Haris Morana, ishte 16 vjeē mė 2 prill tė vitit 1991, kur vendosi ti bashkohej turmės sė qytetarėve shkodranė qė kėrkonin demokraci para ish selisė sė Komitetit Ekzekutiv, sot selia e re e Universitetit. "Besoj se kishte njė bėrthamė fare tė vogėl organizimi, por shumica e njerėzve nė atė protestė kishin shkuar spontanisht", kujton sot Morana.
Sipas tij, ajo turme sa vinte e shtohej. Nga pallatet rrotull, shumë prej të rinjve furnizoheshin me shishe që i përdornin si bomba molotov. Harisi, i cili beson se e vetmja arsye që e bindi të protestonte ishte se dëshironte "të bënte qejf lirisht" dhe ta gëzonte jetën "si të gjithë moshatarët" e vet në botë, mori një shishe të tillë dhe ia hodhi të parit gardist që pa! Ishte momenti kur ai vuri re se të gjithë gardistët po futeshin brenda godinës me qëllimin për ta braktisur atë nga hyrja e pasme, pasi kishin konstatuar se do të ishte e pamundur mbrojtja e saj, e në fakt, pasi ishin vrarë katër prej protestuesve.
Bomba e improvizuar që Harisi hodhi, plasi në xhaketën e gardistit dhe mori flakë menjëherë. Harisi kujton se pasi u ndihmua nga të vetët për ta shuar zjarrin, gardisti drejtoi tytën e kallashnikovit drejt tij, por falë ndërhyrjes së shpejtë të një shokut të vet, shpëtoi mrekullisht nga plumbi i atij kallashnikovi. Pak sekonda më vonë, ai pa në ajër një zinxhir plumbash të cilat, ndoshta e bënë të kuptonte gabimisht se plumbi, atë vetë, nuk e zinte dot. Pikërisht në këtë moment deliri, teksa mori vrull për tu sulur përpara, një tjetër plumb i nisur në shenjë, e përshkoi tejpërtej trupit.
"Them se nuk paska vdekje më të lehtë se plumbi! Nuk ndjeva asnjë dhimbje, vetëm një rëndësë në gjoks", kujton për MAPO, njëri prej të mbijetuarve të asaj dite që shënoi fundin e komunizmit, por që nisi një kapitull që ende nuk është mbyllur. Mban mend se dikush i foli duke i thënë "Cpo bën Haris", teksa e pa të çohej e të ecte. "Skam asgjë... Po shkoj në shtëpi, kam vetëm një të çarë në gjoks", iu përgjigj Harisi, por kur i hoqi tre gishtat me të cilën mbante plagën në gjoks, pa një currilë të madhe gjaku të shpërthejë...
Pas komës...
Tre muaj më vonë, 16 vjeçari që kërkonte demokraci, i hapi sytë në dhomën e një spitali dhe mori vesh nga të afërmit se më 2 prill, shumë si ai ishin plagosur dhe katër të tjerë kishin gjetur vdekjen nga të shtëna të cilat nuk u morën vesh asnjëherë se nga tyta e cilës pushkë dolën...
2 prilli i vitit 1991, ishte momenti më i hidhur i një proçesi që kishte nisur më parë në Shqipëri. Në muajin dhjetor 1990 në Shqipëri u ligjërua pluralizmi politik dhe menjëherë u krijuan partitë e para politike opozitare me Partinë e Punës në pushtet. Zgjedhjet e para pluraliste ishin caktuar më 31 mars 1991. Periudha janar-mars 1991 ishte shumë e trazuar. Të gjithë deputetët e Shkodrës të dalë nga zgjedhjet e 31 Marsit 1991 ishin të Partisë Demokratike. Por kjo parti, sipas rezultatit zyrtar të atyre zgjedhjeve, nuk kishte mundur të fitonte maxhorancën.
Në 1 prill 1991, u grumbulluan në Shkodër, para godinës së ish Komitetit Ekzekutiv, qindra njerëz me parrulla antikomuniste. Protesta vazhdoi në një nivel më të lartë të nesërmen. Të shpallur martirë të demokracisë, ata katër të rinj që shpresuan e kërkuan ndryshim, por që ngelën të vrarë ate dite, janë: Arben Broci, Bujar Bishanaku, Besnik Ceka dhe Nazmi Kryeziu.
Vrasjet "e kryera me dashje indirekte"
Gjykata, pasi e filloi 4 herë proçesin gjyqësor, herën e katërt dënoi pesë persona, si përgjegjës për këtë ngjarje: Ish Kryetarin e PP për Shkodrën, ish zv. ministrin për policinë, Ish Kryetarin e Degës së Brendshme të Shkodrës, ish shefin dhe ish zv. shefin e policisë. Ata u dënuan përfundimisht për vrasje "të kryera me dashje Indirekte". Ndërsa ekzekutorët në krim nuk janë identifikuar dhe nuk janë dënuar as edhe sot. Më i njohuri mes të dënuarve, është Aredin Shyti, ish zv/ministri i Brendshëm. Djali i tij Orik Shyti u akuzua më vonë si lideri i një organizate terroriste të quajtur "Hakmarrja për Drejtësi", në emër të së cilës u bashkangjit edhe akuza e shpërthimit të një autobombe përballë ish supermarketit Vefa, në Rrugën e Barrikadave si dhe përgjegjësia për 28 vrasje, të kryera në Shqipëri këto 15 vjet. Aredin Shyti duket se ka qenë shumë aktiv dhe ka patur një akses të qëndrueshëm në shtyp, edhe pse brenda burgut. Në disa intervista të botuara gjatë viteve 90-të ai ka dhënë variantin e tij për atë që ndodhi në 2 prill. Një intervistë e plotë me të është botuar në gazetën "Java", 1- 4 shkurt 1995 dhe ribotuar nga autori i saj në librin "A-frika ime"(Tiranë, 2004). Praktikisht, Shyti shprehte pretendimin se policia kishte bërë gjithçka për të parandaluar atë që ndodhi. Shyti ka pretenduar se prania e Arben Brocit atë ditë, një ndër drejtuesit e PD-së në Shkodër, ka qenë mister. Sipas Shytit, Partia Demokratike ato ditë të trazuara ka deklaruar për policinë se turma nuk mund të kontrollohej prej saj.
Dokumenti ekskluziv
Kështu nuk menduan ama Gjykata, por para saj edhe një Komision i Posaçëm i Parlamentit të dalë nga zgjedhjet e marsit, i cili u ngarkua atëherë për të hetuar mbi ngjarjen. Pas hetimeve ky komision paraqiti disa konkluzione dhe sugjerime, në një dokument që MAPO ka mundur ta sigurojë ekskluzivisht. Eshtë një dokument i vitit 1991 i cili tregon mbi të gjitha një linjë zyrtare të asaj që mendonte shteti dhe legjislativi i asaj kohe. Që në faqen e parë të këtij dokumenti thuhet se ngjarjet që ndodhën menjëherë pas zgjedhjeve në Shkodër e kanë origjinën në mospërgatitjen e mjaftueshme të elektoratit për të pranuar pa tensione sa fitoren aq edhe humbjen në zgjedhje. Ky komision, shprehte atëherë mendimin se: "ngjarja mund të ishte parandaluar", se: "Komiteti Ekzekutiv i Këshillit Popullor të Rrethit duhet të ndërhynte më energjikisht kur iu kërkua ndihmë nga Dega e Punëve të Brendshme për të qetësuar situatën".
Më tej, në këtë dokument thuhet: "Drejtuesit e Komitetit të Partisë së Punës të rrethit duhet të mbanin qëndrim aktiv e të mos qëndronin mbyllur e të ndaheshin nga masa e demonstruesve, por të dilnin para tyre për ti qetësuar". Akuza më e madhe, duket se bie mbi Ministrinë e Punëve të Brendshme, kur thuhet se: "Në këtë çështje, mungesa e udhëzimeve që duhet të ishin nxjerrë për zbatimin e këtij dekreti nga Ministria e Punëve të Brendshme, ngarkon këtë të fundit me përgjegjësi".
"Përgjegjësi mbajnë gjithashtu dhe persona që kanë qëlluar njerëz me armë, gjë që mbetet akoma objekt i hetimeve të mëtejshme".
Për ish ministrin e Punëve të Brendshme, Gramoz Ruçi, ndonëse propozohet nga ky komision, lirimi nga detyra, duket se qëndrimi është më i lehtë: "Ministri i Punëve të Brendshme, megjithësi ishte i ri në këtë detyrë, në kohën e ngjarjeve, mban përgjegjësi për mosdhënien e udhëzimeve konkrete se si duhej vepruar në atë rast dhe për mungesën e analizës që duhej të kishte bërë në kolegjiumin e ministrisë".
Propozohet më tej edhe "analizë e hollësishme e disiplinës" në shkollat "28 Nëntori" në Shkodër dhe "Jordan Misja", nxënësit e të cilave u nxorrën në manifestim.
"Kishte breshëri por dhe krisma të veçuara"
Haris, u zgjua nga koma tre muaj pasi u qëllua në shesh dhe sot kujton detaje që mund ti përkasin vetëm një dëshmitari okulist, që rrezikoi jetën. "Kishte shumë breshëri kallashnikovësh atë ditë, por mes breshërive kishte dhe krisma të veçuara. Kisha parandjenjën se pas çdo krisme, një prej protestuesve do të gjendej i shtrirë
", thotë ai në këtë prononcim për MAPO. Pak para ekzekutimit në qendër të Tiranës, edhe lideri demokrat Azem Hajdari është akuzuar në shtyp për lidhje të ndryshme të tij me autorët e asaj ngjarje në Shkodër. Hajdari deklaroi atëherë se do të hidhte në gjyq personat që kishin ideuar këto akuza, por kjo gjë nuk ndodhi.
Ndërkohë, pak ditë më parë, familjarët e katër dëshmorëve të 2 prillit, kërkuan nga organet përgjegjëse që të gjenden fajtorët dhe nuk ngurruan të deklarojnë se ndiheshin të zhgënjyer nga fakti që kanë kaluar 15 vjet dhe ende nuk është plotësuar kjo nevojë e tyre dhe, në fakt, e së gjithë shoqërisë shqiptare.
Nga:Kristi Pinderi