do të përfshihen në projektin e këtij restaurimi? Çfarë është më emergjente dhe a është konstatuar që kanë humbur shumë vlera?
Tre ndërtesat paraqesin nivele të ndryshme konservimi: Pallati mbretëror ose pallati i Brigadave ka ruajtur karakterin origjinal si në strukturë edhe në arredim, në dekoracione dhe në veprat e artit. Interesi është i jashtëzakonshëm për qytetin e Tiranës dhe për të gjithë Shqipërinë. Vila dhe kopshti i saj i mrekullueshëm, me tu restauruar mund të shndërrohen në një ambjent turistik shumë tërheqës, sepse ruajnë dëshmi të rralla të kulturës artistike italiane.
Hotel Dajti është degraduar për shkak të braktisjes, por është ruajtur në itegritetin e vet arkitektonik. Ka ende mobilje origjinale, sidomos në ambjentet e përbashkëta. Është një dëshmi e rëndësishme e arkitekturës së racionalizmit italian dhe dokumenton dëshirën dhe vullnetin për ta karakterizuar bulevardin e madh si një vend elegant dhe përfaqësues për qytetin.
Ndërtesa e qeverisë, tanimë kryeministria, është tjetërsuar në mënyrë të rëndë për sa u përket ambjenteve të brendshme, me ndërhyrje që kanë shkatërruar rafiniturat origjinale. Mbetet megjithatë ngrehina arkitektonike, salla e madhe dhe disa llampadarë me xhama venecianë.
Megjithë tjetërsimet, pallati dokumenton koherencë projektimi me ndërtesat e tjera të sheshit dhe sidoqoftë, kur të rivlerësohet, do të mund të rikuperojë një pjesë të karakteristikave të veta.
Roli i ndërtesave ka ndryshuar në fakt.
Si do të ruhet kësisoj struktura origjinale? Për shembull hotel Dajti që ishte hotel, tani do të bëhet Ministri e Punëve të Jashtme. Çfarë do të ndodhë me arkitekturën dhe stilin e kësaj ndërtese?
Fati i këtyre ndërtesave është i ngjashëm me atë të ndërtesave historike prezente në pjesën tjetër të botës: jeta ndryshon dhe ndryshojnë edhe përdorimet. Megjithatë specialistët e restaurimit zotërojnë instrumente teknike dhe kulturore për ta pajtuar karakterin historik origjinal me funksionet e reja. Është një problem i kulturës së projektit dhe i administrimit të kantierit të restaurimit. Për të garantuar cilësinë e ndërhyrjes do të kujdeset një staf super i kualifikuar.
Duam të dimë konkretisht me hotel Dajtin çfarë do të ndodhë?
Sa i përket Hotel Dajtit, do të preferoja që të mbetej hotel për shumë arsye: Së pari, sepse do të ishte më lehtë të ruheshin karakteristikat origjinale dhe së dyti, sepse hoteli, pranë Galerisë së Arteve, do të kontribuonte për ta gjallëruar zonën dhe në përgjithësi bulevardin e madh, i cili mund ta bënte kësisoj më të fuqishëm vokacionin kulturor dhe turistik të rrugës. Për fat të keq, për këtë nuk mund të vendos unë, por enti i pronarëve. Megjithatë, nëse është vendosur tashmë që do të transformohet në Ministri të Punëve të Jashtme, kjo duhet bërë duke respektuar karakteristikat historike dhe, të paktën, nëse është e mundur, disa pjesë të planit të poshtëm të hapen për ekspozita dhe evenimente publike duke ruajtur arredimet origjinale. Në këtë mënyrë mund të pajtoheshin ekzigjencat e ndryshme.
Ndërsa vlerat historike të Pallatit të Brigadave dhe Hotel Dajtit janë të njohura, ato të godinës së kryeministrisë, edhe ngase ajo pothuajse është tjetërsuar, janë më pak të njohura.
Është konsideruar emergjente për tu restuaruar pse është godinë kryeministrore apo sepse ka vërtet vlera arkitekture dhe arredimi? Si do të restaurohet ajo?
Në projektet origjinale të ruajtura në arkiva rezulton që edhe kjo godinë ka të njëjtin arkitekt me ndërtesat e tjera, Gherardo Bosio. Kësisoj edhe ky pallat përfaqëson një dëshmi themelore të kulturës arkitekturore të Tiranës. Është e vërtetë që kondicionet e saj kanë ndryshuar shumë së brendshmi për shkak të rikonstruksioneve të bëra të cilat nuk kanë qenë të vëmendshme ndaj vlerave kulturore të ndërtesës. Megjithatë mund të realizohen ndërhyrje rikuperimi, të mbështetura gjithnjë në projektet origjinale.
Po për sa u përket detajeve, aksesorëve, do të propozohen mobilje apo detaje arredimi të kohës? Në shumë prej ambjenteve kanë mbetur fare pak "reminishenca" të epokës...
Do të mund të rikthehet vetëm ajo që është ruajtur, megjithatë arredime të reja mund të realizohen në bazë të dizenjove të ruajtura në arkiva. Kjo është pa dyshim e mundshme dhe mund të kontribuojë për ta rritur dukshëm cilësinë e ndërtesës ekzistente.
Sa vlerësohet të jetë, në një shumë të përafërt, kostoja e restaurimit për secilën nga ndërtesat?
Nuk jam në gjendje të bëj një preventiv pa përpunuar më parë një projekt të detajuar me ndihmën e të gjithë subjekteve të interesuar.
Hotel Dajti ka qenë edhe një simbol i shkëlqimit dhe luksit të Tiranës, madje edhe gjatë regjimit komunist. A do të mund ti rikthehet ajo pamja "chic"?
Nga ana ime si profesoreshë e Restaurimit, eksperte në trashëgiminë historike, kjo është krejtësisht e mundur. Profesor Apollon Baçe që mbikqyr monumentet është një njeri me nivel të lartë dhe me të cilin do të jetë e mundur të ndërmarrim një punë të rëndësishme. Por kjo nuk mund të varet vetëm nga ne. Kërkohet vullneti i të gjithëve. Është e domosdoshme që kjo trashëgimi të njihet nga qytetarët si burim i rëndësishëm kulturor që mund të shndërrohet edhe në burim ekonomik. Kjo trashëgimi nuk i përket vetëm Shqipërisë dhe Italisë, por gjithë kulturës ndërkombëtare. Të huajt që vizitojnë Tiranën tërhiqen veçanërisht nga këto ndërtesa. Prandaj na takon që ta rrisim vlerën e tyre me restaurim, përkujdesje, vlerësim dhe promocion.
Thatë që Pallati i Brigadave është ruajtur mirë. Atëherë çfarë do të ndryshojë në të?
Është parashikuar një restaurim konservues dhe një program mirëmbajtjeje shumë i vëmendshëm, sepse pallati është Muze i Vetvetes. Mandej do të jetë e nevojshme të mendohet edhe për kopshtin, sepse është një monument i vërtetë autentik me statujat e një skulptori të njohur italian, koleksionet botanike, shatërvanet dhe ndërtesat...
Për sa kohë do të realizohen këto projekte?
Për momentin mund të flas vetëm për projekte...
Si do ta mbështesë Politekniku i Torinos këtë projekt? Si do financohet ai?
Për momentin kemi një financim emergjent, por domethënës për ta çuar më tej projektin bashkë me kolegun tim të palës shqiptare. Universitetet disponojnë burime njerëzore shumë të rëndësishme që janë në gjendje të kooperojnë. Kam punuar deri tani në Shqipëri me shumë pak mjete në dispozicion, megjithatë kam arritur të shkruaj një libër që është fryt i një kërkimeve të gjata të bëra në vendin tuaj. Libri njeh vlerën e madhe kulturore të kësaj trashëgimie, kërkon ta promovojë, konservojë, vlerësojë atë. Tre restaurimet janë një nismë e parë konkrete. Ky është një sinjal shumë pozitiv.