Duket e thjeshtė. Por edhe sistemimi i gardėrobės ka rregullat e veta. Pėr tė kursyer kohė dhe hapėsirė.
Por edhe për tu relaksuar Dëshirë për të vendosur pak rregull (ndodh ndonjëherë)? Atëherë pse të mos merresh pak me dollapin tënd të rrobave? Me kalimin e kohës dollapët mbushen gjithmonë e më shumë, duke u bërë një lëmsh i vërtetë.
Derisa arrin momenti i pashmangshëm kur në mes të atij lëmshi nuk arrini të gjeni më asgjë. Atëherë, ka ardhur momenti për një pastrim me themel.
Përgatitje
Kush e ka provuar më parë që të vendosë pak rregull mes malit me rroba, e di shumë mirë që kjo punë kërkon të paktën një pasdite të tërë. Kështu që atë ditë mos planifikoni as shëtitje nga Blloku, as kinema. Një përgatitje në këtë rast është e domosdoshme.
Mos fillo pa gjetur më parë gjërat e nevojshme: qese të mëdha për gjërat e dala nga përdorimi dhe që duhen hedhur, shumë varëse rrobash, një pasqyrë të madhe pranë dollapit, për të provuar rroba që kishe kohë pa i veshur, dhe ...një shoqe që do të bëjë rolin e arbitrit.
Sepse e dimë të gjitha, që edhe pse heqim mënjanë një mal të tërë me rroba që duhen hedhur, në fund tentojmë që të mos hedhim asnjë dhe i palosim përsëri në raft.
Në këtë rast do të ishte shumë i nevojshëm gjykimi i rreptë i një shoqeje, e cila do të të mbushë mendjen për ato gjëra që duhen hedhur poshtë.
Bëj një seleksionim
Në dollap do të gjesh me siguri gjëra që padyshim nuk hyjnë më në punë prej kohësh dhe duhen hedhur. Bluza të vjetra, mbathje të çngjyrosura, çorape me fije të hequra. Hapi i parë: futi të gjitha në një qese të madhe dhe nxirri jashtë dhomës.
Kështu do të kesh më shumë hapësirë për të vendosur rrobat që do të të hyjnë në punë. Por edhe me këtë veprim nuk je akoma gati për të filluar... me siguri që nëpër qoshet e dollapit do të gjesh shumë gjëra të tjera që, edhe pse nuk janë të dëmtuara, duhen hedhur.
Xhaketa, pantallona, bluza, funde... Zakonisht këshillohet që hidhen të gjitha ato rroba që nuk janë veshur asnjëherë që prej tre vitesh. Në praktikë nuk është kaq e thjeshtë.
Gjithmonë të vjen keq ti hedhësh ato rroba që ndonëse nuk i vesh më, dikur të kanë pëlqyer shumë. Në këtë rast të vjen në ndihmë pasqyra. Provoji të gjitha me radhë. Nëse ndonjë prej tyre të rri mirë dhe të pëlqen aq sa do ta vishje menjëherë, atëherë mbaje. Ndryshe, fute pa asnjë dyshim në qesen e rrobave të hedhura.
Duhen hedhur patjetër: veshjet që tashmë duken shumë të vogla për trupin tënd (ose... çfarë lumturie! shumë të mëdha), rrobat jashtë mode dhe ato të tjerat që nuk të tërheqin më.
Nëse nuk arrin të hedhësh disa rroba sepse të kujtojnë kohët e shkuara, atëherë futi në qoshen më të errët të dollapit, në mënyrë që kur, në mëngjes në vrap e sipër të kërkosh diçka për të veshur, mos të të dalin përpara dhe të të bezdisin.
Ndaj rrobat që duhen riparuar
Të jesh e sigurt që në dollap do të gjesh edhe gjëra që nuk i vesh më, sepse u mungojnë kopsat, sepse copa ka marrë një ngjyrë të errët, apo sepse kanë ndonjë njollë.
Është momenti për të bërë diçka. Vendosi mënjanë rrobat që kanë nevojë për ndonjë riparim të vogël dhe premtoji vetes që do ti çosh patjetër tek rrobaqepësja ose në lavanteri sapo të mesh një moment të lirë.
Por nëse koha kalon dhe rrobat vazhdojnë të mbeten në pritje brenda në qese, atëherë është më mirë që ti hedhësh, sepse siç duket as që ka për tu ardhur ndonjëherë radha për tu rregulluara e jo më për tu veshur.
Dollapi
Pasi të kesh hedhur të gjitha rrobat ose edhe të gjitha çikërrimat e tjera që nuk të hyjnë më në punë, fillo me kohën që do të të duhet për të vendosur gjërat që kanë shpëtuar në dollap.
Ndoshta deri në këtë pikë do të jesh shumë e lodhur, po është shumë e rëndësishme që ta heqësh qafe këtë punë. Sepse sa më shumë i rregullt që të jetë dollapi, aq më e thjeshtë do të jetë për të gjetur gjërat që do të të duhen dhe do të jetë akoma më e thjeshtë për tiu përgjigjur pyetjes: çfarë do të vesh sot?
Bëj një ndarje mes rrobave që i vesh për në punë dhe atyre të tjerave që i ke për raste të veçanta. Do të shohësh se sa shumë kohë do tju kursejë kjo gjë në mëngjes.
Vendos mënjanë edhe veshjet e mbrëmjes. Duke mos i veshur përditë, shpesh ndodh që veshje të tilla fshihen nëpër qoshet e dollapit dhe nuk e di më që i ke. Por kur papritur do të marrësh një ftesë për një festë, do ti gjesh të gjitha rrobat në të njëjtin vend.
Kështu do të jetë edhe më e thjeshtë për të zgjedhur.