Nuk do shumė vėmendje pėr tė konstatuar se shumica nuk e ka fort seriozisht kur flet pėr standarde. Mė e pakta, hedhja poshtė e dekreteve tė Presidentit, nuk pėrbėn ndonjė standard. Prodhimi i konflikteve, gjithashtu nuk ka tė bėjė me standardet. Pėrkundrazi, vuajtja e gjithė klasės sė sotme politike, pikėrisht pėr shkak tė mungesės sė standardeve, ėshtė e dukshme.
Nuk do shumë vëmendje për të konstatuar se shumica nuk e ka fort seriozisht kur flet për standarde. Më e pakta, hedhja poshtë e dekreteve të Presidentit, nuk përbën ndonjë standard. Prodhimi i konflikteve, gjithashtu nuk ka të bëjë me standardet. Përkundrazi, vuajtja e gjithë klasës së sotme politike, pikërisht për shkak të mungesës së standardeve, është e dukshme. Praktika e ngërçeve dhe e krizave të herëpashershme, tashmë është instaluar rëndom. Mund të kujtojmë me këtë rast ndeshjet e para pas fitores së demokratëve dhe aleatëve të tyre në 3 korrik 2005. Numërimi dhe rinumërimi i votave, gjyqet (elektorale), hedhja dhe pritja e akuzave të ndërsjella, ardhja me vonesë në detyrë e administratës së re, asaj të zotit Berisha. Praktikat konfliktuale shoqëruan ngritjen dhe prishjen e mbikalimit tek Zogu i Zi, çështjen Sollaku, më pas vetë zgjedhjen e Presidentit të sotëm.
Pasi që u arrit njëlloj armëpushimi në emër të nevojës për implementimin e reformave kryesore dhe në prag të marrjes së ftesës për në NATO, tragjedia e Gërdecit rihapi thesin e madh të konflikteve. Shumica u përpoq dhe vazhdon të përpiqet për ta minimizuar ngjarjen, ca më tepër për tiu vjedhur asaj që opinioni e quan krim shtetëror. Konfliktet janë tërësore dhe të pjesshme. Pas ndryshimeve kushtetuese, ishte LSI dhe disa parti të tjera të majta, që e quajtën veten të përjashtuara nga Marrëveshjet; ato ngritën madje një komitet për shpëtimin e Kushtetutës, aksioni kryesor i të cilit - referendumi për ato ndryshime kushtetuese - mund të thuhet se nuk shkoi mbarë. Tani praktika e ndeshjeve politike pa fund, është duke u implementuar në vetë shumicën, siç do të thoshte Dostojevski, nën të njëjtën çati, në të njëjtin apartament, në të njëjtin kat...
Presidenti Bamir Topi ka pretenduar në vazhdimësi pavarësinë e institucionit madhor e të rëndësishëm që drejton, gjithaq edhe pavarësinë e tij si individ; (për hir të së vërtetës, pak argumente ka për të mos e pranuar një gjë të tillë).
Ai ka ardhur pikërisht prej kësaj shumice, madje nga kupola e saj drejtuese. Pikërisht ky karshillëk, flet sot më qartë se kurrë për idetë konfuze të shumicës dhe liderëve të saj në lidhje me konceptin dhe praktikat e pavarësisë. Të institucioneve dhe të individëve. Çështja shtrohet si formulohen kundërshtimet për kundërshtarët e pavarësisë. Përpara disa kohësh, jemi përpjekur të shtjellojmë përgjithësisht mungesën e ndërgjegjes së djathtë në Shqipëri. Për tiu afruar edhe më së vërtetës, kemi kërkuar ndihmën e letërsisë; fjala ishte për tregimin Heshtjet e zotit Myrke, të shkrimtarit të madh gjerman Hajnrih Bël. Këtu ai rrëfen për një gazetar radiofonik, që i lodhur dhe i mërzitur nga kronikat e veta false apo jo gjithnjë të qëlluara, mbledh shiritat ku ka vetëm heshtje. I ngjit dhe i dëgjon ato...
Duke kërkuar për ndonjë aludim, sado private qofshin impresionet, kemi ndarë atëherë nga aradha e politikanëve pikërisht Presidentin e sotëm; e kemi bërë këtë me vullnetin për të gjetur midis politikanëve shqiptarë ata që e fillojnë dhe e mbarojnë fjalinë, ata që dinë ti vënë asaj një pikë, ata që nuk shajnë, nuk mallkojnë, ata që mund të çlirojnë ca më shumë edukatë e qytetari se të tjerët. E thënë me fjalë të thjeshta, kemi shkruar atëherë, ne jemi në hall; dhe halli duhet përballuar. Por me njerëz ekstremistë dhe të lodhur, kjo nuk bëhet. Në kushte të tjera, pas një puç-i kundër dekreteve të tij, që disa media mendjelehta e titulluan edhe Pesë me zero, z.Topi i la pas të gjitha llojet e heshtjeve, duke e quajtur ekzekutim politik votimin e shumicës së cilës i përkiste dikur. Mbase zoti Topi asnjëherë nuk ka qëndruar gojëkyçur; por gjatë këtyre ditëve, sigurisht, shiritat e heshtjes nuk janë dashur më.
Përtej pandehmave se çpasqyron në të vërtetë kjo betejë dekretesh e kompetencash - luftën brenda të djathtëve apo atë mes institucionalizmit dhe autoritarizmit - situata është më e vështirë nga sa duket. Le të kujtojmë disa prej detyrimeve madhore, që rrjedhin prej nënshkrimit të Marrëveshjes së Asociim-Stabilizimit.
Kështu, midis të tjerave, kërkohen reforma të thella në të gjitha fushat, një rritje e shpejtë ekonomike, respekt për institucionet e pavarura, kthim të pronave të konfiskuara gjatë regjimit komunist, respektim të mediave dhe të pakicave, etj. Nuk do të ishte pa vend të thoshim se një pjesë e këtyre detyrimeve, janë vënë në diskutim. Mund të kujtojmë se me disa nga institucionet, administrata e sotme është përleshur pa pikë klasi; shumë prej tyre tashmë i ka shtënë në dorë ose përpiqet ti mënjanojë. Kthimi dhe kompensimi i pronave po kalon nëpër një ferr të vërtetë, qëkur nga Komiteti i Kthimit të Pronave u kalua në Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave dhe në kushtet kur ALUIZNI ka marrë pa të drejtë kompetencat e dhënies së titujve të pronësisë.
Në vend që të zbatojë ligjet dhe vendimet të cilat ajo vetë i ka miratuar, administrata ende nuk arrin dot të kontrollojë ethet e ndërtimeve dhe rindërtimeve pa lejë në të gjithë territorin e vendit, veçmas në zonat e lakmuara të Ultësirës Perëndimore. Sa për ndarjen me komunizmin, u bënë 17 vjet që flitet e stërflitet për hapjen e dosjeve dhe spiunët hanë bukë ende; nga ana tjetër, hedhja poshtë e kandidaturës së gjykatësit që vinte nga radhët e ish-të përndjekurve, duket se i vuri vulën zhurmës për integrimin e shtresave që përndoqi komunizmi. Kjo panoramë asfare optimiste zbutet herë pas here nga lëshimet e opozitës dhe nga përpjekjet e përbashkëta të PD e PS për reforma. Por për fat të keq, çdo përpjekje për të shkuar ca më tej, kompromentohet shumë shpejt. Këtë herë, shumica e ka më të lehtë të kuptojë autorësinë e saj dhe të liderit që e udhëheq, në gjithë këtë histori banale me konflikte.
shekulli.com.al