Nuk kishte mė realitet nė sytė e tij. Ai ishte "zhdukur" dhe bashkė me tė gjithēka qė kishte ndjesuar deri mė atėherė. Po tretej nė largėsi, pėr tė rėnė sėrish nė njė hon, me drita... dhe tė bukur. Kishte vdekur?! Ata qė e zvarrisnin kėtė trup thatim, e dinin po ashtu, se mbanin mbi supe njė tė vdekur.
Por, në ditët e messhkurtit 1991, ditët që po e pagëzonin Shqipërinë me afshin e demokracisë dhe me të panjohurën, ky nuk përbënte ndonjë sensacion. Çdo dekik, në ato ditë ishte një histori. Djalin që po e përcillnin me vështrime keqardhjeje, pakkush e njihte në atë shesh. Në fakt, e mbanin mend mirë se pak më parë, djali me sytë e mëdhenj ishte në radhët e para të atyre ngulmuesve që me breshëri gurësh, mundohej të mbante larg Diktatorit- policinë... Jemi në grahmat e fundit të simbolikës së Enver Hoxhës. Luzma njerëzish kërkojnë rënien e monumentit të Enver Hoxhës, simbolit të fundit komunist në vend dhe në Evropë. Është 20 shkurt 1991, kurse djali, që shtrihet gati pa jetë, quhet Fatmir Markoçi. Njësoj si ai, sot, kanë humbur në kronikat e kohës, ai që mori litarin nga shtëpia; ata, që zhvidhosën vidat e monumentit; ai që u ngjit për t'i vënë litarin.
Në atë ditë, pa e njohur njëri-tjetrin, rasti (intelektualët e quanin historia), i kishte bashkuar për të hequr nga vendi shkaktarin e fundit të vuajtjes së tyre. Bronzi i tij i madh nxinte prej javësh të tëra ogurzinë. Pas një lufte maratonë me demonstruesit, forcat e policisë dhe ato të mbrojtjes së objekteve, u tërhoqën. Në këtë moment, i grishur nga ajri, ai ishte ngjitur mbi piedestalin dhe kishte shpalosur në ajër një flamur me shqiponjë të zezë, por pa yllin e kuq. Trashëgimi i gjyshit ishte flamuri që ishte ngritur në Shijak për Pavarësinë, në fillimin e shekullit të shkuar...Ngrihej pas 80 vjetësh?!
Kaq, ajo që kishte ndodhur më pas, ai nuk e mbante mend më. Një plumb rikoshetë e kishte goditur. Rreth tij policë të llahtarisur. Fundi që i kishte ndodhur Çausheskut, pak kohë më parë, të fundmit evropianë të komunizmit, i trembte. Sikur të mos mjaftonte kjo, trupin e tij e kishin goditur dhe goditur e goditur pa fund me shkopinjtë e zinjtë...Në humbëtirën e tij, nuk ndjente më se nga të gjitha anët ishin derdhur në shesh të rinj. Kishin arritur që të çanin si ai, përmes Bankës dhe të derdheshin në shesh. Djalin e kishin hequr me shpejtësi, ndërsa nga një shtëpi pas Teatrit të Estradës, kujton Uran Butka, ishte sjellë një litar. Sakaq, një i ri tjetër, ishte ngjitur në bronzin e Enverit dhe i kishte vënë kularin në qafë.
Ndërsa djali luftonte me vdekjen, një grup policësh me skafandra ishin afruar, ndërsa kudo snajperat (mbi Muzeun Kombëtar, në tarracën e Bankës dhe atë të Pallatit të Kulturës, ishin me syrin në shënjestër - përsëri kujtimet e Uran Butkës)... Pak nga pak... monumenti po hepohej, derisa ra një copet.
Kaq. Sikur të kishte dhënë urdhër dikush, kishte marrë fund gjithçka. Kishte mundur rastësisht vetëm një kamera e RTSH-së që të filmonte, ndërsa Babani kishte kapur momentin sublim. Një kamion kishte filluar të tërhiqte zvarrë trupin e bronztë...
Kujton Merkoçi: Çfarë u bë në 20 shkurt
"Duke kapërcyer gardh pas gardhi policinë, lumi protestues pas shumë konfrontimesh arriti në shëtitoren 'Dëshmorët e Kombit'. Unë vetë në duar kisha flamurin pa yll të ruajtur nga familja. Ndërkohë, turma masive i afrohej sheshit 'Skënderbej'. Terrori policorë e kishte zbrazur atë. Protestuesit mbushnin çdo minutë e më shumë rrugët e shkallët përreth sheshit. Monumenti i diktatorit ruhej më shumë se të gjallët. Shkopinjtë e gomës, terrori psikologjik i armëve të policisë, qentë e sertë të tyre e zbrapsën tri herë turmën, që ishte e vendosur ta pushtonte monumentin me çdo ndëshkim. Kjo situatë pa 'logjikë dhe orientim', ishte nën shënjestrën e snajperave të sigurimit.
Nën survejimin e helikopterit mbi kokat tona, arritëm një grup i vogël të triumfonim mbi policinë, duke ngritur flamurin pa yll komunist mbi atë piedestal. Ka qenë rasti kur policia ka goditur me gjithë urrejtjen dhe arsenalin e saj mbi protestuesit. Me qindra e mijëra duar godisnin pa reshtur për ta rrëzuar deri në rënie monumentin e diktatorit. Ishte ora 14.05 dhe nën vrullin e vullnetin protestues të mbi 100.000 njerëzve, monumenti i diktatorit shqiptar, ra. Vala e policëve, që më kishin fiksuar në çdo moment, u sul duke më plagosur për vdekje. Ai u tërhoq zvarrë dhe u shoqërua me urrejtjen dhe mallkimin e një populli. Qindra duar e goditën, qindra duar e rrëzuan, mijëra gojë e mallkuan. Falë unitetit, humanizmit dhe kolektivitetit njerëzorë, nga turma më kanë dërguar thuajse të vdekur në spitalin nr.2".
Duke u kthyer në atë ditë
Pak javë më parë, nga kjo ditë (22 janar 1991), ish-Presidenti R. Alia nxori një dekret, që do të konsiderohej famëkeq dhe që do të mbante numrin e paharruar 7459: "Për respektimin dhe mbrojtjen e monumenteve". Ky dekret, ashtu si mund të kuptohet lehtë, kishte si qëllim vetëm ruajtjen e figurës së udhëheqësit komunist Enver Hoxha. Kësaj i shtohej dhe përpjekja për të ruajtur figurat e tjera komuniste, sepse për sa i përket figurave kombëtare, studentët, kishin vendosur që ata të ishin referenca ideale e lëvizjes së tyre. Në ditët e hedhjes së bustit, ata ishin tubuar në një grevë, ku qëllimi ishte heqja e emrit të Enver Hoxhës nga universiteti. Ishin një turmë heterogjene. Ashtu si do të kujtojë një nga protagonistët e tjerë të atyre ditëve, ish-studenti Edvin Shvarc: "Në radhët e studentëve kishte bij e bija sekretarësh partie dhe komunistësh, kishte edhe nga ata që ishin rritur në oborrin apo prehrin e Enver Hoxhës.
Aty kishte gjithashtu edhe fëmijë intelektualësh të thjeshtë, fshatarësh, punëtorësh apo nga familje të prekura nga lufta e klasave". Duke mos parë ndonjë alternativë, studentët, me një Komision Drejtues të përbërë nga Arben Lika, Arian Manahasa, Blendi Gonxhe, Mesila Dode, Ndue Lugja, Ilir Dizdari dhe Ridvan Peshkëpia, vendosën të bëjnë grevë urie deri në plotësimin e kërkesave të tyre. Greva e Urisë, që filloi më 18 shkurt, u bë për të hequr emrin e E.Hoxhës nga Universiteti Shtetëror i Tiranës. Greva shtoi në arsyet e saj edhe depolitizimin e arsimit të lartë, anulimin e dekretit famëkeq të mbrojtjes së monumenteve. Një nga kushtet më mbresëlënëse, ka qenë edhe lirimi i të burgosurve të fundit politikë, ngujuar në burgjet e Burrelit, Spaçit dhe Qafë-Barit.
Në fakt, ajo që gjykohet tashmë është se studentët përpiqeshin që vendi të hynte në një normalitet, jo kaos- si e përcollën politikanët shterpë të këtij vendi. Ajo që ndodhi më pas e justifikoi këtë: krijimi i Shoqatës së Vullnetarëve të Enverit, kërcënimi kudo i armëve; përleshjet në Shkollën e Bashkuar disa ditë pas rënies së monumentit të diktatorit etj.
Do të përmendej vonë. Shumë vonë. Ngadalë do të zbriste nga honi. I ndjeri Arjan Xhumari, doktori i njohur, do ta sillte në vete, ndërsa ai do të fillonte jetën në një shoqëri që e kishte dashur, tashmë pa simbolet e frikshme të komunistëve. Ngadalë do të fillonte arsimin, që e kishte lënë peng falë biografisë, do jetonte. Çdo 20 shkurt do të bënte 'si kot' një shëtitje në sheshin e madh, atje ku nuk ishte më monumenti i Diktatorit. "I vdekur", ai kishte kontribuar për heqjen e tij...
Nga:Ben Andoni