E enjte, 8.1.2009
RSS RSS Arkiva Marketing Kontakt
Ballina
Opinione
Ekonomi
Kulturė
Sport
Dosier
Spektėr
Foto Arkiva
Video Arkiva
TV Panorama



























Ballina > Kultura > I quajnė punė kalamajsh
I quajnė punė kalamajsh
I quajnė punė kalamajsh
Festivali mbarėkombėtar i fėmijėve ėshtė lėnė nė duar tė disa pseudokompozitorėve tė cilėt me mendjeshkurtėsinė e tyre kėrkojnė tė ndjekin shijen bastarde tė turmės veēse pėr tė fituar

Mbaroi dhe Festivali i 46-të Mbarëkombëtar i Këngës për Fëmijë në Shkodër. Ky aktivitet është i vetmi që i dedikohet jo vetëm krijimtarisë muzikore për fëmijë, por që realisht i shërben edhe edukimit muzikor të fëmijëve tanë. Përmes tij, me dhjetëra zëra të bukur janë seleksionuar, janë spikatur dhe kanë marrë rrugën e karrierës profesioniste deri në nivelet më të larta. Nga ana tjetër, frutet më të mira të këtij festivali mbushin çdo vit programin mësimor të mësimit të këngës në mbarë shkollat tona, tashmë 9-vjeçare. Pothuajse mund të përcaktojmë se krijimtaria e këtij aktiviteti përbën kontaktin e parë të fëmijëve me muzikën duke krijuar kështu shtresimet e para të shijeve të tyre muzikore.

E megjithatë pakkush e mendon këtë dhe pakkush e percepton si të tillë. Shumica mendojnë se është një aktivitet për të mbushur boshllëkun dhe kërkesën “fanatike” të shkodranëve për të organizuar një aktivitet Kombëtar apo edhe Mbarëkombëtar. Për këtë e financojnë si nga Qendra (Ministria) ashtu dhe nga baza (Bashkia e Shkodrës). Festivali ka tërhequr gjithashtu edhe vëmendjen e Kryetares së Parlamentit duke marrë “rëndësinë e duhur politike”. Formalisht Festivali monitorohet nga Ministria, duke dërguar çdo vit nga një “specialist” (shpresojmë edhe këtë vit) i cili sigurisht gëzon statusin e të privilegjuarit por, puna e tij konsiston kryesisht në atë se si të bëjë që të refuzojë qerasjet me kafe apo pije që i vijnë nga të gjitha anët. I ka provinca disa zakone të mira mikpritëse.

Për efektin psikologjik, edukativ, artistik etj., është menduar t’u lihet në dorë vetë fëmijëve. Ata më mirë se kushdo e dinë vetë se si duhet të edukohen jo vetëm muzikalisht po edhe emocionalisht, edhe psikologjikisht e për këtë arsye janë pikërisht ata – fëmijët të cilët duhet të votojnë për vlerat që shfaqen në Festival. Demokraci e pastër! Kjo për mendimin tim është shprehje e papërgjegjshmërisë më të lartë të drejtuesve të aktivitetit po edhe e Qëndrës, deri në majën e vet. Mesa duket, edhe ata persona që drejtojnë nga majat janë vetedukuar, prandaj janë kaq “të kulturuar” e kaq “të ditur”. Juria e specialistëve, si kudo po konsiderohet e pavlefshme dhe e padobishme, në vend të saj krijohen juritë klanore të “specialistëve të vyshkur”.

Këtë vit juria “e të rriturve” na ka zgjedhur nga të gjitha këngët e këtij festivali si këngë fituese të Çmimit të parë atë të kompozitorit Klodian Qafokue titulluar “Do të bëhem Superstar” e cila nga pikëpamja muzikore nuk kishte as më pak as më shumë vlerë se sa këngët rozë të kanalit televiziv “më pak” të ndjekur e më “pak të respektuar” në vend, një këngë gjysmë orientale e gjysmë “rap”, mjaft ordinere nga pikëpamja e vlerave muzikore, me një tekst i cili nuk kishte asgjë të përbashkët me poetikën e aq më pak me poetikën fëminore, e kënduar nga një zë i bukur, por e mësuar mbrapsht, pa origjinalitet dhe pa shije. Mendoni këngët e tjera, nëse gjykojmë që sigurisht duhet të jenë më të dobëta se kjo. E gjithë ditën flasim për standarde!

Jo, seleksionimi apo vendosja e çmimeve nuk mund t’i lihen shijes bastarde të një grupi të fosilizuar apo as edhe shijes së një individi të vetëm me kontribut siç ështëKujtim Alia. Jo, zotërinj! Kësaj i thonë “në vend të vemë vetullat, nxjerrim sytë”.

Më është ngulitur në mendje ajo çka më ka treguar njëri nga muzikantët tanë të shquar, i cili fatkeqësisht nuk jeton më. “Fitova një bursë për të studiuar jashtë vendit (në Evropën Qëndrore), më tha një ditë. Mora me vete dhe fizarmonikën, pasi isha mësuar të nxirrja ndonjë të ardhur nga ajo. Shëtita të gjitha lokalet dhe nuk më pranoi asnjë. Mendo, isha nga instrumentistët më të mirë në Tiranë! Një ditë një shok vendas më tha. Nuk njeh repertorin e vendit tonë, mësoje atë dhe do të shikosh se si do të të marrin menjëherë”. Dhe pas njëfarë kohe vërtet fillova të punoj. Në atë vend, në të gjitha lokalet repertori ishte i kontrolluar dhe i seleksionuar”. A nuk është pikërisht ky fenomen që vemë re në lokalet dhe ambientet publike në Itali, në Greqi, e në të gjithë Europën e zhvilluar? Vetëm ne duam të zhvillohemi si kozmopolitë e që mohojmë vlerat tona për hir të të qënit “modern”.

Do t’ua falja repertorin të gjitha lokaleve apo mejhaneve të vendit, se fundi i fundit muzika që bëhet në to rezonon në veshët e psikologjinë e njerëzve madhorë apo brezave të rritur e të djegur, siç jemi ne të gjithë, por kurrë nuk do t’ua falja mosseleksionimin me kujdes, dije, përgjegjësi dhe dashuri të repertorit muzikor e artistik të fëmijëve. Ai është si druri që mban filizën e njomë të rritet drejt, është si qumështi i gjirit të nënës i cili e bën të fortë, është si drita e diellit, mungesa e së cilës zverdh bimën. Madje, ky repertor nuk mund t’i lihet në dorë disa parolierëve pa përgjegjësi, nuk mund t’i lihet në dorë pseudokompozitorëve të cilët me mendjeshkurtësinë e tyre kërkojnë të ndjekin shijen bastarde të turmës veçse për të fituar. Nëse kompozitorët e vërtetë nuk shkruajnë, mendoj se ata e ndiejnë se vëmendja ndaj kësaj krijimtarie ka rënë edhe se në trungun e organizimeve të tilla janë zvarrisur mjaft krimba që me pjellat e tyre sot po mohojnë çdo traditë të mirë të atyre pak festivaleve fëminore që zhvillohen në vend.

Zotërinj hapni sytë! Këtu afër, në Bolonja të Italisë zhvillohet një nga festivalet më të mirë në botë për fëmijë “Zecchino d’oro”. Këngët aty seleksionohen nga një Juri e përbërë nga specialistë: muzikantë të shquar e me përvojë, poetë, estetë, psikologë etj, të mbledhur nga të gjitha anët e këtij vendi për të arritur atë rezultat që njihet. Mos ndoshta mendoni se afrimi me këtë vend të kulturës muzikore do të realizohet nëpërmjet daljes në skenë të ndonjë fëmije të sforcuar e të mjerë të cilit i mësojme ndonjë këngë të Çelentanos? (Ky repertor përveç të efektit antiedukativ, me diapazonin e vet të stërmadh: La – Mi, është bërë e modës t’i shqyejë zërat e fëmijëve tanë, deri në shëmtim!)

Tekstet e këngëve të Festivalit “Zechino d’oro” jo vetëm që janë mjaft të bukura e edukative, por edhe të mbushura me figura letrare të afërta me botën e fëmijëve dhe fantazinë e tyre. Ato kundrohen në vështrimin, teknik muzikor, e gjithashtu edhe në atë psikologjik, sociologjik, historik, estetik, njohës si dhe në vështrimin moral. E di, nuk është e lehtë të arrihet ky nivel, por është e domosdoshme nëse duam të rrisim një brez të shëndoshë në të ardhmen. Mos duhet të kursejmë edhe për këtë?

Kompozitor

Do t’ua falja repertorin të gjitha lokaleve apo mejhaneve të vendit, se fundi i fundit muzika që bëhet në to rezonon në veshët e psikologjinë e njerëzve madhorë apo brezave të rritur e të djegur, siç jemi ne të gjithë, por kurrë nuk do t’ua falja mosseleksionimin me kujdes, dije, përgjegjësi dhe dashuri të repertorit muzikor e artistik të fëmijëve



Publikuar: 19.06.2008 04:46:02
Lexuar: 118 herė
Fjalėt kyēe: Festivali, mbarėkombėtar, fėmijėve,
  


Lajmet e fundit
Nesėr versioni i parė zyrtar i Windows 7 Nesėr versioni i parė zyrtar i Windows 7
Vraponi pėr jetė mė tė gjatė Vraponi pėr jetė mė tė gjatė
Mundet tė pėrmirėsojmė shėndetin? Mundet tė pėrmirėsojmė shėndetin?



Lajmet te ngajshme
"Nuk ka studim per fondin e Galerise se Arteve"
Shqipėri: 18 prill promovim i trashėgimisė kulturore Shqipėri: 18 prill promovim i trashėgimisė kulturore
Ferdinand Deda, pėrkujtim me vepra Ferdinand Deda, pėrkujtim me vepra
Pentagramet e ndaluara tė pianistit tė parė Pentagramet e ndaluara tė pianistit tė parė
Shqipėria dhe Kosova sipas fėmijėve Shqipėria dhe Kosova sipas fėmijėve
Grekėt Grekėt "pajtohen" me ēamėt
"Mashtruesit", temė reale Kosovare
"ArtKontakt"nė Lėkurs
Sarandė, rihapet muzeu arkeologjik Sarandė, rihapet muzeu arkeologjik
Censura dhe magjia e artit tė Anagnostit Censura dhe magjia e artit tė Anagnostit
Google Yahoo MSN