Plani i Ahtisarit ia mbyll dyert Kosovės nė integrimet kombėtare dhe ndėrkombėtare
Plani i Ahtisarit, i pasqyruar edhe ligjėrisht, me shkronja dhe me frymė, edhe nė Kushtetutėn e Kosovės, duke dėshtuar ta shuajė konfliktin shqiptaro-serb, madje duke e bėrė atė edhe mė tė mprehtė, duke i penguar integrimet shqiptare si dhe duke e ndaluar bashkimin kombėtar tė popullit shqiptar, ai pra, - Plani i Ahtisarit i pengon drejtpėrdrejt edhe integrimet ndėrkombėtare tė Kosovės.
Plani i njohur për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, ose Plani Gjithëpërfshirës për Përcaktimin e Statusit të Kosovës, i njohur si Plani i Ahtisarit, është dokumenti ndërkombëtar më kontradiktor dhe më i diskutueshëm në lidhje me çështjen e Kosovës. Kuvendi i Kosovës e ka mbështetur dhe e ka pasqyruar atë plotësisht edhe në Kushtetutë; analistë të ndryshëm e kanë përkrahur si zgjidhje realiste; të tjerë si zgjidhje kompromisi; shumë të tjerë e kanë hedhur poshtë si jofunksional; të tjerë si antishqiptar; në demonstratë kundër këtij plani kanë rënë edhe dy dëshmorë: Mon Balaj dhe Arben Xheladini.
Plani i Ahtisarit, - thonë përkrahësit e tij, - pikën më të ndritshme e ka në rekomandimet e tij, në të cilat thuhet se Kosova do të jetë e pavarur dhe kjo pavarësi, - vazhdojnë ata, - Kosovës ia hap dyert e integrimeve evropiane e botërore.
Sa është kjo e vërtetë?
Plani i Ahtisarit, me gjithë rekomandimet e tij dhe pavarësisht prej qëllimit të vërtetë të tij, nuk arrin aspak ta shuajë, madje as ta qetësojë përkohësisht konfliktin shqiptaro-serb për Kosovën. Ai madje, duke e shpallur Kosovën shoqëri multietnike, territor pa pronar të vërtetë, tokë të askujt apo të të gjithëve, duke mos e njohur popullin shqiptar të Kosovës si komb, por si komunitet, duke mos e quajtur pakicën serbe dhe pakicat tjera në Kosovë me emrin e tyre të vërtetë - minoritet, por duke i trajtuar si shqiptarët - komunitet, e sidomos duke i lejuar pakicës serbe lidhje të veçanta me Serbinë, ky Plan nuk i shuan aspak orekset shoviniste e ekspansioniste të Serbisë, por i ushqen vazhdimisht dhe i mban gjallë këto orekse.
Plani i Ahtisarit, duke deklaruar se Kosova nuk do të ketë pretendime territoriale ndaj asnjë shteti apo pjese të ndonjë shteti dhe nuk do të kërkojë bashkim me asnjë shtet apo pjesë të ndonjë shteti, ia mohon të drejtën fundamentale një populli të vendosë vetë për fatin e tij, dhe, çka është më e keqja, vazhdon ta mbajë të hapur çështjen e Kosovës si një çështje të pazgjidhur; rrjedhimisht, destabilizimi politik është i pashmangshëm.
Në anën tjetër, sipas këtij plani Kosova do të gëzojë të drejtën e negocimit dhe lidhjes së marrëveshjeve ndërkombëtare dhe të drejtën për të kërkuar anëtarësim në organizata ndërkombëtare. Por, si do ta shfrytëzojë Kosova këtë të drejtë?
Destabilizimi i situatës politike dhe polarizimet e skajshme kombëtare që i kushtëzon Plani i Ahtisarit nuk mund të mos reflektohen me polarizime edhe në skenën politike ndërkombëtare. Këto polarizime do të jenë pengesa të vazhdueshme për Kosovën që të integrohet së paku në tri institucionet më të rëndësishme ndërkombëtare OKB, BE, NATO, ku edhe kërkohet konsensusi për anëtarësime të reja.
Pra, Plani i Ahtisarit ia mohon Kosovës të drejtën të cilën do të mund ta shfrytëzonte (integrimin kombëtar), ndërsa ia lejon të drejtën të cilën nuk mund ta shfrytëzojë (integrimet ndërkombëtare).
Pikërisht duke ia mohuar popullit shqiptar të drejtën e patjetërsueshme për bashkim kombëtar, rrugë kjo që do ta hapte mundësinë e stabilitetit politik dhe ekonomik të Ballkanit dhe paqes së vërtetë, Plani i Ahtisarit bëhet edhe pengesë e kushtëzuar nga situata në terren, që do të thotë pengesë reale edhe për integrimet ndërkombëtare.
Përfundimisht, Kosova me Planin e Ahtisarit i ka dyert të mbyllura edhe për integrimet kombëtare, edhe për integrimet ndërkombëtare./telegrafi