Kemi pritur se mė 16 qershor Kosova do tė duket ndryshe. Do tė kishte qenė shpresė joreale po tė pritnim se kėtė ditė do tė kishte rrymė 24 orė, qė tė pėrmirėsohen pagat e arsimtarėve dhe tė mjekėve, qė vendkalimet kufitare nė veri tė vendit tė funksionojnė nė mėnyrė normale, qė papunėsia do tė pėsojė zbutje, standardi do tė ketė ngritje, kurse donatorėt do ti dėrgonin Prishtinės mesazhe se janė gati tė ndihmojnė, vetėm tė tregojė sa para i duhen.
Shumëçka prej këtyre janë obligime të Qeverisë së Kosovës, të cilat ua ngarkon Kushtetuta, por njëherësh ajo ka premtuar edhe nëpërmjet planit të punës. Për fat të keq, pikërisht më 16 qershor krijohet një situatë buzë anarkisë. Ka hyrë në fuqi Kushtetuta e Kosovës, por nuk mund të implementohet secili nen i saj; Qeveria ka premtuar se nga kjo ditë do të ketë kompetenca të plota, por ky mbeti vetëm premtim; EULEX-i është dashur të fillojë ta monitorojë pushtetin në Kosovë, mirëpo ky mision ende nuk e ka të qartë se cili do të jetë roli i tij; UNMIK-u është dashur të largohet, ndërsa, siç duket, ai ende nuk i ka bërë valixhet gati. As tri ditë pas fuqizimit të aktit më të lartë juridik nuk dihet se cili pushtet qeveris me Kosovën.
Kaosit edhe më shumë i ndihmoi letra e Ban Ki-Moonit dhe përgjigjja e presidentit Sejdiu. Pranohet një rikonfigurim i UNMIK-ut dhe ndryshime në mënyrën e funksionimit të pushtetit në veri të vendit, të cilat janë në kundërshtim të rëndë me përcaktimet kushtetuese. Kuvendi i Kosovës do të gjendet para dilemave të mëdha: ta pranojë se Kushtetuta është vështirë të implementohet në tërë vendin, të bëjë amendamentimin e disa neneve të saj, ose të kërkojë me këmbëngulje implementimin në tërë hapësirën e shtetit të ri, pa marrë parasysh reagimin e bashkësisë ndërkombëtare, apo të minoritarëve serbë. Asnjërën nuk do ta bëjë. Edhe për një kohë do të ketë paralelizma, të cilët do ta zbehin efikasitetin e Qeverisë së Kosovës.
Situatat që paralajmërohen, Qeveria e Kosovës mund ti përdorë si paravan për ti mbuluar lëshimet, apo për të gjetur arsyetimet pse nuk po mund ti realizojë premtimet. Edhe më tutje do të thirret në kompetenca të përgjysmuara dhe me pushtetet paralele që janë ndërtuar me bekimin e bashkësisë ndërkombëtare. Qeveria do të gjejë arsye të thotë se nuk mund të luftohet krimi dhe kontrabanda përderisa një pjesë e kufirit të Kosovës është e pambuluar, kurse veriu do jetë hapësira ku pushtetin real do ta kenë kontrabandistët.
Jostabiliteti dhe mosfunksionimi i Kushtetutës në veri sërish do të jenë faktet për ta arsyetuar mungesën e investimeve dhe druajtjen e investitorëve të huaj që të vijnë në Kosovë. Në mungesë të tyre, papunësia dhe varfëria do të thellohen edhe më tej. Këta indikatorë paralajmërojnë edhe rënien e tërë aktivitetit ekonomik dhe fuqisë blerëse të konsumatorëve. Ndërkaq, ajo më së keqi reflektohet në buxhetin e shtetit. Mund të ndodhë që të mos ketë mjaft para për ti mbuluar të gjitha premtimet, si për investime, ashtu edhe për rritjen e pagave të buxhetorëve.
Megjithatë, (mos)funksionimi i EULEX-it dhe i UNMIK-ut mund të përdoren si paravan fals nga Qeveria e Kosovës. Ajo ka premtuar se pas 15 qershorit do të funksionojë me tërë pushtetin dhe autoritetin në secilin skaj të Kosovës. Tash duhet tu dalë zot premtimeve, ose të pranojë sa ka gabuar në vlerësimin e rrethanave. /Marrë nga gazeta "Lajm"/