Shumė njerėz pranuan se kur ra Muri i Berlinit nė vitin 1989, "kapitalizmi" e kishte fituar luftėn e ftohtė ideologjike, dhe se "komunizmi" e kishte humbur. Por, ndėrsa "kapitalizmi" - i pėrkufizuar si sistem ekonomik i bazuar nė pronėn private - mbizotėroi dukshėm, ka shumė ndryshime mes afro 200 vendeve, qė e praktikojnė nė disa forma.
Shumë njerëz pranuan se kur ra Muri i Berlinit në vitin 1989, "kapitalizmi" e kishte fituar luftën e ftohtë ideologjike, dhe se "komunizmi" e kishte humbur. Por, ndërsa "kapitalizmi" - i përkufizuar si sistem ekonomik i bazuar në pronën private - mbizotëroi dukshëm, ka shumë ndryshime mes afro 200 vendeve, që e praktikojnë në disa forma.
E shohim të arsyeshme të ndajmë ekonomitë kapitaliste në katër kategori të gjera. Ndërkaq, ashtu si një numër ekonomish kanë brenda disa prej tyre, shumica e ekonomive i takojnë kryesisht një kategorie. Tipologjia e mëposhtme ndihmon për të shpjeguar përse disa ekonomi rriten më shpejt se të tjerat.
Kapitalizmi oligarkik (oligarchic capitalism) ekziston atje ku pushteti dhe paratë janë përqendruar vetëm në pak duar. Është forma më e keqe e kapitalizmit, jo vetëm për pabarazinë e skajshme në të ardhura dhe pasuri, që të tilla ekonomi lejojnë, por edhe sepse elitat nuk nxisin rritjen, si objektiv qendror të politikës ekonomike. Ndërkaq, oligarkët fiksojnë rregullat për të maksimizuar të ardhurat dhe pasurinë e tyre. Të tilla masa mbizotërojnë në pjesë të mëdha të Amerikës Latine, Lindjes së Mesme Arabe dhe Afrikës.
Kapitalizmi shtetëror (state-guided capitalism) karakterizon ekonomi, ku rritja është objektiv qendror ekonomik (si dhe në dy format e tjera të kapitalizmit), por që synon ta arrijë duke favorizuar firma ose industri specifike. Qeveritë japin kredi (drejtpërdrejt përmes bankës qendrore ose duke orientuar vendimet për kredi në banka private), subvencione të drejtpërdrejta dhe/ose stimuj tatimorë, mbrojtje të tregtisë ose përdorin mekanizma të tjerë rregullatorë në përpjekje për të zgjedhur fituesit.
Ekonomitë e Azisë Juglindore kanë patur sukses të madh me drejtimin shtetëror, dhe deri nga fundi i viteve 1990 në Shtetet e Bashkuara dëgjoheshin thirrje për të ndjekur shembullin e tyre. Por thembra e Akilit e drejtimit shtetëror është se, sapo të tilla ekonomi i afrohen kufirit të potencialit prodhues, politikëbërësit mbarojnë së kopjuari industri dhe teknologji. Kur zyrtarë qeveritarë dhe jo tregjet përpiqen të zgjedhin fituesit e tjerë, ka rrezik të madh të zgjedhin pastaj industri të gabuara ose të kanalizojnë investime të fuqishme - dhe si rrjedhim kapacitetin e tepërt - në sektorët ekzistues. Një prirje e tillë kontribuoi dukshëm në krizën financiare aziatike të viteve 1997-98.
Kapitalizmi i firmave të mëdha ose kapitalizmi menaxherial (Big Firm or managerial capitalism) karakterizon ekonomi, ku firma të mëdha - shpesh të ashtuquajtura "kampione kombëtare" - mbizotërojnë prodhimin dhe punësimin. Ka sipërmarrje më të vogla, por janë kryesisht biznese të shitjes me pakicë ose shërbimesh me vetëm një ose pak të punësuar. Firmat e mëdha shkojnë larg me forcimin e ekonomive, me përmirësim dhe futje në prodhim masiv të novacioneve radikale, të krijuara nga sipërmarrësit (sh. më tej). Ekonomitë e Evropës Perëndimore dhe Japonia janë ekzemplarë udhëheqës të kapitalizmit menaxherial, i cili, si kapitalizmi shtetëror, jep gjithashtu rezultate të larta ekonomike.
Por dhe kapitalizmi menaxherial ka thembrën e vet të Akilit. Sipërmarrjet burokratike janë tipike për alergjinë ndaj risqeve të mëdha - domethënë, përpunimit dhe komercializimit të novacioneve radikale, që shtyjnë kufirin e potencialit prodhues dhe sjellin hope të vazhdueshme në rendiment dhe, në këtë mënyrë, në rritjen ekonomike.
Firmat e mëdha krahasimisht u ikin risqeve jo vetëm sepse ato kanë burokraci, me veshje menaxhmenti, të cilat duhet të miratojnë çdo novacion, por edhe sepse ngurojnë të financojnë novacione që kërcënojnë ti vjetërsojnë produktet apo shërbimet, që aktualisht u sjellin fitim. Sipas pikëpamjes sonë, caqet e kapitalizmit menaxherial shpjegojnë përse, pas afrimit me nivele të të ardhurave për frymë të SHBA-ve në fund të 1980-ës, Evropa Perëndimore dhe Japonia nuk mundën të barazoheshin me rigjallërimin e rendimentit të çmendur të teknologjive të informacionit në Amerikë, të filluar në vitet 1990.
Kjo na çon në tipin e katërt: kapitalizmi sipërmarrës (entrepreneurial capitalism). Ekonomitë, në të cilat dinamizmi vjen nga firma të reja, historikisht kanë komercializuar novacionet radikale, që vazhdojnë të zhvendosin kufirin e potencialit prodhues. Shembujt e dy shekujve të fundit përfshijnë produkte të tilla transformative dhe novacione si hekurudhat, automjetet dhe avionët; telegrafin, telefonat, radion dhe televizionin; ajrin e kondicionuar; dhe, siç është shënuar, teknologji të ndryshme përgjegjëse të revolucionit IT (Information Technology - teknologji informacioni), mes tyre mejnfrejmin (mainframe - ose sisteme qendrore kompjuterike IBM-je të fuqishme që përdoren nga organizime të mëdha) dhe kompjuterët personalë, routerët (router - rrjet informatik në tri nivele) dhe pajisje të tjera harduerësh si dhe softuerët operues.
Padyshim, asnjë ekonomi nuk mund të realizojë potencialin e vet të plotë vetëm me firmat sipërmarrëse. Kombinimi optimal i firmave përmban një dozë shëndetdhënëse sipërmarrjesh të mëdha, që kanë burime financiare dhe njerëzore për të përsosur dhe prodhuar masivisht novacione radikale, krahas firmave më të reja.
Ishte e nevojshme, për shembull, që Boingu (Boeing) dhe prodhues të tjerë të mëdhenj avionësh të komercializonin atë që nisën Vëllezërit Rajt (Wright), apo që "Ford" dhe "Xhenerëll Motors" (General Motors) të prodhonin masivisht automjetin e kështu me radhë. Por pa sipërmarrësit, pak nga novacionet vërtet të guximshme, që formuan ekonominë tonë moderne dhe jetët tona, do të ishin në përdorim.
Atëherë, sfidë për të gjitha ekonomitë, që synojnë maksimizimin e potencialit të tyre të rritjes, është të gjejnë kombinimin e drejtë të kapitalizmit menaxherial me atë sipërmarrës. Ekonomitë, ku sipërmarrësit tani lulëzojnë, nuk duhet të vetëkënaqen. Ekonomitë e drejtuara nga shteti mund të vazhdojnë rrugën e tyre të rritjes së shpejtë, por në fund të fundit u duhet të kalojnë në kombinimin adekuat të dy formave të tjera të kapitalizmit të mirë, nëse duan të vazhdojnë rritjen e shpejtë.
India dhe Kina, secila sipas mënyrë së vet, tashmë lëvizin në këtë drejtim. Sfida më e vështirë do të jetë arritja e një kalimi të ngjashëm në ekonomi, që zënë fill në kapitalizmin oligarkik. Për këtë mund të nevojitet njëfarë revolucioni - do të ishte ideale, paqësor, sigurisht - për të zëvendësuar elitat, të cilat tani sundojnë këto ekonomi dhe shoqëri, dhe për të cilat rritja nuk është objektivi qendror.
Titulli në origjinal: "Good Capitalism, Bad Capitalism" / Bashkautor, Robert Litan dhe Karl Shram.
Uiljam Baumol (William Baumol) është profesor i Ekonomiksit dhe drejtor i Qendrës së Sipërmarrjes në Berkli të Universitetit të Nju-Jorkut (Berkeley Entrepreneurship Center at New York University). Robert Litan është Zëvendëspresident për Kërkimet Shkencore dhe Politikën në Fondacionin "Kaufman" (Kauffman) dhe bashkëpunëtor i vjetër shkencor në studime dhe programe të ekonomisë globale në Institutin Brukings (Brookings). Karl Shram (Carl Schramm) është drejtor i Përgjithshëm Ekzekutiv dhe President i Fondacionit "Kaufman" dhe bursist i Batenit (Batten) në Shkollën e Biznesit "Darden" të Universitetit të Virxhinias.
Përktheu: Vladimir Mustaqi